Jurgen Kaçani: Në Vlorë mblidhen në një, ajri, kaltërsia, bukuria natyrore, tradita dhe kënga

806

INTERVISTA/ Flet këngëtari i mirënjohur i këngës popullore Jurgen Kaçani: Nënat duhen respektuar më shumë, gjallojnë jetën

Ai e ka filluar këngën qysh në moshën 8 vjeç dhe nuk e ka ndalur kurrë. Së bashku me motrën Mariolën, ata përbëjnë një dyshe simpatike, të cilët me këngën kolazh dasme po thyejnë rekordet e pëlqimeve në internet. Madje, mund të themi se pëlqimet kanë arritur një milion. Tashmë ai është në përgatitjen e albumit të parë, por sigurisht së bashku me Mariolën. Ai nuk e mohon ndihmën e së motrës, por sigurisht mbështetet tek forcat e veta.

 Kur keni filluar apo kush e zbuloi talentin tuaj si këngëtar?

 Kam qenë në klasë të dytë  të shkollës fillore, kur është bërë Festivali i Këngës Popullore për Fëmijë në Vlorë, ku unë kam marrë pjesë së bashku me motrën time Mariolën. Në komisioni ishin Meliha Doda dhe shumë personalitete të tjerë të këngës popullore. Unë në këtë Festival kam kënduar këngën popullore “Vogëlushe vogël o”,  ku kam marrë çmimin e dytë. Ishte viti 2001. pas kësaj unë angazhohesha ën shumë aktivitete të tjera që zhvilloheshin në Vlorë, ku në kam marrë pjesë me djalin e xhaxhait tim Klodian Kaçani. Në të gjitha koncertet ne ishim aktiv dhe kemi  marrë pjesë në të gjitha Festivalet e këngës popullore që zhvilloheshin në atë krahinë. Duhet të dini se kënga popullore ne krahinën tonë është shumë e kultivuar dhe ka shumë përhapje dhe kërkesa.

 Po si profesionist, kur ke marrë pjesë në aktivitete të ndryshme në rang kombëtar apo më gjerë?

Kam dalë në një potpuri kënge labes bashkë me Mariolën. Ose më mirë të themi një kolazh i veçantë që u bë prezent tek  Maratona e këngës popullore që shkonte qytet më qytet nga Tirana dhe në gjithë qytetet e kufijve etnik shqiptar. Mund të them se ishte viti 2008. Ky kolazh ishte një këngë shumë e mirëpritur e realizuar me Adrian Hila. Por kam bashkëpunuar dhe me Edmond Zhulalin.

 Sa këngë keni të repertorit tuaj?

 Unë kam 6 këngë të miat, pra të kënduara nga unë dhe nga Mariola. Nga këto 4 këngë i kam me Mariolën dhe dy këngë i kam të miat. Të gjitha këngë që kanë zënë vend në të gjithë hapësirat mbarë shqiptare.

 Kush është kënga juaj e fundit me Mariolën?

Është një kolazh dasme, me këngë labe, pra urimet e xhaxhallarëve, dajove, tezeve, hallave, me karakteristikat e tyre të mënyrës se si thuhen urimet. Kjo këngë po i afrohet 1 milion klikimeve. Por kjo nuk do të thotë që këngët e tjera nuk kanë pasur interesim. Por dihet dasmat kanë tradita të veçanta tek ne dhe ato këngë janë shumë të ndjekura.

 Keni menduar për ndonjë album?

Tashmë që kam realizuar mbi 6 këngë po mendoj edhe për albumin e parë. Nuk jam ndonjë tifoz i veçantë i albumeve, por mendoj se në Shqipëri i jepet shumë prioritet. Por nuk e kam caktuar kohën se kur  do të na jepet mundësia për një album. Sigurisht edhe albumin mendoj ta realizoj së bashku me Mariolën, pasi këngët më të mira i kam bashkë me të.

 Ke pasur vështirësi dhe pengesa në këtë rrugë?

Nuk them se kam pasur vështirësi të mëdha, pasi kam pasur përkrahjen e Mariolës, por dhe arritjet e mia qysh në vogëli. I kam ngjitur shkallët një e nga një, me kujdes, duke mos thënë që arrita gjithçka, pra kam ecur me këmbë në tokë.

 Pse keni zgjedhur këngët popullore si gjini të këngës?

Kam zgjedhur këtë gjini pasi kjo këngë është më e pëlqyera në jug por edhe në Shqipëri. Mund të them se në Vlorë kjo gjini kënge është në shpirtin e Labërisë, është në brendi të tyre. Është këngë që këndohet kudo dhe që shpreh një realizim shpirtëror të mrekullueshëm. Pastaj me këtë lloj kënge unë nisa rrugën time, u bëmë njësh të dy, gjetëm njeri tjetrin dhe nuk mund ta ndaja. Me këtë këngë mora rezultatet e para, mora ato që ëndërroja dhe nuk doja të ndryshoja kurs. Nuk do të them që nuk do të këndoj dhe këngë të tjera, por kjo është kënga e rrënjës time, e qenies time, e arritjeve të mia. Unë e qartësoj publikun se jam këngëtar i këngës popullore.

 Kush janë të veçantat e tua si këngëtar?

Unë kam të veçantat e mia si çdo këngëtar. E para këndoj live, këndoj në çdo kohë dhe në çdo vend.  Kërkoj më të mirën ën zërin tim dhe në repertorin tim, kërkoj shumë nga vetja. Nuk dua të jem si njeri që fluturon për çdo arritje dhe nuk xhelozoj për keq. Kam ambicie profesionale por kurrë smirë apo egoizëm të pabazë. Kam zërin tim, të veçantat e këtij zëri dhe nuk mundohem as të kopjoj as që të sillem si dikush tjetër. Pra mundohem të jem vetvetja me karakteristikat e zërit tim.

 Pse kënga popullore ka zënë kaq vend në publik?

Unë mendoj se muzika popullore jugore ka timbër të veçantë  që lidhet dhe me karakteristikat e kësaj krahine. Kryesore është se kjo lloj muzike është tradicionale, është autoktone, nuk ka kurrfarë huazime siç mund të ketë ndonjë trevë tjetër. Kënga popullore e jugut dallohet që në tingujt e parë të muzikës dhe atë e dallon edhe mes mijëra këngëve të tjera. Por edhe vetë këto treva të jugut kanë nxjerrë këngëtarë potentë, që kanë lënë gjurmë dhe që kanë nxitur brezat e tjerë për të qenë besnik të kësaj kënge. Nuk mund të them që krahinat e tjera nuk kanë këngë popullore të bukur, por tashmë po flas për këngët e krahinës time. Kudo ka këngë të bukura në Shqipëri, por unë mbroj këngët e qytetit apo të zonës time, pasi me to kam pasur suksesin.

 Cili është mendimi juaj për këngën tallave? A do keni në albumin tuaj një këngë të tillë?

Unë respektoj çdo gjini kënge, por tallavaja nuk është në preferencat e mia. Me këtë nuk dua të kritikoj ata që këndojnë këtë gjini kënge. Secili këngëtar ka ambiciet, kërkesat, karakteristikat e zërit të tij. Në këtë këndvështrim, mund të them se kur më kërkohet, këndoj tallave, por kurrë nuk do të kem në album apo në klipet e mia një këngë tallava.

 Këngëtarët meshkuj janë më pak të preferuar se këngëtaret femra. Mendimi juaj?

Jo unë nuk kam këtë mendim. Kjo varet nga spektatori. Ai që shkon për të dëgjuar muzikë, ai që e ndjen dhe e njeh muzikën nuk shikon se kush këndon, por çfarë këndon. Pra ka shumë këngëtarë të preferuar meshkuj ashtu si ka dhe femra. Por ka dhe një dallim tjetër

Mos ka të bëjë me femra që këndojnë me “Play back” dhe që nuk kanë zë?

Pikërisht ka dhe pseudo-këngëtarë, që nuk këndojnë, por që më shumë nxjerrin në pah vetëm linjat  e trupit. Këtu nuk bëhet fjalë për këngë. Këto kanë adresë të gabuar. Por sot spektatori është më i specializuar për këngën dhe din të bëjë dallimet. Tashmë ai kur nuk mund të gënjehet. Mund të gënjehet dy herët e para, por jo më tej.

 Sot motra juaj Mariola, a përbën një model këngëtareje?

Po, për mua po. Aktualisht Mariola është një model këngëtareje pasi ka bërë shumë emër, rezultatet e saj janë në rritje, nuk është velur nga suksesi dhe është shumë këmbëngulëse. Unë kam mësuar shumë nga ajo. Mariola është një profesioniste korrekte me veten dhe me të gjithë kolegët. Punon, studion dhe është në kërkim të së resë. Ajo nuk ndalet më asgjë kur vjen puna për këngën.

 Kush janë miqtë e tu më të mirë ?

Kam shumë miq, por koha më bën që me pak të shoqërohem. Ndër ata që janë miq të vërtetë është këngëtari  Arjan Korkaj, me të cilin bisedoj probleme nga më të ndryshme në fushën e muzikës. Bisedoj dhe probleme që qahen mes miqsh.

  Cilët kanë qenë kompozitorët që ju keni pasur më shumë bashkëpunim në këtë rrugë?

 Sot në Shqipëri ka shumë kompozitorë të mirë, por ne në rrugën tonë më shumë kemi bashkëpunuar me Adrian Hila, Sokol Marsi, Edmond Zhulali, janë disa nga kompozitorët që unë dhe Mariola kemi bashkëpunuar. Të gjithë kanë profesionistë të mirë, të cilat kanë bërë emër.

 Cilët kanë qenë idhujt tuaj të fëminisë në rrugën e këngës popullor?

 Së pari duhet të përmend Meliha Dodën  që për mua mbetet një këngëtare brilante me trion e saj vlonjate. Pra me një fjalë grupi popullor vlonjat që ka lënë gjurmë në tërë historinë e tij. Ndërsa jashtë Glezios i riu, që ka një zë tepër karakteristik dhe të magjeps me interpretimin e tij. Por dhe Xheksoni që mbetet unik.

Kush janë hobet tuaja?

Futbolli. Gjithmonë, kur gjej kohë organizohem me shokë dhe luajmë futboll.

 Si do ta cilësonit femrën?

Femra është një krijesë e brishtë, një krijesë që është burim jete. Të gjithë kemi nëna dhe motra dhe duhet t’u falim respekt maksimal.

Ku i bëni kryesisht pushimet?

Në Vlorë. Vlora është magji për shumë gjëra. Në Vlorë mblidhen në një, ajri, kaltërsia, bukuria natyrore, tradita dhe kënga.