Juljan Deda: Mbas çdo spektakli kam një telefonatë…

854
Është një prej aktorëve më të dashur për publikun shqiptar, Julian Deda, të cilin e shohim çdo javë spektaklin humoristik Apartamentin 2XL. Gjatë një interviste për gazetën “Telegraf ” aktori i talentuar tregon përvojën e tij 8 vjeçare në Apartamentin 2XL, i cili sipas tij është një ndër spektaklet e humorit më të ndjekur dhe më të suksesshëm. Juli i quan ato, vite të arta të apartamentit. Gjithashtu Juli nuk i shpëtoi dot pyetjes sonë në lidhje me politikën, e cila, sipas tij ajo është kthyer në pazar. Gjithashtu ai flet edhe për marrëdhëniet me babain e tij, aktorin e madh Zef Deda dhe raportet më familjen.

Juli meqenëse ne takimin e lamë këtu në Apartamentin 2XL unë do ta quaja si shtëpinë tënde të dytë. Ke shumë vite në këtë format mund të më thuash pak ndjesitë tuaj dhe si ka ecur ndër vite Apartamneti 2XL?
Në fakt nga një herë kjo kthehet dhe në shtëpinë time të parë, vërtet nga volumi i punës, do me thënë këto tre muajt e sezonit e kemi si shtëpinë tonë të parë se ne në fakt jemi tamam si në shqip se dhe ambienti është si shtëpi por dhe me njëri tjetrin ne jemi si motra e vëllezër që edhe zihemi edhe qeshim e lozim, por ne shkojmë shumë mirë me njëri tjetrin kjo është dhe kryefjala jonë. Pastaj eksperienca ime këtu ka qenë fantastike, ku në janar bëj plot 8 vite një eksperiencë mjaft e gjatë, një eksperiencë shumë e mirë për shkak dhe formatit dhe profesionistëve që punoj. Për mua apartamenti 2XL është një format që çdo aktorë nxjerr në pah atë që di të bëj më mirë dhe në këtë sens unë e kam abitatin tim natyral këtë, pra unë hyj tek ata aktorë që nuk i kam shumë qejf paruket, veshtjet, gjërat, por dua të jem i lirshëm në skenë dhe Apartamenit 2 XL ta ofron këtë gjë. Ti je Juli në këtë situatë dhe urdhëro çfarë do të bësh dhe në këtë sens profesionalisht unë jam shumë i kënaqur me punën që është bërë deri tani, me uljet dhe ngritjet e veta, se ka grafik, jo çdo gjë ka shkuar vaj, se ka pasur dhe ulje, por sot, falë punës tonë jemi me të vërtetë në një situatë shumë të mirë profesionale dhe në raport me publikun dhe me punën që ne duam të arrijmë, kështu që këto kanë qenë vitet e mia të arta në profesion dhe unë jam shumë i kënaqur . 

Më the që ke 8 vite në apartament 2XL dhe i quajte vite të arta për çfarë Juljan Deda do ta linte Apartamenti 2XL ? 
Unë nuk jam person që nuk them kurrë për asgjë, ujërat lëvizin deri tani nuk kam pasur ndonjë arsye për ta lënë por kjo nuk do të thotë që në të ardhmen nuk do kem një arsye qoftë dhe për të ikur në ndonjë vend tjetër. Apartamenti 2XL do të stopojë deri atëherë kur nuk do ketë diçka për të dhënë më dhe unë do ta braktis atë atëherë kur unë do të kem diçka të mirë për të dhënë në një projekt tjetër, ku do të shfaq diçka tjetër nga vetja. Pra unë nuk them kurrë jo, por deri tani nuk ka ardhur akoma ai moment, por jam gjithmonë i hapur, qoftë brenda televizionit, qoftë jashtë tij, por për momentin jam i realizuar për atë që dua të bëj. Jemi emision i ndjekur, jemi rehat, bëjmë gjëra që duam të bëjmë, pa ofenduar njeri, pa cenuar njeri. Duhet të them këtu se kemi dhe një bashkëpunim të jashtëzakonshëm njerëzorë me punëdhënësit që absolutisht për asnjë moment nuk kanë ndërhyrë, as për mirë, as për keq kemi qenë të lirë për ta ushtruar profesionin ashtu si ne dimë të bëjmë ata kanë pasur besim të ne dhe unë i falënderoj shumë për këtë. Por se për çfarë mund ta lija nuk e kam ide në botë mund të jetë nesër një projekt tjetër mund të jetë pas tre vjetësh por nuk e kam akoma në plan. 

Përveç apartamentit 2xL kemi dhe disa spektakle humori. Mendon se Apartamenti 2xL i ka arritur qëllimet e veta të audiencës në krahasim me AlPazarin, portokallinë? 
Ne duhet të kuptojmë diçka se tregu është i hapur nuk është me një spektakël dhe aty laj thajë gjërat. Kështu që dhe në format apartamenti 2XL nuk rivalizon me asnjërin nga këta, sepse është format krejt tjetër, ndoshta Portokallia dhe AlPazari janë të përafërta si formate, Apartamenti ka format krejt ndryshe nga këto të dyja si koncept, kështu që detyrimisht Apartamenti ka krijuar audiencën e tij, pra nuk i kemi marrë dikujt audiencë, ne e kemi krijuar vetë atë, kush do të shikojë Apartamentin e shikon, pasi është ndryshe nga këto dy të tjerat. Pra, nuk ndjejmë fare konkurrencë në format dhe kjo, jo se jemi ne më të mirë, por thjesht është diçka ndryshe. Pra, nëse ti ulesh për të parë Apartamentin nuk je duke parë një variant tjetër të AlPazarit, por je duke parë krejt një format tjetër, një format krejt tjetër humori, ashtu si të gjithë dhe ne kemi kritikuesit tanë dhe fansat tanë.

Sa orë kohë të merr apartamenti?
Varet nga ditët, por një gjë është e sigurt, që më ha kohë çdo ditë. Por varet se ka ditë që rrjedh puna më shpejt e ti je mirë me krijimtarinë. Pra, varet, nuk është se ka ndonjë kohë të caktuar. 

Juli ti je djali i aktorit të madh Zef Deda, a të këshillon ai? 
Mbas çdo spektakli kam një telefonatë nga të dy prindërit, por mami gjithmonë më komplimentin. Babi me komplimeton sigurisht, por ka dhe ato sugjerimet e veta, sepse ai duke qenë vetë i fushës është shumë kujdesshëm kur e bën sugjerimin, sepse ne aktorët e humorit jemi pak egocentrik vetëm unë e them këtë por kjo është e vërteta. Kryesorja është se ai më sugjeron që të jemi gjithmonë në tematikat e kohës në problematikat e ditës për ta çuar mesazhin këtë ma jep gjithmonë si sugjerim dhe kur e shikon të bërë, më thotë: Po e kishit bërë, ju lumtë! Pra, mesazhi qëndron te ajo që ne hasim çdo ditë në jetë e ka merak të vetin. Por krahas kësaj ka dhe ndonjë vërejtje për banalitetin që përdoret por këtë njëherë e pranoj e nganjëherë s’e pranoj, sepse varet nga koncepti, por ama te mesazhi ai e ka pikë të dobët dhe do që dhe unë ta kem parasysh kur bëj një gjë. 

A mund ta them se babai juaj ka qenë një udhërrëfyes në këtë rrugë dhe sa i kënaqur është ai me Julin ? 
Besoj se ai indirekt ka qenë një udhërrëfyes në sensin, që nuk më ka ngacmuar se do bëhesh do bëhesh me pa tjetër aktor. Unë mendoj se është i kënaqur kur ai shikon se djali i tij është prej disa vitesh në treg, me të mirat dhe me të këqijat e veta dhe po qëndrojmë ende të bëjmë një emision të shikuar me audiencë. Besoj se ai duhet të jetë i kënaqur me djalin e vet. 

Po Juli a i jep këshilla Zef Dedës ?
Me thënë të drejtën sa herë që ka ndonjë gjë ai më merr në telefon dhe më tregon. Unë jam akoma më i kujdesshëm në këtë drejtim, sigurisht që bisedojmë aq sa mund të na lejojë dhe koha, sepse ai duhet të vijë në Tiranë ose unë duhet të shkoj në Shkodër, por aq sa mundemi nëpërmjet telefonit komunikojmë për çdo gjë. 

Jul Deda, ti je i vetmi aktor që del shpesh herë në rrjetet sociale me disa reagime të ashpra për tema të ndryshme sociale, politike? 
Po dal, sepse unë jam aktor, punoj në një televizion dhe duket sikur ne jemi distancuar nga problemet sociale, por jo. Ne jemi dhe më të përfshirë nga jeta sociale, sepse ne nga aty marrim “karburantin” që na nevojitet që bëjmë humor, ne i marrim materialet te hallet e njerëzve, i marrim te problematika që hasim çdo ditë dhe, detyrimisht, jemi shumë të angazhuar me problemet sociale. Kjo është dhe arsyeja pse unë reagoj. Tani, pse reagoj vetëm unë dhe nuk reagojnë disa të tjerë, kjo është një zgjedhje personale e imja, nuk është, as strategji, as plan. Unë kam vendosur që t’i them ato gjëra ashtu siç i mendoj. Unë kam bërë një pakt me veten time që të mos gënjej te ato gjëra që them dhe kur shikoj diçka që më shqetëson e them ashtu siç e mendoj, pastaj të tjerët le ta gjykojnë . 

Sipas Juljan Dedës çfarë është politika sot ? 
Në ditët e sotme nuk bëhet politikë fare, sot bëhen pazare, besoj unë, duhet të fillojmë të mendojmë ne, publiku që e shikojmë nga jashtë, që politika në vetveten nuk është ndonjë diçka e keqe, nuk është djalli, janë njerëzit që e kanë kthyer këtë zhanër në djall. Imagjino për një moment që në politikë të aderonin njerëzit që me të vërtetë duan të bëjnë një punë serioze, që e duan vendin e vet, me të vërtetë janë të sinqertë dhe janë parimorë në atë që duan të bëjnë. Imagjino këtë, do ishte krejt ndryshe, mendimi ynë për politikën si koncept, por mendimi ynë për të është negativ dhe me të drejtë, për shkak të gjithë këtyre viteve eksperiencë që ne kemi me ata, të cilët kanë bërë politikën në Shqipëri, kohët e fundit e ka marrë ferra uratën total, për mendimi tim, sepse është kthyer e gjitha në pazar, në disa biseda intime të ngushta me një rreth te ngushtë njerëzish, të cilët po e rrotullojnë këtë vend si iu do qejfi . Po të shikojmë ngjarjet e fundit vërejmë që ka një tendencë për t’u kapur pushteti vetëm nga një person, atëherë këtu jemi shumë hapa afër diktaturës. Pra, hapi i fundit është që shteti të kapë dhe opozitën dhe pastaj çdo gjë merr fund. Pra, shteti të bëj vetë dhe shtetin dhe opozitën, kështu bënte Enver Hoxha dhe kundërshtonte vetë dhe shtetin po vetë, por unë besoj se njerëzit si puna ime dhe intelektualë të tjerë nuk do ta lejojnë këtë situatë.

Juli e familja, si e menaxhon kohën, sa kalon me familjen dhe sa të merr puna?
Unë kam dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë dhe bashkëshorten. Sigurisht kur vjen sezoni i Apartamentit është më e vështirë për t’u kushtuar kohë sa duhet dhe kujdes ndaj tyre, por të dielat i kam pushim dhe përpiqem që t’ia kushtoj atyre, aq sa mundem dhe gjatë kohës që jam në Apartament, kur ata kanë nevojë për t’i çuar kurse apo detyrime të tjera që kanë fëmijë mundohem të jem aty me aq mundësi sa kam që të mos i lë dhe barrën e rëndë bashkëshortes për t’i bërë të gjitha kto. Pastaj të gjithë kohën e lirë jam me ta në çdo moment. 

Më thuaj tre karakteristika të Juljan Dedës? 
E para jam korrekt, këtë korrektësinë e kam me veten në radhë të parë, dhe me të tjerët në radhën e dytë. Kam sensin e protagonizmit, ndoshta është e pak gjenetike kjo, ndoshta ndonjëherë është dhe i dëmshëm, por këtë nuk mund ta shmang dot, mua më ka dalë për mirë, pastaj jam tip sportiv. Nuk jam shumë i mbyllur, nuk jam njeri i kufijve unë nuk kam kangjella . 

Cila është pyetja që të bëhet më shpesh? 
Pyetja që më bëhet më shpesh është, si i kam marrëdhëniet me babain tim. 

Det apo mal? 
Mali më pëlqen, jam për pushimet dimërore më shumë se sa ato verore. Jam njeri që nuk e dua shumë verën, me thënë të drejtën, për mua do ishte shumë mirë të ishte gjithë kohës dimër e kam qejf malin e kam qejf borën. 

Çfarë nuk pëlqen tek një njeri në jetën e përditshme? 
Njerëzit me dy fytyra, njerëzit që nuk janë të sinqertë 

Intervistoi, Era Çela
Sigal