Julian Gjojdeshi: Në opera këndohet vetëm live ndaj dhe është vështirë të jesh këngëtar i tillë

866
Sigal

PERSONAZH/ Flet tenori Julian Gjojdeshi: Meritokracia del në pah vetëm me audicione

   Një tenor që gjithmonë tenton drejt niveleve maksimale. Ftesa e fundit nga Academia Imperial në Itali tregoi më së miri përgatitjen e tij. Sipas tij, është herët të thuash që opera është bërë pjesë e jetës në Shqipëri, por di të them që dashamirësit e operës po shtohen dita- ditës dhe kjo është një tregues shumë i mirë”. Është një i ri premtues, kërkues, punëtor që vazhdimisht kërkon shumë në profesionin e tij.

  Ju para disa ditësh ishit të ftuar së bashku me sopranon Majlinda Laska në Itali për një koncert. Konkretisht çfarë përmbante kjo ftesë?

 Për mua si tenor i ri që jam në hapat e para, ishte goxha i rëndësishëm, pra mund të them se ishte një privilegj për mua që isha në një event të tillë.  Aq më tepër që isha me një këngëtare lirike tashmë me shumë përvojë siç është Majlinda Laska. Ishte një takim shumë i mirë, shumë i këndshëm, me artistë nga më të mirët në Itali. Majlinda si soprano dramatike ka një reputacion në këto koncerte. Ne si të rinj kemi nevojë  për bashkëpunime të tilla. Kjo është një degë e një karriere të re për mua.

 Ju keni lozur role sofistike të tjera jashtë atdheut?

Sigurisht, ky nuk ishte eventi i parë. Unë kam luajtur dhe në vende të tjera si në Gjermani, Greqi ndërsa Italia është vend i ri për mua.

Akademia Imperial, e cila çdo vit organizon një mbrëmje gala, për të dhënë kontribute të ndryshme ndaj personave të suksesshëm në gjininë e këngës lirike në rang kombëtar dhe ndërkombëtar. Kësaj radhe koncerti  filloi me një manifestim internacional, në piacën e Shën Xhovani 13, në një kështjellë pranë Brindisit. Ky event kishte rëndësi të veçantë për vetë pjesëmarrjen e gjerë të këngëtarëve lirik nga disa vende.  Ishte një koncert bashkëpunues me të gjithë artistët italianë ku ne të dy si shqiptarë patëm një pritje të ngrohtë. Koncerti ishte me pjesë të ndryshme nga autorët më me zë në Evropë, kryesisht me këngë klasike por edhe napolitane, të cilat janë shumë të pëlqyera nga ana e publikut.

 Ju çfarë pjesësh interpretuat në këtë koncert kaq specifik?

Pjesët që këndova në Itali ishin 1. “Una furtiva lagrima” nga Gaetano Donizetti 2.Lamento di Federico nga opera “Larlesiana” 3. “Dicitencello vuie romanza napolitane”  4.Duet. “Tu che mi hai preso il curre” nga Franz Lehar 5. “Non ti scordar di me” 6. “Brindisi” nga opera “Traviata”, e shumë pjesë të tjera.

 A është bërë pjesë e shoqërisë shqiptare sikundër teatri dramës opera?

 Sigurisht që është herët të thuash që opera është bërë pjesë e jetës në Shqipëri, por di të them që dashamirësit e operës po shtohen dita- ditës dhe kjo është një tregues shumë i mirë.

A ka vlerësim për artistët e mirëfilltë? A ka konkurrencë të ndershme?

  Unë nuk di të flas shumë për këtë çështje, por di vetëm diçka që duhet të funksionoj sa më shpejtë tek ne, ajo është meritokracia, që do të thotë konkurrencë. Sa më shumë konkurrencë të pastër të ketë aq më shumë zhvillim dhe cilësi do ketë ne TKOB. Të aftët duhet të afrohen sa më shumë pranë TKOB.

 Kur e ke ndjerë veten më keq në Opera?

Arti është rrugë shumë e vështirë dhe ka shumë pengesa, por që sa herë të na dalin këto pengesa duhet me patjetër t’i kalojmë në mënyrë që të arrijmë në finish atje ku e kemi destinacionin. Rasti, ku jam ndjerë vërtet keq ka qenë para disa muajsh kur erdhi edhe soprano Ermonela Jaho, ku unë mbas një audicioni që bëra për rolin kryesor të tenorit ai i Pinkertonit u shpalla fitues nga komisioni, ku dhe dolën emrat e solistëve të afishuara kudo në opera ku midis Ermonela Jahos, Marjana Lekës ndodhej edhe emri im si fitues, por që për çudinë e të gjithëve mbas një jave çdo gjë u ndryshua dhe unë nuk mund të dilja në skenë për të kënduar sepse ashtu ishte dëshira e dikujt, që vuri veton për mos të kënduar unë në atë opera.

A ka avantazhe opera në krahasim me këngëtarët e muzikës së lehtë?

 Avantazhi kryesor i operës është që nuk mund të këndoj çdo njeri opera ashtu siç mund të bëjnë me muzikën e lehtë. Opera është një emocion i papërshkruar dhe është e pamundur të jesh një këngëtar lirik pa djersitur, pa punuar dhe pa qenë i talentuar.

D.m.th meritokracia del më lehtë në pah?

E thashë dhe më sipër që meritokracia duhet të jetë patjetër pjesë e çdo institucioni të kulturës dhe jo vetëm. Nëpërmjet audicioneve bëhen dallimet e të aftëve dhe të paaftëve.

Cilët janë tenorët që ju kanë lënë mbresa të pashlyeshme?

Tenorë të mëdhenj bota ka shumë, por sigurisht që, Pavaroti është ai të cilin unë e kam dëgjuar gjithmonë dhe mendoj që është i pazëvendësueshëm, por sigurisht që ka dhe të tjerë si Plaçido Domingo, Jose Carreras, Roberto Alagna, Jonas Kaufmann. Dhe sigurisht që, kemi edhe tenorin tonë legjendar Gaqo Çako, të cilin kam patur fatin ta kem pedagog për 4 vjet në Akademinë e Arteve.

 Mund të ketë në opera role të lehtë dhe të vështirë?

7. Nuk besoj se në opera duhet të ketë pjesë të vështira dhe të lehta, por duhet të jenë këngëtarë të mirë me teknikë të mirë ose jo të mirë që i detyron të kenë vështirësi në interpretimin e disa pjesëve. Një këngëtar i mirë me teknikë të mirë këndon çdo vepër që është e përshtatur për vokalin e saj/tij sigurisht.

 A ka preferenca të veçanta çdo këngëtar lirik në një pjesë?

  Në opera nuk ka preferenca të tilla sepse çdo gjë është e specifikuar nga autori i operës, ku ka vendosur linjën që këndon tenori, soprano, baritoni, alto. Opera është teatër, por që këndohet dhe në teatër ka histori dashurie, familjare, ku sigurisht femra dhe mashkulli kanë pjesët e tyre që nuk i zëvendëson dot. Në opera nuk ka pjesë të tilla dashurie shprehëse.

 Morët çmim në këtë koncert, ku kishte një pjesëmarrje kaq të gjerë?

Ne si dy shqiptarë morëm një mirënjohje nga organizatorët, si kontribuues për sjelljen e paqes në ato vende, ku nuk ekziston paqja, apo vende jo fetare.

Organizime të tilla mund të bëhen në Shqipëri?

Sigurisht mund të bëhen dhe duhet të bëhen. Madje, këto të mos organizohen vetëm në Tiranë, por kryesisht në qytete bregdetare, që kanë turistë, apo në qytete me tradita në fushën e muzikës. Madje, ato mbështeten nga biznesi vendas, apo bashkia, ku me një buxhet të vogël organizohen koncerte në vende publike në interes të komunitetit, por edhe të turistëve që vizitojnë këto qytete, ku do të zhvillohen këto koncerte.  Këto koncerte mund të organizohen deri katër këngëtarë me repertor të ndryshëm që të kenë natyrë dhe çlodhëse. Madje, me një grup të vogël instrumentistësh.

Populli ynë e ka kthyer në traditë tashmë operën?

Këtu duhet të këmbëngulet sidomos në qytete e tjera të mëdha dhe në qytete bregdetare. Kjo duhet të jetë puna jonë, këtu duhet të konsistojmë në vijimësi. Në Tiranë tashmë është kthyer në traditë, është bërë  po kaq e ndjekur sa teatri dramatik dhe ai i komedisë.

 Mendoni se ka ardhur koha që në Shqipëri të ketë teatër të tjerë operash?

Për mendimin tim po, pasi duhet kultivuar, por dhe duhet edukuar populli me këtë gjini të artit të të kënduarit. Sot kemi shumë këngëtarë lirik dhe vetëm në Tiranë nuk mund të japin kontributin e tyre të gjithë. Mendimi im është se duhet të ketë një teatër të ri opere në veri p.sh në Shkodër dhe një në jug në Vlorë. Është domosdoshmëri. Pra duhet të ketë shtrirje gjeografike ky lloj teatri sikundër teatri dramatik apo komedia. Është koha për një nismë të tillë, pasi shumë këngëtarë shkojnë jashtë shtetit. Politikat shqiptare duhet të ndryshojnë në këtë drejtim. Arti, kultura kanë qenë të parat që ishin ambasadoret më të mira të Shqipërisë, të kulturës së saj të lashtë, të rezultateve të larta që ka arritur.