“Ju zbuloj profesionin tim të ardhshëm”

875
Sigal

Intervista/ Flet modeli Klinton Beqiraj: “Dëshira për të qenë gjithmonë pjesë e artit ka qenë shtysa ime e parë”

 Ai është një djalë i kompletuar. Mbi të gjitha i sjellshëm, modest dhe korrekt. Janë pikërisht këto tiparë që e kanë ndihmuar atë të eci përpara në fushën e vështirë të modelingut dhe jo vetëm. Në këtë intervistë Klinton na zbulon anët pozitive dhe negative e të qenit në qendër të vëmendjes dhe gjithashtu ambiciet e tij për të ardhmen.

 -E cilësoni veten VIP, duke qenë se jeni në qendër të vëmendjes?

Mendoj se të qenit VIP, nuk qëndron në faktin se je në qendër të vëmendjes ose jo. Rëndësi ka që të ndihesh vetë që je i rëndësishëm në atë që bën dhe në atë që kërkon të sjellësh në publik.

 -Sipas jush, cilat janë të mirat dhe të “këqijat” e të qenit VIP? 

E theksoj se të qenit VIP, është subjektive, sepse edhe pëlqimet janë subjektive. Mund të flasim, për idenë e të qenit të njohur, sepse mendoj se ka më shumë lezet. Të të njohin në rrugë është shumë e bukur, madje edhe të të kërkojnë autografe apo të të japin kuraje të ecësh përpara. Ndërkohë, e vetmja gjë që nuk është e pëlqyeshme në gjithë këtë mori të mirash është fakti i humbjes së jetës private, kur je i njohur, je i njohur dhe kaq, asgjë nuk mbetet për vete.

 -Duke lexuar diçka, që ju keni thënë kohët e fundit, shprehni dëshirën që të studioni edhe për aktrim. Nga vjen kjo dëshirë?

Në fakt edhe aktrimi ka qenë një pjesë tjetër e dëshirave të mia për ta kthyer në profesion, por mendoj që të vazhdoj për diçka tjetër, dhe aktrimin ta kem hob.

 -Ndjeni në vetvete ndonjë prirje, që deri tani ka qenë e pazbuluar, për tu bërë aktor apo doni të provoni një përvojë të re, pavarësisht rezultatit?  

-Sigurisht që mendoj që kam prirje, pasi kam plastikën që më ka ndihmuar baleti, fotografia po ashtu dhe vet natyra ime më ndihmon, për sa i përket aktrimit.

 -Ndonëse në një moshë të re, ju jeni përpjekur të bëni karrierë në shumë drejtime. Nga ju ka ardhur jo ambicie? 

Unë jam i dashuruar me gjithçka që bëj, si me kërcimin, me prezantimin, me modelingun, me fotografinë, i dua të gjitha njësoj dhe ndoshta koha do ta tregojë se tek cila ndoshta do gjej veten më shumë, ose ku i dihet, ndoshta do kem përkushtimin dhe dashurinë për t’i ndjekur të gjitha.

 -Ka një prirje sot. Investohet shumë për të qenë në qendër të vëmendjes, ndaj shumë të rinj e shikojnë modelingun, skenën, më shumë si një mundësi për t’ia arritur këtij qëllimi. Ju, jeni tunduar nga këto ndjenja?

Falë zotit, kam qenë gjithmonë shumë mirë nga gjendja ekonomike dhe gjithçka kam bërë deri sot, e kam vetëm nga përkushtimi dhe nga pasioni që kam pasur për modelingun sigurisht që edhe për para, por dëshira për të qenë gjithmonë pjesë e artit ka qenë shtysa e parë.

 -Ju pëlqen të jeni në qendër të vëmendjes? Dhe përse? 

Të qenit në qendër të vëmendjes, është rezultat i një pune të madhe, që unë kam bërë dhe nuk mendoj se është diçka e keqe të vlerësohesh për atë që ke realizuar.

 – Cila është filozofia e jetës tuaj?

Të jetosh çdo ditë si të jetë e fundit, sepse vetëm kështu mund të jetohet jeta.

 -Në lidhje me një femër çfarë kërkoni? Dëshironi të jetoni çastin dhe ja lini kohës?

Në një lidhje me një femër, kërkoj dashuri, sinqeritet dhe mirëkuptim, dëshiroj të jetoj çastin pastaj koha i tregon të tjerat.

 -Njeriu e takon fatin e jetës, apo përpiqet që ta gjejë? 

Të dyja nga pak. Jam ende shumë i ri për të folur për fatin e jetës, gjithsesi mund të them se fati duhet ndihmuar për të arritur premisat që njeriu i vë vetes në jetë.

Duam të imitojmë VIP-at. Përse?

Ka qenë gjithmonë kjo mënyrë e të vepruarit ndaj dikujt që ka nxjerrë më përpara diçka origjinale dhe mendoj se ka të bëjë me ndjenjën e inferioritet sepse për të realizuar origjinalen është shumë e vështirë dhe do shumë lodhje. Të gjeturit gati e diçkaje të bukur është më e lehtë sesa ta punosh vetë.

Përse përpiqemi që të vëmë më shumë në dukje te të tjerët bukurinë fizike?
Bukuria fizike shkon e vjen, ajo që i mbijeton gjithçkaje dhe që padyshim nuk vdes kurrë është bukuria shpirtërore. Ata që bazohen tek bukuria fizike, e tregon koha sesa rëndësi kanë.

A e prek njeriu lumturinë shpirtërore, duke arritur përsosmërinë fizike?
Të ndihesh mirë me veten, kjo është bukuria më e madhe që mund të ketë njeriu. Përsosmëria nuk arrihet kurrë, as ajo fizike, as ajo shpirtërore, sepse do dalë gjithmonë diçka tjetër që kërkon një tjetër impenjim, kështu që mund të them se perfeksioni është idealizim dhe jo realizim.

– Në modeling, talenti lind bashkë me dhuntitë fizike të njeriut?
– Kjo dhe shumë punë dhe vullnet.

– A keni pyetur ndonjëherë veten përse shumë të rinj e të reja i tërheq modelingu?
– E bukura i tërheq të gjithë, por duhet edhe të jesh i kompletuar që të jesh një model i mirëfilltë, kështu që ata që duan t’i futen modelingut, duhet të kenë parasysh që i pret një punë shumë e madhe që nuk mund të lihet në mes.

-Duket se prioriteti juaj i deritanishëm është që të arrini diçka në fushën që ju pëlqen. Po shkolla ka qenë një prioritet?
Shkolla sigurisht që është ndër premisat e mia dhe prandaj unë sivjet do të filloj studimet në degën e gazetarisë, sepse më pëlqen shumë televizioni dhe për të qenë gjithmonë pjesë e tij, duhet edhe shkolla përkatëse dhe unë do e çoj deri në fund misionin që i kam vënë vetes.

 -Cila ishte ëndrra juaj e femijërisë?

– Të bëhesha një balerin dhe të isha i famshëm!

 -Tek femrat cilat karaktere, tipare ju tërheqin më shumë?

-Te femra më pëlqen të jetë femër në të gjitha kuptimet. Siç e përmenda vlerësoj sinqeritetin, mirëkuptimin, dhe besnikërinë, për sa i përket pamjes së jashtme dua të jetë e bukur sigurisht, brune apo bionde pak rëndësi ka, dhe të ketë buzëqeshje të bukur.

 -Cili është idhulli i jetës tuaj?

Nuk kam asnjë idhull. Ndjek gjithmonë veten time, dhe nuk më pëlqen të imitoj asnjë!

 -Ndiheni i lirë në marrëdhëniet me femrat në kuptimin e paragjykimeve?

Unë si çdo mashkull jam i lirë të dashuroj edhe një modele, por edhe një bukuroshe që nuk ka lidhje me botën e artit apo televizionit, nuk është e thënë që dashuritë që do kenë njerëzit e modelingut apo televizionit të jenë patjetër të njohura. Nuk mund të bëhesh paragjykues në këtë kohë mjafton të ndihesh mirë me të dhe kaq.