Ju tregoj bisedën me Aleksandër Moisiun dhe mallin e tij për Shqipërinë

625
Sigal

Mihal Ciko dhe kontributet e tij

Ashtu si edhe vetë autori i këtij rrëfimi ( Mihal Ciko-Një zë nga fillesa)zgjodhi ta niste atë jo rastësisht me disa fjalë të të madhit Aleksandër Moisiu, edhe unë do doja t’i citoja ato për të treguar më pas se pse ato ishin motivi i gjithë jetës artistike të artistit Mihal Ciko. Janë disa fjalë që A. Moisiu ia drejtoi  Z. Ciko, Viktor Eftimiut  e disa artistëve të tjerë shqiptarë gjatë një takimi në Bukuresht:

“Kam luajtur në shumë skena të botës, kam marrë shumë duartrokitje e gëzime.Por të gjitha këto jo në vendin tim. Kam një keqardhje të madhe që s’ndjeva ndonjeherë duartrokitjet e teatrit shqiptar, ngrohtësinë e kënaqësinë e vecantë që do më jepnin njerëzit e vendit tim. Dhe këtë që s’e pata unë, uroj që ta keni ju, kolegët e mi”.

Gati-gati këto rreshta u kthyen në një amanet që duhej cuar deri në fund.Dhe ashtu ndodhi. Mihal Ciko jo vetëm që i shijoi duartrokitjet në vendin e tij, por dha shumë e shumë kontribute, për të cilat do të flas më pas. Ai bëri që këto duartrokitje t’i shijonin edhe shumë bashkëpunëtorë të tij, por edhe shumë nxënës e studentë që patën fatin të shkolloheshin e  të merrnin kulturë prej tij.

Edhe pse Z. Ciko pati mundësi të studionte në kryeqyete si Bukureshti, Vjena e Milano, edhe pse pati mundësi që jetën e tij ta ndërtonte në njërin prej tyre, ai zgjodhi një tjetër. Zgjodhi vendin në të cilin kishte lindur (1902), por që e kishte lënë në moshën 7 –vjecare ku kishte emigruar bashkë me familjen në Bukuresht (që sic e dimë një pjesë e konsiderueshme mërgimtarësh të kësaj periudhe zgjodhen pikërisht këtë vend-Rumaninë). Në moshën 18- vjecare vendos të kthehet, pasi ambjenti familjar ku u rrit si dhe rrethet artistike që frekuentonte (me veprimtaritë që zhvillonte në ato kohë Kolonia Shqiptare në Bukuresht-të drejtuara nga Asdreni e Viktor Etfimiu, si dhe idhulli i tij -Fan Noli))flisnin qartë për një ndjenjë kombëtare të theksuar. Ky fakt tradicionalizmi shqiptar shfaqet edhe në një episod të vogël ku gruaja e tij e ardhshme Evanthi  Zoraqi tregon sesi edhe  nëna e tij kërkonte me këmbëngulje që djemtë e saj të martoheshin e trashëgoheshin me gra shqiptare.

Pra behët fjalë për vitin 1920, kur Mihal Ciko kishte vendosur të kthehej në atdhe, e ku nisën të merrnin udhë të gjitha kontributet që Z. Ciko dha në vendin e tij. Qëllimet e tij nuk ishin që të hynte në historinë e zhvillimeve kulturore të Shqipërisë, por kur filluan të realizoheshin një e nga një, e kur ne iu referohemi sot, na tregojnë që vertetë kanë qenë thelbësore dhe sic i quan autori i këtij libri ishin : “Pemë të mbjella në historinë e artit tonë”.

Mihal Ciko ka meritën dhe kontributin në:

1Krijimin e Shoqërisë së Arteve të Bukura (dhjetor 1920) me kryetar Thoma Nasi dhe bashkëorganizator Vangjush Mio. Ishte kjo shoqëri e krijuar, e cila do të organizonte të gjitha veprimtaritë e mëtejshme artistiko-patriotike. Fillimisht Mihal Ciko u shfaq në skenë si regjisor, aktor, e këngëtar.

2-Në vitet 1925, 1935 dhe 1938 Mihal Ciko do të kishte meritën e njeriut që për herë të parë në Shqipëri ndërmori turnetë e rëndësishme të një cilësie të lartë artistike me pjesëmarrjen për herë të parë të artistëve të huaj (ishin këta kolegët e tij italianë të studimeve, të cilët interpretonin në skena europiane)

3– Nëpërmejt  organizimit të këtyre turneve Mihal Ciko solli edhe disa kontribute të tjera në aspektin social dhe emancipues si : Ngjitja për herë të parë ne skenë e gruas artiste. Emancipimi i publikut duke e shndërruar atë në publik edhe elitar (pasi shfaqet që organizonte Ciko filluan të ndiqeshin edhe nga shtresat elitare: nga krerët e lartë të shtetit si dhe nga anëtarë të Trupit Diplomatik) si dhe emancipimi dhe rritja e vlerësimit, e mirënjohjes ndaj artistit duke e eduakuar atë me ritualin e dhënies së buqetave me lule. Një tjetër meritë i takon Cikos në aktivizimin e brezit të ri, duke e familjarizuar atë me artin dhe duke e bërë atë pjesë të tij.

Por kontributi më i rëndësishëm në këtë periudhë të organizimit të turneve është: Gërshetimi i një repertori të muzikës klasike me atë të këngëve tona popullore e patriotike.Për herë të parë vihej në skenë një repertor i zgjedhur klasik me arie nga operat më të njohura, e për herë të parë kënga jonë popullore u ngrit në nivel profesional e artistik.

4-Duke vazhduar me kontributet e Mihal Cikos nuk mund të lëmë pa përmendur insistimin e tij të vazhdueshem nëpërmjet Shoqërisë së Arteve të Bukura drejtuar Ministrisë së Arsimit, për ngritjen e sallave teatrore(pasi deri në atë kohë të gjitha shfaqet organizoheshin nëpër oborre e lulishte, në natyrë të hapur).Gjithashtu këto kërkesa shoqëroheshin edhe me një tjetër qëllim. Pajisja me bursa për të rinjtë që të mund të shkolloheshin në vende europiane.

Në vitin 1942 fillon një fazë e re e kontributeve të tij: Ai fillon punë si Shef i Sektorit të Teatrit dhe Muzikës në Radio-Tirana  me qëllime të qarta: Të jepte ndihmesën në zhvillimin e artit kombëtar dhe të ngushtonte sa më shumë hapësirat që pushtuesit fashistë mundoheshin t’i shfrytëzonin në mikrofonin shqiptar. Programet që ai ndërtonte duke shtuar gjithnjë e më shumë minutazhet muzikore me pjesë klasike e këngë popullore si dhe koncertet e para zanore me artistët bashkëkohës të tij: Kristaq Antoniu, Tefta Tashko,  Marie Kraja, e  Jorgjie Truja e kthyen mikrofonin në një shkollë të madhe muzikore për dëgjuesin shqiptar, si brenda dhe jashtë atdheut.

5– Krijimi i Korit të Radio Tiranës mban firmën dhe kontributin e Cikos, fillimisht me 25 vetë. Nga ky kor do të shkëputeshin edhe kombinime të koreve të vegjël duke shtuar kështu numrin e programacioneve dhe koncerteve të tjera me këngë patriotike që ndikonin drejtpërsëdrejti në luftën që zhvillohej.Ky ishte kori i parë dhe i vetëm, i këtij lloji në mikrofonin shqiptar, pasi as më pas nuk dimë që Radio Tirana të ketë patur korin e tij.

6– “Stina e parë Simfonike” në mikrofonin shqiptar (e para dhe e fundit e këtij lloji në Shqipëri) mbajnë përsëri vulën e Mihal Cikos. Për 7 muaj me rradhë orkestra simfonike e drejtuar nga Umberto Rampi luanin cdo të enjte përballë mikrofonit të radios. Rreth 20 emisione me muzikë simfonike e operistike u transmetuan “live” duke i dhënë mundësinë dëgjuesit shqiptar që të njihej me 35 kompozitorët më të shquar të botës(duke filluar që nga Bethoveni e duke vazhduar deri tek Vagner e Veber).Me anë të kësaj orkestre u luajtën edhe veprat e Kristo Konos “Rapsodia Shqiptare” dhe “Elegjia”. Nga kjo orkestër u krijuan edhe orkestrinat e para me përbërje të ndryshme, si dhe kuarteti i parë i harqeve, me instrumentistë italianë (viti 1943). Mihal Ciko i dha udhë edhe pjesëmarrjes dhe futjes së instrumentistëve shqiptarë në këtë orkestër.

7-Hapja e kurseve të para ku përgatiteshin instrumentistë të harqeve e frymës njohin si iniciues përsëri Cikon.Gjithashtu edhe blerja e instrumenteve të parë mbajnë firmën e tij në kërkesat për shtimin e buxhetit për qëllime blerjesh të tilla.

8-Organizimi i këtyre emisioneve radiofonikë solli edhe krijimin e fonotekës me partitura klasike nga shtëpia “Rikordi” në Milano, si dhe regjistrimin audio të veprave më të rëndësishme që u intrepretuan ato kohë, të cilat mbajnë edhe këto emrin e Cikos, e që më pas do përpiqej t’i mbronte dhe ruante me fanatizëm, duke i zhvendosur në kohë të vështira lufte nëpër ambjente të sigurta.

9-Nën kujdesin e tij kurset fillestare të muzikës u shndërruan në një shkollë të mirëfilltë profesionale pranë Radio-Tiranës, dhe jo më kot në vitin 1944 Shkolla e Muzikës dhe e Këngës u quajt “Instituti i Muzikës” me 130 nxënës të regjistruar. Mbi këtë bazë do të krijohej më vonë në tetor të 1946 edhe Liceu Artistik, ku Mihal Ciko ishte ndër pedagogët e parë të këtij instituconi. Puna e tij pedagogjike dhe konceptet moderne do të linin gjurmë në emrat e studentëve që më pas u bënë emra të rëndësishëm në jetën muzikore shqiptare si: Ramiz Kovaci, Gaqo Cako, Shqipe Mingomataj, Gjinovefa Heba, Pandi Zguro etj.

10– Për herë të dytë Mihal Ciko kthehet në Korcë ku përsëri do të japë kontributin e tij në krijimin e Korit të Sindikatave, i cili njihej si ndër koret më të mira të Shqipërisë me aktivitet të gjerë në numër dhe gjeografikisht në atë kohë.

11– Në vitin 1950 Ciko kthehet përsëri në Tiranë dhe sic e kemi theksuar më lart ku mbillej një pemë, apo ku vihej një gurë në historinë e muzikës shqiptare Z. Ciko do të ishte aty. Kjo kohë përkon me ngritjen e Filarmonisë Shqiptare dhe Ciko ishte një ndër themeluesit dhe pjesëmarrësit e saj. Në këtë Filarmoni u përfshi edhe Orkestra e Radio-Tiranës (për kontributet e Cikos folëm më lart) dhe njihet si i pari Institucion i madh artistik muzikor që aktivitetin e tij e zhvillonte aty ku sot ndodhet Teatri Kombëtar. Një rol të rendësishëm ka dhënë Ciko në premierat e zhvilluara nga ky institucion në aspektin regjisorial, por edhe në atë të interpretimit. Kur flitet për operetën e parë shqiptare “Agimi” të ngjitur në një skenë profesioniste nuk mund të mos theksojmë regjisorin dhe dirigjentin e korit në këtë ngjarje historike –Mihal Cikon.

Të gjitha këto fakte i gjejmë të dokumnetuara në shtypin e kohës, në letërkëmbimet e tij me miqtë, me studentët e në opinionet e studiuesve.

Në këtë rrëfim të zotit Thimi Collaku mësuam shumë nga jeta dhe veprimatria e Mihal Cikos, nga kontributi i padiskutueshëm si pionier i  këngës shqiptare, mësuam për lidhjen e tij të ngushtë me një nga artistët më të njohur të kohës Vangjush Mio(dhe kjo paraqitet nga letërkëmbimet e publikuara mes tyre) , por mbi të gjitha kuptuam  se rreshtat e Aleksandër Moisiut ia kthyen jetën në funksion të idelait të tij: Kontribut në tokën mëmë-gjurmët e të cilave u zbuluan sot nëpërmjet këtij libri dhe do të vazhdojnë të thellohen edhe më tej në kërkime ku zë fill krijimi i historisë së muzikës shqiptare.

ERIONA RUSHITI

Kompozitore, Pedagoge (Universiteti i Arteve)