Jovan Vano: Ja pse e “solla” Gramshin në Shqipëri!…

713
Sigal

INTERVISTË/ Me studiuesin Jovan Jano mbi librin e tij “Antonio Gramshi, jeta dhe vepra e një antifashisti”

Para disa ditësh doli në qarkullim libri “Antonio Gramshi, jeta dhe vepra e një ntifashisti” i autorit Jovan Jano. Ja ç’thotë ai në intervistën që zhvilluam me të:

 Pas disa librave me figura të rëndësishme, që kanë luajtur rol me rëndësi në lëvizjen e botërore, përsëri vini këto ditë me një figurë tjetër, ideologun dhe filozofin italian me origjinë shqiptare, Antonio Gramshin…

Po, është e vërtetë, veç punimeve të tjera, si “Historia e Doganave Shqiptare”, “Albumi i Ministrisë së Financave”, librave me karakter publicistikë “Fisnikëri Myzeqare”, “Kohëra dhe profile”, kam shkruar për Çhe Guevarën, Martin Luterkingun, Matma Gandin dhe tani së fundmi për Antonio Gramshin.

Ç’u shtyu të shkruani për Gramshin?

Njerëz me ideale të mëdha dhe që luftojnë për një kauzë të drejtë rrëmbejnë zemrat e miliona njerëzve që i ndjekin pas në aksionet dhe revolucionet e tyre, jo të mos rrëmbejnë zemrat e njerëzve të ndjeshëm kudo që janë në botë. Ka qenë thjesht kjo ndjesi, që jam marrë me figura të tilla dhe, si të mos merresha edhe me Antonio Gramshin, që kishte një arsye më shumë për ta “sjellë” në Shqipëri, pasi është me origjinë shqiptare. Këtë fakt ai nuk e harroi kurrë, por e pohonte me krenari në letrat dhe bisedat e tij. Brezi më i vjetër e njeh diçka më shumë Gramshin, por duhet ta njohin edhe të rinjtë, pasi Gramshi është një figurë poliedrike; një autoritet shumë i madh në Itali në fushën e politikës, publicistikës dhe letrave, një njohës i madh i kulturës, letërsisë, artit dhe inteligjencës italiane; një antifashist i shkallës së parë dhe themelues i Partisë Komuniste Italiane.

Në Italinë e sotme, cili është vlerësimi për Gramshin?

Ka një vlerësim maksimal, Presidenti aktual Italian, Xhorxho Napoletano, para tre muajsh, sipas gazetës italiane La Republika, ka folur gjatë dhe me simpati për Gramshin. Biseda me presidentin Napoletano merr shkas nga kriza e sotme dhe nga prirja e presidentit për t’i mbështetur zgjidhjet tek miqtë e vjetër të Gramshit, si liberali Gobeti, apo tek vetë Antonio Gramshi. Tjetër, në Itali Gramshi vlerësohet si simboli i luftëtarit të rezistencës kundër fashizmit, që luftoi për drejtësi shoqërore dhe si simboli i italianëve të thjeshtë. Ai para se të ishte një komunist i ndershëm, ishte antifashist i madh dhe konsekuent i orëve të para. Qëndrueshmëria, vendosmëria dhe burrëria, që tregoi në mitingjet e punëtorëve dhe në qelitë e burgjeve, tregojnë edhe për karakterin e vendit të origjinës së hershme. Më 27 prill të vitit 1937, tri ditë pasi mbaroi dënimin në një burg disavjeçar, Antonio Gramshi dha frymën e fundit. Shkaku i vdekjes mbeti i pasqaruar. Por është e qartë një gjë: biri i madh i popullit italian, por me origjinë nga Shqipëria, ishte vrarë. – Vrasja, sipas fjalëve të Palmiro Toliattit, – ishte metodë normale e drejtimit të diktaturës fashiste. Vdekja e Antonio Gramshit ishte një humbje e madhe për Italinë.

Me sa dimë, Gramshi nuk ka qenë fare i panjohur në Shqipëri?

Po, është e vërtetë. Gjatë socializmit, të orientuar nga fryma e internacionalizmit proletar, u mbajtën të gjalla disa kujtime dhe emra personalitetesh të spikatura komuniste. Kështu për shembull u mbajt i gjallë kujtimi i gjermanit të famshëm, Ernest Telman, i cili përfundoi në kampet e shfarosjes naziste. Kujtimi për të qe pagëzimi i Fabrikës së Përpunimit të Peshkut në Vlorë ose i mikut të tij, Vilhelm Pik; “Gjergj  Dimitrov”  iu vu emri i Ndërmarrjes Bujqësore në Tiranë; një rruge kryesore iu dha emri i një udhëheqësi të shquar të P.K.Franceze, Marsel Kashen; kampit të punëtorëve në Durrës iu vu emri i heroit të rezistencës antinaziste greke, arvanitasit nga Amalidha e Peloponezit, Niko Bellojanis; një miniere në Alarup të Pogradecit iu vu emri i udhëheqësit të Kongos të Afrikës, Patris Lumumba. Pa harruar emrat e klasikëve të komunizmit, të cilëve iu vunë emrat e hidrocentraleve të mëdhenj të Shqipërisë. Ndërsa për Antonio Gramshin, megjithëse njihej, nuk u bë asgjë, nuk u emërtua asnjë rrugë, asnjë shkollë, asnjë fabrikë, asnjë institucion, asnjë hidrocentral, përveç emrit të një formacioni partizan gjatë LANÇ-it me italianët e mbetur antifashistë. Dhe vetëm kaq. Ne nuk kemi informacionin e duhur, por gjykojmë se arsyet e heshtjes për Antonio Gramshin në Shqipëri duhen parë në ish Bashkimin Sovjetik. Pas prishjes së marrëdhënieve shtetërore dhe partiake me Bashkimin Sovjetik, udhëheqja politike e P.K.Italiane dhe sidomos Palmiro Toliatti, u lidh më shumë me Nikita Hrushovin dhe pothuajse i prishi marrëdhëniet me ne.

Çfarë plani keni për të ardhmen?

Në kuadrin e figurave të mëdha botërore, po punoj për një libër me disa nga figurat simpatike të së majtës greke dhe fatin e Greqisë pas Luftës së Dytë Botërore.

Intervistoi: Zylyftar Hoxha