Jovan Jano: Portret pa lejen e publicistit Bashkim Koçi

712
Diku në rrugën “Gj.Muzaka”, në pallatin 18/1 në Tiranë, banon me familjen e tij të bukur një gazetar me përvojë, që ka punuar në gazetën “Zëri i Popullit” për shumë e shumë vite. Shkalla e parë e marrëzisë tek njeriu është të kujtosh se je i mënçëm. Por për Bashkim Koçin, falë “modestisë” për të kërkuar nga vetja, pra për të mbetur në kërkim “të shtigjeve të reja”, ky “virtyt” nuk gjeti vend asnjëherë. Në viti 1979 ai mori përsipër detyrën e redaktorit në gazetën lokale “Jehona e Skraparit” ku do të dallohej për ngritjen e problemeve të rëndësishm në fushën e bujqësisë, të specialitetit që edhe kishte mbaruar shkollën e lartë. Janë me qindra artikuj, të të gjithë zhanreve, ku ai goditi me forcë, me kurajo prej specialisti për hedhur dritë në çështje që kishin të bënin me bujqësinë intensive. Sipas Bashkimit pozicioni në detyrën e redaktorit të një gazete, edhe pse lokale, ka qënë “universitet” më vete për të ngjitur shkallët një e nga një, drejt perfeksionimit të punës si gazetar e publicist. Për të patur sukses dëshira e njeriut duhet të jetë më e madhe se frika nga dështimi. Në punën si redaktor në gazetën lokale “Jehona e Skraparit” atij nuk ia çfaq për asnjë rast “fantazma” e dështimit. Ishte kjo, ndoshta, që ai në viti 1985 të mund të ngjiste një “shkallë” me lartësi jo të vogël, të caktohej në detyrën e redaktorit në gazetën më të madhe të kohës, “Zëri i Popullit”. Janë disa qindra artikuj ku ai, me kurajo e guxim, ngre probleme mjaft të mprehta, goxha “me spec” nëse kemi parasysh hapësirat e lirisë të të shkruarit në ato vite. 
Me korifejtë e gazetarisë
Ka punuar e ka shkruar nën shembullin e përvojën e gazetarëve korifenj të vendit si Xhevahir Spahiu e Spiro Dede, Arshin Xhezo e Pavllo Gjidede, Shaban Sinani e Naim Zoto, të një brezi që la emër në publicistikën shqiptare. E veçanta tek Bashkim Koçi qëndron se ai vazhdon të shkruaj e të shkruaj pa rreshtur, duke qëndruar i freskët, duke rrokur tema interesante të ditës, paksa të veçanta e që puqen me stilin dhe karakterin shpirtëror të tij. Duke më cituar herë pas here nobelistin indian Tagora, më thotë: “le t’u lemë të vdekurve lavdinë e përjetshme; le t’u japim të gjallëve, pavdekësinë”. Kam patur dhe kam mendimin se kjo thënie e Tagorës është e realizuar tek kolegu ynë, gazetari Bashkim Koçi. Diku kam lexuar se tri gjëra janë thelbësore për të arritur në jetë: të kesh diçka për të bërë; diçka për të dashur dhe diçka për të shpresuar! Këto të tria i ka realizuar miku ynë dhe të gjithë ata që bejnë punë të dobishme për shoqërinë. I kam lexuar të dy librat e këtij gazetarit të mirënjohur: Librin publicistik “Shkëmbi i Sherrit” dhe monografinë “Tregoj për Prishtën”. Janë dy libra interesantë, të shkruar me shumë dashuri dhe delikatesë. “Tregoj për Prishtën” është libër biografik për vendlindjen, por përfaqëson edhe një enciklopedi të plotë, të shkruar me talent dhe me frymë krijuese. Aty ka kujtime dhe materiale interesante. Nga ky libër e pashë dhe e perceptova ashtu si janë Prishtën dhe prishtallinjtë; aty njoha historinë e kësaj treve edhe si qëndër shumë e rëndësishme e Bektashizmit në Skrapar dhe Shqipëri. Kujtimet e autorit janë brilante sikundër është edhe respekti që ai shpreh në këtë libër për bashkëfshatarët e vet. E ç’mund të bëj më shumë një intelektual për fshatin, për bashkëfshatarët, për njerëzit “ku i ka rënë koka”? E ç’mund të bëj më shumë një patriot, për të cilin kufijt e atdheut fillojnë tek vendlindja? Bashkim Koçi nuk u ka pëshpëritur njerëzve në vesh, por në zemër. Nuk ishte pena e tij që gudulisi ndjenjat e këtyre njerëzëve, por është shpirti i tij! Kujtimet janë zaireja e shpirtit. Ato nuk vdesin, por përcillen brez pas brezi. 
Portretet e papërsëritshme të luftëtarëve të kombit
Kam vënë re te ky gazetar një bonsens të vetin me realitetin, me njerëzit, me jetën dhe i kam bërë pyetje vetes: Çfarë e ka detyruar këtë intelektual të shkruaj për fshatin dhe bashkëfshatarët, për të gjallët e të larguarit nga jeta? Çfarë e ka detyruar këtë intelektual që ka shkruar për luftëtarët Riza Cerova, Zylyftar Veleshnja, Kahreman Ylli, Riza Kodheli, për Lace Backën, për Shefqet Melckën, për Zenel dhe Prashqevi Shehun, për klerikët bektashinj luftëtarë e patriot si baba Ali Tomorrin, Medin Gllavën, baba Neki Caushin dhe për intelektualët krijues Dritëro Agolli, Xhevair Spahiu, Mojsi Zaloshnja etj? Ç’e ka detyruar këtë njeri kaq punëtor që t’u bëjë portrete artistike njerëzëve të çmuar dhe mjaft popullorë si “Mësuesit të Popullit” Teki Sadiku intelektuales me shumë kontribute në arsim Ksanthipi Bufi; arkitektit me vlera kombëtare, Miço Pepa, kuadrit më vlera të shkëlqyera njerëzore, Asllan Musai, për heroin e Tëndës së Qypit Vaip Çepanin, gazetarin rrebel Pavllo Gjideden? Ç’e detyroi këtë intelektual e punlicist me përvojë të shkruaj e të harxhojë energji shpirtërore pozitive për Akademikun Mentor Permeti, shkencëtarin e bujqësisë shqipëtare Ahmet Osja për “Artisten e Popullit” Margarita Xhepa, aktorit të madh, Luftar Paja, për artistin e cirkut Ali Xhixhën, për antifashistin Andrea Mema nga Durrësi, për infermjerin më të vjetër të Myzeqesë, atij që u përball i pari me sëmundjen e malarjes, Marci Janon? Madje ka shkruar edhe për shumë e shumë personazhe të mrekullueshëm të jetës sonë shoqërore, të cilët më shumë i dhanë vendit, se sa morën nga ai. Nganjëherë zemra sheh atë c’ka është e padukshme për syrin. Ajo sheh gjëra që nuk dalin kurrë jashtë mode si: fisnikërinë, mirësinë e shpirtit, sinqeritetin, mirenjohjen dhe mirësjelljen. Kjo zemër ka për model publicistin skraparli, Bashkim Koçin, i cili ka bërë nga një bust jo prej guri e as prej bronzi njerëzeve me vlera të veҫanta, por portrete artistike që nuk do jenë kurrë nën kercënimin e agjentëve atmosferikë, por në libra dhe në raftet e bibliotekeve tona. Egjiptianët e lashtë thoshnin: “Libri është më i vlefshëm se të gjitha përmendoret e skalitura në figura të ndryshme sepse libri vet ndërton përmendore në zemrën e atij që e lexon!” Heronjët e thjeshtë të publicistikës së Bashkimit gjëndet në vëndet më me vlerë të kësaj bote. Vendi më i bukur i tyre është se ata gjenden në zemrën e dikujt.Vendi më i sigurtë i tyre është se gjenden në lutjet e dikujt.Vendi më komod është se ata gjenden në mendjen e dikujt. Ndihem mirë që një nga miqtë e mij më të ngushtë, gazetari Bashkim Koçi ka shkrur e nuk rresht së shkruari për njerëzit që bën epokë duke luftuar okupatorët e huaj; për baballarët tanë dhe realitet tona historike. Profilet e tyre letrare dhe artistike janë të vizatuara mjaft bukur sepse autori i tyre ka ditur të vërë në lëvizje ndjenjat, realizmin, dashurinë dhe mënçurinë e vet. 
I dashuruar ndaj antifashistëve dhe veteranëve të LANÇ
Ky gazetar ndjehet i dashuruar ndaj antifashistëve dhe veteranëve të LANÇ-it, edhe sepse, si shumë të tjerë, i njohin mirë sakrificat e etërve dhe i njohin në detaje plagët edhe shpirtin e tyre. Dua ta them se ne duhet t’u qëndrojmë besnikë kauzës së etërve tanë, ta shpiem më tej kauzën e tyre të patriotizmit dhe drejtesisë shoqërore dhe jo si disa pinjollë që kanë frikë nga e vërteta, heshtin para saj, ulin kokën për hir të një page shpërfillëse. Ne jemi krenarë me prindrit tanë sepse ata kurrë nuk abuzuan me detyrat që iu ngarkuan sepse kryen një akt shumë të lartë: çliruan atdheun nga okupatori i huaj. Sot disa tallen me sakrificat e tyre, ua mohojnë dhe LANÇ. Madje shkojnë më tej: t’u heqin edhe dekoratat e merituara! Por ja që ka mjaft njerëz të ndershëm e patriotë, të vërtetë e realistë si Bashkim Koçi, Dhimitër Shtëmbari, Zylyftar Hoxha, Kristaq Laka, Gjikë Kurtiqi, Sadik Murraj, Xheladin Çelmeta e shumë të tjerë që e pasqyrojnë të vërtetën e asaj Lufte të Madhe patriotike ashtu si edhe ka qënë, e pashembullt në historinë e popullit tonë. Por e verteta është si ylli, që ndrin në errësirën e natës. Nëse njerëzit nuk kthehen asnjëherë kah të parët e tyre, nuk do të gëzohen as për trashëgimtarët e vet. Unë autori i ktyre rradhëve kam mësuar se: gjëja më e mirë për t’i dhënë armikut, është shperfillja; kundërshtarit, tolerance. Bashkim Koçi mbetet një gazetar me përvojë dhe i palëkundur për të shkruar e thënë të vëtrtetën ashtu siç është, me plot shkëlqim. Ai thotë se është udhëhequr e udhëhiqet nga një thënie me plot kuptim të Tomas Xhefersonit: Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë. Ai kurrë nuk e ka marrë si shkak për t’u ndarë nga një mik dallimin e opinionit mbi politikën, fenë apo filozofinë. Siç ka shkruar për Baba Ali Tomorrin, kështu ka shkruar edhe për një antifashist, edhe për një artist apo intelektual me vlera kombëtare. Ai i do njerëzit, përgjërohet për të mirën, prandaj dhe shkruan për ta. Bashkimi është i edukuar dhe me kulturën e traditës së skraparlinjëve dhe si i tillë, duke studjuar Gëten e kupton se e ardhmja i takon vetëm atij që harron urrejtjen dhe mbjell mirëkuptimin dhe dashurinë. Pastërtia e shpirtit është brendia e ndërgjegjes dhe vlen më shumë se perlat e diamantit. 
Humanizmi dhe dashuria njerëzore
Ai e kupton se esenca e jetës është dashuria njerëzore, prandaj dhe është shumë humanist, Ai mbetet një publicist i guximshëm dhe një shkrimtar dinjitoz që “mbushet plot”, që kënaqet me ato gjera që ka arritur të shijojë, siç janë familja e tij e mrekullueshe, fëmijët e edukuar dhe të arsimuar dhe plot katër mbesa si një buqetë lulesh. Në banesën modeste, ku vendin më të preferuar e zë “strehëza” e librave, biblioteka, por edhe një koleksion i admirueshëm gazetash, janë ndoshta të vetmet pasuri e Bashkimit. Ai është kundër pseudoanalistëve që fshehin të vërtetën, që bredhin nga një sdudjo në tjetrën për pesë lëkë të qëlbura. Jo! Ai nuk i përket kësaj race gazetarësh, atyre publicistëve dhe pseudoanalistëve që bëjnë ujdi me sundimtarët e politikës e që iu lëpihen për ndonjë tender; post politik apo që vegjetojnë nëpër partira të tipit Shpk. Ai është koleg dinjitoz dhe e kupton që ne jetojmë në një shoqëri ku njerëzit nuk thonë atë që ndjejnë dhe nuk e ndjejnë atë që thonë. E kupton që pabarazia dhe padrejtësia në vend janë të pazakonta. E kupton se korrupsioni është si plehrat që duhen hequr çdo ditë dhe jo me fushata dhe nga personazhe politikë të cilët janë bërë pis deri në grykë; nga personazhe politikë abuzues, që flasin kundër korrupsionit dhe janë të zhytur në të; nga ato personazhe që i bëjnë thirrje popullit që të ketë “besim” tek ata, e nga ana tjetër besimin e kanë përbaltur si të ishte gjëja më e pavlerë! Hipokrizi e pa parë dhe e padëgjuar! Ai tashmë është në pension, por gjithmonë aktiv dhe i kudogjendur, kur është fjala për atë çka e shqetëson sot shoqërinë shqiptare. Ai shkruan e shkruan si të jetë në ballë të gardës së gazetarëve, si të jetë i ngarkuar me detyrën për të ngritur shqetësimet e njerëzve, për të mbrojtur të vërtetën. Në kulmin e krijimtarisë si gazetar në 1985 u dekorua me Urdhërin “Naim Frashëri” dhe në 2014 Shoqata e Gazetarëve të Bujqësisë e nderoi me çmimin “Vasfi Samimi” për artikullin më të mirë të vitit 2013 “Të fala nga fshati…”, të botuar në “Telegraf”.
Sigal