Jovan BIZHYTI/ Llazar BOZO, patrioti që u lartësua nga populli si “Kapedan”. Burri me zemër të madhe që jetoi e luftoi për Shqip

880
Sigal

Personazh/Luftëtari demokrat e liridashës i Myzeqesë që shkoi delegat në Kongresin e Lushnjës dhe Përmetit

Në luftën patriotike për pavarësinë e Shqipërisë, një kontribut të çmuar ka dhënë dhe populli i Myzeqesë, me në krye patriotët e tij të shquar. Një nga ato figura ka qenë dhe Llazar Bozo. Ai e nisi jetën si komit dhe drejtues i çetave të Rilindjes Kombëtare për liri e pavarësi në Myzeqe dhe gjithë jetën ka qenë konsekuent në bindjet e tij demokratike e liridashëse. Llazari e nisi dhe e vazhdoi luftën me armë në dorë, si ndaj bimbashëve turq, ndaj Esat Pashë Toptanit e bejlerëve mbështetës të tij, u shqua në kryengritjet antizogiste dhe së fundi në luftën legjendare Nacional Çlirimtare për çlirimin e vendit.

            Pra, e gjithë jeta e tij, nga rinia e hershme e deri në moshën 64 vjeçare, ku morri pjesë aktivisht dhe në Operacionin e Madh të Dimrit 1943-‘44 kundër pushtuesve gjermanë e bashkëpunëtorëve të tyre, ishte luftë e përpjekje për të arritur atë liri e pavarësi të dëshiruar. Ishte trim e legjendar, mbështetës i fshatarësisë kundër bejlerëve e mercenarëve, patriot që shkriu gjithë pasurinë e tij dhe sakrifikoi veten dhe familjen në shërbim të luftës për çlirimin e vendit. Në momentet historike, fshatarësia myzeqare e quajtën atë “Kapedan”, jo nga gradat, as nga ofiqet, por nga trimëria e përkushtimi për liri e pavarësi, nga përpjekjet e lufta edhe me armë, që ai asnjëherë nuk e ndau nga krahu. Dhe ky vlerësim i mbeti deri në fund të jetës së tij, duke e thirrur, Kapedan Llazar Bozo.

            Llazari eci në gjurmët e të parëve të tij

Familja vllahe e Bozove, është e ardhur qysh herët në fshatin Kolonjë të Myzeqesë, që pas djegies së Voskopojës e Grabovës, si vende të origjinës së tyre që pas mesit të shekullit të XVIII-të. Ata u përshtatën jetës, zakoneve e traditave myzeqare dhe në këto tre shekuj, ata dhe shumë vlleh të tjerë që jetojnë në trevën e Myzeqesë, janë asimiluar me popullsinë vendase, dhe Myzeqenë e quajnë truallin e tyre ku kanë lindur e jetuar në disa breza.

            I ati, Mihal Bozo, u bë mbështetës i flaktë i ideve patriotike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në 1878 dhe u përfshi në radhët e organizatorëve për ngritjen e nëndegëve të kësaj Lidhjeje në Myzeqe. Njëkohësisht ai mbante lidhje të ngushta dhe me disa nga figurat e Rilindjes sonë Kombëtare si, Naun Veqilharxhi, Kostandin Kristoforidhi e Hasan Tahsini, ku këta të fundit i ka pritur në Manastirin e Ardenicës, ku ishte dhe administrator e mësues i shkollës greke në këtë manastir. Mihali ishte nga të parët që hodhi bazat e mësimit të gjuhës shqipe në atë shkollë. Llazari, duke ndjekur rrugën e të parëve të tij, në 1906 kur ishte ende 26 vjeç, u detyrua të dali komit. Shkak u bë rrahja e një komandanti të garnizonit turk në qytetin e Lushnjës. Kjo bëri që ai të fshihej në pyjet e kasollet e vllehve të Kolonjës e të fshatarëve të tjerë të fshatit, që e strehuan dhe e mbajtën atë me bukë.

            Në dhjetor 1910, Llazari në pyjet e kodrave të Ardenicës e Kolonjës, krijoi Çetën e armatosur me luftëtarë patriot myzeqarë, ku nisi aksionet kundër autoriteteve e garnizonit turk në Lushnje. Nga ajo kohë, Llazar Bozo nisi lidhjet dhe me kryekomitët e Çetave të luftëtarëve patriotë shqiptarë si Çerçiz Topullin, Mihal Gramenon, Themistokli Gërmenjin e të tjerë. Me aktivitetin e tij, ai u bë i njohur në rrethet patriotike të vendit.

Në këtë periudhë në Myzeqe, veç Çetës së Kolonjës e Bubullimës, u krijuan dhe çeta të tjera, si ajo e Karbunarës, e drejtuar nga patrioti Taulla Sinani, Çeta e Karatoprakut e drejtuar nga Ikonom Kozma Dhima, e Ngurrzës drejtuar nga Hajdar Ngurrëza dhe Jashar Blezencka, si dhe Çeta e Krutje – Fiersheganit drejtuar nga patriotët Lam Shtëmbari e Pali Kadillari. Krijimi i këtyre Çetave, e ashpërsoi më tej luftën kundër pushtuesve osman, ku në një aksion që ndërmorën shpartalluar garnizonin turk dhe në qytetin e Lushnjës për disa ditë u valëvit flamuri kombëtar shqiptar.

Llazar Bozo ishte pjesëtar dhe në Komisionin Iniciator për thirrjen e Kongresit Historik të Lushnjës në janar 1920 dhe delegat i Myzeqesë në këtë Kongres.

Ishin vitet e vështira të copëtimit të Shqipërisë nga fuqitë e mëdha. Qeveria e Durrësit e drejtuar nga Esat Pashë Toptani, në 20 gusht 1919 nënshkroi marrëveshjen e pushtimit të Shqipërisë nga fashizmi italian. Në Lëvizjen mbarë Kombëtare Shqiptare po përhapej ideja e thirrjes së një Kuvendi Kombëtar gjithë shqiptarë, për t’i dalë zot këtij vendi nga kjo katastrofë tragjike e copëtimit të Shqipërisë. U morën disa nisma nga patriotët në disa nga qytetet si në Tiranë, Elbasan, Berat, Krujë e Shijak, por pa arritur ndonjë rezultat për shkak dhe të terrorit që ushtronte qeveria fashiste. Së fundi, u vendos që Kongresi të thirrej në Myzeqe, në qytetin e Lushnjës si vend më i qetë, ku u ngrit dhe një Komision Iniciator, që do të merrej me përgatitjen e tij. Ky Komision përbëhej nga patriotët, Besim Nuri që ishte dhe kryetar i këtij komisioni, Llazar Bozo, Taulla Sinani, Jakov Bozo, Eshref Frashëri, Ferit Vokopola, Nebi Sefa, Zija Mullai, Andre Papai e tjerë. Komisioni hartoi thirrjen drejtuar gjithë prefekturave e nënprefekturave të Shqipërisë për programin dhe delegatët përfaqësues nga çdo rreth. Në roje të Kongresit u caktuan forca të shumta të drejtuara nga një shtab mbrojtës i përbërë nga patriot të vendosur myzeqarë dhe nga rrethe të tjera me në krye, Riza Cerovën, Llazar Bozon, Ismail Ali Kuçin, Taulla Sinanin e të tjerë. Në mbështetje të tyre, erdhën forca dhe nga Mati, Berati e Skrapari e tjera. Llazar Bozo ishte dhe delegat në Kongres si përfaqësues i Myzeqesë, së bashku dhe me dy përfaqësues të tjerë myzeqarë, Ferit Vokopola, që mbajti fjalën e mirëseardhjes, si dhe kleriku Sheh Ibrahim Karbunara. Kongresi i Lushnjës morri vendime të rëndësishme për fatet e vendit, duke hedhur poshtë planet e Konferencës së Paqes për copëtimin e Shqipërisë, u shpreh me vendosmëri për pavarësinë e vendit, dënoi dhe veprimtarinë tradhtare të Qeveris së Durrësit si qeveri antikombëtare, e rrëzoi atë dhe zgjodhi qeverinë e re të Shqipërisë të kryesuar nga Sulejman Delvina, duke përcaktuar dhe një sërë masash për organizimin e organeve shtetërore në qendër e në bazë. Ky Kongres caktoi dhe Tiranën, kryeqytet të Shqipërisë.

Lidhjet e Llazar Bozos me patriotin Riza Cerova

Llazari në kujtimet e tij tregonte se me Riza Cerovën ishte njohur herët. Ai ushqente një respekt të veçantë për të. Ishin njohur në Berat vite më parë. Rizai sapo ishte kthyer nga Selaniku, ku vazhdonte shkollën. Ishte me bindje të shëndosha patriotike, trim dhe i çiltër me shokët. Ishin takuar dhe herë të tjera. Mbledhja e Kongresit të Lushnjës i bashkoi përsëri, ku të dy ishin caktuar në shtabin e vullnetarëve për mbrojtjen e Kongresit. Rizai ishte një patriot i vendosur dhe gjakftohtë, – tregonte Llazari.

Pas disa vitesh, u takuan përsëri me Riza Cerovën. Në maj 1935, Rizai kthehej nga Tirana për në Skrapar, ku bëheshin përpjekje për krijimin e një organizate të fshehtë kundër regjimit të Zogut. Ai ndaloi në fshatin Karbunarë, ku u takua me Taulla Sinanin, Llazar Bozon, Hysni Jeniçerin dhe Ahmet Shehun. Aty veç të tjerave, u fol dhe për organizimin e një kryengritje antizogiste, si dhe për bashkëpunimin midis forcave patriotike të Myzeqesë dhe të Skraparit. Disa muaj më vonë, Llazari morri pjesë aktive në kryengritjen antizogiste të Fierit në gusht 1935, ku kryengritësit arrestuan nënprefektin, vranë gjeneral Gjilardin, ish këshilltar austriak në ushtrinë e Zogut dhe shtinë në dorë qytetin e Fierit. Më pas, si rezultat i dhunës që përdori qeveria e Zogut, kryengritja u mposht dhe Llazari me disa patriotë të tjerë u dënuan me vdekje. Revoltat popullore bënë që dënimi tu kthehej me afate të ndryshme burgimi. Më pas Llazari mësoi dhe për vrasjen e mikut e bashkëluftëtarit të tij patriotit Riza Cerova nga forcat zogiste. U pikëllua shumë dhe njëkohësisht u revoltua, duke u betuar se do të luftonte deri në vdekje për të marrë hakun e mikut të tij Riza Cerovës.

Lidhjet dhe miqësia me Avni Rustemin e Halim Xhelon

Këta patriotë kishin nisur një punë të madhe për shtrirjen e organizimit të një Federate të shoqërisë “Atdheu”, për ti dal zot lirisë e pavarësisë së vendit. Myzeqeja ishte një nga krahinat, ku ata kishin baza të forta. Lidhjet e Avni Rustemit me Naun Priftin në Myzeqe ishin të hershme. Mysafirët nga Vlora u pritën në fshatin Kolonjë në shtëpinë e Llazar Bozos atë ditë shkurti 1921. Lufta e Vlorës në 1920, tregoi se patriotët myzeqarë e mbështetën me armë në dorë atë luftë legjendare. Llazar Bozo së bashku dhe me patriotët Zoi Ndreko, Sil Keqi e të tjerë, ishin në krye të rreth 600 forcave nga Myzeqeja, që u vendosën në Llakatund, pranë ullishtave në rrethinat e Vlorës, ndërsa Naun Prifti me 50 trima myzeqarë, luftoi me heroizëm brenda në qytetin e Vlorës, duke iu bashkuar luftëtarëve të Labërisë kundër pushtuesve italianë. Në atë betejë, luftëtarët myzeqarë e emërtuan Llazar Bozon, “Kapedan” dhe kjo i mbeti deri në fund të jetës, Kapedan Llazar Bozo.

Kështu i thirri dhe Avni Rustemi atë natë shkurti, kur hyri në derën e shtëpisë së Llazarit së bashku me Halim Xhelon, Jani Mingën, Naun Priftin dhe Zija Mullain. Avniu shtroi detyrën për të bashkuar të gjitha organizatat dhe shoqëritë para dhe pas Luftës së Vlorës në një Federatë “Atdheu”. Duke qenë të bashkuar, do të jemi më të fortë, – theksoi Avniu. Dhe në 25 prill 1921 u mblodh në Vlorë Kongresi me delegatë nga e gjithë Shqipëria, që krijuan Federatën “Atdheu”, ku në disa rrethe u ngritën dhe nëndegët e saj.

Iniciator në hapjen e internatit në Manastirin e Ardenicës

Pas vitit 1908, në Manastirin e Ardenicës u ngrit një ndër shkollat e para shqipe në Myzeqe, ku mësonin djem nga fshatrat për rreth. Pas pushtimit Austro-Hungarez në luftën e Parë Botërore, arsimi në Myzeqe mori një përhapje më të gjerë. Me iniciativën e kujdestarit të Manastirit Llazar Bozo, inspektorit të arsimit në Myzeqe Jani Minga dhe mësuesve, Anastas Ikonomi, Rrapi Mërtiri dhe Naun Prifti, u kërkua Ministrisë së Arsimit për të ngritur një internat me konvikt për 50 nxënës nga e gjithë krahina e Myzeqesë. Ambientet me klasa e dhoma fjetje i siguronte Manastiri. Pasi kaluan disa kohë, Ministri i Arsimit në vitin 1922 Rexhep Mitrovica, e miratoi dhe iu përgjigj kërkesës. Në të thuhej: “Kemi vendue të hapim një internat të vogël në Manastirin e Ardenicës. Kemi shpresë se më vonë do ta rritim…”.

Ky lajm u prit me gëzim nga iniciatorët, por dhe nga populli i krahinës. Ja si shkruhet në një dokument të kishës: “Kujdestari i Manastirit Z. Llazar Bozo nga fshati Kolonjë, tue tregue bujarinë, zotohet që të japi për 50 nxanës bukën, e cila do të jetë e misërt, deri sa të vazhdojë kjo shkollë me konditë, që nxanësit të jenë të vobekët dhe prej Myzeqesë së Madhe e të Vogël pa ndryshim feje”. Pra, nga ky dokument, del se patrioti Llazar Bozo, ishte dhe një bamirës e arsimdashës i nderuar në ndihmë të arsimimit të popullit fukara. Llazari ishte partizan i orëve të para për çlirimin e Atdheut në Luftën Nacional Çlirimtare.

Në të gjitha ngjarjet e Luftës Naçional Çlirimtare, Llazar Bozo ishte i pranishëm si përfaqësues i popullit të Myzeqesë së Lushnjës. Që nga Konferenca e Pezës, në Konferencën e Labinotit 1943, ku u zgjodh Anëtar i Këshillit të Frontit Nacional Çlirimtar dhe deri në Operacionin e Madh të Dimrit 1943-44, ai nuk e hoqi pushkën nga krahu, duke marrë pjesë në të gjitha aksionet me partizanët myzeqarë në betejat e zhvilluara në Sulovë, Tomorricë e Gorë-Opar, megjithëse në moshë të thyer 64-vjeçare. Në këtë marshim luftarak sa legjendar dhe të vështirë, ai ishte i pranishëm dhe si anëtar i Shtabit Partizan të Qarkut të Beratit.

Bejlerët, që mbështesnin qeverinë fashiste, i bënin thirrje Llazar Bozos, deri dhe presion për t’u larguar nga Fronti Nacional Çlirimtar dhe nga komunistët e të bashkohej me Ballin Kombëtar. Eksponenti i Ballit, Ali Bej Këlcyra që kishte çifliqe në fshatrat Ngurrëz, Rrupaj, e Zhelizhan të Myzeqesë, u bënte presion me kërcënime fshatarëve që strehonin Llazar Bozon e familjen e tij, që të distancoheshin, e të tregonin se ku i kishte bazat e strehimit. Një ditë fshatarin Laze Liko, Ali Beu e thirri për drekë në Fier, ku i premtoi se do ti falte një sipërfaqe toke me tapi, po të tregonte vend – ndodhjen e Llazar Bozos. Por Lazia që ishte dhe mik shtëpie me Kapedanin nuk pranoi, ai ia la pa ngrënë drekën Aliut dhe u kthye në fshat.

Pushtuesit fashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre me kriminelin Isa Toska dogjën fshatin Kolonjë si bazë e luftës partizane dhe zjarri përpiu të parën shtëpinë e Llazar Bozos, pastaj me radhë të Kosta e Taqi Robos, Loni Bozos, Vasil Bozos, Luçi Bozos, Gori Bozos, Mina Bizhytit, e Todi Dojës. Kapedan Llazari i dha luftës gjithë familjen që dolën partizanë, 5 djem dhe dy vajza, ku njeri nga djemtë, Petri Bozo dha jetën si dëshmor i Atdheut, i torturuar e i pushkatuar nga krimineli Isa Toska.

Në Kongresin Historik të Përmetit në maj 1944, 64-vjeçari Llazar Bozo ishte delegat si përfaqësues i popullit të Myzeqesë dhe aty u zgjodh Anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacional Çlirimtare të Shqipërisë. Populli i Myzeqesë dhe qytetarët e Lushnjës në nderim të figurës së Llazar Bozos, i kanë ngritur atij një bust në një kënd të qytetit dhe publicisti, i ndjeri Hilli Liko, ka shkruar për të një libër monografie.

Ja si e vlerëson figurën e Llazar Bozos shkrimtari myzeqar Nasho Jorgaqi: “Llazar Bozo ka të pasqyruar e të mëshiruar në jetën e tij historinë e trazuar shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të XX-të. Një jetë e ngritur në luftë e përpjekje të pareshtura, përmes sakrificash e përkushtimesh të admirueshme. Asnjëherë nuk më del nga mendja imazhi burrëror i Llazar Bozos. Sytë e tij me atë shkëlqim shkrepëtitës, ajo energji e pashtershme që buronte nga tërë qenia e tij, po mbi të gjitha, pesha e fjalës që shqiptonte, fjalë që barte mençuri dhe urtësi, guxim dhe vendosmëri. Llazar Bozo ishte nga ata kapedanët popullor, pa të cilët nuk mund të kuptohet historia shqiptare. Kapedan i dalë jo nga viset malësore, ku ndoshta dhe ashpërsia e mjedisit dhe i peizazhit i bënte të tillë, po kapedan nga viset fushore, nga pellgu i Myzeqesë. Në këto rrethana, nuk ishte e lehtë të njiheshe dhe të lartësoheshe nga populli si Kapedan. Këtë cilësim ai nuk e fitoi me dekret, po në luftë e përpjekje titanike në shërbim të atdheut e të popullit të thjeshtë. Mjafton t’i hedhësh një vështrim momenteve kryesore të jetës së tij dhe të kuptosh se shkallët e kësaj jete, janë shkallët e historisë shqiptare, të cilat ai i ka ngjitur ndër vite përmes luftës konsekuente me sakrifica dhe haraçe të pashembullta. Llazar Bozo nuk është një legjendë, por një nga ata burra me zemër të madhe, që ka jetuar e luftuar me tërë forcat, në orë të mira e të liga për këtë vend, që ne e shqiptojmë krenarisht, Shqipëri”.