Jorgo Papingji:Më shumë i këndohet dashurisë së fshehtë dhe jo asaj ligjore

668
Sigal

INTERVISTA/ Flet poeti i këngëve të dashurisë Jorgo Papingji: Kam shkruar 1000 këngë për dashurinë

 Dikur, kur ju dhurova një libër për 14 shkurtin ditën e dashurisë, pashë se kishit tjetër mendim për këtë ditë. Cili është mendimi juaj për këtë ditë?

 Unë mendoj se dashuria s’duhet të ketë një ditë të caktuar. Dashuria bëhet  kur të vjen dashuria, apo kur dëshiron të bësh dashuri, gjatë ditës, gjatë natës, gjatë muajit, gjatë vitit. Mua më duket se 14 shkurti ka ngelur si një ditë rendimenti kot.

 Po për çfarë dite je dakord?

Unë do të desha të kishte një ditë për ata që nuk dashurojnë, apo për ata që në momente të caktuara janë bosh, nuk kanë të dashur, apo diçka gjë nuk i shkon për shtat dashurisë. Pra,të ketë një ditë për ta, që s’u ka ecur në dashuri, që nuk e kanë përjetuar atë, që nuk e kanë shijuar atë si duhet. Për ata që janë të dashuruar, çdo sekondë është një ditë dashurie. Pra, me një fjalë nuk më pëlqen si ditë, nuk përputhet me shijet e mia. Është një ditë që njeriu duket i sforcuar të dashurojë me pahir.

 Më duket se ju keni bërë dhe një këngë për këtë ditë. Mund të na thuash pak vargjet?

 Po unë kam bërë një poezi për këtë ditë e cila më pas është kthyer në këngë. Ndërmjet të tjerash poezia thotë:

 Shijoni njerëz dashurinë

Ajo nuk është mëkat

 Mos prisni një Shën Valentin

 Që zgjat vetëm një natë

Pra dhe në këtë poezi-këngë unë jam kundër një ditë dashurie. 14 shkurti është një natë, kur dashuria është një jetë.

 Kush e ka kënduar këtë këngë?

Këtë këngë e ka kënduar Bashkim Alibali, një këngëtar që për mua mbetet i veçantë. Dhe ai këtë këngë e ka kënduar në një koncert që është zhvilluar para disa vjetësh më 14 shkurt.

 Ju keni bërë shumë tekste për dashurinë. Pse këmbëngulni shumë në këtë temë?

Dashuria është universale, është një sëmundje që i prek të gjithë.  Nuk ka njeri që nuk e ka provuar njëherë të vetme dashurinë.  Dashuria me të mirat dhe të këqijat e saj me zhgënjimet dhe me mbresat e mrekullueshme që ajo le në shumë raste. Dashuria është pjesa më e rëndësishme e jetës. Por duhet të them se në dashuri duhet të fusim jo vetëm dashurinë intime, sentimentale, por dhe dashuritë e tjera. Ka dashuri për atdhenë, për nënën, për fëmijët, për prindër, motër vëlla, etj..  Pra, tema e dashurisë është shumë e gjerë….

 Po nëse flasim për dashurinë intime, sentimentale?

 Kjo dashuri është mbreti i botës. Kësaj dashurie do t’i kushtoj kohë gjithmonë. Mund t’i kushtosh dashurisë me qindra apo miliona këngë sikundër i kanë kënduar dhe prapë ka vend dhe do të ketë vend në pafundësi për t’i kënduar asaj. Ka një mënyrë pamjeje që nuk është konsumuar dhe gjithmonë do të gjesh këndvështrime të reja për t’i kënduar.

 Shihet se kur ka dhimbje në dashuri aty i mëshohet më fort?

Dashuria është sa e bukur po aq dhe e dhimbshme. Madje, do të thoja se në këtë fakt i mëshohet më shumë. Pra, në pjesën dërmuese të poezive i këndohet dashurisë së humbur, të lënë në mes, të  mos  çuarjes deri në fund. Njeriu në shumë rate e do dashurinë ta shoqërojë kudo, e do ta transmetojë me atë forcë sa dhe përpiqet që ta marrë dhe meqenëse e gjithë jeta shoqërore zhvillohet me shumë dhimbje, edhe dashurisë më shumë i këndohet për dhimbjet që ajo le. Shumë pak njerëz apo poetë i kanë thurur vargje dashurisë me gruan e vetë, ndërsa shumica e vargjeve i janë thurur një dashurie jo ligjore, jo asaj të përditshmes, por asaj të fshehtë, të bukur, të dramatizuar që i ka goditur rëndë. Dashuria është gjithmonë në kërkim ndaj ajo ka termat e saja,  d.m.th është kryetema e të gjitha vargjeve poetike, erotike dhe e dëshirës për të jetuar me dashurinë në përjetësi.

 Sa këngë keni shkruar për dashurinë?

Do jenë rreth 1 mijë më duket. Mos ta them të saktë, por me përafërsi. Është tema më e cytur nga këngëtarët që unë bashkëpunoj. Pra, janë kaq shumë sa duket sikur si mbaj mend, por jo i mbaj mend dhe i ndaj nga njëra-tjetra. Shumë prej tyre i mbaj ende përmendsh. Por ajo që doja të theksoja është se kurrë nuk kam përsëritur veten në të gjitha tekstet. Pra, ruajnë individualitetin dhe rëndësinë e tyre brenda vargut të tyre pa asnjë ngjashmëri.

 Gjithë këtyre këngëve të dashurisë a u keni ruajtur të drejtën e autorit?

 Eh, mos më prek në këtë temë. Është temë e dhimbshme për mua. Është një temë që e diskutojmë gjithmonë, por kurrë nuk e kemi vënë në vijë.  Pra, ende nuk e kam provuar dashurinë me të drejtën e autorit. Edhe kjo  si çdo dashuri e humbur e meriton t’i kushtosh një këngë. Një këngë që të nxitë autoritete dhe institucionet përkatëse që të vihet në zbatim kjo e drejtë. Kjo është një  dashuri që nuk e di nëse do të na buzëqeshi ndonjëherë apo jo, mbasi për të dashuruar s’ka për të na dashuruar kurrë.

 Keni menduar t’i bëni një këngë kësaj dashurie, pra dashurisë të së drejtës së autorit?

 Gjer tani s’e kisha menduar, por tani më intrigove me këtë pyetje dhe me të vërtetë ja vlen që t’i kushtosh një këngë. Po e vë që tani në projekt që kënga e parë apo teksti i parë që do të  krijoj pas këtij momenti do të jetë ky lloj teksti. Ndoshta në këtë mënyrë do të nxiten autoritetet për të ruajtur të drejtën e autorit. Pasi ky problem jo vetëm që s’po zgjidhet po ndërlikohet çdo ditë dhe më shumë. Ndërlikimi më i madh është se ligji që ka dalë për të drejtat e autorit në fakt, apo konkretisht ka dalë që të mos ruhet e drejta e autorit. Pra, kur vetë ligji pengon zbatimin e ligjit, atëherë, ku do ta kërkosh këtë të drejtë, tek Kadiu?

 N.q.s do të respektohej kjo e drejtë çfarë do të përfitonte Jorgo Papingji nga ana ekonomike?

 Unë nuk do bëj shumë hesape, por po bëj një llogari fëminore. Kam bërë gati 4 mijë këngë, sikur një lekë  në ditë të merrja nga çdo këngë që transmetohen në të gjitha radiot, televizionet, unë në ditë do të merrja 4 mijë lekë të vjetra dhe do të nxirrja shpenzimet e kafe-cigares. Këtu nuk flas me çmimet reale që do të fitoja me të drejtat e autorit.