Jorgo Papingji: Sot tekstet e shumë këngëve nuk kanë poezi

2087
Sigal

Flet për “Telegraf”, poeti Jorgo Papingji: Kënga me superpozim ka humbur bukurinë e këngës

 Sot, në shumë këngë nuk ndihet poezi, por thjesht vargje në formë proze, a është e vërtetë?

 Shumë e vërtetë. Nuk e di si tingëllojnë disa këngë kur teksti përsërit dhjetë herë një fjalë. Për poezi nuk bëhet fjalë. Duket sikur poezia ka humbur në disa këngë. Disa herë mund të themi me bindje se kënga mbahet mend nga poezia dhe jo nga melodia. E theksoj jo gjithmonë. Kur dëgjoj disa këngë me të tilla tekste trishtohem. Vetëm tekste kënge nuk mund të jenë. Kënga ka disa elementë përbërës që duhet të jenë në harmoni. Këto elementë janë muzika, teksti, këngëtari dhe instrumentistët. N.q.s të gjithë këto elementë nuk janë në harmoni, kënga dështon, nuk merr vlerën e plotë. Duket e gjymtuar.

 Po në këngët për fëmijë çfarë do veçosh?

Emisionet që janë bërë dhe bëhen. Ka më kujdes në to. Ka shumë këngëtarë që i kam njohur që në vegjëli dhe mrekullohem me ecurinë e tyre. Këtu  mund të përmend Irma Libohovën, Kastriot Tusha, Frederik Ndoci. Disa prej tyre, si p.sh Irma, ka kënduar disa këngë të mijat. Këtu mund të veçoj këngën “Autobusi shkon kudo” që mbetet një ndër këngët më të bukura dhe më të kërkuara në të gjitha kohët. Është një këngë e kënduar me mjeshtëri nga Irma, por që dhe teksti i është përshtatur në mënyrë shumë speciale.

Ka shumë emisione apo konkurrime të këngëve për fëmijë, a janë nxitëse ato?
Sigurisht. Në disa televizione të rëndësishme, konkurrime të tilla i nxisin dhe i dallojnë talentet e fëmijëve. Këto konkurrime kanë një të veçantë shumë të madhe. E para është se këngëtarët e vegjël këndojnë këngë për fëmijë. Pra nuk tentohet imitimi por origjinaliteti. Dihet tashmë se në shumë konkurse apo spektakle, fëmijët e vegjël tentojnë të imitojnë këngëtarët e rritur. Kërkojnë të arrijnë të madhen pa prekur të voglën. Pra është vënë re një sforcim i këngëtarëve të vegjël për tu dukur këngëtarë të formuar, pa kaluar etapat. Ky emision është specifik për fëmijët. Aty ata janë vetvetja, janë ata me këngët e tyre, me muzikën e tyre, me tekstet për ta, pa asnjë sforcim.

Vetëm mësojnë apo dhe përcjellin mesazhe këto konkurrime apo shou për fëmijët?

Të dyja bashkë. Për mua përcjellin shumë gjëra. Por më kryesorja është se ata në këtë emision spektakël, kanë përballë këngëtarë që kanë qenë si ata të vegjël. Që e kanë filluar karrierën si ata në atë moshë, me aq njohuri, me aq kërkesa. Pra fëmijët shohin këngëtarët e tyre idhuj që këndojnë këngët e tyre kur kanë qenë në moshën e tyre. Ata marrin eksperiencë, marrin njohuri, shkëmbejnë mendime, shohin vlerat. Pra është emision edukativ, mësimor, që u tregon fëmijëve se si ata mund të bëhen këngëtarë të mëdhenj n.q.s ke dëshirë, pasion, apo etje për të studiuar. Irma, Frederiku, Kastriot Tusha përbëjnë për fëmijët një lloj garancie apo shembulli se si mund të ndiqet kjo rrugë, se si mund të arrish rezultat dhe si mund të kapërcesh vështirësitë.

Si do ta cilësonit të kënduarit me superpozim?

Jam kundër kësaj mënyre të kënduari. Ajo e humb magjinë e këngës, e humb timbrin e saj të vërtetë. I bën këngëtarët artificialë. Ashtu mund të këndojnë të gjithë. Kjo është mënyra më e papranueshme e të kënduarit. Sot ka aq shumë këngëtarë sa nuk i njeh dot. Deri dje, këngëtarët njiheshin me maja të gishtave. Sot kemi mbipopullim me këngëtarë.

Të kthehemi në dikur….Për dikur a keni nostalgji për Festivalet e këngës për fëmijë?

Eh, e them me bindje, shumë. Kam qenë i ri kur kam marrë pjesë në to. Pra kam afërsisht 4 dekada që shkruaj për këtë Festival. Është pjesa më e bukur e jetës time. Kam kujtime nga më të bukurat, nga më befasueset. Tani, kur shoh këngëtarët e mëdhenj, dikur të vegjël, se besoj se si kanë ecur vitet. Duhet të dini se në regjimin monist, këto Festivale kishin shumë kërkesa dhe pse zotëronte ideologjia. Këngët kalonin në shumë sita.

Markelian Kapidanin ishte i pari që realizoi koncertin publik Jazz në Shqipëri, në vitin 1992

Konkurs për të përkrahur dhe promovuar talentet e reja shkodrane

Freskida Miloti-Shkodër

 Markelian Kapidani është një nga përfaqësuesit e rëndësishëm të artit shqiptar, prodhimi artistik i të cilit kombinon gjuhën e sofistikuar të muzikës bashkëkohore klasike mbi baza të forta “formale” me atë të improvizimit të traditës së Jazzit. Ishte i pari që realizoi koncertin publik Jazz në Shqipëri në vitin 1992. Karakteristika e artit të tij është mirëpritur dhe vlerësuar në bashkëpunimet e festivaleve shqiptare. Kompozitori i mirënjohur Kapidani ka vazhduar karrierën e tij në Itali, vend në të cilin po njeh sukses me veçantinë e notave. Pjesëmarrja në festivalet më të rëndësishme të muzikës Jazz në shtetin italian dhe publikimet e albumeve të tij, janë vlerësuar nga revistat Jazz ndër më të rëndësishme të Italisë e gjithashtu është shpërblyer me çmime. Markelian Kapedani, për të përkrahur dhe promovuar talentet e reja shkodrane, së fundmi ka shpallur një konkurs në bashkëpunim me stafin “Për Shkodrën” një faqe artistike online, nën kujdesin e Jetmir Troshanit. Ky konkurs muzikor “The Song” synon nxitjen e artistëve të rinj drejt profesionalizmit, duke sjellë vlera nëpërmjet muzikës së re. Në këtë konkurs janë të pranueshme të gjitha zhanret e muzikës moderne bashkëkohore. Pjesëmarrësit duhet të paraqesin për konkurrim një këngë të re, të incizuar nëpërmjet një ‘smart device/phone’, në formë ‘Audio&Video’ ose vetëm ‘Audio’. Kënga mund të jetë krejtësisht produkt i vetë interpretuesit për nga teksti dhe kompozimi, ose mund të jetë me kompozitor, autor dhe interpretues të ndryshëm, janë shprehur organizatorët e kësaj nisme. Materiali duhet të dërgohet deri më datën 10 prill në e-mail: [email protected]. 5 këngët më të klikuara dhe të vlerësuara në formatin online automatikisht kalojnë në përzgjedhjen përfundimtare të jurisë së përbërë nga: Markelian Kapidani, Rosela Gjylbegu, Bora Dokle, Eugjen Gargjola, Arjanit Balca. Kënga fituese do të ketë privilegjin të incizohet në studio profesionale dhe më pas të aranxhohet nga vetë artisti/muzikanti i mirënjohur Markelian Kapidani.

Kënga fituese do të promovohet në media e gjithashtu përfaqësuesit e 5 këngëve të përzgjedhura nga publiku do të nderohen me ftesë pjesëmarrjeje në Festivalin e Muzikës Moderne (FMM4) që do të zhvillohet në Shkodër gjatë datave 12-13-14 Qershor.

 Sot, 74-vjetori i lindjes së kompozitorit të madh Ferdinand Deda

Ferdinand Deda lindi në PeqinShqipëri, në 5 shkurt të vitit 1941. Pasi mbaroi liceun artistik në Tiranë në vitin 1960, studioi në konservatorin e muzikës së Pragës për dirigjim. Pas një viti detyrohet të ndërpresë studimet dhe t’i vazhdojë në 1962 në konservatorin e Tiranës. Që kur ishte student, udhëhiqte orkestrën e RTSH dhe pas studimeve u emërua në këtë orkestër. Në vitet 1991-1992 u specializua në Itali. Prej viti 1964 ka realizuar mbi 300 koncerte brenda dhe jashtë vendit si në Itali, Turqi, Greqi. Me orkestrën simfonike të RTSH ka kompozuar muzikën e shumë filmave. Deda është shquar edhe si kompozitor, ai ka kompozuar 3 valle simfonike “meditim 1-2-3”, ka kompozuar gjithashtu edhe katër skica për piano, trio për violinë, violonçel dhe piano, prelud të kënduar, impropt për piano dhe orkestër harqesh, fantazi për ksilofon dhe orkestër, koncertino për korn dhe orkestër, koncert për klarinetë dhe orkestër, rapsodi me tema popullore për orkestër, koncertino për fagot, klarinetë dhe flaut, muzikë filmi etj. Është shquar edhe në gjininë e këngës së lehtë për fëmijë. Vepra e tij është vlerësuar me çmime. Ferdinand Deda është themelues i koncerteve pranverore në RTVSH. Më 1997 u shpall fitues i “diskut të artë” është nderuar me titullin “Artist i merituar” dhe “Mjeshtër i Madh”. Ndërroi jetë në vitin 2003, në moshën 62 vjeçare.

Albert Z. ZHOLI