Jorgo Papingji: “Katër mijë këngë në treg, pa vjelë asnjë grosh”!…

685
Sigal

INTERVISTA/ “Mjeshtri i Madh” flet për fatin e krijimtarisë së tij

E drejta e autorit ka vite që diskutohet. Por ajo që është dhe më e rëndësishme  lidhet me atë që në një CD apo album emri i autorëve të tekstit nuk përmendet fare. Të gjitha lavdet dhe fitimet në këtë album i merr vetëm këngëtari. Kjo vjen pasi nuk funksionon ende një institucion veprues për të drejtën e autorit. Drejtoria për të Drejtat e Autorit ka filluar të punojë, por mangësitë e mëparshme nuk riparohen me një ditë. Nga ana tjetër Drejtoria e Certifikimit të Veprës nuk është korrekte me certifikimet. Ajo nuk duhet të certifikojë asnjë shtëpi diskografike në qoftë se nuk ka paguar autorët e veprës, për CD-të që kanë shitur. Sipas Papingjit, i cili tashmë po punon për Festivalin e Këngës Popullore Qytetare dhe për Euorosong të Fëmijëve, problemet janë të shumta, por që kanë zgjidhje.

A ekziston sot e drejta e autorit?

Sot e drejta e autorit nuk ekziston as formalisht as juridikisht me gjithë përpjekjet që bën Ministria e MTKRS për vendosjen e këtij autoriteti. Sot mund të  prodhosh çfarë të duash mund të konsumosh dhe gjithë jetën tënde prodhimtari artistike  dhe përfundimisht  nuk mund të marrësh asgjë që ka të bëjë me vlerat e punës tënde. Ky është një problem sa i ri po aq i vjetër  për Shqipërinë (sa piramidat e Egjiptit për ne) sepse, çdo vit shtohet si problem, ngrihet si problem, jepet “vlera e vërtetë që ka ky si problem” dhe së fundi çdo gjë ngelet në sirtar. Mendimi im personal është që përgjegjësi kryesore në këtë mes mban shteti  për arsyen e thjeshtë, sepse  ligje ka, janë të mira, por kush i zbaton ato. Pra, shteti funksionon në mënyrë ligjore për nxjerrjen e ligjeve por nuk merr masa për ata që e shkelin këtë  ligj apo ligje. Por nga ana tjetër për këtë problem ka pesë institucione të ngritura paralelisht (për këtë problem),  që do të thotë janë kundër një vendimi që ka dalë që duhet të jetë një Institucion për mbrojtjen të drejtave e autorit. Këto pesë apo gjashtë institucione (5 prej të cilave OJF), mbrojnë në mënyrë të veçantë të drejtat sipas profesioneve. Pra, ka një Institucion apo shoqatë që mbron të drejtat e kompozitorëve, një tjetër mbron të drejtat e këngëtarëve, tjetra të instrumentistëve e me radhë… Edhe vjelja e të ardhurave për çdo lloj kënge bëhet duke pasur parasysh këto raporte dhe bëhet një mish-mash që askush nuk e di se ku të trokasë. Të gjitha këto shoqata veprojnë ndoshta të panjohura juridikisht dhe mundohen të gëzojnë një status që e gëzon vetëm Institucioni shtetëror. Dhe ajo që është paradoksale është se pranë MTKRS  është  ngritur një zyrë për certifikimin e veprave të autorëve  shqiptarë, si CD, apo këngë të  ndryshme qendër, e cila në qoftë se nuk i certifikon ajo CD apo këngët, atëherë kjo CD apo këngë nuk duhet të shitet as në treg as të jepet në TV apo radio. Përkundrazi  CD shitet në treg, kjo drejtori e certifikimit shet pullat e ekskluzivitetit, i bashkëngjit një certifikatë që gjoja është marrë nga autorët (këngëtar, autor teksti, kompozitor, instrumentist), dhe CD del në treg, ku unë, një nga autorët e CD nuk di asgjë. Deri më sot unë s’kam asnjë certifikatë apo asnjë kontratë që unë autorizoj X institucion që të certifikojë këtë apo atë CD apo X person që të merret me shitjen e kësaj vepre, e cila konsumohet për çdo ditë gjerësisht në radiot apo televizionet shqiptare. Pjesa tjetër  më e rëndësishme është kjo që shikoni në televizionet private, dhe shtetërore sot…

Dhe cila është kjo?

Është ajo që në asnjë CD apo këngë nuk do të shihni emrin e autorit të tekstit. Kjo ndodh sepse këngëtari i ka marrëdhëniet direket me institucionet,  e depoziton  CD për ta transmetuar apo ta riprodhuar këngën e tij duke i fshirë në mënyrën më të çuditshme paradoksale emrin e autorëve të tjerë.  Ka vite që ne si autorë teksti nuk na del emri fare. Këtu përjashto vetëm  disa raste kur ka shtëpi diskografike serioze që e kërkojnë këtë të drejtë autori, pasi  i stamposin ato në CD për ta bërë prezent në mënyrë sa më të kompletuar këtë  CD. Aktualisht, unë kam në treg dhjetëra apo 100 CD me tekstet e mija ku nuk kam asnjë dokumentacion, apo kontratë të firmosur nga ana ime  që këto vepra apo CD  i autorizoj që t’i prodhojë, shumëfishojë, t’i shesë  X apo Y shtëpi diskografike, apo institucion. Dhe ajo që është më paradoksalja, është se këtë fakt e ka të ligjëruar për ta mbrojtur Drejtoria e Certifikimit pranë MTKRS-së. Kush e ndjek, kush e merr përsipër  zbatimin e ligjshmërisë dhe kush dënon shkelësit  e moszbatimit e këtij ligji sot, nuk dihet. Institucioni i ruajtjes dhe mbrojtjes së autorit është një institucion që nuk ka forcë, nuk kërkon shumë llogari dhe nuk  shikon rrugën e fitimit dhe të prodhimit të CD apo të një klipi. E drejta e autorit sot është de Jure por jo de facto.

Ju thatë që në një këngë emrat e autorëve anashkalohen. Mos vallë kjo është më shumë faji i këngëtarëve që duan t’i marrin vetë të gjitha lavdet e një krijimi apo të një CD-je?

Institucionet paralele sidomos ato jo qeveritare nuk marrin parasysh se kush është autori i tekstit, por mjafton që një CD e çuar nga një këngëtar në një TV apo radio merret e mirëqenë si vepër e tij, dhe askush si kërkon llogari për më tej. Pronari  legjitim apo jo legjitim është vetëm këngëtari, ai lidhet në mënyrë direkte me të gjithë këto struktura. E rëndësishme është se nuk del përgjegjësia e institucionit që i certifikon këto këngë. Pasi në treg sheh shumë CD me pulla dhe qindra pa pulla. D.m.th certifikimi nuk është bërë në rregull.

Si mund të zgjidhet ky problem?

Për mua është shumë i thjeshtë. Përderisa  çdo institucion që konsumon muzikë, është i verifikuar, i licencuar, nuk mund të ketë probleme në shitje, pasi në qoftë se do ketë probleme nuk mund t’i ripërsëritet licenca. Kjo mos përsëritje licence nuk do të bëhet në qoftë se nuk është bërë likuidimi me të drejtën e autorit me licencën e parë. Tek ne kjo nuk ndodh pasi përsëritet ajo licencë pa pasur parasysh këtë kriter.

Në një CD raportet e një autori teksti, kompozitorit, këngëtarit dhe instrumentistëve janë të barabarta në pagesë?

Jo, janë të ndryshme. Kanë një ndarje sipas vlerësimit që i bëhet me koeficient. Secili ka pjesën e tij sipas koeficienteve që ekziston në çdo vend të botës. Ne jemi vendi i fundit në Evropë për të drejtën e autorit. Në botë e drejta e autorit mbrohet në mënyrën më ekstreme. Unë kam marrë pjesë në dhjetëra seminare jashtë vendit për këtë problem dhe shoh se jemi në një amulli. Sanksionet jashtë janë shumë të rënda në qoftë se shkelet e drejta e autorit. Pesë shoqatat që ekzistojnë janë në kundërshtim me njëra-tjetrën.

Sa këngë ka aktualisht në treg Jorgo Papingji?

Kam më shumë se katër mijë këngë. Besoj se nuk janë pak. Janë 40 vjet punë intensive. Dhe në tërë këto këngë unë me të drejtën e autorit nuk kam vjelë asnjë qindarkë. Tani bëjini llogaritë vetë sa lekë më takojnë.

Po në kuadrin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, me se merret Jorgo Papingji?

Unë jam marrë me atë që jam marrë me rastin e 99-vjetorit, 90-vjetorit, e me radhë. Unë vazhdoj të shkruaj, vazhdoj të bashkëpunoj, vazhdoj të jap frytet e krijimtarisë time njerëzve  që i konsumojnë ato (aha, pa më pyetur mua fare), dhe kam rënë në një  Status- Quo, që kështu paska qenë fati im. Jam mësuar tashmë me këtë jetë që prodho dhe mos përfito. Unë këto ditë bashkëpunoj me Artiola Toskën, Bashkim Alibalin, për Festivalin e Këngës Popullore Qytetare që do të zhvillohet në fund të muajit tetor. Ky festival për mua është shumë i rëndësishëm dhe po merrem dhe me Euorosong të fëmijëve,  i cili do zhvillohet për herë të parë në Holandë.