Jorgo Bulo – Naimologu me Penë të Argjendtë, magjistari i fjalës së mençur

860
Sigal

MSc. Albert HABAZAJ

Jorgo Bulo (27.04.1939-26.11.2015). Zagoriti i madh nga Sheperi, akademik Jorgo Bulo ka ikur, por ai është me ne, me emrin e tij gjithëpërmasor, me veprën e tij, që shkëlqen si shëmbëlltyrë e Penës së Argjendtë. Lindur në atë vend të trëndelintë e bujar për dijetarë e atdhetarë, atje ku lindi Çajupi, ndër më të ndriturit rilindës pas Naimit, prof. Bulo, si një vijues i denjë i Andon Zakos, e vlerësoi, e nderoi, u krenua me emrin e rilindësit të shquar dhe, i ndikuar edhe nga edukimi i tij gjenetik e qytetar, mori më shumë përgjegjësi si kërkues shkencor dhe atdhetar. Profesori i njohur ishte i thjeshtë në madhështinë e tij, në se më lejoni të përdor e përshtat një shprehje të Kadaresë për këtë rast. Fusha e veprimtarisë së tij ishte Letërsia. Ai ishte një filolog i spikatur, ndërkohë, që ndihmesë të dukshme ka dhënë si historian i letërsisë, ku kërkimet më të thelluara i përkasin Letërsisë së Rilindjes Kombëtare. Fusha e veprimtarisë së tij ishte Letërsia. Personalisht kam pasur fatin ta kem mik dhe i ruaj të çmuara në kujtesë takimet me të, bisedat, idetë, vizionin, dinjitetin e profesorit, këtij fisniku me dritë të dijes. Edhe në Kuç të Kurveleshit kemi qenë në një ekspeditë me vëzhgim me pjesëmarrje në terren me prof. Bulon, prof. Bardhosh Gaçen, prof. Bilal Shkurtaj etj.  Nga specialistët e fushës, gjykohet se Jorgo Bulo ka realizuar punimin më të plotë për Naimin, monografinë: “Tipologjia e lirikës së Naim Frashërit”, Tiranë, Shkenca, 1999 në 199 faqe, ku spikat kritika e mirëfilltë shkencore dhe interpretimi i poezisë lirike të Naimit [Ai e quan Naimin poet i ringjalljes kombëtare dhe kulturore të shqiptarëve dhe veprat e tij formuese të ndërgjegjes gjuhësore të kombit. Ndërkohë ai quan “dy paralele poetike: Rumiu dhe Naim Frashëri” , duke shprehur praninë e frymës dhe të motive të poezisë persiane, veçanërisht të poetit të madh mistik Xhelaledin Rumiut (1207-1273). Ndikimi i Rumiut ndihet në shumë prej lirikave të filozofike të Naimit. Është vënë gishti mbi lirikën “Fyelli” të Naimit, që vjen si frymëzim e dikujt mund t’i duket edhe si një sozì e poezisë së njohur antologjike “Kënga e kallamit”, e përkthyer në shumë gjuhë të botës, në disa syresh me titullin “Kënga e fyellit”. Studiuesit, nëpërmjet regjistrit të instrumentit të vargut, e njohin që Rumiu e ka ndërtuar në formë distiku “Këngën e kallamit”, me rimën e puthur aa, bb, cc etj. “Fyelli” i Naimit është poezi strofike katërshe, me vargun tetërrokësh, me rimën e alternuar ab, ab. Pra kemi një ndryshim në formë, por nuk është vetëm aspekti formal që e bën “Fyellin” e Naimit një rikrijim të vërtetë, është shpirti meditativ i poetit që i bën një riinterpretim filozofiko-poetik motivit të mallit në “Këngën e kallamit”.  Edhe një vjershë tjetër “Pesha”, përfshirë në përmbledhjen “Parajsa dhe fjalë fluturuese”, 1894 të shpie tek një përshtatje nga mjeshtri i “Masnavisë” Rumiu.

Nuk është rasti të bëjmë ballafaqime tekstore e zbërthime, se i kanë bërë të tjerët më parë, por vlen të ravijëzojmë parashtresën në formë hipoteze të prof. Bulos për këto probleme që hasen. Sipas tij, janë një tip i caktuar krijimesh të Naimit, që ne do t’i quajmë “vjersha me subjekt anekdotik”, (të dyshueshme për karakterin e tyre origjinal) e që duhet t’i përkasin të njëjtit burim, Rumiut. Në këtë kontekst, ne e lexojmë profesor Bulon kështu: Sot, si duket dhe në plotësim të merakut të profesor Cipos, qysh më 1936, i kemi mjetet të dallojmë ç’ka marrë hua Naimi dhe ç’është bijë e frymëzimit të tij. Këto vërejtje nuk e ulin aspak emrin e madh të poetit tonë kombëtar, përkundrazi e pastrojnë atë nga mjegullnajat dhe profili i tij quhet më i kthjellët, më poetik, më kombëtar, më universal. Në dy veprat e tij “Magjia dhe magjistarët e fjalës”, Tiranë, “Dituria”, 1998, me 324 faqe dhe “Tipologjia e lirikës së Naim Frashërit” (e më parë cituar), akademiku shqiptar e shikon Naimin si poet romantik, që u dha flatra në poezi përsiatjeve për lirinë e shpirtit njerëzor dhe meditimeve ekzistencialiste për jetën dhe vdekjen, për qenien edhe mos qenien dhe për dhembjen njerëzore. Prof. Bulo tërheq vëmendjen, se në këtë botën tonë shqiptare është tronditur prestigji i shqipes dhe ka rënë kujdesi i saj në të gjitha rrafshet e përdorimit. Ne duket t’i hedhim sytë nga drita jonë kombëtare, nga Naimi ynë i pavdekshëm. krijimtaria gjuhësore e N. Frashërit dhe përgjërimi i tij për fjalën e perëndijtë shqipe, na kujton detyrën që kemi ndaj kësaj pasurie, më të shtrenjtës shenjë të kombit e të identitetit tonë.