Jeta ushtarake mund të përkufizohet: Vështirësi, Sakrificë, Dramë dhe Tragjedi

624
Dok. Arqile Veshi
Intervistë me z. Anastas Gurma, ish shefin e Shtabit të Divizionit të 10-të të këmbësorisë Asim Zeneli” në Delvinë
Në vjeshtën e vitit 1982, Komandanti i Përgjithshëm të Ushtrisë Popullore dhe kryetar i Këshillit të Mbrojtjes nxori vendimin për kryerjen e studimit për riorganizimin e ushtrisë nga me sistem strukturor me batalione, brigade e korpuse në sistemin strukturor me batalione, brigade dhe divizione. Në këtë vendim ishte përcaktuar edhe grupi i punës me një numër shumë të kufizuar kuadrosh të aparatit të Ministrisë së Mbrojtjes, i cili u porosit që kjo detyrë do të realizohet në konspiracion të plotë derisa studimi me përmbajtje ushtarake, sociale-shoqërore dhe ekonomike-financiare të miratohej nga hallkat përkatëse të kohës. Pas një rregulli e disipline të rreptë, studimi u përfundua në kohë dhe u miratua. Mbi këtë bazë u hartuan edhe urdhrat përkatëse për krijimin e divizioneve sipas zonave e rajoneve përkatëse në të gjithë vendin. Në këto urdhra në tërësi u përcaktuan detyrat luftarake brenda zonave të mbrojtjes, vendet e dislokimit të reparteve e të njësive, sasitë operative të rezervave materiale, kuadrot kryesore të divizionit dhe njësive vartëse si dhe afati për vendosjen e gatishmërisë së këtyre njësive e problemeve të tjera me karakter teknik e administrative. Pikërisht në kuptim e vlerësim të këtyre detyrave me 4 shkurt të vitit 1983 në Divizionin e 10-të të Këmbësorisë me emrin e Heroit të Popullit “Asim Zeneli” me qendër në Delvinë u organizua dhënia e Flamurit Luftarak të kësaj njësie operative-strategjike në skajin më jugor të vendit. Këtë datë me karakter historik ish-kuadrot aktivë e rezervist dhe punonjësit civil të kësaj njësie më 4 shkurt të vitit 2017 organizuan një aktivitet historiko-kulturor në Sarandë në kujtim të kësaj ngjarje. Duke qenë i pranishëm në këtë ngjarje, ju drejtova njërit nga kuadrot kryesor dhe themelues i kësaj njësie luftarake ish shefit të shtabit të Divizionit të 10-të të Këmbësorisë Kolonel në rezervë Anastas Gurma me këto pyetje:
Zoti Anastas: Si do ta cilësonit organizimin e këtij takimi?
Unë këtë event do ta cilësoja në radhë të parë, një takim miqësor midis shokësh e shoqesh të një ideali që me dashuri e përkushtim punuam së bashku dhe ngritëm në lartësinë e detyrës luftarake Divizionin e 10-të të Këmbësorisë me qendër në Delvinë, të atij divizioni që jo rastësisht iu dha emëri i Heroit të Popullit, “Asim Zeneli”.
Zoti Anastas: Çfarë do të veçonit nga puna disa vjeçare në Divizionin e Delvinës?
Gjatë këtyre ditëve që po përgatiteshim për organizimin e këtij eventi, ktheva memorien time mbrapa në vitet e jetës ushtarake dhe më dolën përpara imazhet e jetës së vështirë dhe shumë të vështirë të kuadrove ushtarak të cilat me mënyrë të përmbledhur mund të përkufizohet: Vështirësi, Sakrificë, Dramë dhe Tragjedi. E them këtë nisur nga fakti se për vetë natyrën e punës që kanë kryer ushtarakët, të pakta kanë qenë pushimet dhe gëzimet familjare, sepse atyre kohën më të gjatë të ditës e natës ua zinin stërvitjet, marshimet, provat e kushtrimit, stërvitjet komando-shtabi të cilat zhvilloheshin pa marrë parasysh shiun, borën apo temperaturat e larta. E megjithëse këto lloj detyrash kryheshin me dyfishin e trefishin e tetë orëve të punës për 24 orë ato as që bëhej fjalë për tu paguar. Gjithashtu të shumta ishin edhe rastet që kuadrot ushtarake qëndronin larg familjeve e pranë reparteve për shkak të shërbimeve 24 orëshe apo për ndihmë të kualifikuar për realizimin sa më mirë të detyrave. Me këto lloj vështirësish përballeshin gati të gjitha kuadrot ushtarake por në mënyrë të veçantë dalloheshin për sakrifica të shumta kuadro që shërbenin në repartet e artilerisë bregdetare, në repartet e artilerisë së mbrojtjes kundërajrore të cilët për vetë detyrat e gatishmërisë që kishin si dhe numri i kufizuar i kuadrove, detyroheshin të qëndronin me dhjetëra ditë në muaj me shërbim e pa u kthyer në familje, pa u larë e pa ndërruar e duke jetuar në kushte të vështira larg familjeve e familjarëve të tyre. Me vështirësi të kësaj natyre dhe me këto privacione janë ndeshur jo më pak edhe kuadrot ushtarake që kanë shërbyer në kompanitë e batalionet art-mitraljerë dhe në postat kufitare të cilat ishin në vijën e parë të mbrojtjes së vendit por edhe në gatishmëri të përhershme luftarake.
Zoti Anastas: Dëgjova që duke folur për vështirësitë e ushtarakëve përmendët se ato kanë arritur deri në drama e tragjedi si e argumentoni këtë?
Duke dhenë përparësi kryerjes së detyrave të ngarkuara, e natyrshme mbeteshin disi pas dore problemet familjare si ndaj bashkëshortore, fëmijëve por edhe ndaj prindërve e njerëzve të afërmve. Për tu veçuar mendoj se janë disa raste që për mendimin tim janë sa të dhimbshme aq edhe tragjike. Kështu p sh. familja e e oficerit Andon Çoba nga Fieri por që kryente detyrën e Komandantit të Kompanisë Art-mitraliere në Dishat, ku kishte marrë edhe familjen e cila në kushte e rrethana të pazakonta dhe pa ndihmën e nevojshme mjekësore lindi fëmijën e parë vetëm me bashkëshortin. E paharruar ka mbetur në kujtesën time edhe rasti tragjik që në kushtet e depresionit të rendë psikologjik, komandant i kompanisë xheniere i paharruari Servet Dudumi vetëvritet në moshë shumë të re, gjithashtu edhe komandanti i batalionit të fortifikimit i ndjeri Thoma Çakulli që vrau veten para zyrës së tij ose rasti i Kosta Burdenit, komandant i Kompanisë Art-mitraljere në Krami që humbi jetën aksidentalisht në det duke qenë në krye të detyrës, të cilët lanë pas fëmijët dhe familjet e tyre, por që fatkeqësisht askush nuk është interesuar për fatin e tyre, qoftë edhe moralisht, pa lëre më, ekonomikisht. Por nuk janë vetëm këta, mbasi në shkallë vendi janë dhjetëra e qindra ushtarakë që kanë humbur jetën në stërvitje, në qitje luftarake, me punimet mbrojtëse të cilat kishin të bënin me mbrojtjen e Atdheut e si të tillë që humbën jetën në krye të detyrës dhe për shkak të detyrës, duhet që të gjithë ushtarakët që kanë humbur jetën në të tilla rrethana, duhet të shpallen “Dëshmor të Atdheut” dhe familjet e fëmijët e tyre të trajtohen si familje dëshmori. Detyrë kjo i takon në radhë të parë Ministrisë së Mbrojtjes, por jashtë vëmendjes nuk duhet ta lenë edhe Shoqatat e Ushtarakëve.
Zoti Anastas: Si i përjetuat vitet 1990 dhe problemet që u lindën kuadrove që shërbyen deri atëherë në ushtri? 
Dëgjo i dashur Arqile! Ne jemi të dy ushtarak karrierë dhe me arsim të lartë ushtarak dhe dimë mirë se me ndryshimin e sistemit politik do ndryshonte edhe organizimi ushtarak në vartësi të situatave politiko-ushtarake që u krijuan. Po ndryshimi i sistemit të organizimit të Forcave të Armatosura me ndryshimin e sistemit politik nuk do të thotë shkatërrimi i sistemit të organizimit të ushtrisë dhe për rrjedhojë edhe të divizionit që unë punoja. Që ushtria të vinte në parametrat e kërkesave të sistemit politik që u vendos, duhej që ajo detyrë të bëhej mbi bazë të studimeve të mirëfillta shkencore duke parë në radhë të parë detyrat për mbrojtjen e integritetit territorial të vendit, problemet social ekonomike të kuadrove dhe efektivitetin e administrimin dhe përdorimin në interes të vendit pasurinë e madhe që kishte në përdorim ushtrinë shqiptare e parë viteve 1990. 
Duke mos bërë asnjë nga këto, por me brutalitet e arrogancë i hodhën në rrugë kuadrot e ushtrisë me tërë atë përvojë punë për drejtimin e shumë sektorëve të vendit, por i lanë rrugëve dhe një pjesë e mirë e tyre morën rrugët e emigracionit ekonomik për të shpëtuar veten e familjet e tyre nga varfëria ekonomike. Pra jo vetëm që nuk u vlerësuan për atë kontribut që dhanë për vendin e tyre por shpesh herë u panë si armiq të vendit të tyre. Por edhe sot mbas disa dekadash ish ushtarakët nuk vlerësohen moralisht dhe ekonomikisht ashtu si ju takon për vlerat dhe kontributin që kanë dhenë.
Zoti Anastas: Nga këndvështrimi juaj, e kemi të sigurt mbrojtjen e vendit?
Pyetja është e drejtë, por është edhe gjerë për formatin e një interviste. Megjithëse këtë unë do e jap shkurt mendimin tim si qytetar por edhe me përvojë ushtarake. Duke mos mohuar avantazhet që ka përfshirja në NATO, që është një organizim politiko-ushtarak dhe ne si vend anëtar i saj, mendoj se likuidimi i tërë asaj strukture ushtarake me potencial njerëzor e materialo-teknik ishte i pa menduar mirë. E them këtë se historia ka treguar që aleancat janë aleanca që sot janë por edhe mund të prishen ashtu si ndodhi me Traktatin e Varshavës, por vendi ynë në atë kohë kishte ushtrinë e saj më se të organizuar e të kompletuar, ndërsa sot me aq sa kam unë dijeni këto mundësi janë shumë të kufizuara, prandaj apeloj hallkave përkatëse politike, shtetërore dhe ligjvënëse që ta shikojnë më me përparësi problemin e mbrojtjes së vendit, nga çdo agresion i mundshëm që mund të vijë si rezultat i acarimit të marrëdhënieve politike me vendet për rreth e më gjerë sepse “Lufta ka thënë Kluzeviçi është – vazhdimi i acarimit politik me mjete dhune”.
Sigal