Jeta e skënderbegasve në një ditar…

791
Një ditë tragjike për grupin tonë mësimor dhe shkollën “Skënderbej”. Një nga shokët tanë më të mirë, nxënës i shkëlqyer dhe nga më të urtët, Nezir Leka nga Osnati i Pogradecit, humbet tragjikisht jetën… Siç kam shkruar dhe në fletët e këtij ditari, pas kthimit nga shtëpia, iu bashkova shokëve në punë prodhuese për hapjen e tunelit në Linzë. Ka shkuar ora 15:00, e nuk duhet shumë që të ndërpresim punën dhe të kthehemi në shkollë. Nezir Leka, së bashku me Xhelo Hitajn, ikën që të lahen në rezervuarin e Linzës, që ndodhet 20-30 minuta larg vendit ku ne po punojmë. Nuk di pse, Maksi me këmbëngulje, por dhe ne të tjerët këmbëngulëm që ata të mos shkonin. Thjeshtë se donim të mbaronim sa më shpejt dhe të iknim. Ata të dy, nuk na dëgjuan… Po çfarë kishte ndodhur në ato momente që ata po laheshin?! Gjithçka e mësuam pas tragjedisë…. Ishin larë të dy e po dilnin në breg… Xhelo ka dal i pari, e po fshihej afër kaçubeve në breg të liqenit. Në atë kohë, në liqen ishin larë dhe disa fëmijë dhe dy ushtarë të repartit afër, të Batalionit të Sigurimit ose siç njihet, Batalioni i Diko Zeqos. Ndërkohë, Neziri që nuk dinte mirë not, u fundos në ujë në rreth 2 metra thellësi e jo larg nga bregu. Nga mosdija e notit, e nga frika, por dhe ngaqë fundi i liqenit ishte baltovinë, Neziri nuk del mbi ujë… Alarmin e japin fëmijët… Xhelo kërkon ndihmë, por dy ushtarët ja mbathin dhe largohen… E thirrura e Xhelos, ishte dëgjuar nga shokët tanë që ishin në një front pune pak më afër… Kastriot Hoxha dhe Agim Duro na thanë të alarmuar se dikush po mbytet në liqen. U nisëm me shpejtësi… U desh 20 minuta ta nxirrnim nga uji, por shoku jonë nuk jepte shenja jete. Me urgjencë, me një makinë të Bataliont të Sigurimit e nisën drejt spitalit në Tiranë. Rastësisht, një nga ushtarakët që u gjend ndër të parët për ndihmë nga reparti ushtarak aty pranë, Idriz Caka, që unë e njihja më tha se trupi ishte i pajetë… Nuk donim ta besonim… Erdhëm me shpejtësi në shkollë. Na njoftuan vdekjen zyrtare të shokut tonë, Nezir Leka. Kaluam një natë ankthi, të pagjumë, natë lotësh… Shkonim e vinim sa nga spitali, tek morgu, në shkollë e anasjelltas…
E diel, 18 qershor 1972
Ditë zie për ne…U përballëm me ca procedura hetimi, ndërkohë që ishin marr masat për përcjelljen e trupit të të ndjerit në vendlindjen e tij, në Osnatin e largët të Pogradecit. Në makina, me ne do udhëtojnë dhe disa familjarë të Nezirit, që janë me banim në Tiranë. Për ta përcjellë trupin e të ndjerit në vendlindje ishim unë, Ilirjan Qose, Koço Pirali, Kastriot Hoxha, Leonidha Majko, Ndue Keqaj, Vladimir Kordhishta. Nisja u bë në orën 18:00. Teksa mjeti lëviz ngadalë, në Qafë-Krrabë, ndjejmë të ftohtin. Vazhduam në Elbasan-Librazhd e qëndruam në Pogradec. Na shoqëronin kuadrot Bashkim Bregu dhe Ylli Themeli. Në Pogradec qëndruam pa u futur në qytet, e pjesën e mbetur të natës e kaluam në një peshkarexhë të madhe që ishte në breg. U nisëm për rrugë në orën 08:00. I ndjeri, ishte vëlla i vetëm, i 5 motrave dhe prindërit i kishte gjallë. Vendimi ishte që nderimi i Nezirit të bëhej me nderime ushtarake, ndërkohë, përveç shpërblimeve në të holla për familjarët, nga shkolla kishim marrë dhe një ngarkesë me ushqime për ti çuar në familjen e tij. Zyrtarët e rrethit e ata të fshatit ishin njoftuar më parë, ndërsa familja e mori vesh tragjedinë kur ne u futëm në oborr. Trupin e të ndjerit e vendosën në një korridor dërrasash në katin e dytë të ndërtesës… Në çdo kohë, pranë trupit rrinim katër vetë, me zëvendësime. Kishim porosi që me çfarëdo kërkese apo mjeti, arkivoli nuk duhej të hapej, pasi i ishte bërë autopsia dhe trupi ishte shumë i dëmtuar. Për siguri, ai ishte mbyllur dhe me gozhdë të mëdha në morg. Këmbëngulën motrat për ta hapur, por nuk u lejuan. Një nga 5 motrat e Nezirit, që ishte ndihmësmjeke, me zë sa kishte, thirri: “Hapuni, dua të shoh vëllain, ti rri tek koka”! U afrua dhe u mbështet mbi arkivol. Isha fare pranë saj, e nga kjo skenë, sa ishin aty, nuk i mbanin lotët. Nuk di se si, në një moment, motra e tij kapi fort kapakun duke e tërhequr me forcë. Provoi dy herë, por ishte e pamundur. Në të tretën, papritur, kapaku u hap e motra ra mbi trupin e vëllait. E pabesueshme, por kështu ndodhi…. Pas pak, arkivoli u rimbyll… Vaji i grave nuk kishte të pushuar, ndërsa prezent në atë ceremoni mortore, ishin qindra vetë. Në një moment, trarët e korridorit me dërrasa nuk e mbajtën peshën, e ranë në bllok me dhjetëra njerëz që ishim aty, bashkë dhe me arkivolin. U shemb dhe një pjesë e murit, por jo banesa si ngrehinë. Pati shumë të plagosur dhe u njoftua spitali i Pogradecit. Të plagosurit e parë i nisën me ato makina që ishin aty, ndërsa të tjerët me dy ambulancat që erdhën më vonë. Pasi u qetësua situata, u bë ceremonia e varrimit. Familjarët ngulën këmbë dhe nuk na lanë të ikim pa ngrënë drekë.. Në Tiranë mbërritëm rreth orës 23:00 të kësaj dite.
Përfunduam me sukses vitin e dytë në Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”.
1 korrik 1972
Dje mbyllëm vitin shkollor. Sot ikim nëpër shtëpi për pushimet verore. Përfundova me sukses vitin e dytë në shkollën e mesme të Përgjithshme ushtarake “Skënderbej”. Përshtypje na bëri momenti i ndarjes.. Jemi miqësuar aq shumë me njeri-tjetrin në dy vite, ashtu si në një familje të madhe. Bashkë zhvillojmë mësimin, bashkë stërvitjen ushtarake, bashkë aktivitetin dhe në të njëjtën godinë e bëjmë dhe gjumin e natës. E njohim mirë njeri-tjetrin, dëshirat, ëndrrat, pasionet, flirtet e gjithçka… Nuk besoj që të ketë kaq unitet, dashuri, harmoni, zemërgjerësi e miqësi se sa mes skënderbegasve… Sot, jemi të gjithë nëpër shtëpi, dikush në Tiranë, dikush në Durrës, dikush në Shkodër, të tjerë në rrethet jugore të vendit…
E enjte, 3 gusht 1972 
Pas pushimeve, sot rikthehemi përsëri në shkollë. Tashmë, një muaj grumbullohemi në Karpen të Kavajës, një qytezë e bukur buzë detit ku çdo vit skënderbegasit kalojnë një muaj plazhi e përgatitje kulturore-sportive. Në darkë, takohemi në këtë qytezë dhe pothuaj deri pas mesnate, bisedojmë e shëtisim buzë detit Adriatik…
E premte 4 gusht 1972
Mezi presim që të futemi në det, por bie një shi i rrëmbyer, ndonëse piku i verës, që na e heq këtë mundësi. As aktivitete sportive nuk mund të bëjmë… Por dhe në këtë ditë, pa nisur mirë viti, “rebelët” marrin iniciativën për ti bërë sfidë natyrës. Dhe nuk janë pak… Ndër të parët janë Gjergji, Maksi, Iliriani, Kastrioti, Luftar Guri, Besnik Selami, Gramoz Bakiasi(kjo dyshe e fundit ndër më trazavaçët), etj… Mes rrebeshit e dallgëve të detit, u futëm në ujë… Ishte rrezik që dhe të mbytemi… Por fatmirësisht, asgjë e keqe nuk ndodhi, përveç qortimit të edukatorëve tanë, që për ne ishin të pritshme… 
E shtunë, 5 qershor 1972
Me pak përmirësime, moti qe i keq e me shi… Për plazh, as që bëhet fjalë… Nëpër shi luajmë futboll, ndërsa në kinemanë e qytezës, në darkë, ndjekim filmin shqiptar “Kapedani”
E hënë, 7 gusht 1972
Ditë e bukur, e para ditë që mund të quhet ditë plazhi… Gjithë ditën, njëkohësisht, luajmë futboll, volejboll e lojëra të tjera… Në darkë, ndjekim filmin italian “Gruaja ime e bukur”. 
E enjte, 10 gusht 1972
Deti është shumë i pastër, rëra e virgjër… Por që në 5 të mëngjesit, forca të caktuara dhe mjete, e pastrojnë plazhin nga gjithçka. Janë ditë relaksi e çlodhje, shoqëruar me kushte shumë të mira. Dje në darkë pamë filmin “Duel I heshtur”, paraprirë nga një dokumentar sportiv për ndeshjen e zhvilluar midis “Partizanit” dhe “Avidbergut” të Suedisë (2:0) dhe “17 Nëntori”-“Ajaks”(2:2), ndërsa sonte filmin “Rroftë Zapata”, paraprirë me një dokumentar me tematikë edukimin e fëmijëve.. Ndërsa të martën ndoqëm “Cirku nëpër botë”.
E premte, 12 gusht 1972
Funksionon rregullisht biblioteka, e unë, bashkë dhe me shokë të tjerë, gjejmë kohë e lexojmë libra. Gjithashtu, shkruaj poezi… Sot dorëzova librin e radhës dhe mora në bibliotekë librin “Monologu i ushtarit” me autor ushtarakun Milianov Kallupi… Në darkë ndjekim filmin “Iluzione të humbura”
16 gusht 1972
Siç kam shkruar dhe ditët më parë në ditar, këtu në qytezën e Karpenit, jeta kulturore e sportive është shumë e pasur. Si gjithnjë, trajtimi ushqimor për skënderbegasit është shumë i mirë. Bollëk e cilësi, që do e kenë zili kudo. Zhvillohen dhe konkurse mes viteve. Në atë të recitimit, e fituam ne, viti i dytë, ku mua më shpallën më të mirin me poezinë “Vargje për Nënën…”, që në fakt, e kisha botuar në shtypin qendror disa muaj më parë. Në futboll, u shpallën kampionë skënderbegasit e vitit të tretë…
E diel, 17 gusht 1972
Gjatë këtyre ditëve, kemi bërë dhe shumë foto. I palodhuri Bezhan Bezhani është kudo… Sot, ndodhi diçka që na befasoi e argëtoi së tepërmi… Teksa po pushonim në drekë, Spiro Xhollo e Gjergji Binaj, na thonë t’i ndiqnim, pasi do të peshkonim ngjala me kuintal… -Po mo po, i keni të lidhura e u presin ju.. Na lini të flemë pak se ku e gjen këtë komoditet kështu, – u tha Kastrioti.. Në të vërtetë, pak veta i ndoqën. Unë e shumë të tjerë, nuk e prishëm terezinë e gjumit. Çfarë kishte ndodhur? Nëpër qytezë, paralel me vijën bregdetare, rreth 100 metra nga uji, kalonte një kanal. Nga gjelbërimi, barërat e shumta e uji i pakët që mezi dukej, të japin përshtypjen e moçalit. Aty, mes llucës, vende-vende pothuaj monolit, kishte qindra apo mijëra ngjala deri në 2 metra e deri 3 kg peshë… Kishin nisur t’i kapnin me duar e ti grumbullonin “male” në breg…Kureshtarë të shumtë u kthyen në “punëtorë”… Kur shkova unë, Maksi, e disa të tjerë, u befasuam. Askush nuk ishte në gjendje që ta shpjegonte këtë fenomen… Ngjalat e stërmëdha na jepnin përshtypjen e gjarpërinjve (boa)… Nuk di sa kuintal nxorëm atë ditë… Ngjalat u bën ushqim i veçantë për ne (disa ditë …). Të nesërmen erdhën dhe disa specialistë dhe pamë që i grumbullonin dhe i çonin diku në sektorin e tregtisë… Kujtim Borici. Maksim Fejzullai
Sigal