Java e shenjtë në Vatikan, at Ernest Troshani të shtunën Kardinal

587
Sigal

Ka nisur një javë e rëndësishme në Selinë e Shenjtë në Vatikan.

Është java e mbylljes së Vitit Jubilar të Mëshirës, gjatë së cilës do të zhvillohet dhe ceremonia zyrtare e marrjes së titullit Kardinal për 17 klerikët e sapo emëruar nga Papa Françesku mes të cilëve dhe kleriku shqiptar i persekutuar nga diktatura komuniste, At Ernest Simoni Troshani.

Kjo ceremoni do të mbahet të shtunën më datë 19 nëntor në Bazilikën e Vatikanit, gjatë së cilës Ati i Shenjtë do t’i dorëzojë 17 kardinalëve të rinj, titullin, unazën dhe kapelen e Kardinalit.

17 Kardinalët e rinj janë zgjedhur nga 11 shtete të ndryshme të 5 kontinenteve.

13 prej tyre kanë të drejtë vote në Kolegjin e Kardinalëve e 4 të tjerë mes të cilëve dhe At Ernest Simoni për shkak të moshës mbi 80 vjeç, e sipas ligjeve të Selisë së Shenjtë nuk kanë të drejtë vote.

Deri më 31 tetor 2016, Kolegji i Kardinalëve ishte i përbërë nga 211 kardinalë, nga 72 shtete të ndryshme e vetëm 109 prej tyre kanë të drejtë vote.

Kolegji i Kardinalëve është ai që vendos me votë zgjedhjen e Papës së Ri.

Të dielën më 20 nëntor në ora 10.00, Papa Françesku do të mbajë në sheshin e “Shën Pjetrit” Meshën e Shenjtë me praninë  Kardinalëve të Rinj.

Në fillim të kësaj Meshe, Papa Françesku do të mbyllë dhe Portën e Shenjtë të Bazilikës së Vatikanit, duke deklaruar të mbyllur dhe Vitin Jubilar të Mëshirës.

Po të dielën më 20 nëntor, Kardinali shqiptar At Ernest Simoni do të mbajë një meshë për komunitetin shqiptar në Romë në Kishën Shën Gjoni i Malvës.