Jani Capo:Një jetë mes këngës dhe uniformës ushtarake

790
Në karierën e tij si ushtarak, ka patur gjithmonë dy hobe, këngën dhe sportin. Kur ishte i ri ka luajtur me Beratin dhe më pas me atë të Shkollës së Bashkuar. I martuar me Lida Haskon, Jani Capo ka dy djem: Kristin dhe Tonin. Dhe këta, kanë fëmijët e tyre; Marijen, Kristelën, Lornën dhe Roberton, nipër e mbesa, të cilëve ai iu gëzohet e përkushtohet pa masë. Ja rrëfimi i tij për gazetën “Telegraf”: 
Ç’mbani mend nga koha e luftës, z. Capo? 
Kam qenë i vogël, 7 vjeç dhe banonim në lagjen “Kala” të Beratit. Nuk më harrohet kurrë një ditë kur bombarduan avionët gjermanë. Mbaj mend se si bomba ra disa metra larg nesh dhe fuqia e shpërthimit, kish rrëmbyer një ushtar italian. Si tani më kujtohet si u plandos përtokë dhe gjaku i vërshoi menjëherë nga goja në buzë. Këtu ndjeva për herë të parë shijen e hidhur të luftës… Si i vogël që isha, bëja edhe korierin; ndihmoja motrën e madhe “Debatikase”, e cila kishte detyra konkrete. Ajo merrte armatime dhe fshehurazi i dërgonte tek bazat ilegale të luftës. Një herë kemi shkuar tek Urani Kudra dhe dorëzuam një pistoletë të dërguar nga dëshmori Kristaq Capo. Shumë letra, komunikata e dokumete të tjera, motra ime i dërgonte tek “Xhindolët”. Ja jepte Xhezos, së ëmës së Ajet Xhindoles. Im atë ka punuar berber, lindur më 1900 dhe ndërroi jetë më 1946. Ka qenë invalid i luftës, plagosur duke tërhequr dy partizanë në kalanë e Beratit nga një predhë mortaje e ballistëve. Atë vit e la zanatin e berberit se u sëmur. E dërgojnë në spitalin e Kuçovës ku e kurojnë. Vdiq në 1945. Kështu, familja jonë mbeti pa asnjë burrë. Kristaqi, xhaxhai im, dëshmor, u vra më 2 korrik 1943. Kristaqi kish nisur arësimimin e tij qysh në vitin 1931 në Pustec dhe Lin të Pogradeci, më vonë u transferua në Gjirokastër, Tepelenë, Ballaban, Vishicë të Skraparit dhe Përmet. 
Diçka nga jeta dhe karriera juaj? 
Më 1954 u futa në Shkollën e Bashkuar, pasi vija nga shkolla e mesme pedagogjike e Shkodrës. Nga viti 1947, kam qenë në konviktin e ish-Institutit Femnor “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë. Mirëpo, meqë kjo shkollë pjesën më të madhe të nxënësve i kishte vajza, ne aty mbaruam edhe shkollën unike, ku shokët e mi më të ngushtë kanë qenë figura të tilla publike si, Naxhi Bakalli, Avenir Aleksi, Mersel Shqypi, kurse nga vajzat që kisha në klasë kanë qenë Violeta Cani, Ernesa Sotiri, Dadrice Kolli, e cila ka qenë edhe pedagoge në Shijak, ku dhe është martuar, Nesarete Dafa, etj. Nga këtu, ne si djem, na çuan në Shkodër, më pas erdhëm në shkollën në “Skënderbej”, e më pas në Shkollën Ushtarake të Bashkuar. U futa në degën e ndërlidhjes. Isha i gjatë në trup, dhe merresha dhe me basketboll. Kam patur komandant batalioni, Jani Lupin në atë kohë ishte gjeneral dhe përgjegjës-komandues për forcat ruse në vendin tonë. Ai kish mbaruar akademinë “Voroshillov” në Rusi; ishte një metodist shumë i zoti. 
Pasi mbarove shkollën ushtarake ku u emëruat? 
Në brigadën e Korçës. Unë dhe Burhan Llukaçi u caktuam në këtë njësi. Më pas u transferova në Berat, shef ndërlidhje i grupit të mortajave. Ushtria atëhere ishte në kohë reformash dhe mbartja e mortajave po kalonte nga transporti me kafshë lufte, në atë me makina. Po ta keni parasysh historinë e ushtrisë shqiptare pas çlirimit, dhe konkretisht rrëfimin e Sul Domit, në një vizitë të marshallit të famshëm rus Zhukov në Shqipëri, kur ai inspektoi një stërvitje treguese të Ushtrisë Shqiptare në garnizonin e Korçës. Zhukovi si strateg i madh lufte, kish vërejtur se strukturat e njësive shqiptare të mortajave ishin “të prapambetura”, ndaj tani duhej të kalonin në gjendje të motorizuar. Të mos transportoheshin më si deri tani me kafshë lufte, me kuaj, por me makina luftarake. Dhe më pas ashtu u bë.
Kur e kuptuat se kishit aftësi për të kënduar?
Kur isha në Berat. Merrja pjesë në grupin e korit të shkollës. Aty më thonin që “Jani këndon bukur” dhe mua kjo më pëlqente. Këndoja këngë korçare, shkodrane, patriotike, popullore, por edhe këngët ruse. Se kisha qenë në Rusi për studime. Çuditërisht dija pak këngë beratase, në fillim. Kam kënduar në kinemanë e Beratit me rastin e 10 korrikut, 1 Maji, etj. 
Kur shkuat në Rusi? 
Kam shkuar në vitin 1959. Fillimisht për teknik avioni, në Harkov të Ukrainës, meqë ishte shkollë e mesme dhe unë e kisha këtë nivel shkollimi. I bëra një letër ministrisë së Mbrojtjes që të tranferohesha në shkollën e lartë ushtarake për inxhineri elektronike. Bëmë dy vjet e gjysëm. Aty unë këndoja shpesh me grupe këngësh. Kam diçka interesante për të treguar në Rusi: Me rastin 29 nëntorit 1960 u organizua nga Hito Çako një mbledhje solemne për Shqipërinë. Merrnin pjesë njerëz të niveleve të ndryshme si; pedagogë, profesorë, doktorë, ushtarakë të lartë rusë, etj. Meqë ishte festë zbavitëse unë duhej të këndoja një këngë ruse shumë popullore, humoristike, që në shqip është “O iriq mos ha fiq”. U çua një nga oficerët tanë aty, që ishte i pranishëm dhe më tha: “Dëgjo Jani! Ajo këngë, edhe pse është këngë ruse, në fakt ka motive jugosllave, ndaj mos e këndo”. “Kush të tha”?- e pyeta unë. “Më tha Hito Çako”, m’u përgjigj ai. “Mirë, mirë, i thashë unë nuk e heq….i thuaj Hitos, që “nuk e takova dot Jani Capon”. Dhe kështu u bë. Unë atë këngë “të ndaluar” e këndova atje. Prezantues, ishte një djalë shqiptar simpatik, Vangjel Olldashi, i ati i deputetit të ndjerë S. Olldashi. Ndërkohë që po këndoja këngën e ndaluar humoristike më shkuan sytë menjëherë tek Hito Çakoja, por nuk pashë ndonjë reagim. Kështu kaloi pa problem. Këndova dhe një këngë të Anita Takes “Kur gjethet bien në vjeshtë”. E pata përkthyer vetë në rusisht dhe doli një gjë e mrekullueshme. Ishte tango. Fizarmonicist kishim Spiro Kondurin, një emër i dëgjuar i RTVSH. Në fund të koncerit rusët më kërkonin autografe. 
Ndonjë detaj interesant nga shkolla ushtarake në Rusi ku ju studjuat?
Në Petërsburg bashkëpunonim me shkolla të tjera ushtarake. Në atë shkollë kishte personalitete ushtarake ruse. Aty ishte edhe një kundëradmiral, Gjeneral Krupskij. Ishte tamam, nipi i gruas së Leninit, pra, nipi i Krupskajës. E mbaj mend si tani; mbahej rëndë dhe kishte një ecje shumë krenare… Në 1961 u prishën marrëdheniet me BS. Mbaj mend që atje në shkollën tonë na erdhi gjeneral Halim Ramohito, i cili mbajti një fjalim dhe na tha që “marrëdhëniet mes dy shteteve janë në rënie e sipër, ndaj përgatituni për t’u kthyer në Republikën e Shqipërisë”. Na porositi që të merrnim me vete sa më shumë literaturë ruse, se do të na duhej për anijet tona, për navigimin, për armatimin detar, minat, etj. Kështu, morëm me vete mjaft literature të kohës. Kolegët rusë tanë na thonin: “Ju do ikni, por do ktheheni prapë se marrëdhëniet tona do rregullohen”. Ne nuk e kuptuam kurrë, nëse vërtetë rusët e besonin këtë gjë, apo jo?. Pati nga shokët tanë që nuk arritën dot të merrnin me vete të fejuarat e tyre ruse, pasi nisja qe e menjëhershme. Nga Petërsburgu në Moskë, erdhëm me tren. Nga Moska, u nisëm me avion dhe zbritëm në Ukrainë, se na doli dhe një difekt në avion. Nga Ukraina në Kiev dhe nga Kievi në Tiranë. Kur sapo mbërritëm në Tiranë, na thanë të ndiqnim gjyqin që po i bëhej Teme Sejkos. “Meqë keni qenë studentë në Rusi dhe nuk dini se ç’po ndodh tani në Shqipëri, ejani dhe shihni se si po dënohet armiku i popullit Teme Sejko”. U çuditëm dhe thonim me vete: “Si ka mundësi që ky njeri na përcolli dikur për në Rusi, na foli se si të studjonim me zell atje dhe tani na del armik i popullit”. Pas kësaj, morëm vesh dhe shumë e shumë ngjarje të tjera.
Me çfarë detyre u ngarkuat më pas?
Më çuan në ishullin e Sazanit ku qëndrova disa muaj. Pastaj pjesa më e madhe e jona mori udhëzimin të vazhdonim shkollimin e lënë përgjysëm në Rusi. Vazhdova të studjoj në fushën e “rrymave të dobëta” që u hap në Universitetin e Tiranës, degë elektronike. Në vitin 1964, caktohem në flotiljen e Durrësit, si shef ndërlidhje. 
Besoj se këtu juve ju krijuan edhe kushtet për ushtrimin e pasionit tuaj në këngë?
Në vitin 1970 ne filluam përgatitjen e një opera diletantësh. Ishte kompozim i Abdulla Grimcit dhe në të morën pjesë edhe i famshmi i operës shqiptare Llukë Kaçaj. Ai kish mbaruar në BS për këngë; ishte Kristaq Antoniu, tenor i famshëm që ka qenë edhe në Rumani si artist. Ai erdhi enkas për të ngritur këtë operë në flotiljen tonë në Durrës. DHamë shfaqje një javë rresht në Tiranë, Shkodër, Durrës, Korçë, etj. Kishim secili rolin e tij. Napoleon Llalla luante rolin e Skënderbeut. Kishte një zë tonik të hekurt, të fortë, solid dhe kur merrte shpatën, i jepte madhështi figurës së Skënderbeut. Kurse Tik Afezolli mori rolin e Gjeto Currit që ishte një personazh që personifikonte popullin e thjeshtë. Mua, si oficer i parë në një opera, më caktuan si dublant të rolit të “Gjeto Currit”. Aty ka ndihmuar edhe Lili Tafaji, një pjaniste e njohur; Ermir Dizdari, një djalë i ri, ishte një dirigjent i shkëlqyer, energjik. Aty arrita të njoh artin e vërtetë të këngës. Kjo ishte një shkollë më vete, ku nisa të perfeksionohesha. 
Si njeri i pasionuar i këngës, pas vitit 1990, me çfarë jeni marrë?
U angazhova me grupin e këngës partizane për organizatën Kombëtare të Veteranëve dhe asaj të Dëshmorëve të Atdheut. Në vitin 1995 ne e konsoliduam grupin tonë, ku ishte edhe Gaqo Zdruli, Hysen Kurti, këngëtarja Keti Ciko etj. Kanë qenë solistë me emër të Operas së Tiranës. Ne krijuam kështu një grup solid të këngës partizane. Kishim edhe një fizarmonicist, Todi Dori nga Përmeti, i cili gjithmonë angazhohej për këngën partizane. “Për ty atdhe”, ka qenë dhe vazhdon të mbetet kënga më e preferuar, të cilën unë e këndoj sa herë mblidhet kori i këngës partizane në raste festash kombëtare dhe të datave përkujtimore të LANÇ. 
A është aktualisht aktiv ky grup? 
Po, por radhët po rrallohen. Jeta bën të vetën. Njerëzit po “shterrojnë”. Vangjel Melja, një shoku im këngëtar i grupit, u nda nga jeta pak kohë më parë. Tani kemi mbetur; unë dhe një tjetër. E si mund të këndohet me dy veta? Unë përshëndeta me këngën legjendare “Për ty Atdhe”, që shqiptarët e kanë dëgjuar nga i madhi Mentor Xhemali. Mendoj që ky grup duhet të rigjenerohet e të pasurohet vazhdimisht. 
Sigal