“Jam e lumtur që bëj pjesë në elitën kulturore të qytetit të Shkodrës”

169

Flet “Mjeshtrja e Madhe e Punës”, artistja e shquar e Estradës së Shkodrës, Liljana Kalleshi 

 Liljana Kalleshi e filloi karrierën e saj si akrobate në vitet 1960 pranë Shtëpisë të Pionierit në Shkodër me instruktor Myftar Tafilin, ku spikat menjëherë talenti i saj. Liljana Kalleshi, artistja e shquar e Estradës Profesioniste të qytetit të Shkodrës, akrobatja dhe drejtuesja më e njohur e cirkut shqiptar, është cilësuar nga kritikët e artit dhe të cirkut si një artiste me botë të pasur shpirtërore, me një finesë të natyrshme në interpretimet e numrave të saj brilantë të cirkut. Për punën e saj pasionante dhe përkushtimin profesional Liljana është  vlerësuar  me shumë çmime dhe tituj.  Në vitin 1967 në Festivalin Kombëtar të Estradave Profesioniste Liljana Kalleshi u nderua me çmimin më të lartë të festivalit “Laureat i Republikës”, çmim ky, që u pasua dhe nga çmime të tjera të mëdha. Në 2011,  ish- Presidenti Bamir Topi e nderoi  Liljanën me Urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës”. Në një intervistë ndryshe, zonja Kalleshi, sot 60 vjeç,  rrëfen me detaje fëmijërinë e saj, dashurinë për artin, ambiciet, sfidat dhe rrugën drejt suksesit.

Jeni një ndër femrat më të suksesshme të Estradës Profesioniste të qytetit të Shkodrës, me një karrierë të shkëlqyer artistike, si ka ecur rruga juaj drejt kësaj bote të magjishme?

Kam filluar karrierën time si artiste profesioniste në Estradën e qytetit të Shkodrës në një moshë shumë-shumë të vogël ( 9- vjeçare).  Jam e lumtur dhe kam qenë me shumë fat që kam lindur në qytetin e Shkodrës, një qytet me vlera të mëdha kulturore dhe historike dhe jam me shumë fat që po këtij qyteti i dhurova emocione, duartrokitje dhe çmime pafund, duke i shtuar vlera të  tjera kulturës së këtij qyteti. Kam qenë me fat që kam qenë kolege e artistëve të mëdhenj si: Tano Banushi, Prenk Jakova, Hasan Smaja, Paulin Preka, Zyliha Miloti, Katerina Biga, Bep Shiroka, Lec Bushati, Zef Deda, Faruk Kalleshi e të tjera figura gjigande dhe të pazëvendësueshëm në artin shqiptar. Po kështu kam qenë e privilegjuar të punoja me regjisorin e madh Serafin Fanko, ku në çdo shfaqje të estradës, ku ai ishte regjisor merrja vlerësimin maksimal  prej  tij. E njëjta gjë më ndodhte dhe nga i madhi Paulin Sekuj, i cili shfaqte dobësitë e tij për numrat akrobatikë të realizuar me aq finesë. Që në moshën 9- vjeçare kam interpretuar dhe jam shpërblyer për aftësitë e mia profesionale, duke më ftuar në Teatrin “Migjeni” për t’u bërë artiste profesioniste e estradës.

 Ju jeni bashkëshortja e sportistit të peshëngritjes më të madh të të gjithë kohërave, z. Faruk Kalleshi. Sa e vështirë ka qenë për ju të jeni një grua në karrierë dhe një bashkëshorte shumë e mirë?

Në kohën kur unë isha në kulmin e karrierës time artistike, im shoq, Faruku ishte pretendent për thyerjen e Rekordit Botëror dhe përgjegjësia për rezultatet e tij padyshim binin dhe mbi mua. Duhej të isha një grua e përkujdesur në maksimum, në mënyrë që im shoq të ishte sa më larg streseve familjare dhe të ishte i përkushtuar vetëm pas sportit. Jam përpjekur dhe kam bërë maksimumin që tim shoqi t’i dhuroja qetësi, hapësirë për të qenë i lirë në arritjet e rezultateve dhe për të qenë një familje e mrekullueshme…

Meqë përmendët  familjen, ç’vend zë familja në jetën tuaj dhe sa e rëndësishme është familja në jetën e një artisti?

Familja është gjëja më e rëndësishme e jetës sime. Jam përpjekur t’i jap vlerë maksimale karrierës dhe familjes. Kam punuar shumë që të krijoj një familje me baza të shëndosha morale dhe me vlera mjaft të larta shoqërore dhe besoj që këtë gjë e kam arritur më së miri…  Kam 2 fëmijë të mrekullueshëm : Anilën dhe Endritin , që të dy me nga 2 fakultete dhe me mastera ndërkombëtar… Jam shumë e lumtur që tashmë jam bërë 2 herë gjyshe. Kam një nip, Franklin që më ka transformuar jetën, pasi është një fëmijë i mrekullueshëm dhe Juenën që e kam si dritën e syve. Nipi dhe mbesa janë pasuria më e madhe që më ka dhënë Zoti.

A besoni tek fati?

Falënderoj edhe Zotin për talentin që më ka dhënë, për familjen e mrekullueshme që kam, për arritjet që ka patur familja ime, për shpërblimin që kam patur nga Zoti duke më dhënë një nip e një mbesë të mrekullueshëm. Besoj dhe mendoj që kam qenë e përzgjedhura e fatit, pasi jeta ime ka qenë e mrekullueshme… Shkodra është djepi i kulturës shqiptare dhe unë së bashku me familjen time kam qenë me fat të jem një pjesëz e vlerave të artit, kulturës dhe sportit të këtij qyteti.

Jeni shpërblyer me çmime prestigjioze në Shqipëri dhe jashtë saj? Çfarë vlere kanë këto çmime për ju?

Po, është e vërtetë, kam fituar shumë tituj dhe çmime prestigjioze në Shqipëri dhe jashtë saj. Në vitin 1967 në moshën 16- vjeçare jam nderuar me çmimin Laureat i Republikës në Festivalin Kombëtar të Estradave, një çmim ky që e mbajnë emrat më të shquar të artit shqiptar si: Prenk Jakova, Tano Banushi. Po kështu në vitin 1972 në takimin e estradave profesioniste zura vendin e parë. Në vitin 1976 në Sarandë, në takimin e përvitshëm të trupave profesioniste u shpalla më e mira. Në vitin 1984 nga Kuvendi Popullor i Republikës u vlerësova me medaljen “Naim Frashëri”, në vitin 1988 në takimin e të gjithë grupeve të cirkut në Shqipëri nga juria e përzgjedhur me në krye të madhin e cirkut shqiptar  Telat Agolli, u radhita më e mira. Në nëntor 2011 u vlerësova me Urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës” . Në 2009 në Paris radhitem femra me e suksesshme e vitit me trofe të Artë, në 2010 në Londër marr trofeun  Platini. Në maj të 2010 në Nju York vlerësohem me trofenë diamant dhe së fundmi në Frankfurt me Harkun e Europës.

A keni idhull në botën e spektaklit dhe televizionit?

Pa dyshim që kam. Jam shumë e dhënë pas televizionit dhe spektakleve. Padyshim adhuroj stilin modern dhe shumë të komunikueshëm të Ardit Gjebresë, ndjek vazhdimisht emisionin e Arian Çanit. Pëlqej shumë lirshmërinë dhe pyetjet spontane që u bën të ftuarve. Ndjek me shumë dëshirë spektaklet e mëdha të të madhes Vera Grabocka.

Ne dimë që jeni drejtuese e një qendre estetike, çfarë u sugjeroni lexuesve të konsumojnë dhe cila është pjata juaj e preferuar?

Më pëlqejnë shumë njerëzit që janë të kujdesshëm në paraqitjen e tyre të jashtme. Kujdesi për trupin tregon respekt për veten dhe shëndetin tënd. Një trup në formë ka larg sëmundjet e tmerrshme që lidhen me mbipeshën si diabetin, hipertensionin, tumoret e ndryshme gjithashtu anën psikologjike të njeriut e lodh shumë. Ca kilogram të tepërt të bëjnë të ndihesh keq para miqve, pasqyrës, përballë veshjeve, ndaj iu këshilloj të gjithëve të jenë të kujdesshëm ndaj ushqimeve me shumë kalori, plot yndyra të tepërta. Kujdesi për veten duhet të fillojë që tek mënyra se si ushqehesh. Pjata ime e preferuar është supa e perimeve

Ju jeni cilësuar si një nga ikonat e artit shqiptar, ç’do të thotë për ju ky fakt?

Sigurisht që, do të thotë shumë, ndjehem e vlerësuar dhe e nderuar.

E së fundmi çfarë doni të shtoni ndonjë gjë tjetër?

Një falënderim special për këtë intervistë të mrekullueshme, një urim special për stafin e gazetës “Telegraf” dhe dua t’i uroj të gjithëve, tani që vjen shtatori, punë të mbarë pas pushimeve!…

___________________________________________________________

KU QËNDRON SEKRETI I RINISË DHE BUKURISË TUAJ?

Jam artiste në shpirt dhe një artist nuk plaket kurrë. Jam natyrë e ndjeshme, transparente dhe e prirë pas të bukurës.  Jeta ime artistike, familja ime e mrekullueshme më kanë dhënë shtysë të jem gjithmonë në qendër të vëmendjes, ndaj përpiqem të jem e kuruar dhe në formë perfekte. Tërhiqem gjithmonë pas gjërave të bukura dhe dua ta transmetoj dhe tek njerëzit që më rrethojnë, që sekreti i rinisë qëndron në shpirtin e një artisti.

Albert ZHOLI

Hermes M. NIKAJ