Ja subjekti dhe aktorët e filmit “Eagle” (Shqipe)

763
Sigal

INTERVISTË/ Me aktoren dhe producenten e suksesshme të Hollivudit, Greta Zenelaj

Motrat Zenelaj, themelueset e kompanisë “Colored Films” (Filmat me Ngjyra), njihen si shqiptaret e famshme që mahnitën Hollivudin dhe kanë fituar disa çmime për filmat që kanë bërë në Amerikë. Greta aktore dhe drejtuese, dhe Vilma skenariste, regjisore, dhe drejtuese kombinojnë ankthin me një histori gjeniale për të krijuar “Eagle” (Shqipe), një film me metrazh të gjatë që pritet të dalë në ekranin e madh këtë vit. Filmi “Eagle” (Shqipe), një film politik plot emocione, që të mban në ankth, fillon me trazirat që hodhën poshtë komunizmin në Shqipëri në prill 1991. Protagonistja, Helena, (roli luhet nga Greta Zenelaj) është një nënë beqare dhe një mësuese letërsie në shkollën fillore. Sekuencat e para fillojnë me Helenën, e cila dëshmon trazirat dhe vrasjen e një prej studentëve të saj gjatë rënies së regjimit. Shumë shpejt pas kësaj, ajo largohet për në Shtetet e Bashkuara, duke hyrë në mënyrë të paligjshme bashkë me vajzën e saj 7 vjeçare, Lolën.  Rrjedhimisht, ajo rekrutohet nga Shërbimi i Fshehtë Amerikan (CIA) si spiune në radhët e komunitetit mysliman/shqiptar për të gjetur dhe për të arrestuar një ish-udhëheqës komunist, i cili kërkohej nga autoritetet amerikane dhe shqiptare.

 Si një aktore, regjisore e suksesshme dhe themeluese e një kompanie filmike, çfarë  domethënie kanë çmimet për kompaninë “Colored Films”?

Çmimet kanë një domethënie që është një vlerësim i madh për ne dhe për këdo që ka punuar dhe ndihmuar në realizimin e këtyre filmave. Është një vlerësim për punën dhe përkushtimin e palodhur të çdokujt që ishte i përfshirë në projektet tona.

 Çfarë ju pëlqen më shumë nga puna që bëni?

Më pëlqen ana e krijimtarisë së zhvillimit të një filmi. Por ka shumë gjëra që janë të përfshira. Ana e krijimtarisë fillon me një skenar të mirë, linjë të mirë histori dhe personazhe interesantë. Dhe pikërisht ky skenar që kam punuar në filmin “Eagle” (Shqipe) është i bazuar në ngjarje të vërteta dhe prandaj është kaq i pasur. Më pëlqen të kaloj kohë në krijimin e personazheve të mia. Duke shfletuar skenarin dhe duke e lexuar faqe për faqe, unë mësoj diçka të re për personazhin që luaj dhe mundohem që këtë personazh ta bëj real. Pastaj të punosh për gardërobën dhe makiazhin me njerëz të talentuar, kjo e bën procesin e krijimit të personazhit më argëtues.

Një gjë tjetër që më pëlqen është të punoj me aktorë të tjerë. Dhe kam qenë e privilegjuar të punoj me disa aktorë shumë të talentuar.

Si ju duk që ishit njëkohësisht producente dhe aktore në filmin “Shqipe?”

Ky është një projekt që e kam për zemër. Kështu që isha shumë e emocionuar të bëja punën e producentes, të shprehja mendimin tim dhe të merrja vendime në të njëjtën kohë. Unë u mundova të takohem me të gjithë që punuan në projektin tonë dhe u munduam që të punonim si një ekip. Motoja jonë është se kur xhirojmë, ne jemi si një familje, kështu që ne mundohemi të kujdesemi për gjithkënd. Në këtë mënyrë ne bëjmë ç’është e mundur dhe kjo gjë shfaqet këtu. Mua më ka pëlqyer veçanërisht xhirimi i filmit “Eagle” në Shqipëri. Që të gjithë punuan shumë dhe kemi gjetur një mbështetje mjaft të madhe. Ishte një nder të punoja me aktorët e talentuar Ndriçim Xhepa dhe Zyliha Miloti.

Cili ka qenë personazhi juaj më i preferuar që keni luajtur në karrierën tuaj të aktrimit dhe përse?

Është e vështirë të kesh një më të preferuar, sepse mua më pëlqen që të investoj plotësisht në personazhet e mia dhe duhet të biesh në dashuri me to, në mënyrë që të bësh një punë të mirë. Por tani unë po punoj me personazhin e Helenës, roli kryesor në filmin “Eagle” (Shqipe), kështu që ma merr mendja që ajo është më e preferuara tani për tani. Një arsye tjetër që më pëlqen Helena është se ajo është një grua shqiptare dhe mua më pëlqen të luaj në gjuhën time amtare.

Cilat janë pikat tuaja të forta si një aktore?

Unë jam një person që i marr gjërat shumë shtruar dhe më pëlqen t’i gëzoj njerëzit, kështu që punoj akoma më tepër. Më pëlqen gjithashtu të luaj personazhe të shumanshme që nga ata dramatikë, qesharakë dhe ata mendjemprehtë. Pasioni dhe këmbëngulja ime padyshim që kanë vlejtur në krijimin e shumë përvojave të paharrueshme në karrierën time të aktrimit.

Cilat janë rolet që preferoni të luani?

Mendoj që rolet dramatike janë të lehta për mua, por më pëlqen shumë dhe komedia.

Greta, si një person i dëgjuar, si e përballoni famën?

Faleminderit, pa ma bëni qejfin. Unë nuk e konsideroj veten njeri të famshëm. Mundohem të qëndroj e thjeshtë. Mua akoma më pëlqen jeta si Greta, edhe nëse kjo do të thotë që të jem e zënë si aktore, shkrimtare, drejtuese apo promovuese e industrisë së artit. Më pëlqen të jap 100% në atë që bëj dhe në të njëjtën kohë jam mirënjohëse për gjërat e vogla në jetë.

Cila është ajo gjë që dëshironi të realizoni këtë vit?

Përfundimisht, këtë vit dëshiroj të mbaroj xhirimin e filmit “Shqipe”.

Ermira BABAMUSTA, Ph.D., New York