Ja si i përshkruan politikanët dhe njerëzit në fabulat e tij Ali Bregu

757
Sigal

Doni ta shihni botën ndryshe?

Nga Vepror Hasani

Asgjë nën këtë diell nuk është e panjohur, por këndvështrimet janë të ndryshme. Te fabulistët gjejmë shpjegime alegorike, zbulim të botës në një mënyrë tjetër, që herë na bëjnë të qeshim, herë të trishtohemi, por gjithsaherë të biem në mendime. Shpesh gjejmë një panoramë që nuk e kishim vënë re më parë edhe pse kishim qenë aq pranë saj. Krijimi i fabulës kërkon vëzhgim të mprehtë, mbresa e përvoja jetësore, mënyrë të përzgjedhur rrëfimi, befasi në nxjerrjen e përfundimit, dhe së fundi  për lexuesin një mësim jete të shoqëruar me buzëqeshje. E tillë është fabula e fabulistit të mirënjohur Ali Bregu, e shkruar këndshëm, me rimë, ritëm dhe rrjedhshmëri të natyrshme. Fabulat e tij janë të shumta; ai është autor i disa vëllimeve dhe botues i përhershëm në organet e shtypit. Ne zgjodhëm disa prej fabulave, veçanërisht ato që flasin për politikën, politikanët dhe njerëzit, ku këta të fundit gjithnjë mbeten të zhgënjyer prej saj, pa mësuar nga pësimet e 30 viteve të fundit. E gjitha kjo të kujton thënien e vjetër: “Selanik e tatëpjetë, kështu ka qenë e kështu do të jetë”.  Por fabulat e fabulistit Bregu e kanë një zgjidhje. Doni ta dini cila është ajo, vijoni të lexoni.

Politikani

Fabulistit Ali Bregu i mjaftojnë edhe katër vargje për të sjellë portretin e një politikani, sidomos të politikanëve të vjetër me përvojë, të cilët njohin magjinë e pushtetit, fuqinë dhe përfitimet që nxjerrin prej tij, dhe nevojën e njerëzve për të zgjidhur hallet që s’u mbarojnë kurrë. Përmes vargjeve të fabulës arrijmë të shohim politikanin e sotëm që nuk rri dot pa dalë në foltore, bën të pamundurën të fitojë besimin e njerëzve: bërtet, qan, qesh e përgjërohet se është i gatshëm të flijohet për të mirën e popullit; shan, ulërin e ngre zërin në kup të qiellit dhe betohet se asnjë hajdut nuk do të mbetet jashtë burgut; pastaj  ul zërin, bëhet më i ëmbël, mbushur me mëshirë dhe empati për të treguar vuajtjet e tij të mëdha ngaqë  dëshiron t’i shohë njerëzit të lumtur.  Vendosmërinë e shpreh me gjithfarë mënyrash: me gjeste, me këmbë, me kokë e me duar deri sa të bindet se më në fund ia arriti të fitojë besimin e tyre. Ata janë komedianë të vërtetë në fushata elektorale:

Si politikan i vjetër

Në fushata kam përvojë,

Ndaj bërtas si askush tjetër

Sa me duar, këmb’ e gojë!

Turmat

Dhe jo rrallë herë turmat e mashtruara, përfitues të privilegjeve, hajdutë e trafikantë, të paaftë dhe servilë, hallexhinj dhe të varfër, fatkeq dhe njerëz të trembur, mbajnë ison e çdo thënie të udhëheqësit. Përpiqen të shfaqen sa më shumë para syve të tij. Bëjnë të pamundurën ta imitojnë në gjithçka; qajnë e qeshin njëlloj si ai. Të gjithë janë në garë të verbër kush prej tyre do të jetë më i ngjashmi me prijësin, pa e ditur askush prej tyre përse këtë gjë po e bëjnë me kaq zell dhe pasion. Ndoshta shpresa se do të ndihmohen, ndoshta frika për të mos e pësuar më keq; i tremben arrogancës së pushtetit. Ja si e përshkruan fabulisti Bregu këtë fenomen, që haste jo vetëm në shoqërinë njerëzore:

 Për diçka leh’ qen’ i parë.

Pas tij lehin të tjerë.

Se për kë ne qyqarët,

Nuk e ditëm asnjëherë!

Drejtësia

Njerëzve u flitet gjithnjë për  drejtësi të vërtetë, të shpejtë, të drejtë e të paanshme. Nuk lihet rast pa thënë se po luftohet krimi, droga, trafiqet, korrupsioni, vjedhjet etj, por realisht ndodh e kundërta: trafiqet shtohen, droga rrëmben jetë njerëzish, vrasjet bëhen më të sofistikuara, vrasësit me pagesë shfaqen ngado, jeta bëhet më e pasigurt dhe njerëzve u humbet guximi. Shpresa se një ditë do të bëhej më mirë venitet. Ai që e pëson është qytetari i ndershëm.“Ferrat” që mbijnë ngado, shekullin “leshin” e deleve që kalojnë pranë tyre. Me këtë figuracion e përshkruan Drejtësinë fabulisti Bregu:

   Atje, ku grabiste ferra,

Lesh ndër dhen edhe ndër shqera,

Me ç’më tregoi mëmë dhia

Vuri dorë drejtësia.

Kry earës, përmbi vijë,

Shkulte një, mbinin njëmijë.

Pabarazi sociale

Por  me kalimin e viteve, kupton se gjithçka ka ndryshuar për keq. Qytetari i ndershëm, të cilin në mënyrë figurative mund ta quanim “luanin e shoqërisë” ka mbetur i mënjanuar, i zëvendësuar nga minj të vegjël (nga kocominjtë) që brejnë gjithçka. I ndershmi ka mbetur pa ndihmë e asistencë: shtëpia i pikon dhe rrezikon t’i shembet, fëmijët qajnë se duan bukë dhe shtëpia s’ka. I sëmuri nuk ble dot ilaçet. Kudo që shkon nuk e ndihmon kush se të gjithë e dinë që ai është i mjerë. Çuditet kur sheh komshiun që nuk kishte as prona, as shtëpi, kurse tani shëtit me makinë luksoze, ka dyqane dhe pallate, ndaj mërzitet e bëhet gati të vrasë veten, por prapësohet, sepse e di shumë mirë që për jetën e tij askujt nuk do t’i vijë keq. Në fabulën e  Ali Bregut edhe  “Urithët” kur nxorën feçkën mbi tokë, mbetën të çuditur me këtë fenomen shqiptar: 

Kur feçkën nxori mbi tokë,

Urithi me qyrk në kokë,

Tha: Sa ka ndryshuar bota,                                  

Udhëtuakan përmbi rrota!ë

Qarkullojnë posht’ e përpjetë

Luanët me biçikletë.

Tutje-tu venë e vinë

Kocominjtë me limuzinë.

Ku je imzot?

Pas kaq shumë e shumë vitesh duket se qytetarët kanë mësuar shumë, dinë të ndajnë çfarë është politikë e çfarë është propagandë, çfarë është premtim e çfarë është të mashtrohesh. Përpjekja për të rënë në sy të prijësit është një mundim i kotë; ai as të njeh, as të mban mend, as nuk ka nge të merret me ty. Përpiqu të bësh më të mirën për veten tënde, të jesh i ndershëm në ço hap; gjithçka varet nga ty.  Këtë të vërtetë fabulisti  Ali Bregu e sjell përmes fabulës “Ku je imzot?”, ku vreshtari edhe pse e ka braktisur vreshtin e vet, ëndërron të vjelë rrush:  

Krejt kët’ vit për her’ të parë

Në një prag mbrëmje, ishte vjeshtë,

Me çantën bosh e me kollare

Të vjel rrush, shkova në vresht.

Po çfarë gjeti atje: Kërcunjtë shterpë që e vështronin vëngër. Rrushi ishte tharë. Kishte mbetur në vresht vetëm kërcuri i shtrembër, i cili kishte kohë që thërriste “Ku je imzot?” Në mbyllje të  fabulës, fabulisti thotë:

Pa ika unë me çantën bosh

Pa ika unë me shpirt të vrarë

Komshiu po vilte me kosh

Unë trembja mizat me kollarë

Më shumë se kaq çfarë mund të thuhet nga fabulisti i mirënjohur korçar, Ali Bregu