Ja pse ka ngjall interes libri “Skënderbeu -Kryqtari i Fundit”

1720
Sigal

INTERVISTA/ Flet  spikeri i mirënjohur, skenaristi i filmave dokumentarë Virgjil Kule

Skënderbeu -Kryqtari i Fundit” është një ndër librat më të shitur në tregun e librit shqiptar. Autori Kule tashmë po përgatit botimin e dytë. Ky libër hedh dritë mbi shumë të fshehta të jetës, veprës, diplomacisë dhe luftërave të Skënderbeut. Ai është shkruar me një gjuhë të pastër, me një stil të rrjedhshëm, me figura letrare të spikatura ndaj dhe suksesi ishte i padiskutueshëm.

 “Skënderbeu -Kryqtari i Fundit” i Virgjil Kules i ribotuar ne Panairin e sivjetëm të Librit. Si shumë shpejt erdhi ribotimi pas botimit të parë, vjet në këtë kohë?

Me shumë kënaqësi vura re se libri depërtoi shumë shpejt te lexuesit. Kontingjenti i parë, ai që normalisht teston kërkesën reale për këtë libër, mbaroi brenda një kohe të shkurtër. Madje, për një periudhë, sidomos këto tre muajt e fundit, libri nuk gjendej më në treg, në një kohë që kërkesat shtoheshin përditë. Tashmë u ribotua dhe lexuesit e interesuar mund ta gjejnë më lirshëm.

Janë botuar disa libra për Skënderbeun. Pse libri juaj ka ngjallur interes të veçantë?

Sepse është i veçantë. Këtë tani unë kam nderin ta  theksoj ne emër të lexuesve të shumtë që më kanë dhënë përshtypjet e tyre. Për herë të parë ata u njohën me një Skënderbe ashtu siç ia u kërkonte subkoshienca e tyre, njeri real, me një projekt real, që vepron në situata reale.  Kronologjia e fakteve dhe dokumenteve, të radhitur në mënyrë strikte sipas kohës kur janë prodhuar, më dha mundësinë që të lundroja i qetë në një det tjetër, larg miteve dhe pamfleteve të politizuara ose letrarizuara; të lundroja  në detin e së vërtetës historike. Jo vetëm kaq, por si gazetar, pra si teknolog i fakteve të realitetit, por edhe një lloj shoferi i makinës së kohës, unë e ftova lexuesit që të bënim një udhëtim së bashku në shekullin e XV dhe t’i shqyrtonim faktet dhe dokumentet ne vetë të parë.  Qëllimi ishte që, në kthim, lexuesi, në një farë mënyre, ta “shkruante” vetë historinë e Skënderbeut dhe njëkohësisht të vërente se sa shumë heroi ynë kombëtar i flet së sotmes. Ju siguroj se është një itinerar argëtues, por edhe tepër impenjativ sepse në këtë histori personale të Gjergj Kastriotit çdo lexues gjen argumente serioze për të qenë vërtet krenar që të konsiderohet pasardhës i tij.

Mitin tradicional e njohin të gjithë, por a ka ndonjë mit tjetër, më të ri, që i është veshur figurës së Skënderbeut.

Ka dhe është i dëmshëm, megjithëse tingëllon joshës.  Në përpjekjet e disave për ta “europianizuar” heroin tonë kombëtar, mbitheksohet ideja se  Gjergj Kastrioti bashkë me popullin e tij u sakrifikua për të mbrojtur  Europën dhe krishtërimin nga dyndja osmane. Ky është gjykim i cungët që ngatërron shkakun me pasojën. Elaborimi i mëtejshëm i këtij miti të ri të çon natyrshëm në përfundimin se kjo ishte një sakrificë me vlera të dyshimta për kombin tonë, mbasi ai u shuajt e u dogj për hir të të tjerëve, në një kohë që kishte mundësinë të pranonte në heshtje pushtimin  dhe të “lulëzonte” nën suazën e Perandorisë Osmane.  Mitet, qofshin të reja apo të vjetra mbartin gjithmonë rrezikun e njëanshmërisë në interpretim dhe duhet oreks i madh patriotik që ato të gëlltiten pa u vënë në pikëpyetje. Por sot ka filluar të mbizotërojë patriotizmi inteligjent; njerëzit duan argumente të forta që të besojnë në diçka e, aq më shumë, që ta shenjtërojnë atë diçka.  Në librin Kryqtari i Fundit tregohet me fakte e dokumente se Skënderbeu dhe fisnikët shqiptarë që bashkëpunuan me të, nuk patën si qëllim kryesor të  mbronin civilizimin europian. Ky do quhej thjesht shërbim për Europën, madje me doza të theksuara mercenarizmi.  E vërteta është ndryshe. Mbrojtja e civilizimit Europian nga ana e shqiptarëve ishte pasojë. Shkaku  që solli këtë pasojë qëndron tjetërkund.  Shqiptarët, të udhëhequr nga Skënderbeu  u angazhuan për të mbrojtur civilizimin shqiptar,  civilizimin e tyre,  që asokohe, ishte një civilizim i mirëfilltë i tipit Europian.  Pra shqiptarët mbrojtën në radhë të parë gjënë e tyre dhe jo gjënë e të tjerëve… Këtu qëndron esenca e “shërbimit historik” për kombin shqiptar që kreu Gjergj Kastrioti dhe këtë esencë libri e zbërthen me fakte e dokumente.

Por duket sikur  titulli  “Kryqtari i Fundit”d.m.th. lider kryqtar  nuk përputhet me idenë që sapo shprehët? 

Titulli i librit është ndoshta kuintesenca më e përshtatur e të vërtetës së madhe se shqiptarët luftuan në radhë të parë për të mbrojtur civilizimin e tyre që ishte civilizim i mirëfilltë Europian. Por kjo mbrojtje nuk mund të realizohej duke qëndruar veçmas Europës dhe organizimit të saj ushtarak të tipit kryqëzatë. Skënderbeu, si diplomat e politikan shkëlqyer, jo vetëm që e kuptoi këtë i pari, por bëri të pamundurën që ta lidhte ngushtë luftën e tij për mbrojtjen e civilizimit tradicional shqiptar me luftën e europianëve për të mbrojtur të njëjtin tip civilizimi.     Të gjithë e dinë se Europa nuk ka qenë asnjëherë ndonjë nënë e dhembshur që shqetësohej njësoj për gjithë bijtë e saj të vegjël e të mëdhenj. Ajo është brejtur vazhdimisht nga kontradiktat e saj të brendshme, tepër dëmprurëse për unitetin, para situatave ndërkombëtare që kërcënonin civilizimin dhe interesat e saj ekonomike e politike. Secili nga “bijtë” e Europës, ndër ta edhe populli shqiptar, duhej ta gjente vetë rrugën e shpëtimit para çdo lloj rreziku. Në atë mori kontradiktash  Skënderbeu arriti të ndërtojë karrierën e tij të shkëlqyer prej kryqtari, si garanci për të marrë pjesë në një koalicion kryqtar antiosman, me detyrime e të drejta të barabarta në ndarjen e mundshme të trofeve pas fitores përfundimtare. Duke zënë vend në plejadën e kryqtarëve më të shquar, ai u garantonte arbërve shpërblimin për mundin, djersën dhe gjakun e tyre, një mbretëri të tipit europian, me bazë arbërore e mundësisht më gjerë, nën dinastinë kastriotase. Para tallazit oqeanik osman,  populli shqiptar ndodhej në të njëjtën anije me popujt e tjerë europianë.  Duke u bërë pjesëtar i ekuipazhit drejtues të anijes, Skënderbeu nuk lejoji që  civilizimi arbëror të binte në ujë e të mbytej që në miljet e para të atij rrugëtimi luftarak.

Në ç’mënyrë e tregon libri juaj këtë të vërtetë?

Duke e vendosur lexuesin në pozicionin virtual të shoqëruesit të Skënderbeut, diplomat e politikan, ditë pas ditë e javë pas jave  në marrëdhëniet e tij me të gjitha figurat më të rëndësishme që dominuan skenën politike europiane gjate 25 vjetëve, si pesë papë të Romës, tre dozhë të Venedikut, dy breza të dukëve të Milanit, dukë e mbretër te Europës Qendrore e Perëndimore, kardinalë  europianë, lidera ballkanas e danubianë, si Huniadi, Korvini, Tomashi etj.. Libri përshkruan edhe procesin plot ngërçe të federimit të princave shqiptarë për të krijuar atë që u quajt Fronti i Dytë kundër osmanëve ne Ballkanin perëndimor.  Në thelb kemi të bëjmë me një histori fisnikësh arbër që jepnin e merrnin me kolegët e tyre perëndimorë për të mbrojtur civilizimin e përbashkët.  Ishte kjo plejadë liderësh të shquar të Arbërisë që, pas pushtimit osman, vazhdoi procesin natyral integrues me Europën. Pinjollët e tyre ashtu si edhe djali e nipi i Gjergj Kastriotit u bënë figura të rëndësishme në jetën politike të gadishullit italik dhe të Evropës. Ndjeheshin në shtëpinë e tyre, në civilizimin e tyre. Pavarësisht zhvillimeve të sotme, Europa mbetet  aristokratike në thelb. Shikoni sa mbretëri dhe principata ka akoma, sa dukë e kontë jetojnë të qetë në kështjellat e tyre shekullore. Aristokracia europiane sot duhet të rindërgjegjësohet për faktin se fisnikët shqiptarë kanë qenë pjesë e klubeve të tyre, se kështjellat e Krujës, Durrësit, Lezhës e Shkodrës u dogjën e u shkrumbuan  në pritën e parë kundër pushtuesit osman. Në është një gjë nuk mund të vihet kurrë në diskutim është pikërisht  rrënja e përbashkët aristokratike që ka Europa me ne.