Ja pse e përktheva “Rrethimi i Shkodrës” së Marin Barletit

650
Sigal

INTERVISTA/ Flet amerikani David Hosaflook, përkthyesi i veprës së Barletit “Rrethimi i Shkodrës”

“Rrethimi i Shkodrës” i humanistit të shquar Marin Barleti tashmë vjen dhe në anglisht. Ky përkthim i parë në anglisht dhe ribotim në shqip, vjen nga përkthyesi David Hosaflook. Në takimin promovues, që u zhvillua para ca ditësh në Muzeun Historik Kombëtar ku merrnin pjesë shkrimtarë, gazetarë, studiues, përkthyes, politikanë  u theksua se përkthimi i librit nga shqipja, për herë të parë në anglisht, tregon se ky libër rrezaton vlera kulture, që i ka veç një popull, me histori të lashtë. Sipas botuesit Bujar Hudhri  “Rrethimi i Shkodrës” është në një hap me pararojën e rilindjes europiane.

 -A e njihnit sadopak Shqipërinë përpara se të vinit si pastor?

ASPAK! Për fat të keq.

-Kur u njohët çfarë mendimi patët për të?

E pashë një Shqipëri në vuajtje nga vitet e komunizmit dhe më erdhi keq. Por shpresa ishte gjithkund.

-Kur erdhët për herë të parë në Shqipëri?

Në verë të vitit 1992.

 -Si e gjetët Shqipërinë, a ishte ajo sikundër e parafytyronit?

Vendimi im për të ardhur erdhi kaq shpejt saqë nuk kisha kohe të mësoja ose të imagjinoja si do të ishte. Isha 21 vjeç dhe nuk kisha një koncept të zhvilluar për boten, aq me pak për Shqipërinë.

-Kë takuat për herë të parë në Shqipëri dhe çfarë menduat për shqiptarët?

Fëmijët dhe stafi i Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli” në Tiranë. Ishin shumë të dashur, shumë mikpritës, me humor dhe mirëdashje.

 -Shqiptarët në regjimin komunist të detyruar kundër fesë. A e besonit ju këtë?

E besova, por nuk mund të them se kuptoj. Është gjë e rëndë kjo dhe kishte pasoja.

 -A ishit në Shqipëri në ngjarjet e vitit 1997 dhe çfarë menduat për to?

Në janar të vitit 1997 u fejova me një amerikane dhe u largova në SHBA për dasmën. Kur erdhi marsi, mbeta i shtangur dhe zemra ime u trondit. Jam kthyer në korrik dhe situata ishte shumë e rëndë, por e di që më e rënda kishte kaluar tashmë. Mendova, “Nëse është aq keq TANI, si duhet të ishte në fillim!?”

 -A u larguat nga Shqipëria në ato vite, pra 1997-‘98?

U ktheva në korrik të 1997-s. Ishte shumë e vështirë siç e dini, por sidomos për një çift i sapomartuar. Njerëzit akoma nuk dinë të shpjegojnë ngjarjet e ‘97-së, por kam një mendim … mendoj (për humor) se shqiptarët po festonin dasmën tonë në mënyrën e tyre tipike (me pushka) për 18 muaj rresht!

-Si dhe kur filluat mësimin e gjuhës shqipe. A ju duk e vështirë ajo?
Fillova ne ditën e ardhjes sime, si një fëmijë, duke belbëzuar. Po mësoja në fillim me fëmijët e dashur të Shtëpisë së Fëmijës. Pastaj me një pedagog në Shkodër. Po, e vështirë ishte. Por kisha pasion, sepse desha të komunikoja ungjillin me shqiptarët.

 -Kur ka qenë dita juaj më e vështirë në Shqipëri dhe pse?

Besoj se ishte 11 shtator 2001 për arsyet që dihen. Por shqiptarët më dhanë zemër dhe u jam mirënjohës atyre.

-Kush janë miqtë e tu më të mirë në Shqipëri dhe si jeni ndjerë në shoqërinë e tyre?

Kam shumë miq – është pyetja e vështirë. Por nuk diskutohet që anëtarët e kishave tona janë miqtë e mi më të mirë, meqë kemi kaluar kaq shume kohë së bashku.

 -Ju keni përkthyer në anglisht veprën më të mirë “Rrethimi i Shkodrës”, përse zgjodhët këtë libër kaq të vështirë?

Më dha profesori i gjuhës një detyre ta përktheja letërsi shqiptare në anglisht. Kot e zbulova Rrethimin e Shkodrës në trotuar dhe pamja e kopertinës — kalaja e Shkodrës — më tërhoqi. Kaq. Pastaj kuptova se ç’thesar ishte ky libër.

 -Cilat ishin pengesat më të mëdha në përkthimin e kësaj vepre?

Duke gjetur kohë për ta përfunduar.

 -Kur e keni vizituar për herë të parë Shkodrën dhe çfarë keni ndjerë në këtë vizitë?

Në vitin 1992 kam vizituar Velipojën por në 1993 kam vizituar Shkodrën. Kalaja me mahniti dhe thashë, “Çfarë paska ndodhur në gjithë këtë kala!” Por s’kishte burime.

 -Cilat vepra të tjera keni lexuar në shqip që morët këtë nismë kaq të madhe?

Rrethimi ishte vepra e parë që kam lexuar … por pastaj kam lexuar të tjerë, më shumë vepra shkencore në përgatitjen e përkthimit. Kam lexuar për qejf edhe Kadaren, Visar Zhiti etj..

-Si ishte bashkëpunimi juaj me shtëpinë botuese Onufri dhe si u ndjetë nga ky bashkëpunim?

I mrekullueshëm. Nuk mund te imagjinoj një bashkëpunim më të këndshëm.

 -A jeni ndjerë i realizuar në përkthimin e kësaj vepre?

Jam i kënaqur që shqiptarët po kënaqen dhe po rizbulojnë këtë pjese emocionuese të historisë së tyre.

 -A është bërë publike në SHBA përkthimi i kësaj vepre? Si është mirëpritur ajo?

Po. Mund të porositet në amazon.com si libër tradicionale dhe si version elektronik (Kindle). Janë shitur mirë deri tani, por një vepër e tillë i qëndron kohës. Kemi nevojë që shqiptaret jashtë atdheut ta kërkojnë librin në bibliotekat e qyteteve te tyre, në mënyre që çdo studiues ta ketë afër dhe falas.

-Pse zgjodhët pikërisht një vepër historike për përkthimin në anglisht, apo ju ka pëlqyer autori?

Siç shpjegova më parë … ishte kopertina dhe zhvilloi hap pas hapi.

– Keni menduar ndonjëherë largimin nga Shqipëria?
Po, sa here që ikin dritat! (Për humor.) Por jo, nuk e di për të ardhmen dhe gjërat që mund të më vijnë.

 -Çfarë kanë të përbashkëta populli amerikan me atë shqiptar?

Janë këmbëngulës dhe liridashës.

-Si pastor, cila ishte mesha e parë që keni dhënë me shqiptarët dhe a u ndjetë mirë?

Nuk jap meshë, por kam dhënë predikime rreth Biblës qysh në fillim, me përkthyes deri më 1994, pastaj në shqip.