Ja pse Agim Hushi la Vjenën për Tiranën

628
Bardhyl Berberi 
Në Pogradec në këto ditë vere pata rastin që disa ditë rresht në buzëmbrëmje ta kaloj me mjeshtrin e madh të muzikës, tenorin e shquar, ikonën e muzikës shqiptare, i cili ka tronditur skenat botërore, Agim Hushin. Padyshim që gjuha shkon atje ku dhemb dhëmbi..
– Agim, si ka mundësi të lesh Vjenën dhe të kthehesh pas 25 vjetësh në Shqipëri
Fytyra e tij merr një pamje serioze, gati e përflakur dhe befas më thotë:
– Pse, si thua ti, miku im, do ta lemë këtë vend në dorë të horrave! 
Ka 25 vjet që Shqipëria ka ngelur në udhëkryq të historisë së saj. Në këto vite të gjata të trazicionit këta horra politikanë që ngjisin shkallët e karrierës jo me djersën e ballit, por duke shkëmbyer burrërinë me privilegjet, integritetin me favoret. Ky është një takëm i ri horrash që është gjendur nëpër zyra, çdo ministri, çdo drejtori, mund të jetë vetë drejtori një i tillë. Ata janë gjendur me shumicë në parlament, biznes privat, spital, shkollë dhe padyshim në çdo lagje. Horrat i njohin të gjithë, të veshur firmato me kokën e lyer me bojë që dihet publikisht se kujt kodoshi i shërben. Horri e sheh veten në pasqyrë, dhe shijojeni luksin, krekoset, fryhen si ata gjelat e detit…Ata gjenden kudo: Në gjirin e partisë apo në krye të organizatave jo qeveritare ku me paratë e destinuara për të varfrit, pleqtë apo romët kënaqin grykësinë e tyre horrave. 
Ato gjenden në universitete ku kërkojnë para nga studentët për të kaluar provimet. Ato gjenden në administratën shtetërore, ku për çdo shërbim kërkojnë zarfin nën tavolinë. Ato gjenden në gjykata ku ngopin gjykatësit vampirë. Horrat i gjejmë në spitale, farmaci, madje edhe furra buke ku përziejnë miellin me bojë. Horrat, të shesin fruta e perime me hormone, ata vjedhin vota ditën e votimeve, ndajnë zarfa me para për të blerë votat me lista ushqimesh të të varfërve… Horrat të kërkojnë 3-5 mijë euro për një vend pune, kërkojnë favore seksuale për një rrogë të ulët shteti. Ndonëse ka shumë emra me precedentë penalë ata vazhdojnë të jenë në punë. Fitojnë tendera për t’i ndarë partë me shefat e tyre dhe ndjehen mirë në këtë terren sepse është habitati i tyre i përkryer. Ata dalin në emisione televizive flasin edhe për shpresën, të ardhmen e ndritur dhe reformat. Ata edhe kur kapen me një skandal të rëndë financiar gjithmonë qëndrojnë jashtë burgut, pa ju hyrë asnjë gjemb në këmbë… E pamë tërkuzën e gjatë për miratimin e reformës në drejtësi dhe prit kur të mbarojë pasi janë edhe 7 nene…
Jetën e bëjnë njerëzit e ndershëm mbi një mjedis të caktuar dhe ky mjedis nuk duhet që t’ia u lemë ta zotërojnë horrat. Po nuk u prenë metastazat e tyre kanceroze atëherë e keqja do të na vëri poshtë dhe do të na marri frymën … Liqeni buçet dhe në çdo pauzë mendimesh na kujton praninë e tij…Është mbrëmje vonë dhe shëtitim përgjatë bregut. Nuk më flihet fare, thotë Agimi. Më pas ai bën shaka se Pogradeci vë në gjumë ata që vuajnë nga pagjumësia dhe ju merr gjumin atyre që flenë normalisht. E megjithatë sa e bukur është pagjumësia në këtë breg magjik të liqenit të Pogradecit. Hëna shëtit mbi liqen dhe duket sikur e ka harruar rrugën e qiellit duke i veshur valzat me argjend. Liqeni nanurit si një ka i lodhur nga dita…Befas Agimi si për të mbyllur bisedën më drejtohet se cili është ai mekanizëm që duhet që ta shpëtojmë Shqipërinë nga horrat… Ka shumë djem e vajza dhe personalitete shqiptare që ndodhen jashtë atdheut, të cilët kanë kapacitete dhe integritet që gjërat t’i ndryshojnë për mirë dhe Shqipëria të shpëtojë nga horrat. Unë e kuptova se pse Agim Hushi kishte lënë katedrën prestigjioze të Vjenës dhe koncertet e tij në gjithë skenat e botës për të vënë një gur të rëndë në këto themele të çara dhe mure të plasaritur të Atdheut të tij të dashur, për të cilin ka vuajtur shumë në këto 25 vjet larg tij. Malli dhe dashuria për atdheun gërryen gurin, më tha ai i përlotur…
Sigal