INTERVISTA/Flet piktori Njazi Rukaj: “Në pikturë më pëlqen impresionizmi”
Para disa ditësh hapi ekspozitën e tetë vetjake. Një ekspozitë, ku mbizotëron peizazhi dhe portreti. Punimet e tij janë në akuarel. Vaj dhe në dru. Të gjitha punimet e tij dallohen për natyrshmëri, plot dritë dhe impresionizëm. Jeta e tij ka pasur shumë zigzage, por ai ka ditur t’i kalojë ato me shumë sukses. Në sistemin monist ka qenë i detyruar të punojë ditë natë në punë nga më të ndryshmet dhe të vazhdojë shkollën me shumë vështirësi për arsye biografie. E veçanta e jetës së tij si piktor ka qenë se Rukaj ka punuar një kohë të gjatë në kishat e Mikonos në Greqi për afresket murale. Dhe pse për herë të parë në këtë lloj pikture me durim ai ka mundur të bëhet një mjeshtër i vërtetë i kësaj lloji pikture murale.
-Si titullohet ekspozita që keni hapur këto ditë?
Kjo ekspozitë titullohet “Mesazhe dhe peizazhe”, Peizazhet më shumë janë marrë në bregdet pasi deti më magjeps, ka një pamje madhështore, dritë, ngjyra që të mahnitin. Kam vetëm peizazhe origjinale dhe jo në imagjinatë. Kjo është karakteristikë e punimeve të mia. Kam punime në vaj dhe në akuarel. Kam 20 peizazhe, ku trembëdhjetë janë me akuarel dhe të tjerat janë me ngjyra vaji. Kam edhe portrete, por kam edhe 3-4 gdhendje në dru. Punimin në dru e kam përdorur më shumë në Greqi, pasi aty kërkoheshin shumë këto lloj punimesh në formë gdhendjesh.
Në sistemin monist a e keni ushtruar profesionin e piktorit?
Kam punuar në muzeun e Krujës 5 vjet në gdhendje druri në një repart artistik. Nga sistemi kam pasur edhe telashe. Në fillim më merrnin në punë sepse i dinin aftësitë e mia, pastaj më kthenin. Kjo dihej dhe nuk do shumë përkthim. Si origjinë unë vij nga Smokthina e Vlorës. Vij nga familje patriotike, sepse në Vlorë është edhe rruga Adem Tartari dhe Ramush Tartari. Të parët e mi kanë qenë me shkollë dhe me akademi. Por pati edhe incidente në sistemin monist siç ishte babai dhe xhaxhai im që ishin ushtarak me Akademi. Dhe ndodh që njëri pushkatohet dhe babai im futet në burg. Njëri pushkatohet në Shkodër dhe babai im në burg në Burrel. Mua m’u desh që të kaloja shumë peripeci, por pasioni bën gjithçka.
-Sa piktura janë këtu gjithsej?
Këtu janë 75 piktura. Këtu janë punime me akuarel, dru dhe vaj. Janë ndër punimet e mia më të bukura. Janë punime që i kam përzgjedhur dhe punuar me shumë dashuri.
Kush është më e vështirë dhe kush është më jetëgjatë, vaji, apo akuareli?
Me akuarel (ose bojëra uji) zakonisht punojnë fëmijët që punojnë pa përgjegjësi, por përgjithësisht dhe piktorët që janë mjeshtra. Akuareli është shumë i vështirë në punim. Do durim dhe shumë kujdes. Të paktë janë ata në Shqipëri që punojnë me akuarel siç është Rakip Shabani e shumë të tjerë. Unë kam punuar qysh fëmijë me akuarel. Edhe vlerësimi që u bë në inaugurimin e ekspozitës time ishte mbi akuarelin. Por dua të theksoj se më shumë dhe më jetëgjatë është puna me vaj. Akuareli do shumë kujdes nga lagështia. Kur kalon në vernik akuareli jeton më gjatë, por e humbet vlerën, ngjyrën origjinale. Akuareli kërkon një mbikëqyrje të kujdesshme. Drita e shpeshtë i zbeh këto lloj pikturash.
-Sa ekspozita keni hapur gjithsej?
Unë kam hapur tetë ekspozita. Ekspozita e parë është hapur në vitin 1969 në Laç. Unë kam shtegtuar për arsye të kohës dhe problemeve në sistemin monist që nga Vlora në Delvinë dhe nga Delvina shkova në Laç, pastaj në Krujë. Në qytetin e Krujës unë kam ndënjtur deri para 10 vjetësh. Ekspozita e parë është hapur në Laç në vitin 1969, kisha vizatime dhe tablo në pikturë. Pastaj kam hapur përsëri tre ekspozita në Laç, dy në Fushëkrujë dhe një në Krujë.
– Vihet re se shumë piktorë shkojnë pas abstraksionizmit, përse ndodh kjo?
Sot shihet se përdoren të gjitha llojet e izmave si në pikturë. Izmat janë që të lodhet truri sa më shumë. Por art me vlerë ngelet arti origjinal. Artet e tjera janë ngjyra në përgjithësi pa gjë të veçantë, ku në kohët e fundit kanë arritur deri në banalitete. Por është bota e lirë demokratike lejon çdo piktor t’i eksperimentojë si të dojë penelat dhe bojërat në pëlhurë. Por ka art me themel dhe art pa themel. Arti realist për mua është më i bukuri. P.sh po të shkosh në Luvër në fillim do të kthesh kokën nga artrilindja. Ndjenjat e njeriut shprehen nga format nga më të ndryshmet. Unë punën time e çoj deri në impresionizëm. Përshtypjet e para që mund të kem për diçka që e shikoj e trajtoj në pëlhurë në formë impresioniste.
-Kush janë idhujt e tuaj të preferuar në arenën ndërkombëtare?
Dalin, Rembrandi, Goja, apo piktorët rusët që janë shumë jetësorë, kanë kolorit. Renuari. Këta personalitete kanë pasur vlera artistike në punimet e tyre dhe i kanë rezistuar shekujve.
Ju keni punuar për një kohë të gjatë në Greqi me ikonat e kishave. A kishit vështirësi?
Po, shumë vështirësi. Ikonat në fillim nuk i kuptoja, i merrja shabllon, pa derdhur shpirtin e artistit, ndjesinë time, idenë time. Kjo sepse ishte hera e parë që merresha me këtë lloj pikture. Ishte e vështirë në fillim të lidheshe me botën e engjëjve. M’u desh që t’i mësoja me kujdes.
Është shumë e vështirë të punosh në mure dhe në afresk. Këto quhen piktura murale. Afresket e mirëfillta janë bërë në lashtësi. Ato kanë një teknikë shumë të vështirë dhe nuk i jam futur asaj pune. Sot afreskun e kanë thjeshtëzuar më bojëra të ndryshme por realisht ato janë afresket e vjetra, të parat janë me vlera të papara. Edhe ikonat bizantine i kanë rezistuar shekujve dhe kanë vlera të mëdha. Në fillim unë nuk i kuptoja në Greqi. Unë pikturoja ikona dhe grekët më thonin se është shumë bukur. Në ishullin e Mikonos mund të jenë 31 kisha ku unë kam punuar afreske të ndryshme me ikona.
-Sot mund ta përballosh jetesën me pikturë?
Qysh në monizëm pasi kam pasur cen në biografi (qesh, sot është e pabesueshme) kam qenë i detyruar të mbijetoja vetëm me art gjatë gjithë jetës. Kam punuar ditë natë duke vazhduar dhe shkollën njëkohësisht, me këtë profesion arsimova fëmijët e tij, etj.. Unë kam ditur të mbijetoj dhe të fitoj. Njerëzit të kuptojnë menjëherë nga ana psikologjike se çfarë arti përcjell, sidomos ata që e dinë apo e kanë shijen e pikturës. Në art nuk ka mendjemadhësi. Arti është shumë delikat. Arti do punë jo mbivlerësim. Kur hiqesh se je dikushi apo i arrirë duhet të dish se ke dështuar dhe nuk ka pozitivitet… Duhet të dish të komunikosh me klientët. Duhet të dish ta servirësh punën që të marrë vlerën reale.
-Cilët janë planet që ke për të ardhmen?
Në muajin qershor dua që të hap një ekspozitë vetëm me peizazhe, një altoreliev (reliev i thellë). Mbas një viti dua të bëj portretet e artistëve tanë si Mentor Xhemali, Vaçe Zela, etj.. Këto janë monumente kulture, mendoj ti kaloj në pikturë dhe në gdhendje në dru.