Ja brengat dhe ethet e ditarit që mbajta në ushtri

596
Sigal

INTERVISTA/ Flet shkrimtari, ish- sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve Agim Cerga

Historia e jetës së tij është shumë interesante. Një shkrimtar që në vitet e komunizmit ka kaluar peripeci që sot nuk mund të kuptohen. Por ai kurrë nuk thotë se ka qenë i përndjekur. Ka qenë ish- sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve, post të cilin ai nuk e mohon, por që e ka bërë të lidhej më shumë me botën e shkrimtarëve.

  Mund të na flisni pak për romanet e parë dhe “ethet” në rrugën tuaj të krijimtarisë?

 Është  e ditur e vërteta që, sa më e gjerë të jetë njohja, aq më e madhe është mundësia e reflektimit të saj. Pra, nëpërmjet njohjes empirike kemi mundësinë të krijojmë veprën artistike. Konkretisht, kështu ka ndodhur edhe me mua me botimin e dy romaneve: “Gjurmë në kohë” dhe “Vëllezërit”. Romanin “Gjurmë në kohë” unë e shkrova pasi qëndrova dy vjet në ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë –Fier, ndërsa romanin “Vëllezërit”  e shkrova pasi qëndrova një vit në Fierzë. Por, sipas mendimit tim, njohja më e thellë, më e vërtetë emocionalisht dhe më e gjatë është njohja që vjen nga goditja e fortë psikologjike, nga shoku tronditës shpirtëror. Unë kam kaluar dy goditje të tilla: njërën në moshën e adoleshencës, pasi u përjashtova nga Shkolla “Skënderbeg”, (Shkolla e Kadetëve) dhe tjetra pasi m’u gjet ditari gjatë shërbimit ushtarak. Që të kihet e  qartë çfarë efekti pati ditari në jetën time, më është e nevojshme të jap një përshkrim të shkurtër…

Si ruhet në kujtesën tuaj ky moment?

E mbaj mend si sot. Ka qenë viti 1965. Në këtë kohë, m’u shtrua vëllai im në spital, më vdiq babai dhe unë dorëzova ditarin. Si e dorëzova ditarin?! Është me të vërtetë e çuditshme jo vetëm për ju, por edhe për mua. Ndaj që të gjykohet më qartë me sjelljen time krejt të pajustifikueshme, po jap disa hollësi. Në atë kohë po bëhej çmobilizimi i ushtarëve të vjetër  dhe sebep u bë një shoku im ushtar që quhej Ramazan Shehu dhe shërbente në sekretarinë e komandës; ai më kërkoi t’i lija një kujtim.  Nuk mbaj mend çfarë i shkova por, pas disa ditësh, më takon njëri nga oficerët e mi që mbante gradën e nënkolonelit. Ai ishte një burrë i gjatë, simpatik, i sjellshëm, me kulturë, që e pëlqente mjaft letërsinë dhe lexonte shumë. Zotëronte për bukuri rusishten dhe italishten. Më kujtohet që një herë, pasi kishte lexuar disa skica poetike, që unë i kisha botuar tek tribuna e letrarëve të rinj, më përmendi një autor të huaj të njohur dhe më tha se kisha diçka nga trishtimi i tij. Kështu që unë, jo vetëm e respektoja si oficer të zotin, por e doja dhe për sjelljen e kujdesshme.

-E lexova, -më tha, -shënimin që kishe lënë në fletoren e Ramazanit dhe më pëlqeu. A ke edhe ti një fletore të tillë?

-Jo, -i thashë.

-Si është e mundur, kur fletore të tilla mbajnë dhe fshatarët?!

Unë ngrita supet pa ditur ç’t’i thosha dhe, për ca sekonda, u pamë sy më sy. Vështrimi i tij ishte i butë, dashamirës, prandaj nuk di të them se pse m’u duk sikur po e fyeja. Ndaj në çast, në të qindtën e sekondit,  unë pata një shtytje të fortë, të pakontrolluar dhe i thashë:

-Kam një ditar të vogël…

-Ashtu?!-m’u bë se i shkëlqyen sytë nga gëzimi.

-Mbaj shënime pa pikën e rëndësisë…

-Do të kisha dëshirë ta lexoja, -më tha me një ton krejt shoqëror. Madje, m’u duk sjellja e tij aq intime, sikur të ishim shokë të vjetër…

-Me vete e ke?

-Po, – i thashë dhe futa dorën në xhep dhe ai ma rrëmbeu nga duart. Atë çast, që nënkoloneli ma rrëmbeu nga dora ditarin, s’di pse pata përshtypjen se diçka më rrëmbyen nga kraharori… Dhe po atë sekondë u ndjeva i lodhur, i pafuqishëm dhe me një frikë të errët, të pakuptueshme që më mbërtheu fort… Si ndodhi ky transformim kaq i rrufeshëm dhe pse? Unë i kam regjistruar me hollësi të gjitha reagimet që u shfaqën në fytyrën e nënkolonel Fahriut. Mbaj mend se rrëmbimi i ditarit m’u bë në një mënyrë të tillë, sikur ai të kishte frikë se mos pendohesha dhe ia merrja sërish. Veç kësaj, fytyra se si iu murrëtye, gjithë ai shkëlqim në sy iu tret dhe iu kthye vetëtimthi në brengë.

Përse u kthye në brengë?

Sapo u ndjeva vetëm, një parandjenjë e hidhur ma përshkoi trupin, sikur u binda se atë çast po ndodhte me mua diçka fatale, e pariparueshme… Unë shënimet nuk i mbaja në fshehtësi, i shkruaja aty ku shërbeja, në mensë, në sallën e kulturës dhe në vende të tjera publike. Shkruaja aty për një shokun tim që dashuronte një vajzë, peripecitë e dashurisë, shkruaja për vuajtjen shpirtërore që më pati shkaktuar vdekja e babait, për peripecitë e kaluara deri sa mora leje për të vajtur në shtëpi, për vetëvrasjen e një ushtari që unë e kisha shok, për dhimbjen që ndjeva, për një histori dashurie që kisha pasur me një vajzë të Shkollës Pedagogjike, shkurt ditari ishte reflektim intim i botës shpirtërore. Mirëpo ditari mori proporcione të çuditshme. Ai u bë i njohur në të gjithë repartin  dhe filloi të lexohej e komentohej në kompani. E çuditshme ishte si falsifikoheshin faktet, si transformoheshin në mënyrë të dhunshme,  dhe se si nisi të shpallej ditari, si një farë libri i rrezikshëm. Të gjithë thoshin se në çdo gjë që përshkruaja gjendej një kod dhe për të zbërthyer sipas tyre mesazhet e ditarit duhet të deshifroheshin më parë këto kode…   Kjo gjendje sa vinte  e rritej dhe mua nisën të më largoheshin shokët dhe, dalëngadalë, të gjithë nisën të më vërenin sikur unë nuk isha unë, por një i panjohur i çuditshëm, që nuk dihej si kisha ardhur midis tyre. Emri im nisi të harrohej dhe unë u ktheva i tëri në DITAR…

…që do të thotë?

Ja! Në këtë mes ka një kontradiktë që nuk kam ditur ta shpjegoj, sepse gjatë gjithë kësaj kohe (dhe kjo ka ndodhur mbi një vit e gjysmë) unë kam qenë në gjendje jermi. I shikoja nga larg njerëzit dhe gjithsesi isha i shkëputur nga realiteti, më dukej e ftohtë dhe gati pa kuptim ajo që më rrethonte, më bëhej se nuk i mbaja mend emrat e shokëve, madje dhe fytyrat e tyre më shfytyroheshin dhe harroja gjithçka, si të isha zgjuar nga një ëndërr e gjatë, gjithë ankth.  Por, në të kundërtën, jo vetëm gjithçka më rrënjosej thellë në ndërgjegje, por dhe hollësitë më të imëta mbeteshin të gjalla. Pasi jam larguar nga oficer Fahriu, që ma ka gllabëruar ditarin nga duart, kam ecur si nëpër ëndërr, derisa kam arritur tek dera e mensës, ku papritur më është kujtuar një ngjarje. Sapo ishim veshur ushtarë, ende nuk e kishim bërë betimin dhe ishim futur në mensë dhe po hanim darkën. Papritur, në mes të qetësisë, hyri në mensë një kapter që mbante për krahu një ushtar të gjatë, të dobët, me gjimnastikoren të zbërthyer, pa komça, me këpucët pa kambiale e lidhëse, pa rrip, pa kapë. Fytyra e tij eshtake ishte dyllë e verdhë dhe ai shikonte përpara me ca sy të ngrirë, aq sa dukej sikur ishte i verbër. -Vështrojeni këtë bashibozuk!-u dëgjua zëri i trashë dhe i egër i kapterit. -Koka e këtij trimoshi rrugaç guxoi të shkelte me këmbë rregulloret, të kundërshtonte urdhrat e eprorëve, të dilte pa leje, të grindej me shokët, por shikoni si përfundoi, e pret gjyqi ushtarak dhe burgu. Asnjë mëshirë nuk duhet të kemi për tipa të tillë të rrezikshëm. Koka bën, koka pëson. Kështu do ta pësoj secili prej jush, kush ndjek këtë rrugë… Më mbeti buka në fyt dhe një e dridhur ma përshkoi trupin. “Kështu do ta pësoj secili prej jush… Domethënë dhe unë!”, -mendova dhe një parandjenjë e hidhur më pushtoi të tërin.

Pra një kohë e gjatë me një makth dhe parandjenjë?

Parandjenja u vërtetua, mendova.  Fati im është njëlloj si i atij ushtarit fytyrëverdhë, që shikonte në boshllëk, si të ishte i verbër.  Ishte fare  e qartë se çfarë më priste dhe ndodhi ashtu siç lypsej të ndodhte: ditari u përcoll në instancat e larta. Të gjithë  e kishin të qartë se më priste gjyqi ushtarak dhe unë u mësova kaq shumë me këtë realitet, sa nuk po më bënte më përshtypje. Një ndjesi e çuditshme po ndodhte me mua, më bëhej se nuk do të dënohesha unë, por një tjetër, ndërsa unë isha vëzhgues i jashtëm. Ndodhte dyzimi: njeriu i jashtëm hetonte me kujdes njeriun e brendshëm. Nuk ndjente frikë , gjithçka dukej e pavërtetë, si e përjetuar në ëndërr.      Kështu, m’u bë mani të ndieja një frikë të turbullt pas çdo zhurmë motoçiklete, apo çdo kamioni që ndalonte para komandës. Shikoja të zbriste korrieri dhe mendoja, ja tani korrieri do të dorëzoj bashkë me postën sekrete dhe vendimin për ditarin.