Izet S.Çulli: Një inxhinier punëmadh si Kiço Zherdi…

587
Inxhinieri mekanik Kiço Zherdi ishte një emër–mbiemër vërtet i përveçëm dhe i paharruar në qytezën e minatorëve të Memaliajt. Në këtë minierë të mirënjohur për qymyrin kualitet lartë, punoi për 20 vjet. Ai kishte lindur në një familje atdhetare të fshatit Tërbuq të Gjirokastrës më 8 gusht 1936, e cila i ka dhënë atdheut tre vëllezër dëshmorë të LANÇ; Thanasin,Pilon, Mitron dhe xhaxhanë, Vangjel. Kiçoja ishte shumë i etur për dije e kulturë dhe i ngiti shkallët njëra pas tjetrës. Mbas përfundimit të studimeve në gjimnazin”Asim Zeneli” të Gjirokastrës, u nis në Poloni për inxhinieri mekanike, të cilën e mbaroi me rezultate të larta. Ishte fillimi i viteve ’60, kur inxhinieri i ri Kiço Zherdi filloi punën plot pasion në minierën e mësipërme, ku ai shpalosi gjithë dijet dhe emergjitë e tij,duke punuar me orar e pa orar. Duhet të theksoj se për shumë vjet ai ka qenë i vetmi inxhinier mekanik atje në atë vendburim qymyrguror, i cili arriti të kishte mbi 40 inxhinierë e rreth 3000 punëtorë. Pasioni i inxhinier Kiços për punën ishte i pashtershëm. Edhe sot ai kujtohet me nderim nga inxhinieri i paharruar Faik Çinaj, si dhe nga Fejzo Peçi e Martin Cukalla, nga mjekët e njohur Çerçiz N. Myftari e Sefer Shehu, pedagogët Maliq Lila e Fejzi Elmazi, si edhe nga tërë qyteza minatore, për urtësinë e treguar, sakrificat e panumërta në punë, fjalë-maturinë etj. nuk është e tepërt të përmend se atë, si bashkëqytetar për shumë vjet me të, vetëm një herë e kam parë të veshur me kostum. Ai gjithnjë rrinte me kominoshe dhe çizme në qytet edhe mbas kthimit nga puna e tejzgjatur dhe e lodhshme, sepse mund të shkonte sërish atje nga çasti në çast. Për çdo defekt makinerish në galeri apo në fabrikën e pasurimit të qymyrit të atjeshëm, apo aksidenti në punë që lidhej me to,Kiçoja do të nisej i pari në frontin e punës për rrugëzgjidhjen sa më të shpejtë e për të evituar sa më tepër dëmtimet e minatorëve. Pak më lart, përmenda se vetëm një herë e pashë Kiço Zherdin të veshur me kostumin ngjyrëkafe: kur e takova tek agjencia e udhëtarëve, teksa po nisej në fshatin e lindjes së tij të dashur, në Tërbuq. Po shkonte në një përkujtimore që organizohej atë ditë atje për tre vëllezërit dëshmorë të LANÇ. Në Memaliaj Kiçoja u njoh me mësuese Xhulin dhe lindën vajzat Anila dhe Lida dhe djalin Alket.Ishte një çift për t’u patur zili për punën që secili kryente në sektorin përkatës duke fituar respektin dhe admirimin e qytetarëve të atjeshëm.Ishin të dy ata bashkëshortë që jetonin thjesht me një dhomë e kuzhinë me komshi familjar brenda. Me inxh.Kiço Zherdin kishe dëshirë të bëje një bisedë, sepse do të mësoje nga fjala e tij e matur, mendimi i pjekur e të pije një kafe në atë klubin e vetëm “Taverna” në Memaliaj. Edhe aty, ai përsëri na fliste për punën dhe sakrificat e minatorëve, ku ai ishte i gatshëm të nisej me urgjencë atje në galeritë e thella të minierës, si ai mjeku tek të sëmurët. Kiçoja punonte shumë, ndaj edhe fliste pak.”Ditët e punës, janë ditët e vetme në të cilat kam jetuar” – theksonte shkrimtari francez A. dë Myse. Ai kishte interesa të gjera si për familjen e shëndoshë, për shoqërinë dhe jetën. Gjente kohë të lexonte sadopak edhe literaturë artistike, përveç asaj të profesionit gjithaq të vështirë të inxhinierit mekanik. Po shqetësimet s’ishin ta pakta. Kur ndonjë nga aparatçikët dhe zyrtarucët partiakë donin ta denonconin Kiçon, kur ndodhte aksidenti, sigurisht jo për faj të tij, ai dinte t’i kalonte me pjekuri dhe punë të vazhdueshme, gjithmonë mes minatorëve të palodhur, të asaj miniere të madhe,e cila dikur ishte shpallur heroinë,duke u bërë ballë kështu veprimeve të stisura e keqdashësve të atyre njerëzve të veshur me pushtet. Vite më vonë kur tek ai u pa një kuadër inxhinierie i aftë e serioz,u tërhoq në Ministrinë e Energjitikës, si kryeinxhinier mekanik i minierave të Shqipërisë. Po nuk ishte e thënë. Punoi atje për pak muaj, se një sëmundje tinëzare dhe e rëndë, fatkeqësisht e mposhti trupin e tij të fortë dhe vullnetin e papërkulur. Le të jetë ky shkrim i shkurtër jo vetëm homazh për Krito Zherdin, i cili u nda nga jeta 35 vjet më parë (7 maj 1982), por edhe për të kujtuar gjithnjë me respekt të veçantë dhe veprën e tij nga ne dhe nga instancat shtetërore. Është vendi këtu, që këto të fundit, ta rivlerësojnë figurën dhe personalitetin e tij, sikurse edhe Bashkia e sotme e Memaliajt, që gjithashtu duhet ta bëjë këtë. Kiço Zherdi ishte dhe do të kujtohet si një intelektual i dashur, i thjeshtë,punëtor, i ndershëm dhe i sinqertë, një mik e shok për kokë, po para së gjithash ai ngelet një familjar shembullor dhe NJERI.
Sigal