Ismet Elezi/ Shteti dhe trashëgimia kulturore

1762
Festivali Folklorik Kombëtar, i zhvilluar në Gjirokastër (maj 2015) sipas traditës, shënoi një ngjarje të rëndësishme për ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore popullore mbarëshqiptare. Folklori, si burim popullor, në gjuhën shqipe ka përcjellë nga njëri brez te tjetri edhe norma të së drejtës zakonore shqiptare, të mbledhura e të botuara në kanunet shqiptare. Pikërisht se ekzistojnë këto lidhje të ngushta të gjuhës shqipe e folklorit me trashëgiminë kulturore juridike popullore, poet ii madh kombëtar At Gjergj Fishta, në parathënien e Kanunit të Lekë Dukagjinit (1933) e fillon me “randsin e folklores kombëtare. Folklora – asht pasqyra e kthjellët e psikës së kombit shqiptar”. Ky përkufizim i tij, shoqëruar edhe me mendimet e dijetarit të shquar Faik Konica, hedhin dritë për vlerat e mëdha të folklorit dhe të rolit të tij në mbijetesën e së drejtës zakonore në kanune. Folklori dhe kanunet kanë karakteristikë të përbashkët, sepse janë krijesa të mençurisë popullore, nga autorë anonimë (pleq zakoni, vjershëtarë popullorë, Kuvende burrash etj. Ky fakt provohet, veç të tjerash, me mbledhjen nga gojëdhëna popullore të normave të Kanunit të Maleve nga patrioti dhe dijetari Shtjefën Gjeçovi (fillimet e shek.XX). Fakt tjetër historik shërben shembulli i Kanunit të vjetër të Labërisë, për të cilin folklori popullor ka qenë burim kryesor dhe i vetëm që ndriçoi Kuvendin e Labërisë, i cili miratoi Shartet e Idriz Sullit (rreth gjysëm së dytë të shek.XVIII – fillimet e shek.XIX), shtesat e ndryshimet e reja, në mungesë të burimeve arkivore të shkruara. Karakteristikë tjetër e përbashkët e folklorit me të drejtën zakonore mbarëshqiptare është se, si në këngët popullore dhe në të drejtën zakonore vlerat e larta morale, kulturore e juridike (nderi, besa, miku, mikpritja, barazia e gjakut) kanë qenë mbarëshqiptare dhe u përjetuan si të tilla deri në kohën e sotme, pavarësisht se kombi ynë është ndarë padrejtësisht në pesë shtete.
Sigal

Vlerësimi shtetëror ndaj trashëgimisë kulturore

Shtrohet pyetja: Mirë që shteti organizon Festivalin Folklorik Kombëtar, po cili është vlerësimi shtetëror ndaj trashëgimisë kulturore juridike popullore kombëtare shqiptare, si dhe ndaj studiuesve të saj? Në përgjigje të kësaj pyetje, për të qenë sa më objektivë, gjatë periudhave historike 1920 – 1939; 1945-1990; pas viteve 90-të e deri në ditët e sotme, vlerësimi ka qenë i diferencuar në varësi nga faktorët politikë, shoqërorë, ekonomikë, arsimorë e kulturorë të secilës periudhë.
– Gjatë regjimit monarkik të Zogut, meritat historike kryesore për vlerësimin e trashëgimisë kulturore juridike popullore kombëtare shqiptare, meritat u takojnë Shtjefën Gjeçovit, patriotit dhe dijetarit, i cili mblodhi nga gojëdhëna popullore Kanunin e Maleve, si dhe klerit katolik Françeskan të Shkodrës, kryeqendra kulturore e Shqipërisë, që kodifikoi dhe botoi Kanunin e mbiquajtur “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (1933). Me botimin e këtij Kanuni u shfaq interesim i madh i studiuesve shqiptarë e të huaj, që u pasqyrua në botime artikujsh e librash. Veçanërisht pas përkthimit të tij në gjuhën italiane (S.Villari) u krijuan hapësira të gjera për njohjen dhe përhapjen e trashëgimisë kulturore juridike popullore në shtete të huaj. Për sa i përket vlerësimit të shtetit shqiptar të asaj periudhe për këtë trashëgimi kulturore juridike popullore mund të përmendet dalja e një dekreti të Zogut, me të cilin njihej fuqia ligjore e normave të kanunit për rregullimin e marrëdhënieve juridike të trashëgimisë. Në fakt ku ishte një hap mbrapa, derisa shteti kishte ligje në fuqi dhe autoritet shtetëror dhe vepronte kultura juridike profesionale pro evropiane perëndimore.
– Në periudhën 1945-1990, në shtetin socialist totalitar, vlerësimi ndaj trashëgimisë kulturore juridike popullore, për një kohë relativisht të gjatë, ishte qëndrim politik e ideologjik negativ, nën pretekstin e luftimit të zakoneve prapanike kundër kanunit dhe klerit katolik të Shkodrës.
Ky qëndrim filloi të zbutej në vitet 60-të. Me iniciativën e Fakultetit të Drejtësisë të Tiranës, në vitin 1965, u organizua një konferencë shkencore, me pjesëmarrje edhe të shkencëtarëve shqiptarë nga Kosova, kushtuar vlerave pozitive të Kanunit të Lekë Dukagjinit, shoqëruar edhe me kritika për ato norma të tjera që nuk pajtoheshin me ideologjinë e regjimit. Materialet e kësaj konference u botuan në një libër më vete “Referate e kumtesa” (1965). Konferenca bëri jehonë te studiues të tjerë, të cilët botuan artikuj të rëndësishëm, kryesisht studiues nga kryeqendra kulturore shqiptare – Shkodra, si dr. Emid Tedeskini, Zef Benussi, Vangjel Meksi etj. Por, ngjarja më e rëndësishme për trashëgimisë kulturore shpirtërore në tërësi dhe atë juridike popullore e kombëtare në veçanti, ishte Konferenca e dytë albanologjike, me pjesëmarrje të gjerë të studiuesve albanologë nga Kosova dhe shtete të tjerë, e zhvilluar në Tiranë në vitin 1968. Në këtë konferencë zuri vend të veçantë trashëgimia kulturore juridike popullore kombëtare shqiptare. Referatet kryesore kushtuar kësaj teme u mbajtën nga etnografi i mirënjohur prof. Rroz Zojzi, nga shkencëtari kosovar prof. Syrja Pupovci dhe nga autori i këtij shkrimi për historikun, përmbajtjen dhe sidomos vlerat kulturore të Kanunit të Lekë Dukagjinit – si monument i kulturës popullore e asaj juridike posaçërisht. Natyrisht këto punime të konferencës shënuan kthesë ndaj trashëgimisë kulturore juridike popullore, pa mohuar synimet e politikës që kërkonte të kthente në favor të saj se gjoja vlerësonte shumë trashëgiminë kulturore juridike popullore. Pavarësisht nga politika zyrtare shtetërore, me iniciativën e vetë studiuesve shqiptarë në Shqipëri e në Kosovë u botuan mbi 25 artikuj e libra me vlera kombëtare (lista e botimeve dhe e autorëve është paraqitur në librin e autorit “Zhvillimi historik i mendimit teoriko – juridik shqiptar” (2010). Trashëgimia kulturore juridike popullore shqiptare është pasuruar e njohur gjerësisht me botimet e shumta të autorëve të huaj, duke filluar me J.G. Hahn, Fb.Nopca, M.Shufjal, E.Durham, G.Valentini, I.Ivanova, e plot të tjerë. Analiza e këtyre punimeve përbën objekt të veçantë studimi.

Trashëgimia kulturore pas viteve nëntëdhjetë

Pas kalimit nga shteti socialist totalitar në pluralizmin politik, pas viteve 90-të e deri në ditët e sotme, me fitoren e lirisë së fjalës e të mendimit, ishte i natyrshëm interesimi më i madh për trashëgiminë kulturore juridike popullore kombëtare shqiptare. Por, dashur pa dashur, e vërteta historike nuk mund të fshihet e as të mohohet se ky interesim e vlerësim ndaj kulturës juridike profesionale i kushtohet krejtësisht iniciativës personale të studiuesve, gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, por jo politikës shtetërore. Këtë pohim e vërtetojnë faktet e mëposhtme. Kështu, krahas Kanunit të Lekë Dukagjinit, nga autorë shqiptarë, me nismën e tyre, u përgatitën dhe u botuan: Dy variante të Kanunit të Lekë Dukagjinit – varianti për Pukën (1997) dhe varianti për Mirditën (2002) nga Xhemal Meçi; Kanuni i Skënderbeut (1992) nga Frano Ilia; Kanuni i Dibrës (2003) nga Xhafer Martini; Kanuni i Labërisë (2006) nga Ismet Elezi; Kanuni i Kukësit (2009 nga Shefqet Hoxha, si dhe disa kanune të tjerë vendorë. Botimi i këtyre kanuneve është bërë me shpenzimet e autorëve ose me ndihmën e donatorëve të ndryshëm, por jo nga shteti. Bën përjashtim botimi i Kanunit të Labërisë, që u sponsorizua nga Ministria e Kulturës, kur ishte ministër z. Bujar Leskaj, i cili dha shembullin pozitiv unik të vlerësimit shtetëror ndaj trashëgimisë kulturore popullore kombëtare shqiptare. Fakt tjetër që tregon nivelin e pamjaftueshëm të vlerësimit shtetëror ndaj trashëgimisë kulturore juridike popullore shqiptare është ndërprerja e financimit të botimit të korpusit të së drejtës zakonore shqiptare, vëllimi i parë i të cilit ishte botuar nën kujdesin e Akademisë së Shkencave (1989). Po kështu mund të përmendet mosorganizimi i datave përkujtimore për figura të shquara në këtë fushë, duke filluar nga Gjeçovin. Atë që nuk bëri shteti ynë me rastin e 70 vjetorit të vrasjes së Gjeçovit (23 tetor 1999), e organizoi shqiptaro – amerikani, intelektuali dhe humanisti Gjekë Gjonlekaj, i cili në Nju Jork zhvilloi konferencë përkujtimore me pjesëmarrje ndërkombëtare. Nga Shqipëria morëm pjesë në konferencë At Zef Pllumi, Pal Doçi, unë dhe znj. Kaltin Imholz, amerikane që punon në Tiranë. Veç kësaj, z.Gjonlekaj me iniciativën dhe shpenzimet e tij siguroi përkthimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit në gjuhën angleze si dhe shpërndarjen në SHBA e në shtete të tjerë, duke bërë të njohur trashëgiminë kulturore juridike shqiptare. Ky shembull pozitiv i diasporës shqiptare në SHBA, shpresojmë e urojmë të shërbejë për Ministrinë e Kulturës e institucionet e tjera kulturore që të forcojnë më shumë lidhjet me diasporën dhe për vlerësimin e studiuesve shqiptarë të trashëgimisë kulturore juridike. Edhe përkthimi i Kanunit në gjuhën ruse nga studiuesja e njohur Julia Ivanova, ishte një akt me vlera për njohjen e së drejtës zakonore shqiptare nga rusisht folësit. Kanuni i Labërisë është përkthyer në gjuhën gjermane, por ende nuk është botuar. Kontribut të shquar në kulturën juridike shqiptare ka dhënë edhe studiuesi japonez Kazuhiko Yamamoto me botimin e tij “Struktura etike e kanunit”. Më tepër interesim e vlerësim meritojnë studiuesit e huaj që i përkushtohen trashëgimisë kulturore juridike shqiptare. Po japim për ilustrim edhe shembullin e znj. Lucia Nadin – studiuese e njohur italiane dhe të z.Oliver Schmidt, të cilët zbuluan vitet e fundit në arkivat e Venedikut Statutet e qytetit komunë të Shkodrës, të hartuar nga venedikasit sipas modelit të Statuteve të Ankonës, Milanos, Torinos, etj. dokument me vlera të jashtëzakonshme kulturore jo vetëm për qytetin – simbol të kulturës shqiptare, por për gjithë trashëgiminë kulturore juridike të shkruar shqiptare (që u përkasin fillimeve të shek XIV), përkthyer në gjuhën shqipe me kompetencë nga prof.dr. Pëllumb Xhufi. Dr. Musa Ademi zbuloi e botoi Statutin e Katedrales së Drishtit, në një libër me vlera kulturore e fetare. Statutet janë bërë objekt artikujsh, referatesh e kumtesash, por nuk është ndjerë zëri i organeve shtetërore të kulturës. Autorët mund të ishin nderuar me dekorata e shpërblime. Më këtë rast mendojnë se do të ishte në interes të shtetit të vihej një fond i caktuar në dispozicion të znj. Lucia Nadin, e cila vazhdon me përkushtim e ndjenja miqësore ndaj Shqipërisë, kërkimet në arkivat e Venedikut, për zbulimin e dokumenteve të tjera të rëndësishme. Puna shumë e dobishme e studiuesve shqiptarë të trashëgiminë kulturore juridike popullore, duke filluar nga brezi më i moshuar e deri te brezat më të rinj, si Ndue Dedaj, Xhemal Martini, Xhemil Muçi e plot të tjerë, nuk ka gjetur deri tani vlerësimin e duhur, as me dhënien e stimujve moralë për veprat e botuara. Në shtetin socialist totalitar ishte krijuar komision qeveritar dhe çdo vit bënte vlerësimin e veprave shkencore e artistike, letrare (me specialistë të kualifikuar) dhe vlerësonte e propozonte çmime të Republikës, të cilat jepeshin nga Këshilli i Ministrave. Në këtë shkrim bëhet fjalë për vlerësimin shtetëror ndaj trashëgimisë kulturore juridike popullore dhe ndaj studiuesve të saj, kurse për sa i përket Institutit të Antropologjisë (ish Instituti i Folklorit) ai ka dhënë kontribut të çmuar dhe gëzon përkrahjen e shtetit.

Përfundime për trashëgiminë kulturore

Nga sa u parashtrua më lart, dalin disa përfundime kryesore që mund të shërbejnë për një vlerësim shtetëror më të mirë e të vazhdueshëm edhe ndaj trashëgimisë kulturore juridike popullore si në fushat e tjera të kulturës shpirtërore.
1. Trashëgimia kulturore juridike popullore shqiptare, ashtu si folklori, gjuha shqipe etj. është pjesë përbërëse e kulturës kombëtare popullore shqiptare dhe meriton të ketë vlerësim shtetëror ndaj saj dhe ndaj studiuesve që i përkushtohen kësaj trashëgimie.
2. Format dhe mënyrat e vlerësimit shtetëror ndaj trashëgimisë kulturore juridike popullore janë të ndryshme e të larmishme, si organizimi i konferencave kombëtare e ndërkombëtare, trajtimi për vlerat kulturore të kanuneve shqiptare, sipas standardeve të kulturës bashkëkohore; vazhdimi i botimit të korpusit të së drejtës zakonore nën kujdesin e Akademisë së Shkencave; sponsorizimi nga shteti i veprave shkencore me vlera kombëtare etj.
3. Arritja e këtyre objektivave kërkon si kusht kryesor ndryshimin e koncepteve ndaj vlerave të mëdha që paraqet trashëgimia kulturore juridike popullore, iniciativë, vullnet, përgjegjësi.
4. Kujdesi dhe vlerësimi shtetëror ndaj trashëgimisë kulturore juridike popullore paraqet jo vetëm rëndësi historike, teorike, por edhe aktuale për të interpretuar sipas standardeve të kulturës evropiane këtë pjesë përbërëse të kulturës së saj, të njohur nga studiues të mëdhenj evropianë.
5. Vlerësimi shtetëror ka të bëjë edhe me studiuesit shqiptarë e të huaj, të cilët për veprat që botojnë të shpërblehen me stimuj moralë.
6. Trashëgimia kulturore juridike popullore na shërben edhe për të kuptuar e luftuar dukuritë negative, mentalitetet e së kaluarës, që ndeshen ende në zona të caktuara të vendit, si zakoni i mbrapshtë i gjakmarrjes, ngujimi i familjeve, etj.
Natyrisht roli dhe përgjegjësi kryesore bie mbi shtetin, i cili duke u mbështetur fort në shoqërinë civile, në ndihmën e komuniteteve fetare e në opinionin e shëndoshë publik, mund të arrijë në zhdukjen e plotë të këtyre dukurive negative. Shteti i së drejtës që po ndërtojmë në Shqipëri bazohet në sundimin e ligjit, barazinë përpara tij, në respektimin dhe zbatimin nga kushdo. Aty ku nuk vepron ligji, vepron Kanuni. Shteti qeveriset me ligje demokratike, të ndërtuara sipas standardeve evropiane dhe nuk ka arsye të lejohet të veprojë Kanuni. Duke ruajtur vlerat morale kulturore e juridike të trashëgimisë kulturore juridike popullore kombëtare, duke luftuar dukuritë negative të së kaluarës si dhe duke u mbështetur fort në kulturën juridike profesionale të standardeve evropiane, Shqipëria do të integrohet me dinjitet në Bashkimin Europian.