Ismail Kadare: Shqipëria tjetër e një artisti shqiptar

124
Në Itali jetojnë sot dy komunitete të mëdhenj shqiptarësh. Ai i lashti, për të cilin u fol më lart i integruar prej shekujsh në jetën italiane dhe ai i sotmi, i përbërë prej emigracionit të ri, dhe që po bën përpjekje, disa herë të dëshpëruara për të fituar të drejtën e një jete njerëzore me dinjitet
Lëvizja e njeriut mbi sipërfaqen e globit tokësor, dukuri e natyrshme e çdo qënieje të gjallë në kërkim të kushteve të përshtatshme për ekzistencë, me ndërlikimin e historisë së njerëzimit, u ndërlikua edhe ajo. Nga një çvendosje spontane e grupimeve njerëzore, me krijimin e kufijve dhe shteteve, ajo ndërroi natyrë. Në vend që të pengohej prej tyre ajo, përkundrazi, mori një karakter dramatik, duke arritur gjer te lufta, që në fund të fundit nuk është veçse një çvendosje e organizuar dhe brutale. Gadishulli Ballkanik, një ndër katër gadishujt pa të cilët nuk mund të kuptohet historia e Europës, e ka përjetuar kronikën e ngjarjeve europiane me një dendësi dhe dramacitet të veçantë. Me sa duket, nuk është e rastit që pikërisht ai e ka pjellë tragjedinë antike, atë skenë të ngushtë ku të gjitha ngjarjet e njerëzimit ngjishen e tkurren në mënyrë të frikshme. Dukuria e emigrimit, pra e zhvendosjes së lashtë njerëzore, ka marrë në Ballkan një peshë dhe hije të rëndë. Dy poemat e famshme homerike Iliada dhe Odisea, në një pikshikim të distancuar nuk janë veç përshkrimi i dy lëvizjeve: njëra, e ashpër dhe brutale drejt Lindjes, siç e jep Iliada, dhe tjetra, e brishtë dhe shpirtërore drejt Perëndimit, e përshkruar tek Odisea. Pa u zgjatur në histori, mund të thuhet se banorët e gadishullit kanë njohur një eksod masiv në shekullin XV, në prag të pushtimit otoman. Duke mos e kuptuar dot jetën nën një perandori të huaj dhe nën një fe tjetër, pjesë të tëra të popullsisë morën arratinë, shumica drejt Europës. Më pas, kur perandoria osmane u stabilizua në atë mënyrë, sa që dukej e përjetshme, lëvizjet e njerëzve brenda kufijve të saj, vetvetiu u çtendosën dhe morën trajtën e lëvizjeve të natyrshme brenda një shteti. Qenë shekujt XIX dhe XX ato, që bashkë me pavarësinë e vendeve ballkanike, sollën prapë në skenë dramacitetin e dikurshëm. Emigrimi në Perëndim, kryesisht në Amerikë, bashkë me horizontet e reja që hapte, u shoqërua nga shumë drama njerëzore. Popujt e gadishullit, e sidomos grekët e shqiptarët, në këngë të mallëngjyeshme që njihen si këngë të kurbetit, e kanë shprehur me art këtë brengë të re. Ndër vendet ballkanike, ai që në shekullin XX, ka njohur izolimin më të frikshëm, ka qenë Shqipëria e periudhës komuniste. Është e vështirë të gjendet në Europë një vend ku izolimi nga bota të ketë qenë kaq i gjatë, kaq i egër dhe i pashpresë. Është pasojë e këtij izolimi të paparë, ai shpërthim që ndodhi në prag të shembjes së diktaturës, ku dhjetra mijra shqiptarë sulmuan portet detare për të ikur drejt Italisë, imazh tronditës ky që këta dhjetë vjetët e fundit u shndërrua në një farë imazhi emblematik për Shqipërinë. Ishte e dyta herë që shqiptarët po suleshin drejt vendit fqinjë të përtejdetit, Italisë. Herën e parë kjo kishte ndodhur, siç u përmend më lart, në shekullin XV. Por ikja e parë ndryshonte kryekëput nga kjo ikje e dytë. Pesë shekuj më parë ishte elita e vendit, familjet e shquara, oficerët, klerikët, të cilët duke e parë pushtimin osman si një apokalips, braktisën shtëpitë, pronat dhe kështjellat e tyre. Kurse në vitin ’90 të shekullit XX, refugjatët ishin në shumicën e tyre njerëz të thjeshtë. Refugjatët aristokratë të shekullit XV u pritën me nderim në Itali nga princat dhe feudalët italianë, një pjesë e të cilëve kishin patur miqësi dhe aleancë me kryezotët e Shqipërisë. Refugjatët e shekullit XX, përkundrazi, u pritën me frikë dhe përçmim. Ata të shekullit XV konsideroheshin heronj të pararojës europiane, që mbrojtën krishtërimin. Këta të shekullit XX, quheshin halabakë, që nuk meritonin asnjë nderim. Të parët, zbritën nga anijet e tyre me armë, veshje, stolira, disa herë kambana të hequra nga kishat e të bartura me anije për të mos rënë në duart të osmanëve. Të dytët nuk kishin asgjë, veç ndonjë qese najloni me pak bukë e djathë e ndonjë shishe uji. Të parëve u caktuan zona e fshatra për t’u vendosur. Të dytët u rasën në barraka të mjera, si në kampe përqendrimi. Të parët jetuan me dinjitet midis popullsisë italiane, duke ruajtur nostalgjinë për atdheun e humbur. Të dytët u katandisën shpesh herë mos më keq, duke mallkuar gjithçka, e sidomos atdheun e tyre, Shqipërinë. Ishte e dhimbshme ikja e parë, ajo e shekullit XV, por kjo e dyta ishte dyfish e tillë, sepse bashkë me dhimbjen kishte me vete edhe turpin dhe përçmimin. Refugjatët shqiptarë të kohës moderne natyrisht që u traumatizuan nga kjo dramë e dyfishtë. Shumë prej tyre ranë në dëshpërim dhe prej dëshpërimit bënë veprime të palejueshme. Midis tyre kishte pa dyshim edhe halabakë, edhe keqbërës ordinerë të ikur nga burgjet, edhe kriminelë, edhe aventurierë të paskrupullt. Por do të ishte mizore që masa e të ikurve të identifikohej me ta dhe sidomos të identifikohej me ta krejt populli shqiptar. Për fat të keq, në shumë raste edhe në rrethe të caktuara ndodhi pikërisht ky keqkuptim i rëndë. Si rrjedhojë e këtij keqkuptimi një racizëm i paparë shpërthen në disa vende të Europës e sidomos te dy vendet fqinjë Greqi e Itali. A ishte i përligjur një racizëm i tillë? Autori i këtyre radhëve nuk do të donte kursesi të bëhej avokati i bashkëkombasve të vet për akte të dhunshme nga morali universal. Banditizmi shqiptar, mafia shqiptare, proksenetët shqiptarë të prostitutave, përpara se të jenë armiq të vendeve ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre të neveritshme, janë armiq të betuar të popullit të tyre, pra të popullit shqiptar. Duke e nxirë imazhin e këtij populli, ata e kanë penguar realisht Shqipërinë, në rrugën e saj drejt familjes së madhe europiane. Si të tille ato duhej të dënoheshin në radhë të parë dhe me vendosmëri të pamëshirshme pikërisht në Shqipëri. Në qoftë se kjo ka raste që nuk ka ndodhur, për këtë nuk ka faj populli shqiptar, por administrata e tij e dobët dhe shpesh e çoroditur në këto 10 vjet të tranzicionit. Përsa i përket opinionit publik dhe opinionit mbarëshqiptar, të gjitha këto pjella të zeza të shoqërisë shqiptare, janë të dënuara unanimisht. Mjafton të kujtojmë rastet e shumta, kur në mungesë të efikasitetit të gjykatave, djem të rinj shqiptarë, i kanë ekzekutuar shpesh kroksenetët e motrave të tyre, të bëra prostituta në trotuaret e Milanos apo të Romës. Sensi autokritik që karakterizon sot opinionin publik shqiptar, një sens jo fort i shpeshtë në Gadishullin Ballkanik, është një shenjë e sigurt emancipimi. Duke kritikuar me forcë vetveten ky vend dëshmon një vullnet dhe vendosmëri për t’i thënë lamtumirë shumë veseve e të keqijave të tij. Vendet fqinje, e sidomos Italia, bregu i parë perëndimor që mishëronte Europën, mund të lozte një rol të ndjeshëm në këtë process emancipimi. Në këtë aksion e fundit gjë që do të këshillohej do të ishte racizmi. Duke iu rikthyer idesë se shqiptarët nuk janë ëngjëj do të shtonim se nga ana tjetër nuk ka pse të teprohet e keqja, në prehrin e së cilës shumë prej tyre kanë rënë pre. Është jo fort e besueshme që mafia shqiptare, më e reja në Europë, të sundojë mafian europiane. Në një film fare të ri perëndimor, kjo mafia përshkruhet si rreziku numër një i kontinentit, madje simbolikisht tregohet se si përpiqet të pushtojë Strasburgun! Dhe gjërat shkojnë aq larg sa që personazhet e filmit bëjnë thirrje që francezë e arabë të bashkohen kundër shqiptarëve! Mendoj se duke e luftuar pa mëshirë mafien shqiptare dhe trafikantët shqiptarë në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe sferat e politikës, duhet ta ndajmë atë përfundimisht nga imazhi i popullit shqiptar, historia dhe moraliteti i të cilit jo vetëm s’kanë asgjë të përbashkët me këtë mafie, por janë në kundërshtim të plotë me të. Shqipëria shpreson, se fqinja e saj e afërt Italia, në tokën e së cilës kanë gjetur strehim dhe punë dhjetra mijëra shqiptarë, do të lozi një rol për shpërndarjen e mjegullës që rrethon sot imazhin e popullit shqiptar dhe për zëvendësimin e keqkuptimit me mirëkuptimin. Për këtë gjë janë të gjitha kushtet dhe rrethanat, duke filluar nga ato historiket e gjer në ditët tona. Një kronikë e gjatë miqësie e bashkëpunimi ekonomik, politik, kulturor e ushtarak i ka lidhur të dy vendet, gjatë fundit të mesjetës dhe fillimit të kohës së re. Ka qenë e zakonshme në ato kohë që dërgatat zyrtare, misionaret fetare, karvanet e tregtisë, e sidomos trupat ushtarake të lëviznin nga njëri vend te tjetri, shpesh duke luftuar bashkarisht, nën të dy flamurët italianë e shqiptarë, kundër kërcënimit otoman që vinte nga Lindja. Lidhjet e krishtërimit shqiptar me kishën e Romës dhe me kulturën e kohës kanë qenë të tilla që edhe pas shkëputjes së Shqipërisë nga Europa dhe kthimit të saj në një provincë otomane, një letërsi e tërë dygjuhëshe, shqip e latinisht, e krijuar nga dhjetra shkrimtarë laikë e fetarë, e mbajtën gjallë për më shumë se katër shekuj frymën e kulturës europiane. Ka qenë ndoshta kujtimi i largët i kësaj kronike, ai që bëri që edhe kur kanë ndodhur akte fatkeqe si ai i pushtimit të Shqipërisë prej Italisë në shekullin XX, ky pushtim nuk u shoqërua me ndonjë armiqësi të thellë midis dy popujve. Vërtetimi i kësaj ishte qëndrimi human i shqiptarëve ndaj dhjetra mijëra ushtarëve italianë të mbetur në Shqipëri, në mëshirë të fatit, pas kapitullimit të Italisë. Një tjetër rrethanë që do të duhej të lehtësonte mirëkuptimin e dramës shqiptare pas rënies së komunizmit, ishte fakti që vetë italianët e emigruar nëpër Europë e nëpër botë, vite më parë, kanë përjetuar në shpinën e tyre atë poshtërim që pësojnë sot shqiptarët në disa vende, e pikërisht në Itali. Le të shpresojmë që nuk do të përsëritet dukuria e njohur kur viktima kërkon të viktimizojë dikë tjetër, por të ndodhë e kundërta. Ky album fotografish, vepër e fotografit të shquar e të talentuar shqiptar Roland Tasho, i bërë me mjeshtëri të lartë e sidomos me dhembsuri për racën njerëzore, asaj race që i përkasim të gjithë papërjashtim, pavarësisht nga pasaportat që mbajmë, është dëshmi e një vullneti të qartë për të kapërcyer urat e ndarjes e për të shpërndarë mjegullën e keqkuptimit pikërisht në Italinë e afërt. Në Itali jetojnë sot dy komunitete të mëdhenj shqiptarësh. Ai i lashti, për të cilin u fol më lart i integruar prej shekujsh në jetën italiane dhe ai i sotmi, i përbërë prej emigracionit të ri, dhe që po bën përpjekje, disa herë të dëshpëruara për të fituar të drejtën e një jete njerëzore me dinjitet. Autori i albumit është përpjekur dhe ia ka dalë që të japi një mozaik portretesh të këtyre njerëzve që quhen shqiptarë, e që për fat të keq, zgjojnë shpesh herë ftohtësi, mosbesim e frikë në gadishullin apenin. Me një kamera të ndershme, pa u përpjekur të idealizojë njerëzit e kombit të vet dhe pa i paraqitur në dritë të rreme rozë, Roland Tasho, ka dhënë në radhë të parë të vërtetën. Këta njerëz janë si gjithë të tjerët, me po atë pamje që kanë europianët e tjerë, me po ato aftësi e me po ato mundësi. Ata, ashtu si gjithë bota, janë të profesioneve të ndryshme, të karrierave të ndryshme, disa të shquar e me plot sukses, të tjerë me një jetë modeste. Komuniteti shqiptar në Itali ka midis tij njerëz të kulturës e të profesioneve nga më të ndryshme, mjekë, gazetarë, balerinë, inxhinierë, studentë, piktorë, biznesmenë, instrumentistë, etj etj. Përveç gazetave të komunitetit të lashtë arbëresh, po krijohen organizma të reja kulturore, grupe muzikore, gazeta si Bota Shqiptare, shoqata etj. Është ky komunitet i madh normal, që përfaqëson popullin shqiptar, e jo gangsterët shqiptarë, që zënë një vend të bujshëm në kronikën e zezë. Për fat të keq, në botën e sotme, në kushtet e informimit televiziv ngjarjet e bujshme sensacionale mund të errësojnë të vërtetën e jetës tjetër, atë që rrjedh pa zhurmë e pa daulle. Le të shpresojmë që ky album i krijuar nga një fotograf shqiptar, e i përkrahur nga Ambasada e Italisë dhe Instituti Italian i Kulturës në Tiranë do të luajë atë rol fisnik, që është një nga cilësitë kryesore të artit.