Ismail Kadare merr çmimin “Ali Podrimja”, ja si janë njohur dy liderët e letërsisë

624
Sigal

Shkrimtari shqiptar takohet edhe me presidenten Jahjaga: Kombi shqiptar e ka gjeografinë e vet, vendin dhe historinë e vet në Evropë

Shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare është nderuar dje, në Prishtinë me çmimin që mban emrin e poetit të njohur të Kosovës, Ali Podrimja. Kadare është lindur në Gjirokastër, ndërsa Podrimja në Gjakovë. I pari është lindur në vitin 1936 dhe i dyti, në vitin 1942, pra 6 vjet më vonë. Sipas prurjeve në letërsinë kombëtare, të dy mjeshtrat e mëdhenj e kanë garantuar pavdekësinë, me mrekullinë që kanë krijuar. Ismail Kadare u lind më 28 janar 1936 në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm; më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960). Ismail Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe gjithashtu, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore bashkëkohore. Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore. Ali Podrimja u lind më 28 Gusht, 1942 në Gjakovë, Kosovë, ku pati një fëmijëri të vështirë. Ali Podrimja është autor i më shumë se dhjetë vëllimeve me poezi dhe mbahet sot nga kritika si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare dhe si një poet me emër dhe në shkallë ndërkombëtare. Kadareja e pëlqente shumë figurat letrare të Podrimjes, ndërsa Podrimja, e lavdëronte shumë Kadarenë. Të dy janë njohur pas vitit 1965, atëherë kur Kadare ishte në kulmin e fillimeve të tij, dhe kur Podrimja, sapo kishte filluar të shkëlqente. Njohja e tyre në fillim është bërë nëpërmjet, poezive, pastaj janë takuar edhe fizikisht, në forumet letrare e gjuhësore.

Çmimi

Në takimin e djeshëm, të mbajtur me këtë rast, shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare, tha se kombi shqiptar ka gjeografinë, historinë dhe qytetërimin e tij, pjesë të qytetërimit europian dhe debatet që nxiten rreth kësaj çështjeje janë absurde. Ai i bëri këto komente gjatë një ceremonie në kolegjin universitar AAB në Prishtinë ku ju nda çmimi “Ali Podrimja”, një çmim i ndarë për herë të parë në kujtim të poetit Podrimja, i cili ndërroi jetë verën e kaluar në Francë. Kadareja, që ishte mik i shkrimtarit të ndjerë, tha se, së bashku kishin diskutuar shpesh për detyrimet që kanë kultura dhe letërsia më kombin. “Letërsia nuk rregullon punët e një kombi, letërsia nuk rregullon punët e një shteti, nuk rregullon punët e partive prandaj ajo është mirë që të qëndrojë jashtë tyre, ajo ka vlerë, si vlerë e pavarur në radhë të parë, si një vlerë paralele, si një botë paralele. Por, ka stinë në jetën e popujve kur kanë nevojë për të dhe atëherë letërsia e thyen zakonin e saj të pavarësisë dhe përzihet në punët e kombit, kështu është përzier letërsia shqipe në 120 vjet përpara, në 150 vjet përpara në kohën e Rilindjes Kombëtare, kështu duhet të përzihet përsëri kultura shqiptare sot kur kombi shqiptar ka një problem tepër serioz”,- tha ai.

Kadare, takim me Presidenten Jahjaga

Kadare, i cili dje, takoi edhe Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se kombi shqiptar ka një problem me kontinentin e vet evropian dhe është i vetmi komb, ndaj të cilit ka pasur përpjekje për të nxjerrë nga kontinenti. Ai tha se ende ngrihen pikëpyetje nëse ai e ka vendin apo jo në Europë dhe diskutimet e tilla janë të rrezikshme. “Kombi shqiptar e ka gjeografinë e vet, vendin e vet në Evropë, historinë e vet e ka në Europë, qytetërimin e ka pjesë të qytetërimit evropian dhe nuk ka pse të shtrohet ky absurditet që është makabër po ta shikosh nga një anë të një populli a duhet të jetë në Evropë apo duhet të dëbohet. Në pjesën e tij më barbare formulimi është bërë i tillë që kombi shqiptar se ka vendin këtu dhe nuk është keq që të dëbohet nga kontinenti. Kjo kaherë është quajtur shpërngulje, herë dëbim dhe drama e fundit ka qenë para katërmbëdhjetë vitesh ku u bë përpjekja e fundit për ta përgjysmuar një pjesë të tij, për ta nxjerrë nga Evropa”, tha Kadare. Por, ai shtoi, se vështirësitë e mëdha në histori nuk e bëjnë kombin shqiptar të pafat. “Kombet si çdo gjë janë të vdekshëm dhe ata që janë të gjallë do të thotë që ata kanë triumfuar mbi një të keqe të madhe që e sulmon gjithmonë kombin. Është e natyrshme që kombet të sulmohen, në mënyrë të paparashikueshme nga lloj- lloj rrethanash, shpesh nga vetvetja, e ky është sulmi më i rrezikshëm”, tha Kadare. Ndarja e çmimit për Ismail Kadarenë, sipas kryetarit të komisionit Ibrahim Berisha mbështetet në shumë arsye. “Një arsye është për paraqitjen e një Shqipërie me gjithë identitetin dhe kulturën e saj në një mënyrë deri atëherë të panjohur e deri sot e mbase përgjithnjë krejt të papërsëritshme, për pjesën tjetër të globit. Një arsye tjetër mund t’i takojë lexuesit jo-shqiptar dhe atij shqiptar që mbahet me kozmopolit. Ai do të thoshte arsyen pse Kadare duhet shpërblyer pasi letra e tij e pasur përplot shkrime fantastike spikatëse është vendi i vetëm ku pati gjetur strehën qenia e përkatësisë dhe ideja e lirisë, andaj juria e Universitetit AAB-së ka nderin dhe kënaqësisë që çmimin ndërkombëtarë për letërsi “Ali Podrimja t’ia japë shkrimtarit Ismail Kadare”, tha Berisha. Duke i dorëzuar çmimin shkrimtarit, rektori i kolegjit AAB, Lulzim Tafa, tha se një veprim të tillë do ta bënte edhe poeti Podrimja. “Duke e ditur edhe vlerësimin që Podrimja e ka pasur për Kadarenë, jam i sigurt se po të kishim pasur mundësinë ta pyesnim vet Podrimjen se kush do të mund të ishte fituesi i çmimit të parë për letërsi që mbanë emrin “Ali Podrimja”, ai do të thoshte Ismail Kadare”.