Ismail H Xhaferri: Kam lindur për deputet

771
Kjo nuk është demokraci 
Por ështe një vepër e pistë
Kryetari palo burrë
Që nuk më vuri në listë !
Qaj me ditë e qaj me natë 
Kjo që ndodhi është hata, 
Se karrige deputetit
Për mua ishte gjithçka.
Kryetari shumë i poshtër, 
Tash asgjë nuk i ka hije, 
Deri sa nuk jam në lista,
E shaj me libër shtëpie.
Kryetar, o i pashpirt 
Që më dole palo burrë, 
Karrigen mos e gëzofsh!
Zgjedhjet mos i fitofsh kurrë!
Ndaj do flas e do gjëmoj 
Ashtu siç gjëmon shpesh det,i 
Unë kam lindur që të vdes, 
Në karrige deputeti.
Asgjë s’duhej të ndryshohej, 
Sepse fati shpejt është shkruar, 
Unë kam lindur të votohem, 
Populli, për të votuar.
Nuk e prisja këtë gjëmë,
Kontrata tani u prish,
Erdhi dita, erdhi ora, 
Të ndërroj parti sërish!
Kush s’e di, le ta mësoje,
Se unë jam një ujk i vjetër,
Që nga 92-shi
Nuk kam bërë asnjë punë tjetër.
Që nga 92-shi,
Mora zemër mora forcë, 
Unë kam lehur e do leh,
Për atë që më jep kockë.
Që nga rrëzimi PP-së,
Gur mbi gur kurrë skam lënë, 
Në karrige deputeti, 
Bythët kallo më kanë zënë.
Këtë herë më fshinë nga lista, 
Për së gjalli më kanë tretur, 
Eh ç’ma nxorën bojën fare, 
Dhe pse bojë s’më ka mbetur.
Jo mor jo, nuk do të hesht,
Do ndërroj sërish parti, 
Ç’kam pështyrë në katër vite, 
Erdhi ora ta lëpij.
Qofsh mallkuar kryetar 
Që të ulem në timon! 
Pse s’më le dhe katër vite, 
Sa të dilja në pension…?
Sigal