Ismail.H. Xhaferri: Riktheni në detyrë kriminelët!

521
Sigal

Të lirohen kriminelët!

 Drejtësia s’ka pse pret!

 Burgjet s’janë për kriminelët!

Burgjet janë për fukarenjtë.

 

 

Të lirohen kriminelët!

 Kjo është detyra e parë.

Punë e madhe, se kanë prerë,

Punë e madhe se kanë vrarë!

 

 

Mbushni burgjet me të varfër,

Se Evropa nuk na pret.

 Fukarenjtë e këtij vendi,

 Janë kriminelë të vërtetë.

 

Mos u merrni me Gërdecin!

U mbyll ajo histori!

Kriminelë janë ata,

Që s’paguajnë energji.

 

Mos u merrni me Gërdecin!

Tani të gjithë e kanë parë,

 Se fajtorët e vërtetë

 Janë 26 të vrarë.

 

Për 21-Janarin ,

Drejtësia s’ka se ç’flet .

Gjithë pjesëtarët në miting,

Kishin çadra pistoletë.

 

S’janë asgjë katër të vrarë,

Shyqyr që puna s’u trash,

 Sepse çadrat pistoletë,

Bëjnë kërdinë si kallash.

 

Të lirohen kriminelët!

Si gjithnjë dhe këtë herë

 Dhe të mbushen burgjet plot,

Me shitësa e me berberë.

 

Të lirohen kriminelët

Me një shpejtësi rrufeje

Dhe të mbushni burgjet plot

Kush ndërton kotec pa leje

 

Të lirohen kriminelët!

Kur djeg qulli, fryni kosit

Dhe të mbushen burgjet plot,

Me shitëset e majdanozit.

 

Mbushni burgjet me të varfër!

Drejtësia po gabon,

Se desh burgosi Fullanin,

Se vodhi 700 milionë.

 

Mbushni burgjet me të varfër,

Sepse boll liri u dhatë!

Mos fusni grabitës bankash,

 Sepse do bëni mëkat.

 

Mbushni burgjet me të varfër!

Mos lëshoni asnjë qime!

Burgosni barinj e bujqër,

Që nuk paguajnë tatime.

 

Hallexhinjtë, të gjithë në burg!

 Që ligjit t’i vihet vula.

Të burgosen dhe fshatarët

 Që pa leje therin pula.

 

 

 

Mbushni burgjet me të varfër!

Jepni liri për kusarët!

Ktheni vrasësit në detyrë!

Rrisni rrogat për gjyqtarët!

 

Të lirohen kriminelët!

 Nga Vermoshi gjer në Dropull .

Burgjet s’janë për kriminelët,

Burgjet JANË vetëm për popull.