Ismail H. Xhaferri: Kam lindur për deputet

556
Kjo nuk është demokraci,
Por është një vepër e pistë
Kryetari palo burrë,
Që nuk më vuri në listë.
Qaj me ditë e qaj me natë.
Kjo që ndodhi është hata,
Se karrige deputetit
Për mua ishte gjithçka.
Kryetari shumë i poshtër,
Tash asgjë nuk i ka hije,
Deri sa nuk jam në lista
E shaj me libër shtëpie.
Kryetar, o i pashpirt
Qe më dole palo burrë
Karrigen mos e gëzofsh,
Zgjedhjet mos i fitofsh kurrë!
Ndaj do flas e do gjëmoj
Ashtu siç gjëmon shpesh deti.
Unë kam lindur që të vdes
Në karrige deputeti.
Asgjë s’duhej të ndryshohej,
Sepse fati shpejt është shkruar:
Unë kam lindur të votohem,
Populli për të votuar.
Nuk e prisja këtë gjëmë!
Kontrata tani u prish.
Erdhi dita erdhi ora,
Te ndërroj parti sërish.
Kush s’e di, le ta mësojë,
Se unë jam një ujk i vjetër.
Qe nga 92-shi
Nuk kam bërë asnjë punë tjetër.
Që nga 92-shi
Mora zemër, mora forcë.
Unë kam lehur e do leh
Për atë që më jep kockë.
Që nga rrëzimi PP-së
Gur mbi gur kurrë s’kam lënë.
Në karrige deputeti
Bythët kallo më kanë zënë.
Këtë herë më fshinë nga lista
Për së gjalli më kanë tretur.
Eh ç’ma nxorrën bojën fare
Dhe pse bojë s’më ka mbetur
Jo mor jo, nuk do të hesht!
Do ndërroj serish parti.
Ç’kam pështyrë ne katër vite
Erdhi ora ta lëpij.
Qofsh mallkuar kryetar
Që të ulem në timon
Pse s’më le dhe katër vite
Sa të dilja në pension…?!
Sigal