Islam Spahiu: Dostojevski, ky gjeni me aktualitet të përhershëm

781
Për gjenialitetin e Fjodor Mihailoviç Dostojevskit kanë dëshmuar mendimtarë të shquar të kulturës botërore. Mjafton të citojmë disa prej tyre për ta kuptuar këtë. Me rastin e 194-vjetorit të lindjes së tij, më 30 tetor 1821, në shenjë homazhi për këtë njeri kaq të madh, do të kujtojmë veprën dhe jetën e tij që la gjurma të pashlyeshme, jo vetëm në letërsinë ruse po edhe në atë botërore. Duke përshkuar me jetën e tij, përvojën e një kalvari fantastik, të një realiteti, të cilin ai vetë e përcaktoi më fantastik se vetë fantastikja, ky njeri sikur kish lindur me një mision mesianik nga Providenca për t’i zbuluar njerëzimit të vërtetën e tij. Në këtë mënyrë ai u bë “kapërcyes i kufijve” të natyrshëm e, “kudo unë i kam kaluar kufijtë” – shkruan ai me krenari në një letër ku akuzon veten, – “kudo”. E për këtë Stefan Cvajg thotë: “Thuajse është e pamundur të numërohen gjithë veprimet e tij, bredhjet mbi kreshtat e akullta të mendimit, zbritjet në burimet e fshehta të pavetëdijes e, si të thuash, ngjitjet prej somnambuli në majat marramendëse të vetënjohjes. Pa këtë kapërcyes të madh të çdo mase, njerëzimi do ta njihte më pak. Sekretin e tij origjinal, do të ishte larg asaj që nga lartësia e veprës së tij, ne sot shohim në të ardhmen. E për “kapërcyes të kufijve” në kuptimin që “ai s’ka fund”, Cvajgu ka zgjedhur një shprehje nga vepra e Goetes: “Ngaqë ti nuk mund të kesh fund, prandaj je i madh”.
Stefan Cvajgu për Dostojevskin
Siç dihet, Stefan Cvajg qe autori i një vargu veprash, një cikli vëllimesh me titull “Ndërtuesit e Botës” e si nëntitull të çdonjërit prej tyre figurojnë tre emra, si kampionë të asaj fushe. Në fushën e romanit ai ka shkruar vëllimin me titull “Tre mjeshtër” dhe si nëntitull emrat: Balzak, Dikens, Dostojevski. Në parathënie ai shpjegon: “Me kënaqësi do t’u kisha shtuar këtyre figurave, të një francezi, të një anglezi dhe të një rusi, atë të përfaqësuesit të romanit gjerman, të një romancieri, në kuptimin e lartë që unë i jap kësaj fjale, të një ndërtuesi të botës epike, por nuk e gjej të radhës së parë, qoftë bashkëkohor, qoftë i së kaluarës”. Në vëllimin që kemi parasysh ai ka shkruar nga një kapitull për Balzakun dhe Dikensin, ndërsa për Dostojevskin dhjetë. E megjithatë ai thotë: “Për këtë pamjaftueshmëri të pashmangshme, më vjen keq veçanërisht për Dostojevskin, masa e pafund e të cilit, si ajo e Goetes, nuk mund të përfshihet kurrë në një formulë, qoftë ajo më e gjëra”.
Në Francën e sotme, është botuar një “Nouveau Dictionaire Des Anteurs – de tous los temps et de tous le pays” – (Diksioner i Ri i Autorëve – i të gjitha vendeve e i të gjitha kohëve) – ku, në fund të biografive të autorëve më të mëdhenj janë vënë dëshmitë e kritikëve e të specialistëve më të shquar të fushës përkatëse. Është shumë interesante të shkëpusim disa, ata që janë thënë për Dostojevskin. Vepra e Dostojevskit ushtroi një influencë të madhe mbi letërsinë botërore. Nën ndikimin e tij qenë autorë të mëdhenj si: Albert Kamy, Gabriel Garsia Markez, Marsel Prust etj. Ndërsa Albert Einstein, i cilësuar tashmë si një nga gjenitë më të mëdhenj që ka njohur njerëzimi, ka deklaruar: “Dostojevski më ka dhënë më shumë se çdo mendimtar tjetër, më shumë edhe se Gausi”. 
Niçe për gjeniun rus
Po e vazhdojmë me Niçen: “Për problemin që kemi përpara, rëndësi ka dëshmia e Dostojevskit, e të vetmit psikolog (për të thënë dhe më) nga i cili kam mësuar diçka: ai i përket rastit më fatlum të jetës sime, më shumë se vetë zbulimi i Stendalit” (Perëndim i idhujve 1888). Pastaj Knut Hamsun: “Asnjë nuk e ka zbërthyer përbërjen e komplikuar të njeriut si ai; mendimi i tij psikologjik është i jashtëzakonshëm, profetik. Për vlerësimin e madhështisë së tij na mungon masa; ai qëndron vetëm. Bashkëkohësit e tij deshën ta masin por dështuan; ai qe shumë pa modesti, i madh…” (I veturland 1903). Ndërsa Andre Gide, i cili i ka kushtuar një vepër: “Akoma e zë horizontin figura e pamasë e Tolstoit; por ndonjë shpirt i shkathët do të ketë vërejtur mirë ndoshta se si, duke kaluar në vendet malore, i largohesh majës më të afërt e cila mbulon fqinjën e saj, kur e kalon atë, atëherë e sheh të dalë në pah ajo që ish e fshehur më parë – ashtu si vigani Tolstoi duket përsëri Dostojevski dhe bëhet më i madh. Ai është maja e mbuluar ende përgjysmë, hallka e fshehur e zinxhirit. Ato rrjedha të mëdha ku mund të shuajë etjen Evropa e sotme, aty e kanë burimin. Atë, e jo Tolstoin mund ta vendosim pranë Ibsenit dhe Niçes; ai është po aq i madh sa ata e ndoshta më i rëndësishmi nga të tre” (Dostojevski sipas korrespondencës së tij). –
Leon Daudet: “Nuk është gabim të thuhet që është një mbret, i një esence dhe cilësie të tillë që tek modernët është vetëm ai me të cilin mund të krahasohet Shekspiri…. Mundet që ai të jetë, pas Shekspirit dhe Eskilit, njeriu që ka zbritur më thellë, më ashpërsisht në humnerën e zemrave e të trupave”. Berdraiev: “Vlera e Dostojevskit është aq e madhe sa i mjafton popullit rus t’i përmendë emrin për të justifikuar ekzistencën e vetë në Botë; Dostojevski do të dëshmojë për të në Gjyqin e Fundit të popujve”. 
Aktualiteti i përhershëm
Deri këtu u munduam të sjellim vargun e dëshmimeve që vërtetojnë gjeninë e Dostojevskit. Tani do t’u drejtohemi fakteve që vërtetojnë aktualitetin e tij të përhershëm. Gjithë analistët, gjithë studiuesit, gjithë kritikët duke përfshirë këtu edhe kundërshtarët e tij ideologjikë, janë të një mendjeje se Dostojevski qe pararendës i së ardhmes, më në fund një profet. Nuk është pa interes të përmendim këtu pikëpamjen e Lunaçarksit, ministër i Arsimit Publik në kabinetin e Leninit. Ai ka pohuar që: Dostojevski kurrë nuk ka pasur një rëndësi kaq të madhe në Perëndim sesa kohët e fundit. [….]. Në Gjermani, p.sh., Dostojevskin e lexojnë dhe e studiojnë si asnjë shkrimtar tjetër në Botë. I pajisur me një gjenialitet të sëmurë, ai krijoi monumente letrare gjigante, që pasqyrojnë me forcën më të madhe shqetësimet e qytetarit të mesëm e të vogël në furtunat e lindjes dhe transformimit kapitalist. Rëndësia e këtyre monumenteve, si dokumente historikë, nuk ka për t’u zhdukur kurrë”. 
E këta mendimtarë që përmendëm, sigurisht janë bazuar në efektin që ka pasur vepra e Dostojevskit në realitetin që kanë përjetuar. Me pak vullnet edhe ne do ta konstatojmë këtë, jo vetëm po ta lexojmë por edhe të hulumtojmë në veprën e tij madhore. Mjaftojmë të shfletojmë një nga kryeveprat e tij; p.sh. Idiotin me protagonist princin Mishkin. Ky është një i sëmurë psikik, nga idiotësia dhe njëkohësisht nga epilepsia. Natyra e tij është e pastër shpirtërisht, me intelekt të hollë që shkon gjer në lartësitë sublime; është një Krisht, simbol i mirësisë së përsosur siç besonte Dostojevski. 
Paralajmërimi për Rusinë cariste
Në buzët e tij autori vë të vërteta profetike që nuk mund t’i thotë një njeri i rëndomtë. Dhe ja konkretisht: Në një nga sallat më luksoze të Shën Petërsburgut, bëhej një pritje nga përfaqësuesit e shoqërisë së lartë të Rusisë së asaj kohe. Aty merrte pjesë edhe princi Mishkin. Gjatë darkës, princin e zuri kriza epileptike. Në këto raste, pak para atakut atij i vinte një ndriçim mendjeje e pazakontë dhe ekzaltohej duke shprehur ato që kishte në thellësitë e shpirtit, profetizonte. Me këtë rast ai u tha përfaqësuesve të aristokracisë së lartë: “Nuk duhet të shqetësohemi pse jemi qesharakë, të lehtë, kemi zakone të këqija, mërzitemi, nuk dimë të shohim, e jemi të gjithë kështu: ju, unë, ata. Ju tani nuk po ofendoheni në qoftë se jua them në fytyrë që jeni qesharakë! […]. Unë trembem për ju të gjithë. Jam vetë unë një princ i një dere të lashtë e këtu jam mes princash. Po flas për të shpëtuar të gjithë ne, që shtëpia jonë të mos zhduket kot, në errësirë, pa kuptuar asgjë, duke dënuar gjithçka, e pastaj duke humbur gjithçka. Pse të zhdukeni e t’i lëshoni vendin të tjerëve, kur është e mundur që të mbeteni persona të përparuar dhe në krye?”.

E ky qe një paralajmërim për aristokracinë cariste e cila kishte dhënë shenja degjenerimi dyzet e ca vite më parë se të shpërthente Revolucioni bolshevik i 1917. Veç këtu morëm si shembull vetëm një episod prej njerëz vepër madhore të Dostojevskit. Të tilla profecira të mahnitshme i gjen thuajse në të gjitha veprat e tjera, sidomos në Krim e Ndëshkim, Djajtë dhe në vëllezër Kasamazof me ato faqe të fuqishme të Inkuizitorit të Madh. Me këto që dimë (sigurisht jo mjaftueshëm) u munduam të përkujtojmë gjeninë e Dostojevskit, i cili ngriti për vete atë monument për të cilin Horaci tha që është “….më e qëndrueshme se tunxhi dhe më e lartë se piramidat e pamasa mbretërore; këtë përmendore as shiu rrënues, as murrlani i tërbuar, as vargu i pambarim i viteve, as rryma e kohëve nuk do të mundnin ta rrënonin”. E tillë është edhe vepra e pavdekshme e Dostojevskit.
Sigal