Isamil Kadare sot mbush 79 vjeç, jetë të gjatë penëarti ynë!

730
Sigal

Është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë botërore bashkëkohore

Shkrimtari i madh Kadare sot mbush 79 vjeç. Një jetë të tërë me penë në dorë duke e lartësuar emrin e Shqipërisë. Veprat e tij sot janë përkthyer në të gjitha gjuhët e botës dhe çdo shqiptar krenohet me emrin e tij. Për nga numri i veprave dhe për nga niveli artistik, Kadareja ndoshta përbën sot një shkrimtar tepër të rrallë. Kritika botërore e ka cilësuar, shkrimtari i madh i një vendi të vogël. Për mëse 55 vjet ai është një shkrimtar që sfidon kohën dhe rrezaton dije për të gjithë krijuesit. Ismail Kadare është një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi. Shquhet për novela, romane, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe sprova. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri dhe veprat e tij janë përkthyer në mbi tridhjetë gjuhë të botës. Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; në 2005 fitoi “Man Booker International” Prize dhe në vitin 2009 mori çmimin “Prince of Asturias”, për Artet. Ai e ka ndarë jetën e tij mes Francës dhe Shqipërisë, dhe është martuar me shkrimtaren e njohur të skicave dhe tregimeve për fëmijë, Helena Kadare.

Jetëshkrimi

Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm në gjimnazin “Asim Zeneli”. Tregohet se në moshën 12 vjeçare Kadareja është arrestuar nga regjimi i sapo vendosur komunist me akuzën “falsifikues monedhash”; akuzë e pabazë që ngrihet nga ‘lart’ për të dëmtuar gjeneralin Tahir Kadare, që ishte i martuar me një grua hebraike, në mënyrë që t’i bëhej qejfi Stalinit që kishte nisur fushata kundër hebrenjve.Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas studioi në Moskë, për dy vite, në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” nga viti 1958 në vitin 1960. Detyrohet t’i braktisë studimet për shkak të ashpërsimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe BS. Kthehet në Shqipëri dhe më pas punon ne gazetën “Drita”, e me pas drejton revistën “Les letres albanaises”.

1990-Për Paris, largimi që nxiti demokracinë

Në vjeshtën e viti 1990, Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e diktaturës komuniste e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Nga viti 1990 e më pas, vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare, brenda dhe jashtë vendit. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar – shtuar lirinë e autorit për të trajtuar tema që më parë nuk mund të trajtoheshin lirshëm.

Vepra në shqip

Ismail Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë botërore bashkëkohore. Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja), ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe kulturën e saj shekullore. Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit, “Frymëzimet djaloshare” (1954), “Ëndërrimet” (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin “Shekulli im” (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: “Përse mendohen këto male” (1964), “Motive me diell” (1968) dhe “Koha” (1976). Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Ideja e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1964), është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin “Kështjella” (1975). Në romanin “Kronikë në gur” (1970), Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike. Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela “Emblema e dikurshme” (1977), “Ura me tri harqe” (1978) dhe “Gjakftohtësia” (1980). E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani “Pallati i ëndrrave” (1981).

Në gjuhë të huaj

Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë.

Njohja dhe vlerësimi ndërkombëtar

Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; në 2005 fitoi “Man Booker International Prize” dhe në vitin 2009 u nderua me çmimin spanjoll “Prince of Asturias”, për Artet – që është një nga çmimet letrare më prestigjioze në botë. Në vitin 2010 Ismail Kadare nderohet në Itali me çmimin “Lerici Pea”. “Dhënia e çmimit “Lerici Pea” 2010, autorit Kadare – shkruhet në motivimin e çmimit – nënkupton rolin e poezisë dhe letërsisë si instrument lirie, duke u bërë mbështetje për të gjithë njerëzit e botës, të cilëve iu mohohen liritë themelore”. Qëllimi i çmimit është promovimi i poezisë, në veçanti i poetëve të rinj, eksperimentimi i gjuhëve të reja poetike dhe njohja e poetëve të mëdhenj. Ismail Kadare është dekoruar nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.

 Shpifja mbi Kadarenë në revistën Lettera Internazionale

Në vjeshtën e vitit 2014 në revistën italiane Lettera Internazionale, botohet një ese nën emrin e Ardian Vehbiut, ku ndër të tjera, në paragrafët e fundit ripropozohet për publikun e gjerë europian një trillim (shpifje) që në të shkuarën ia kanë atribuuar ligësisht Ismail Kadaresë, por që ky dhe të tjerë autorë dhe publicistë e kanë përgënjeshtruar vazhdimisht. Në esenë që mban emrin e Ardian Vehbiut shkruhet: «In questo contesto si può spiegare anche la dichiarazione inquietante e inaudita dello scrittore Ismail Kadare che ha definito i profughi albanesi rifugiati nelle ambasciate straniere a Tirana, nel 1991, come “gli escrementi della nazione”.»

«Në këtë kontekst mund të shpjegohet deklarata tronditëse dhe e pabesueshme e shkrimtarit Ismail Kadare që i ka përcaktuar refugjatët shqiptarë të vitit 1991 “jashtëqitja e kombit”.»  Komentet janë të tepërta. Këtë fakt e ka vënë në dukje Minella Aleksi në gazetën Panorama me një artikull të vetin të datës 12 dhjetor 2014 ku ndër të tjera shprehet me neveri ndaj shpifjeve dhe fabrikimeve të tilla; ndër të tjera M. Aleksi shkruan: Nuk ka më pikëpyetje se kush vazhdon t’i shpërndajë shpifjet për Kadarenë. Emri i autorit të artikullit është shkruar e zezë mbi të bardhë: Ardian Vehbiu! […] Ky tekst nuk ka nevojë për koment. Ka vite që A. Vehbiu bën këtë lodër të dyfishtë, të pa pastër ndaj shkrimtarit dhe ndaj shoqërisë. E lavdëron shkrimtarin aty-këtu sa për të fshehur gjurmët, pastaj kur gjen rastin lëshon helmin kundër tij.

Botimet:

Frymëzime djaloshare (1954)  Ëndërrime  Shekulli im (1961)  Përse mendohen këto male (1964)  Motive me diell (1968) (’78)  Shekulli im (1961)   Koha (1976)  Ca pika shiu ranë mbi qelq
Qyteti i Jugut (1967) (’71)  Emblema e dikurshme (1977) (’81)  Ura me tri harqe (1978) (’80)  Gjakftohtësia (1980)  Koha e shkrimeve (1986)  Tri këngë zie për Kosovën (1998)  Ikja e shtërgut (1999)  Çështje të marrëzisë  Ditë kafenesh  Stinë e mërzitshme në Olimp
Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1963) (’67) (’71) (’73) (’76) (’78) (’80) (’90) (’98)  Dasma (1968)  Kështjella (1970) (’73) (’76) (’78) (’80)  Kronikë në gur (1971) (’72) (’76) (’78) (’80) (’97) (2000)  Dimri i vetmisë së madhe (1973) (’77) (’99)  Nëntori i një kryeqyteti (1975) (’80)  Kush solli Doruntinën (1979)  Nëntori i një Kryeqyteti (1980)  Prilli i thyer (1980)  Nata me hënë (1985)  Koncert në fund të dimrit (1988) (’89) (’90) (?’99)  Dosja H (1990)  Përbindëshi (1991)  Piramida (1992)  Viti i mbrapshtë (1990) (2003)  Kasnecët e shiut (1994)  Pallati i ëndrrave (1996)  Spiritus (1996)  Qorrfermani (1999)  Vjedhja e gjumit mbretëror (1999)  Breznitë e Hankonatëve (2000)  Vajza e Agamemnonit (2000)  Lulet e ftohta të marsit (2000)  Qyteti pa reklama (2001)  Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut (2002)  Pasardhësi (2004)  Shkaba (2004)  Hija (2007)  Spiritus (2007)  Muzgu i perëndive të stepës  Darka e gabuar (2008)  E penguara (2009)  Aksidenti (2010)  Mjegullat e Tiranës (2014)
Autobiografia e popullit në vargje (1971) (’80)  Linja të largëta (1971)  Ftesë në studio (1990) (2004)  Eskili, ky humbës i madh (1990)  Dialog me Alain Bosquet (1996)  Kushëriri i engjëjve (1997)  Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë (1998)  Ra ky mort e u pamë (2000)  Kohë barbare (Nga Shqipëria në Kosovë) (2000)  Bisedë përmes hekurash (2000)  Unaza në kthetra (2001)  Eskili, ky humbës i madh (2001) (2006)  Princesha Argjiro (2003)  Poshtërimi në Ballkan (2004)  Dantja i pashmangshëm (2005)  Identiteti evropian i shqiptarëve (2006)  Hamleti, princi i vështirë (2006)  Mosmarrëveshja, mbi raportet e Shqipërisë me vetveten (2010)  Mbi krimin në Ballkan; Letërkëmbim i zymtë (2011)  Çlirimi i Serbisë prej Kosovës (2012)

  Përgatiti: Albert Z. ZHOLI