Isa Halilaj, dijetar e veprimtar i shquar në arësim dhe kërkime shkencore

1147
Ndër shekuj e deri në ditë të sotme, Kuksi e me këtë kujto: Lumë, Bicaj, Has e me radhë, i ka dhënë kombit shumë njerëz të shquar: në arsimim të Kombit, në luftrat për ta mbrojtur këtë vend nga pushtuesit, për të ruajtur e për të zhvilluar, për ta përforcuar identitetin kombëtar. Prej këtij vendi kanë dalë dhe shumë dijetarë të letrave, të kërkimit shkencor. Një ndër këta është dhe i përndrituri Isa Halilaj, që u shqua për një jetë të tërë në arsimimin e njerëzve të krahinës së tij; ai bëri kërkime shkencore në fushë të historisë, të etnokulturës, në dukuri të ndryshme të jetës shoqërore ndër shekuj. Kjo veprimtari e tij, e bërë me shumë përkushtim për mbi 60 vjet, është një diell ndriçues për kombin tonë e kjo e bën Isain të pavdekshëm. Ky është dhe nderi i Lumës, i Kuksit ku ka punuar një jetë të tërë. Është dhe nderi i kombit.
Historia është sqarim e mësim për të sotmen. Jeta e veprimtaria e një njeriu të shquar për shumë e shumë vite është shkëndi ndriçuese për të tashmen e për të ardhmen. 

Kështu ndodh dhe me këtë veprimtar me emër të madh në arsim, në kulturë, në kërkime shkencore. Kur vëren një pemë të madhe që me madhështinë e saj të mrekullon, menjëherë të shkon mendja te pemtari që e ka mbjellë e i ka bërë shërbime, po më së shumti të bluan arsyetimi te toka e plleshme që i ka ushqyer rrënjët. Kështu është bërë një pemë gjigante e me shumë fruta ushqyese jetëdhënëse. Kështu na shkon mendja te Isa e njerëz të tjerë të mëdhenj.
Isa Halilaj, i lindur në Bicaj të Lumës më 6 korrik 1935 në një familje fisnike, u arsimua në vendlindje ku mbaroi shkollën fillore e atë unike; bëri arsimin e mesëm pedagogjik në Shkodër që e mbaroi më 1953. Ndoqi në Tiranë Institutin Pedagogjik për gjuhë e letërsi, histori. Ka shërbyer në Kukës si mësues, po për shumë vite si drejtor shkolle në 7-8-vjeçare, po mbi 12 vjet drejtor i shkollës së mesme; ka shërbyer mbi 15 vjet si inspektor e kryeinspektor i Seksionit të Arsimit në këtë rreth. Gjatë gjithë kësaj kohe, që kur filloi punën si arsimtar e deri në ditë të sotme, është marrë e merret me shkrime kulturore, sociale, me kërkime e me botime shkencore, kulturore, që i vërejmë në organe të ndryshme shtypi, në revista shkencore e kulturore, në manuale të veçanta. Ka marrë pjesë me kumtesa në kongrese të natyrës shkencore ku ka referuar për dukuri të ndryshme historike, gjuhësore, për etnokulturën shqiptare. Ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit që u zhvillua në Tiranë më 1972. Edhe në Kosovë, në Maqedoni e në shtete të tjera ka marrë pjesë e ka referuar në konferenca të natyrës shkencore. Ka qenë për 18 vjet drejtues i Shoqatës së Historianëve të rrethit Kukës. Ka shkruar mbi 284 studime shkencore të botuara në shtyp, në revista e manuale shkencore e kulturore. Është autor i 12 librave historikë, shkencorë e kulturorë. Ka bërë dhe 4 skenarë televizivë.

Librat e tij me shumë vlerë, të botuara në Tiranë janë: “Në rrugën e Diturisë” (1998), “Kukësi në sofrën e arsimit kombëtar” (2002), “Pesha e përfaqësimit” (2004), “Halilagët e Lumës” (2005), “Në kujtesën e historisë” (2006), “Mozaik shkrimesh” (2007), “Historia në historiografi” (2008), “Buka e grurit nuk del me miell misri” (dorëshkrim), “Në shtigjet e kohës” , mozaik 2 (2010), “Sheh Çoban Baka – Aliu i Çajës” (2009), “Besa është kushtrim” (2011), “Në fletët e jetës”, mozaik III (2014).
Isa Halilaj, për veprimtarinë e shquar, mendjendriçuese në arsim në Kukës, për krijimtarinë e tij me shkrime të natyrës shkencore, kulturore, është vlerësuar me mirënjohje e dekorata të ndryshme. I është dhënë Urdhri “Naim Frashëri” i kl. III, i kl. II dhe i kl. I. Më 1995 i është dhënë titulli “Mësues i Merituar”. Veprimtaria e tij ka qenë shumë e madhe, shkëlqyese, por e ka bërë gjithnjë në heshtje, pa reklama e zhurmë në organe të ndryshme shtetërore ose në publik. Disa merita të mëdha të tij kanë mbetur pa u vlerësuar, pa u vënë në shkallën e lartë, ku ai ka arritur me punë plot pasion, që i kanë shërbyer arsimit, kulturës, shkencës historike, problemeve sociale, etnokulturës në Kukës, po dhe dijes mbarëshqiptare, për nga thellësia e zbërthimeve të të fshehtave që kishin mbetur pa u ndriçuar, nga problematika e gjerë e dukurive që i ka bërë gurë themeli në histori, në etnokulturë. Arritje të tilla të këtij intelektuali janë vlera të mëdha për tërë etnokulturën shqiptare, në shërbim të të çuarit të shoqërisë përpara në qytetërim, në hapje të rrugëve të ecjes përpara në arsimim, në dituri, në shtigje të një jete më të mirë, më të qytetëruar.
Më 1991 ka dalë në pension; në vitin 2000 është vendosur me banim në Tiranë, por punën me shkrime, me kërkime shkencore e kulturore asnjëherë nuk e ka pakësuar. Çdo ditë e vëren në Bibliotekën Kombëtare duke shfletuar dhe duke shkruar punime shkencore e kulturore si dhe më parë. Kërshëria e jetës së tij është gërmimi në librat e dijes, në zbërthim të të vërtetave që të ngrihet në një shkallë gjithnjë e më të lartë në dijë, në kulturë.

Ky studiues një vend të veçantë i ka kushtuar historisë së arsimit në Kukës, Has e më tej e në këto zbërthime një vend mjaft të rëndësishëm u ka dhënë figurave më shkëlqyese si në arsimin e Kukësit, po dhe për vise të ndryshme të trojeve shqiptare. Këto janë tema studimore sociale e kulturore, por ndër to paraqiten e sqarohen shumë dukuri historike për Kukësin e më gjerë; këto kanë vlera dhe mbarëkombëtare. Vërejmë 42 Kuksianë me grada e tituj shkencorë: Prof. dr. ose Dr. Për një vend skajor rrëzë malesh flet shumë për ecjen përpara të kësaj njësije vendore. Autorë librash: historikë, socialë, etnokulturë, kulturë, shkrimtarë, ka në Kukës e më tej: 123 intelektualë, kjo një shumë marramendëse për një vend malor. Në shumë reçensione të Isajt flitet për vlerat e librave të ndryshëm, po dhe pwr shumë intelektualë nga Kukësi a nga vise të ndryshme shqiptare, tw cilwt flasin për vlerat e librave a të studimeve të Isa Halilajt, duke e paraqitur atë si një studiues me shumë vlera, të shprehura në shkrimet e tij.
Isa Halilaj, si njeri me shumë dije e vullnet në çëmtime të të fshehtave të organizimit të njerëzve në qëndresë vigane në luftë kundër pushtuesve, na ka ndriçuar shumë të panjohura të popullsisë në Kukës, në Kosovë, në Maqedoni, duke dhënë këtu dhe figurat e shquara në drejtimin e ndeshjeve me pushtuesit. Me këto shkrime të tij janë ndriçuar shumë të panjohura që i shërbejnë historisë së mbarë Shqiptarëve. E përgjithshmja, e ndriçuar si duhet, i ka rrënjët te të veçantat, te qëndresa krahinore ndaj pushtuesve plaçkitës, përdhunues, sundues në këto vise shqiptare.
Në shkrimet e tij, ky “Mësues i Merituar” një vend të veçantë u kushton luftrave që ka bërë Luma kundër pushtimit osman. Aty paraqitet lufta me Serbët, veçanërisht ajo e vitit 1913, ku atdhetarizmi i Lumjanëve u bë jehonë e zjarrshpërthyes për tërë trojet shqiptare. Kudo, në krahinat e Veriut, përfshirë dhe Mirditën, këndohej kënga: “Kur ka ra Sërbi n’Prizren, // I ka than Lumës, liro vend. // Lirom vend, lirom vatanm, // Dardhë e Reç e Kolesioanm.// Krali i Serbit po ban medet, // Ma faroi Luma asqerin krejt!// Jo ma pak, po dymbëdhjetë mijë,// M’i ka vra e lëshue n’Dri!”. Pra ky është një përjetim i një lufte gjigante bërë nga Lumjanët nw shrbim të atdhëut.
Sigal