Isa Alibali: Zef Jubani “Artisti Popullit” dhe Prenkë Jakova “Nderi i Kombit”

1330
Më 1 dhjetor 1958 ishte caktuar të jepej shfaqja e operës „Mrika“ të kompozitorit Prenkë Jakova, “Nderi i Kombit“. Natën e 29 nëntorit, një natë përpara premierës, u sëmur rëndë aktori i teatrit “Migjeni” Zef Jubani, “Artist i Popullit”, të cilin në skenë e kapi rëndë një infarkt i miokardit dhe pas pak u nda nga jeta…Kjo ngjarje e hidhur i tronditi të gjithë. Zef Jubani ishte një nga aktorët më të shquar të teatrit. Kishte realizuar shumë role, por në rolin e tij madhor, atë të Harpagonit, ishte bërë legjendar. Vdekja e tij ishte një humbje tepër e madhe.Opera nuk mund të jepej atë ditë që do të varrosej ai. Zia i kishte përfshirë të gjithë.
U bë njoftimi që premiera e operës shtyhej një ditë.
Prenkë Jakova e ndjeu, më fort se të gjithë, këtë vdekje. Për shumë arsye.
„Si qenka jeta. Si u gërshetokan gëzimet dhe hidhërimet „ mendonte atë natë Prenkë Jakova..
I lodhur dhe i dërmuar, qëndronte pranë trupit pa jetë të mikut të vet, në shtëpinë e tij. Ishin orët e vona të natës, kur ai e la aktorin e madh në heshtjen e përjetshme dhe gjithë tronditje shkoi në shtëpinë e vet. U shtri për të fjetur, por nuk e mori gjumi. Mbeti vetëm me dhimbjen e tij. Si një vegim i trazuar me shqetësimin e ngjarjes së hidhur, i kaloi nëpër mend ajo kohë kur rrinte shpesh me Zef Jubanin…
Një ditë, sapo u takuan, aktori ynë i shquar i ishte drejtuar Prenkës:
– A do të vish sonte në teatër?! Shfaqet “Kopraci”.
– Më vjen keq Zef, por kam prova.
– Merri edhe amatorët e silli në shfaqje. Atyre do t’u bëhet qejfi.
– Mirë, pra, nuk po ta prish. Po vij.
Ndërsa kishin vazhduar rrugën, biseda kishte kaluar te muzika.
– A e dëgjove mbrëmë në radio Simfoninë e nëntë të Bethovenit, Zef? – i kishte thënë Prenka, që vlerësonte pasionin e shokut të vet për muzikën.
– Jo, kishim shfaqje.- i ishte përgjigjur me keqardhje Zefi – Nuk arrita.
– Eshtë madhështore!
– Gjëja e bukur jeton përgjithmonë, Prenkë, sidomos kur bukuria është vetë e vërteta.
– Ashtu është. Te kjo simfoni përmblidhen të gjitha vlerat e muzikës bethoviane.
– Sigurisht, përderisa edhe vetë Bethovenit i ka rënë të fikët nga emocionet, fill pas shfaqjes së parë të saj, më 1824.
Prenka kujtoi në këtë natë të trazuar edhe kënaqësinë që kishte ndier, kur kishte dëgjuar aktorin e madh të fliste kështu.
– Por mua më pëlqen shumë edhe “Egmont-i” – kishte vazhduar më tej Zefi.
-“De gustibus non disputandum est”, – i kishte thënë si me shaka Prenka, duke i kujtuar shokut të vet shprehjen latine që vetë Zefi e përdorte shpesh. Zefi kishte qeshur. I ishte kujtuar se, kur kishte lexuar një libër për jetën e Hygoit, kur ky kishte ikur nga Franca i kishte bërë përshtypje se sheshi ku ishte ekzekutuar Egmonti shihej nga dritarja e dhomës ku banonte shkrimtari i madh francez, në Bruksel….- A e di pse më pëlqen, Prenkë?! Sepse përveç frymës liridashëse të poetit të madh gjerman, Bethoveni i ka theksuar edhe më shumë aspiratat e njerëzimit për liri. Dhe liria është gëzimi, është jeta e bukur, është kënaqësia e jetës dhe e punës… Prenka i kishte hedhur një vështrim të ëmbël, i kënaqur nga njohuritë e Zefit në muzikë.- Dëgjo, Prenkë. Kam dëshirë që edhe kur të vdes, të më shoqërojnë me uverturën “Egmont”. Dua ta kem gjithnjë pranë këtë muzikë, edhe në varr…Vetëm ty po ta lë këtë amanet…- Larg qoftë – i kishte thënë Prenka serioz – ç’është kjo fjalë?…Ti u bëfsh njëqind vjeç…Ja, miku i tij tashmë nuk jetonte. Prenka sillej e sillej nëpër shtrat dhe gjumi nuk e zinte. Gjithnjë i shfaqej para syve ai njeri i rrallë. – “Megjithëse dimër, Prenkë, do të gjej tufën më të bukur të luleve dhe do të ta sjell ty, për këtë “lule” të bukur që po na dhuron…” i kumbonin në veshë fjalët e tij, të thëna para disa ditësh, pas provave…Por ai nuk arriti të shihte në skenë, të plotë, ”lulen e bukur” plot aromë të muzikës shqiptare. Prenka e dinte se do t’i vinin shumë lule pas shfaqjes, por do t’i mungonin lulet e mikut të tij. Prenka kishte shumë shqetësime atë ditë premiere. Por nuk e linin të qetë kërkesat e dikurshme të aktorit të nderuar.
Si të bënte?…
Të merrej me operën që interpretohej për herë të parë nga amatorë, apo me dëshirën e mikut të tij të vjetër, tashmë të ndarë nga jeta? Askush, përveç Prenkës, nuk e dinte bisedën që kishin bërë, prandaj kompozitori ynë, duke pasur një ngarkesë kaq të madhe për shfaqjen, mund edhe ta linte pas dore. Por jo: ”Amanetin nuk e tretë as dheu” pëshpëriti në një moment ai…Gjumi e mori tepër vonë. Prenkë Jakova, u mor me sigurimin e pllakës së gramafonit që kishte “Egmont-in” gjatë gjithë paradrekes së ditës që do të varrosej artisti i shquar i skenës. Artdashësit dhe qytetarët e shumtë që vajtën atë ditë për t’i bërë homazhet e fundit aktorit të shquar, kalonin në heshtje nën tingujt e muzikës së “Egmontit” të Bethovenit, të transmetuar nëpërmjet të një gramafoni. Prenkë Jakova e çoi kështu në vend dëshirën e mikut të vet. E pra të nesërmen do të jepej premiera e operës “Mrika”.
1 dhjetor 1958.
Historia e muzikës shqiptare po ndahej më dysh. Po lindte një fazë e re e saj.
Shikuesit e shumtë, ajka e artit dhe e kulturës shkodrane, zyrtarë të lartë nga Tirana, përfaqësitë e huaja të akredituara në vendin tonë dhe figura të njohura të artit nga qytetet e tjera të vendit, mbushën plot e përplot sallën e re të teatrit “Migjeni”. Vetëm një karrige në radhën e tretë të platesë ishte bosh. Në vend të artistit të skenës, Zef Jubani, që kishte pasur biletën për aty, qëndronte një tufë me lule të freskëta e shumëngjyrëshe.Vetë Prenkë Jakovës i kishte dalë kohë edhe për këtë punë, atë ditë tepër të ngarkuar e të shqetësuar. Një minutë heshtje para fillimit të operës ishte një nderim tjetër për Zef Jubanin…Shfaqja mbaroi me sukses të jashtëzakonshëm. Por gjithsesi, Prenkë Jakovës nuk iu errësuan aspak sytë nga shkëlqimi marramendës i suksesit. Ai mundi të dallojë se, në mes të shumë luleve të tjera, në duart e veta kishte edhe tufën e luleve të radhës së tretë të platesë. Nuk e vuri re se kush ia solli. Por kjo nuk kishte rëndësi. U mori erë atyre luleve, aroma e tyre i mbushi gjoksin, pastaj i puthi fort dhe thellë në shpirt iu duk se u ngjall miku i tij.
Edhe Zef Jubani “e kishte mbajtur fjalën”.
Sigal