Isa Alibali: Kur Avni Mula punonte mësues në shkollën fillore të Teshit në Shkodër

899
Ishte viti 1946. Në shkollën fillore të Trushit në Shkodër punonte si mësues Avni Mula, Artist i Popullit. Shpesh herë, në netët e vetmisë, me kitarë në dorë, këndonte me zë të ulët këngët e bukura shkodrane. Këndonte lehtë, sepse nuk donte t’i prishte qetësinë Dom Nikollë Dragushës, me të cilin banonte në një ndërtesë, në qelën e kishës. Kishte respekt të madh për të, për sjelljen e ngrohtë e për erudicionin e tij. Një natë, pasi kishte bërë ditarin dhe gjithë përgatitjet për të nesërmen, nën dritën e kandilit, filloi të këndojë. Iu kujtua kur kishte qenë nxënës në fillore. Mesuesi i tij, Refik Shpuza, një mësues tepër i nderuar dhe dashamirës i çdo gjëje të bukur e të mirë, një edukator i vërtetë, pasi mbaronte mësimin, linte një pesë munutësh dhe e ftonte Avniun të këndonte. Të gjithë nxënësit e tjerë kënaqeshin dhe e dëgjonin me shumë ëndje. Atë natë, pra, në qelën e kishës së Trushit, pa e kontrolluar veten, e ngre zërin më shumë. Këtë e kërkonte edhe kënga, por Avniu e ndjen veten të rrëmbyer nga bukuritë e këngëve popullore dhe në një moment ekzaltimi dhe ashku të brendshëm, shpërthen. Papritmas dëgjohet një trokitje në derë. Avniu ngrihet menjëherë në këmbë dhe duke e kuptuar gabimin, i thotë Dom Nikollë Dragushës, sapo ai hap derën: 

– Më falni, ju shqetësova, por se si me erdhi… 
– Jo, jo, nuk ke pse më kërkon falje, i thotë me zë të ngrohtë Dom Nikolla dhe ulet në një karrige pranë tij. Avniu qetësohet. 
– Ke zë të bukur, të ëmbël e të fuqishëm. Ti, Avni, mund të bëhesh një bariton operistik… 
Avniu hap sytë dhe i drejtohet më me vemendje priftit të respektuar. E dëgjon me dëshirë bisedën e tij: 
– Më kujtove vitet e studimeve të mia në Firencë. Të kam thënë se atje kam studiuar për 14 vjet me radhë. Shkoja shpesh në opera. Ne fatkeqësisht sot për sot nuk kemi opera, por kam besim se shpejt edhe tek ne do të bëhet e njohur kjo gjini kaq e bukur e muzikës klasike. Mendoj se zëri yt i fuqishëm është shumë i përshtatshëm për opera. Ti duhet të bëhesh dhe…po, po, do të bëhesh këngëtar i njohur…Patjetër. 
Avniu dëgjon me shumë kënaqësi bisedën e ngrohtë e të shtruar të Dom Nikollës. Po i pëlqen ky vlerësim, ky besim për të ardhmen e tij, megjithëse nuk e kishte as idenë më të vogël se si mund të bëhej këngëtar lirik. Dom Nikolla, po ashtu shtruar e ngadalë, vazhdon bisedën. Avniu vetëm dëgjon, i thithur krejt nga joshja që po i bëhet dhe nga besimi që po i krijon prifti i nderuar. Pa pritmas Dom Nikolla e pyet: A e njeh Prenkë Jakovën?! 
– Jo – i thotë menjëherë Avniu, – por kam dëgjuar për të… 
– Do të të bëj që ta njohësh, ai i di mirë këto gjëra…Për një gjë të jesh i sigurtë, Zoti të ka shpërblyer me aq bujari, sa që të ka dhënë këtë zë të bukur. Vlerësoje…Përpiqu… “Askush nuk mund të hyjë në parajsë pa pwrpjekje” thotë një fjalë e urtë. 
Avniu deshi të thoshte diçka, por pastaj mblodhi supet me njëfarë pasigurie në vetvete. Kur mbeti vetëm, ra në mendime. Në veshë i gjëmuan pa prerë fjalët e ngrohta dhe shpresëdhënëse të Dom Nikollë Dragushës. Kishte respekt të madh për të, prandaj i duhej dëgjuar fjala, fjala e urtë që i tha… 
Njohja me Prenk Jakovën
…Një ditë e zakonshme provash në shtëpinë e kulturës, e cila në atë kohë ndodhej te hotel turizmi i vjeter. Avniu hap derën, ku bëheshin provat dhe, sapo sheh aty plot djem e vajza, turprohet dhe e mbyll menjëherë. Ikën me të shpejtë. E ndjen se dikush i vihet prapa. 
– Mos je Avni Mula ti?! – i thotë zëri i atij njeriu të panjohur. Avniu ndalet dhe thotë: Po! 
– Më ka folur Dom Nikolla për ty! Unë jam Prenk Jakova. Eja në prova. Në mos sot, eja nesër në orën 5 mbasdite. 
Avniu e la të shkonte të nesërmen. renkë Jakova atë ditë u mësonte koristëve koralen e skllevërve nga opera “Nabuko” e Verdit… 
…Kalojnë vite. Kishte pak kohë që Avni Mula ishte kthyer nga Moska, ku kishte mbaruar konservatorin “Çajkovski”. Në skenën e Teatrit të Operas e Baletit, vihet në skenë opera”Traviata” e Verdit. Rolin e Zhermonit e luan artisti i ri, baritoni Avni Mula. Sukses i madh… Avniu bëhet gati të dalë. Përgëzime, urime, falnderime…Zbret ngadalë shkallët. Sapo del jashtë, sheh një burrë të moshuar që po e priste. 
– Mirëmbrëma, Avni – i thotë i panjohuri. 
Avniu afrohet më shumë për ta parë nga afër. Eshtë errësirë e mezi e dallon. 

– Ju këtu?! – shpreh habinë e kënaqësinë njëherësh. 
Megjithse kishin 12 vjet pa u parë, e njohu. Ishte Dom Nikollë Dragusha. Përqafohen me mall, si miq të vjetër. 
– Isha në shfaqje. E pashë operan dhe më pëlqeu shumë. Ti ishe ashtu siç e mendoja unë – i thotë me një kënaqësi të dukshme. Avniu e pa këtë gjë në sytë që po i shndrisnin, në fytyrën e qeshur plot ngrohtësi. 
– Kam ardhur vetëm për ty…I thotë se e kishte ndjekur gjithnjë, gjatë përgatitjes së tij si këngëtar lirik, i kishte marrë vesh sukseset në mësime, veprimtaritë e shumta koncertale atje, gjatë studimeve jashtë shtetit, shfaqjet e shumta të dhëna veçanërisht nga treshja e mirënjohur Ibrahim Tukiqi, Avni Mula e Gjoni Athanas, etj. etj. 
Avniu prej kohësh kishte ndierë ngrohtësinë e këtij burri të urtë dhe kërkonte rast t’i shprehte mirënjohjen. Dhe ja tashti, e ka përpara. Ndjenjat e ngohtësisë dhe të respektit po i rriteshin gjithnjë e më shumë dhe bashkë me to edhe ndjenja e madhe dhe e ndritur e Mirënjohjes. Përgëzimet e të tjerëve nuk iu dukën asgjë përpara vlerësimit e mirësisë që gjeti te ky burrë, i cili i kishte parashikuar të ardhmen dhe e kishte nxitur në fushën e bukur të artit…Mirënjohje për jetë atyre që zbulojnë, nxisin e përkrahin talentet e reja. Avni Mula, nëpërmjet të krijimeve të tij të mëvonëshme tregoi se përveç sukseseve të shumta në interpretim, realizoi edhe një krijimtari të pasur muzikore dhe me vlerë, duke përfshirë edhe opera dhe opereta…
Sigal