Isa Alibali/ Koncerti i rrallë i Tefta Tashkos në Shkodrën e artit

93
Një ditë që pritej plot kërshëri. Fama e saj tashmë ishte përhapur kudo. Parisi i kishte dhënë Teftës shkëlqim. Më 26 nëntor l935 Tefta Tashko, kishte dhënë në Korçë, në qytetin e lindjes, koncertin e saj të parë, pas kthimit nga studimet e larta në Paris. Suksesi i premierës i dha flatra. Dy javë më pas, së bashku me pianisten Lola Aleksi (Gjoka) dha shfaqje në Tiranë. Përsëri pritje shumë e ngrohtë nga artëdashësit. 
Tërë ato ditë Tefta jetonte me emocione të fuqishme. Ishte thithur trup e shpirt nga një mendim i ri: të jepte shfaqje edhe në Shkodër. 
– Tashti na mbetet të shkojmë në Shkodër – i tha Sotir Kozmo, organizatori (menaxheri) i koncerteve që Tefta Tashko e Lola Aleksi po jepnin. 
Tefta heshti. Ishte tepër e emocionuar nga pritja në qytetet tjera. Ndjente një ngazëllim të brëndshëm dhe një dëshirë të ethshme që edhe në Shkodër ta pëlqenin…

SHFAQJA E PARË:
Më 19 dhjetor 1935, pasi kishin çuar pianon e Marie Krajës në sallën e kino-teatrin “Rozafat”, Tefta Tashko dhe Lola Aleksi dhanë shfaqjen e parë të tyre në Shkodër. Salla ishte e mbushur plot e përplot. Në llozhat dhe në fund të sallës njerëzit qëndronin edhe në këmbë. 
Një pas një jehojnë në sallë Moxarti, Shtrausi, Donixeti, Puçini, Bize-ja, etj. Tek “Tristesse” të Shopenit, duartrokitjet janë të papërmbajtshme. Tefta e Lola me një shije të veçantë, kanë zgjedhur repertorin e këtij koncerti nga veprat klasike më të mira botërore. Në mes tyre edhe një këngë popullore shqiptare. 
Të dy orët e shfaqjes kaluan pa u ndierë. 
Ishte një ngjarje e shënuar për qytetin artëdashës të Shkodrës. 
– Më bëri shumë përshtypje qëndrimi dinjitoz i publikut gjatë koncertit – i tha Tefta së ëmës, që e shoqëronte në Shkodër.
– Eshtë qytet artëdashës dhe i kulturuar – ia ktheu e ëma plot ngazëllim…

SHFAQJA E DYTË (Sipas kutimeve të Prenkë Jakovës)
Nëpër rrugët e Shkodrës në ditët e para të shkurtit 1938, kudo kishin vendosur afishe. Tefta Tashko dhe Lola Aleksi vijnë përsëri në Shkodër për të dhënë koncertin e tyre të dytë. Te shumë njerëz përtëriheshin mbresat e koncertit të tre viteve të kaluara. Dëshira për të parë dhe dëgjuar edhe një herë këto dy artiste është shtuar. 
Kino-teatri “Rozafat” nuk kishte shumë kohë që ishte ndërtuar. Kishte një sallë shumë të bukur, të punuar gjithçka prej druri, me lozha anësore, me një skenë mjaft të madhe, e cila i plotësonte nevojat e kohës. Kjo sallë, e ndodhur në qendër të qytetit, shërbente për shfaqje filmash, koncerte dhe pjesë teatrale. Padyshim që ishte më e mira në qytet.
Prenkë Jakova u gëzua shumë nga ky lajm. Çfarë të bënte që t’u shprehte atyre mirënjohjen dhe vlerësimin?! 
Shfaqja filloi. Teftës i kalojnë emocionet që e kishin mbërthyer të tërën. Ngrohet nga duartrokitjet e shumta. Salla e bukur e kino-tratrit “Rozafat” buçet nga duartrokitjet e shumta të spektatorëve. Teftës i kujtohen fjalët e një pedagogu të saj: “Ç’është muzika?” dhe vetë ai i ishte përgjigjur: “Të çosh peshë shpirtin e dëgjuesve, duke çuar peshë shpirtin tënd!” Shpirti i saj ishte çuar peshë në këtë koncert, prandaj, me sa dukej ajo po çonte peshë edhe shpirtërat e të tjerëve. Ndjeu në këtë moment një ngazëllim të papërmbajtur. Ky koncert pati disa të veçanta, por kryesorja është se ajo kishte pasuruar repertorin me këngë popullore. Në veçanti u pëlqyen këngët “Kur më vjen burri nga stani”, “Fol e qesh moj sy larushë” etj, të cilat, pas duartrokitjeve të gjata, u përsëritën: Gjithashtu edhe Serenata e Shubertit, e cila u këndua për herë të parë shqip, përkthyer nga Lazgush Poradeci dhe u përsërit tri herë. Edhe kësaj rradhe muzika e ëmbël e Donixetit, Shopenit, Rosinit, etj . bënë që edhe shpirtin më të ftohtë, ta ngrohin e ta zbusin, duke i kthyer dy orët e koncertit në një mbrëmje butësie, ëmbelsi e ndjesie të veçante, siç shprehet edhe shtypi i kohës. 
Prenkë Jakova nuk ia ndante sytë këngëtares së shquar dhe duartrokiste më shumë se të tjerët, në një mënyrë të papërmbajtur. Gjithë qenia e tij ishte dhënë krejtësisht pas koncertit. Shpirti po i çohej peshë. Te “Serenata” e Shubertit dhe te dy këngët: “Kur më vjen burri nga stani” dhe “Fol e qesh moj sy larushë” jo vetëm ai, por gjithë salla duartrokitën aq shumë, saqë e detyruan Teftën që t’i përsëriste këto pjesë. Vazhdoi ta ndjekë koncertin me fytyrën që i ndriste dhe me shpirtin të çuar peshë. 
Teftës i bënte përshtypje të veçantë ky djalosh, i dhënë kaq shumë pas koncertit dhe muzikës së bukur që interpretonte ajo. Pamja e tij i mbeti në kujtesë.
Djaloshit Prenkë Jakova mendonte gjithnjë se si ta realizonte idenë e tij, të bënte diçka që të mbeste si një kujtim i ëmbël për artistet e nderuara, diçka që të ishte si një surprizë e këndshme. Në atë kohë drejtonte orkestrën frymore të të vegjëlve.
Iishte këmbëngulës dhe donte që ta çonte deri në fund idenë e tij. Pas koncertit të suksesshëm, u drejtua për në skenë dhe nga cepi i saj u nis për te dhoma e artisteve. Përpara se të trokiste në derën e tyre, ndjeu emocione të forta. Megjithatë u përpoq ta marrë vetën dhe trokiti lehtë. Ndërkohë i dukej se vazhdonte të dëgjonte gumzhimën e ngrohtë të brohoritjeve në mbyllje të koncertit. 
Pasi dëgjoi fjalën “hyr”, hapi derën dhe u fut brënda. Me një vështrim ngazëllues, në mënyrë të theksuar, tha:
– Quhem Prenkë Jakova…
Iu duk se Tefta e njohu dhe kjo e çuditi Prenkën, sepse pa në shprehjen e fytyrës së saj një ngrohtësi të veçantë, saqë atij i ikën emocionet.
– Gëzohem që po ju njoh, – i tha Tefta dhe i zgjati dorën me dashamirësi. Pastaj iu drejtua Lolës:
– Eshtë djaloshi për të cilin sapo ju fola.
Prenka u çudit. Ata nuk ishin takuar asnjëherë, prandaj si kishte rënë biseda për ‘të? Siç e mori vesh më vonë, Prenka kishte tërhequr vemendjen e Teftës me duartrokitjet e gjata dhe vështrimin e mprehtë plot gëzim të sinqertë. Megjithate Prenka nuk u zgjati dhe menjëherë foli: 
– Ju falemnderit për të gjitha. Na dhuruat kënaqësi të rrallë. Ju jemi tepër mirënjohës….- sikur të fliste në këtë rast në emër të të gjithë shkodranëve. Pas një heshtjeje të shkurtër vazhdoi: – Edhe unë merrem me muzikë…
– Sa mirë, po na pëlqen shumë kjo njohje…- thanë të dyja, pothuajse përnjëherësh.
– A mund të më jepni partiturat e koncertit?- foli më me guxim Prenka, duke hyrë menjëherë në qëllimin e ardhjes së tij këtu. Pastaj, pasi pa njëfarë stepjeje tek Tefta, shtoi: – I sjell nesër deri në drekë, sepse e di se keni përsëri koncert.
Pa nguruar fare Tefta i dha dosjen e partiturave. Prenka u gëzua shumë që nuk e pyeti përse i donte. Doli nga dhoma shumë i kënaqur, duke i falënderuar me përzemërsi.
Nuk e kuptoi as ai vetë se si arriti në shtëpi. Gjithë natën, deri aty nga ora katër e mëngjesit, orkestroi për bandën muzikore të të vegjëlve pjesën më të madhe të numrave të koncertit, 
– Do të bëjmë një punë të madhe sot, – u tha të vegjëlve të bandës. – Kërkoj prej jush një vëmendje më të madhe dhe një sforcim si asnjëherë. Besoj se më kuptoni.
Gjithmonë ishte i hapur me ta dhe gjithnjë përpiqej t’u ngjallte gëzimin dhe kënaqësinë e punës.
Të vegjlit shikuan njeri tjetrin dhe miratuan me kokë. Prenka e kuptoi qëndrimin e tyre dhe pa e zgjatur iu vu punës….
Pas katër orë provash intensive, me një pushim të shkurtër dhjetë-pesëmbëdhjetë minutash, Prenka i la të lirë bandistët që të shkonin në shtëpitë e tyre e të pushonin. Kurse ai vetë mblodhi partiturat e bandës dhe i futi në çantë. që mbante gjithmonë me vete. Partiturat e Teftës i futi në një dosje të veçantë, të cilën e vuri nën sqetull dhe u nis për në Kafen e Madhe, ku ndodheshin artistet, së bashku me Asdrenin dhe Lazgush Poradecin që jo rastësisht ndodheshin ato ditë në Shkodër, të ftuar nga Shoqnia kulturore e artistike „Rozafat“.
Tefta u ngrit menjëherë dhe u drejtua nga ai:
– Urdhëroni, zotëri…
I erdhi shumë mirë që Prenka e mbajti fjalën për kthimin e partiturave. Pak më përpara Gaqoja, i vëllai, kishte shprehur dyshimin nëse do t’i merrte përsëri partiturat, duke e qortuar pse ia kishte dhënë një të panjohuri, nga që kishte përsëri koncert. Prandaj Tefta, e sigurt se Prenka do të vinte, hodhi një vështrim nga i vëllai, për t’i thënë se ja si janë artistët…
Prenka e mori veten menjëherë.
Nga Kafja e Madhe doli plot gëzim. 
Po atë ditë pasdreke. Ndërsa dy artistet po pushonin në dhomën e tyre të hotelit mbi Kafen e Madhe, dëgjuan një melodi të njohur, të cilën e ekzekutonte një bandë muzikore. Hapën dritaren…
Në lulishten përballë, në një shesh në mes të saj, orkestra frymore e të vegjëlve, që drejtonte Prenkë Jakova, po ekzekutonte disa nga pjesët që Tefta kishte kënduar një natë më parë.
Sheshi brenda lulishtes popullore, përballë Kafes së Madhe, po ushtonte nga jonet muzikore, që shpërthenin nga gjokset e njoma të vogëlushëve, të cilët, me uniformë të bukur e plot hijeshi, duke ndierë edhe ata kënaqësinë e momentit, me sytë gjithnjë nga dritarja e hotelit përballë, po jepnin një nga koncertet e tyre të veçantë. 
Dy artistet e mirënjohura e ndoqën këtë program nga dritarja e dhomës së tyre në hotel. 
Kur ato e panë se koncertit po i vinte fundi, për një çast artistet nuk u duken më. ”Po përse vallë?”- pyesnin veten fëmijët. Mos nuk po u pëlqen koncerti? Jo! Jo! Ato nuk do të përloteshin, po të mos ndienin emocione të fuqishme.
Prenka, me intuitën e artistit, duke ndier njëkohësisht edhe shpirtin artist të Teftës e Lolës, drejtoi bandën muzikore në rrugë, për t’u dalë përpara atyre, sikur të ishin marrë vesh. Nuk kaloi as një minutë, të dy artistet, me sy të njomur, iu afruan të vegjëlve dhe u bashkuan me ta. Po kështu edhe populli i shumtë, që po ndiqte këtë pamje mallëngjyese…Një përzierje artistësh dhe artdashësish. 
Në qendër të tyre Tefta, Prenka, Lola e të vegjëlit, artistët e ardhshëm. Ç’ishte kjo? Mikpritje apo mirënjohje?! Respekt për artistet apo dashuri për artin? Kulturë qytetare apo njohje vlerash?! 
Të gjitha së bashku!
Prenkë Jakova kishte realizuar një nga mikpritjet më të ngrohta për artistet e shquara.
Teftës e Lolës, nuk u shkonte ndërmend se nga këta vogëlushë të kësaj nate të paharruar, do të dilnin kompozitorët tanë të mirënjohur si Tish Daija, Çesk Zadeja, Tonin Harapi, e të tjerë, të drejtuar, të nxitur dhe të mësuar nga i madhi Prenkë Jakova.