Irini Qirjako, perla e këngës popullore

1041
Sigal

Kosta Loli – Etnomuzikolog

    

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

      

Rishtazi Fitim Çaushi pasuroi bibliotekën e tij krijuese me monografinë “Edhe në ëndërr këndoj” kushtuar këngëtares Irini Qirjako, një ndër figurat e shquara të artit interpretativ popullor shqiptar për dekada të tëra e në vazhdim.

Fitim Çaushi tashmë njihet në letrat shqipe si publicist, si studiues i kulturës popullore dhe i fenomeneve historiko-politike, por edhe si shkrimtar i mirëfilltë. Ka krijuar një personalitet origjinal të pranueshëm, dhe bindës. Dallohet për një erudicion të admirueshëm dhe njohje të gjerë të objektit që trajton. I rreptë dhe këmbëngulës si studiues, polemizues si publicist, por lirik-narrativ, ekzaltues e entuziast si shkrimtar i mirëfilltë. Padyshim që një pjesë e mirë e veprave të tij do të zënë vend të rëndësishëm në letrat e studimet shqiptare.

Monografia në fjalë shoqërohet nga një staf redaktues e konsultues i madh, që janë personalitete në jetën shkencore e kulturore shqiptare, nga një parathënie gjithëpërfshirëse e profesorit Spiro Shetuni dhe në mbyllje prapë vlerësime personalitetesh për artisten I. Qirjako. Një angazhim i tillë masiv, tregon jo vetëm vlerat e këngëtares së shquar, por dhe vlerësim të punës së thellë dhe sistematike të autorit në realizimin e strukturës dhe të përmbajtjes së monografisë. Në pak rreshta unë dua të theksoj disa drejtime që evidentohen më shumë e që lartësojnë përmbajtjen, kur lexojmë këtë botim të ri të Fitim Çaushit.

Në monografi objektin njohës e studimor autori e trajton me parametrat e letërsisë së mirëfilltë artistike. Ai ka arritur që ajo të mos jetë një renditje faktesh nga jeta dhe veprimtaria e këngëtares. Ajo nuk është thjesht një pasqyrim dhe vlerësim artistik-intepretativ i këtyre fakteve. Por dhe konceptim dhe përshkrim i mirëfilltë letraro- artistik bazuar në ngjarje dhe fakte reale të shprehura me një gjuhë të kulturuar e shprehëse, të lidhura fort me faktorin studiues, ç’ka e bën leximin më të këndshëm. Faqe pas faqe në libër njihemi me jetën dhe veprimtarinë e këngëtares, por joshemi dhe ndjejmë kënaqësi artistike e estetike dhe me përshkrimin e ngrohtë letrar të tyre. Kjo ndërthurje e letërsisë së mirëfilltë me objektin dhe faktin historik, studimor e shkencor e shprehur edhe në botime të tjera të autorit, e bën veprën më origjinale dhe të arrirë.

Monografitë kur shkruhen për artiste që kanë arritur kulme artistike dhe ndërkohë jetojnë e janë njerëz aktivë në profesion, kanë vlerë të dyfishtë. Irini Qirjako përbën modelin e artistes që ka krijuar kulme artistike brenda e jashtë Atdheut në interpretimin e këngës tradicionale polifonike labe, por edhe toskë, të këngës popullore të përpunuar si dhe të këngës së re popullore (do të thosha qytetare, ose “pop”) e krijuar nga kompozitorë të ndryshëm me bazë traditën vendase.

Duke studiuar diskografinë e saj dhe arkivat e vjetra muzikore konstatojmë se vendimi i autorit për t’i kushtuar asaj hartimin e një monografie është i drejtë, i admirueshëm dhe pasuron si fondin e monografive për personalitetet e shquara të kulturës e shkencës shqiptare, ndërkohë afirmon kontributin e artistes në fjalë në sferën interpretative të muzikës kombëtare, duke qenë akoma aktive e duke prodhuar vlera të reja artistike dhe estetike. Vlerësimi pozitiv nga të tjerët jo vetëm gojor, por dhe i shkruar padyshim që përbën për çdo artist jo vetëm kënaqësi individuale, por dhe aprovim të mundit e djersës së tij në opinionin e gjerë shoqëror.

Meritë e veçantë e autorit është se përmes paraqitjes letraro- studimore të veprimtarisë muzikore të Irini Qirjakos, shpalos dhe aktivitetin shumëvjeçar të Ansamblit Shtetëror të këngëve e valleve popullore brenda e jashtë Atdheut. Kështu njihemi me veprimtarinë e shkëlqyer të këtij ansambli në prezantimin me nivel të lartë profesional e artistik në skenat shqiptare dhe ato të vendeve të ndryshme të botës të këngëve, valleve e melodive instrumentale kombëtare burimore e të përpunuara, njihemi me figurat më në zë në interpretimin e këngëve, valleve e melodive (soliste), me repertorin e gjerë nga gjithë krahinat e vendit, me kontributin e drejtuesve të Ansamblit, me vlerësimet dhe çmimet kombëtare e ndërkombëtare etj. Gërshetimi i aktivitetit të Irini Qirjakos me veprimtarinë masive të Ansamblit Popullor bëhet në mënyrë logjike dhe shprehëse, pa dëmtuar qëllimin kryesor të autorit, evidentimin e figurës artistike të këngëtares. Madje do të ishte mangësi, nëse veprimtaria e saj do të ishte paraqitur disi e shkëputur nga ajo e Ansamblit Shtetëror të këngëve e valleve popullore. Ndërkohë, autori si njohës i mirë i jetës kulturore- artistike mbarëkombëtare, në libër shpalos dhe arritje të ndryshme te saj, të vjetra e të reja, jehonën nëpër botë etj. Kësisoj lartësohen vlerat e kulturës popullore si pjesë e qenësishme e ndërgjegjes muzikore dhe e identitetit kombëtar.

Padyshim që aprovohet nga të gjithë polidimensionaliteti interpretativ i Irini Qirjakos si dhe natyra komplekse e repertorit të saj. Madje me një nivel të tillë artistik e profesional, që përbën pa frikë një shkollë interpretative të përveçme në kushtet aktuale të jetës muzikore. Irini konsultohet vazhdimisht me mendimin e bartësve autentike, studion interpretimin kolektiv dhe individual dhe bazohet në të, mëson dhe vë në jetë veçoritë melodike-polifonike dhe hapësirën interpretative të grupeve polifonike burimore, vlerëson aftësitë e bashkëpunëtorëve të saj (këngëtare profesioniste) dhe nuk mbivlerëson aftësitë e saj vokale dhe mundësitë për t’ju përshtatur lehtë veçorive të interpretimit krahinor e ndërkrahinor. Përkundrazi këto aftësi i paraqet në grup me thjeshtësi dhe bindje tek të tjerët. Kyçin e suksesit e gjen te kombinimi logjik artistik i interpretimit burimor me atë të kultivuar.

Këngën polifonike shqiptare e ka bazën e veprimtarisë së saj dhe i ka dhënë përjetësi. Por nuk harron të këndojë këngë polifonike edhe në gjuhën e nënës, si në vendlindje, në Finiq, ashtu dhe jashtë vendit. Në arritjet e aktivitetit të saj konfirmohet qartë thënia e muzikologut të madh S. Bovy se “kufijtë dhe gjuha nuk mund të jenë gjithmonë dhe kufijtë e një kulture muzikore”. Kjo është e njohur botërisht. Është meritë e autorit të librit që ka mundur të zbulojë dhe të paraqesë anët e përveçme e përgjithësuese interpretative të këngëtares në fjalë me realitetin shkencor, profesional dhe bindës për lexuesin.

Si përfundim mund të konkludojmë se kemi në dorë një monografi ku janë harmonizuar këndshëm fakti studimor dhe historik, interpretimi muzikor me karakter të theksuar kombëtar, shprehja dhe komentimi letraro-shkencor i fakteve dhe fenomeneve të një jete muzikore produktive shumë vjeçare e lidhur fort me shoqërinë, natyrën dhe jetën e njerëzve. Pra histori, letërsi, kulturë. Në qendër të tyre është një artiste e madhe e këngës popullore tradicionale e të përpunuar, soliste e në grup vokal “a cappella”, një artiste që krijoi monumente interpretative, shembull i vërtetë për brezat e rinj, që do mbajnë gjallë traditën popullore. Kjo është Irini Qirjako.

I uroj Fitimit botime të reja të suksesshme në veprimtarinë e tij të metejshme studimore e letraro-artistike!