Irena Toçi/ Tasim Gjokutaj, poeti lab i shpirtrave fëminore

857
Sigal

 70 vjet nga lindja e Tasim Gjokutajt – përkujtohet shkrimtari i madh i letërsisë për fëmijë

Me rastin e 15- vjetorit të vdekjes (prill 1998 – 2013)

 Është bërë traditë mediatike që kur do të portretizohet një personalitet që i ka dhënë vlerë kombit të niset me fjalët standarde.

Jo, unë këtë shkrim vlerësues për poetin e spikatur të letërsisë për fëmijë, me pjesëmarrjen kombëtare, kuçiotin zemërmirë Tahsim Et’hem Gjokutaj, do ta nis e do të përqendrohem, ku e kam njohur e ku më ka bashkuar jeta e veprimtaritë e përbashkëta.

Në vitin 1957, në kalanë e qytetit të Libohovës, u çel shtëpia e pushimit “Thanas Zike”. Dy vjet më pas më jepet rasti që edhe unë si shumë mësues të tjerë të caktohem me detyrën e udhëheqësit të çetës së pionierëve të kësaj shtëpie.

Në mbledhjen e parë të Këshillit Pedagogjik të kësaj shtëpie pushimi që organizoi drejtori i saj, Vangjel Nini, për të ndarë detyrat në mes të mësuesve që ishin caktuar si udhëheqës pionierësh, më bëri përshtypje një djalë i ri, fizikisht i dobët, por tepër simpatik që i shkëlqenin sytë, me një fytyrë tërheqëse por shumë fisnike.

Pas mbledhjes i ishte caktuar detyra e përgjegjësit të bibliotekës së kampit, qëndrova më pas se të tjerët e këmbeva me të një bisedë të shkurtër, por tepër të çiltër e miqësore, bisedë që u bë zanafilla epo pikënisja e miqësisë sonë të ardhshme deri sa ai në moshë të re, u nda papritur nga jeta.

– Quhem Tahsim Gjokutaj – më thotë – jam nga Kuçi i Vlorës. Mbase ke dëgjuar për Kuçin, është fshat i Kurveleshit të Poshtëm, fshat me tradita patriotike, fshat i Zenel Gjolekës e i Jaho Gjolikut. Nuk jam mësues si ju të tjerët, jam nxënës!

-Po, ç’ne ti Tahsim, në Libohovë?

-Këtu, kam familjen! Babai im quhet Et’hem dhe është me detyrë  kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Libohovës.

Në këtë bisedë të parë, njohja e Tahsimi, një çiltërsi e thjeshtë, të admirueshme.

Ishte i dashuruar me librin ai, me letërsinë e i pëlqente e iu përkushtua letërsisë për fëmijë si me krijimet e tij aq të spikatura artistikisht, hyri në thellësi të shpirtit të tyre.

Në bibliotekën e shtëpisë së fëmijëve në Libohovë, sado që turnet e pushimit, ishin 22 ditë, bënte një punë sikur ata fëmijë të një turni do të qëndronin atje vite të tëra.

Për çdo turn krijonte anëtarësimin e pionierëve në bibliotekën me skedarin përkatës. Librat i vendos në seksione të veçanta, letrare, politike, artistike e shkencore.

Gjithashtu, ngrinte rrethin letrar të luanin me pionierë që kishin talent për letërsi duke i zgjedhur gjatë veprimtarive që zhvillonin kompanitë.

Me anëtarët e këtij rrethi Tahsimi organizonte në mënyrë sistematike konkurse letrare, konkurse të fjalës artistike, të recituesve më të mirë e të “Mikut të vogël” të librit duke gjallëruar në çdo mbrëmje jetën e pushuesve të vegjël.

Në kënde të caktuara të bibliotekës e në mjedise të tjera, Tahsimi vendoste shprehje të bukura të shkrimtarëve të vendit tonë e të huaj.

Gjatë ditës, Tahsimi, megjithë shëndetlig, por i palodhur, kur pionierët shpërndaheshin në veprimtari, sipas kompanive, e krijonte poezi të bukura për fëmijë, të cilët në vite ata e bënë të njohur si një poet brilant në shkallë kombëtare.

Me veprimtarinë e tij ai u bë i dashur për fëmijët e gati çdo ditë ata kërkonin prej tij të interpretonin ndonjë recitim, t’u lexonte nga një poezi nga krijimtaria e tij e ditur apo të bënte kontekstin e ndonjë libri artistik.

Me këtë veprimtari, ai vuri në lëvizje pionierët për të krijuar dhe ata, e me krijimet e tyre zhvillonte konkurse letrare e ato më të goditurat i botonte në gazetën e murit “Letrari i ri”.

Familja e Tahsimit, duke qenë se ishte pak i dobët nga shëndeti, tregonte një kujdes të veçantë. Më kujtohet i ati i tij një burrë esnaf e njerëzor që sa herë më takonte në pazarin e Libohovës më thoshte: – Si ishte Tahsimi sot? E gëzohej kur i thosha se e kemi shok të mirë dhe tërë ditën është me humor.

Për veprën e tij të madhe që na la për breza të tërë fëmijësh të sotshëm e për ata që do të vijnë, bibliotekës së qendrës kulturore për fëmijë “Fato Berberi” të Gjirokastrës, Bashkia e qytetit i ka dhënë emrin e paharruar “Tahsim Gjokutaj” dhe për krijimtari letraro-artistike për fëmijët e rinj është vendosur çmimi “Tahsim Gjokutaj”.

Duke vlerësuar veprën e madhe poetike për fëmijë të këtij poeti brilant, në përjetësim të tij, unë në vëllim tim me poezi “Vargje në rrjedhën e viteve”, Tahsimit tonë të paharruar i kam kushtuar vargjet me titull: “Pena jote s’u lodh kurrë!”

O Tahsimi i Gjokute

Si lis i malit të Kuçe

Nise jetën n’ato male

Të zana histori madhe.

Atje njohje historinë

Trimat me zemër shqiptare

Në Gjirokastrën me vlera

Ti nise jetën letrare.

S’u ndave kurrë nga libri

Ortak i mirë i rinisë

Zemrën lidhe me fëmijët

O bilbil i Labërisë.

Gjithë jetën të këndoi zemra

Shkrimtar e poet me vlerë

Pena jote, s’u lodh kurrë

Frymëzim brezash të tjerë.

Na le shpejt Tahsimi ynë

O le një vepër të madhe

Për ne je gjithnjë i gjallë,

Në takime e festivale.

TË DHËNA TË SHKURTRA BIBLIOGRAFIKE

 

Tasim Gjokutaj – figurë e shquar e arsimit dhe e kulturës shqiptare, mësues e pedagog, studiues e shkrimtar i talentuar

              Tasim Gjokutaj u lind në Kuç të Kurveleshit (rrethi i Vlorës) në vitin 1944 dhe u nda nga jeta më 12 prill 1998, në Gjirokastër.

             Rrjedh nga një familje me tradita atdhetare, arsimore, kulturore e liridashëse.

           Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa ciklin e lartë të shtatëvjeçares dhe të mesmes i kreu në Gjirokastër. Po këtu u diplomua për gjuhë e letërsi shqipe në Universitetin “Eqrem Çabej” (ish-Instituti i Lartë Pedagogjik trevjeçar).

           Tasim Gjokutaj, gjatë gjithë  jetës e veprimtarisë së tij, u shqua në tri fusha kryesore:

1.  Në arsim:

          Pas mbarimit të shkollës së lartë, për pak kohë dha gjuhën e letërsinë shqipe në shkollën shtatëvjeçare të Libohovës, ku punoi me përkushtim si mësues dhe edukator i brezit të ri. Veçanërisht është vlerësuar për punën e bërë gjatë kohës  që ishte drejtues i bibliotekës së fëmijëve në qytetin e Gjirokastrës, ku zhvilloi veprimtari të shumta e të ndryshme për propagandimin e leximin e librit, si dhe për zhvillimin e talenteve të reja në fushën e letërsisë. Për meritat e tij të veçanta, sot ajo bibliotekë, e vendosur në Qendrën Kulturore të Fëmijëve, mban emrin “Tasim Gjokutaj”.

       Më pas dha leksione për letërsinë për fëmijë në Universitetin “Eqrem Çabej”, ku ndihmoi për zbulimin dhe mbështetjen e talenteve në fushën e letërsisë për fëmijë e të rritur, një pjesë e të cilëve sot janë shkrimtarë të njohur.

2.  Në letërsinë për fëmijë:

Ka botuar rreth 30 libra, shumica me vjersha dhe poema për fëmijë, kryesisht humoristike, ndaj kritika e ka vlerësuar edhe si simbol e mjeshtër të kësaj letërsie. Ai tashmë është bërë një nga përfaqësuesit më të shquar të letërsisë për fëmijë, si dhe një nga emrat më të dashur e më të kërkuar për ta. Në krijimtarinë e vet Tasim Gjokutaj i është drejtuar dhe skenës, për të cilën ka shkruar shumë pjesë për kukullat, disa librete për estradën e fëmijëve e të rriturve, por edhe tekste këngësh që janë kompozuar e kanë marrë edhe çmime në festivale të ndryshme.

         Duke u nisur nga vlerat e veçanta edukative, artistike e didaktike, disa nga librat e tij për fëmijë janë botuar nga Shtëpia Botuese “Toena” në dy kolana. Kolana e parë mban titullin “Buronja humori” – 7 vëllime, dhe e dyta “Zemër fëminore” – 5 vëllime.

        Në nder të tij, “Toena” ka akorduar çmimin vjetor “Tasim Gjokutaj”, që i jepet librit më të mirë për fëmijë.

3.  Në studimet letrare:

       Gjatë viteve që punoi si pedagog, Tasim Gjokutaj u mor edhe me punë shkencore, fryt i të cilave janë dy librat me studime: “Lirikat e dasmës gjirokastrite” dhe “Letërsia për fëmijë, 1”, për të cilat mori edhe titullin “Doktor i shkencave filologjike”.