Inva Mula, ylli i natës moskovite

530
Një emër i ri që ka “pushtuar” botën, një zë që ka tundur skenat e Parisit, Nju-Jorkut, Romës, Londrës, Madridit, Tokios e…Moskës. Ishte viti 1996. Salla e madhe e koncerteve në konservatorin “Çajkovski” të Moskës është plot e përplot. Inva Mula, vajza e Nina dhe Avni Mulës, është ftuar të japë koncert. Kanë kaluar 36 vjet qysh kur në këtë sallë ka kënduar shqiptari i fundit. Ky fakt i shton emocionet artistes sonë. Po hap një epokë të re, një praktikë të re në marrëdhëniet me këtë vend, ku kanë studiuar me mijëra nga njerëzit tanë të artit, kulturës, shkencës e ekonomisë. Kjo gjë i shton së tepërmi përgjegjësinë për koncertin.
 
Edhe diçka tjetër e bën të jetë më e emocionuar se asnjëherë. Kjo pritje përpara interpretimit ishte ndryshe nga herët e tjera. E ku s’i shkonte mendja! Nuk kishte menduar ndonjëherë më përpara se do të këndonte po në atë konservator, ku kishin studiuar prindërit e saj, ku ishin njohur e ku ishin dashuruar. Nuk i besohej më përpara se do të këndonte në atë skenë, ku kishin kënduar edhe ata që e kishin nxjerrë në jetë. Kur kishte dhënë koncert në Paris, së bashku me Plaçido Domingon, nuk kishte patur këto emocione kaq të fuqishme, kaq të forta e tronditëse. I kujtohet ky koncert dhe mbushet me krenari dhe guxim. 

Sapo kishte mbaruar koncerti. Inva shkon në dhomën e saj për të ndryshuar veshjen e shfaqjes, e gëzuar pa masë prej suksesit të madh. Troket dera dhe hyn një plakë mbi 80-vjeçare. E përqafon me mall, sikur ta kishte njeriun më të afërt. “Kam punuar në këtë teatër, i thotë me përmallim, kam qenë garderobiere. Në vitin 1934, këtu, në këtë dhomë, kam veshur një artiste shqiptare kur po mbronte diplomën e kantos. E quanin Tefta Tashko, në mos gabohem…”. Invës i shpëtojnë lot. I kujtohet sopranoja jonë e shquar dhe ndien krenari për të. E emocionon shumë ky takim me gruan e moshuar dhe nuk di si ta falënderojë për këtë surprizë të këndshme…Sa thellë ka hyrë Tefta në zemrat e atyre që e kanë njohur e që kanë dëgjuar zërin e ëmbël të saj, megjithëse kanë kaluar mbi 60 vjet nga ajo ditë, mendon Inva. 

Dhe ja, tani, vjen çasti vendimtar. Orkestra virtuoze e Moskës drejtohet nga violinisti dhe dirigjenti i mirënjohur Spirokov. 
Hapin drejt skenës e hedh me një farë ndrojtjeje. A do të ketë sukses vallë?! A do të ketë suksesin e prindërve të saj, a do të mbetej në kujtesën e artdashësve si ata, si shokët e shoqet e tyre shqiptarë dhe së fundi si Tefta Tashko e paharruar?! Të gjitha këto mendime i ndeznin më shumë dëshirën që të bëhej ylli i kësaj nate të bukur moskovite. 

Duartrokitje të ngrohta e të fuqishme. 

Pastaj qetësi. Nga ana e saj kjo heshtje është e mbushur me kujtime të magjishme. Sa herë kishte dëgjuar nga prindërit për këtë konservator, për këtë sallë, për këta spektatorë… Por ky çast kaloi fluturimthi.  Kumbuan notat e para. Sikur u shkund prej tyre. Duke u kredhur në atë ujvarë tingujsh, iu duk se po zhytej në ujët e kulluar të një përroi. Trupin ia përshkoi një fllad i freskët. Në fytyrë i ndriti buzëqeshja e hirshme dhe e ëmbël e frazës së parë muzikore. Sytë i drejtoi andej nga ishin prindërit e saj. Kaq duhej. Me forca të përtërira, si asnjëherë tjetër, bëri të kumbojë fuqishëm zëri i saj i ëmbël e melodioz.  Sukses i jashtëzakonshëm…Takime, përqafime, urime…
Zëri i bukur i Inva Mulës kishte depërtuar thellë në zemrat e të pranishëmve, prandaj ajo ishte e lumturuar. Nuk kanë thënë kot se arti është prodhimi më fisnik i shpirtit të njeriut.
I afrohet një grua e moshuar. Pasi e përgëzon për suksesin, i thotë: 
– Kam pasur shok klase një shqiptar me mbiemrin Mula. Avni e quanin. A e njihni?! 
Inva bën buzën në gaz. Në këtë buzëqeshje kishte diçka fisnike. Sytë i ndriçojnë me një rrezatim të ngrohtë dhe i shpërndajnë dritë nga kënaqësia e saj shpirtërore.
Nuk i përgjigjet menjëherë. E vështron ëmbël, butë e ngrohtë: 
– Jo vetëm që e njoh, por ai është babai im! – i thotë plot ngazëllim. 
Gruaja e moshuar shtanget. Diçka i ndriçon në sy. Si nuk e kishte parashikuar?! Si nuk i kishte dalluar sytë e saj, fytyrën e saj, zërin e saj?! Si nuk kishte parë në to Avniun e Ninën kur kishin qenë të rinj?! Ia thotë këtë Invës, pas përqafimit të ngrohtë. 
– Babai me nënën janë këtu, po takohen me njerëzit e njohur…
Ja tek janë…Edhe një përqafim tjetër i përzemërt e i ngrohtë nga Avniu e Nina me shoqen e tyre të vjetër. 
Të nesërmen, të gjitha gazetat e Moskës shkruanin për suksesin e madh të Inva Mulës. 
Arti i përngjan kupës qiellore që nuk njeh kufi. Një artist i ri shkëlqen në këtë kupë si një yll i ri që rrezaton fuqishëm. 
Sigal