Inva Mula, merr rolin e drejtores artistike të festivalit operistik “Marije Kraja”

491
Sigal

Është prezantuar dje në
mënyrë zyrtare Inva Mula si drejtore artistike dhe si producente e festivalit
operistik “Marije Kraja”. Pas 15 vitesh, Zana Çela ka “hequr” dorë nga
festivali, pasi mban detyrën e drejtoreshës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe
Baletit.

“Është një gjë që më
pëlqen. Kur Zana ma besoi, do thosha që e dëshiroja. E kam ndjekur në fillimet
e veta. Fatmirësisht e fatkeqësisht është i vetmi në këto përmasa në fushën
vokale. Na jep dinjitet artistik. Është festival që pret artistë të huaj që të
marrin përvojë në Tiranë. Pavarësisht se jam e zënë me koncerte, nuk mund të
thosha jo sepse është kthyer në traditë”, tha sopranoja Inva Mula. Krah saj në
konferencë ishte prof. Robert Radoja, për të cilin Mula nuk harroi të thoshte
se është mësues i disa brezave. “Jemi me prof. Robert Radojën, që është
profesori ynë dhe i atyre para nesh. Është artist kaq i kompletuar dhe është
enciklopedi. Është libër i hapur, saqë e marr në telefon kudo të jem”.

Sipas Mulës, edhe këtë
vit festivali vjen me të njëjtën formulë. “Nuk kemi dalë jashtë strukturës. Unë
kam qenë në juri të ndryshme dhe nuk kam gjetur formulë më të mirë. Ky festival
del nga konturet e një konkursi dhe i përgatit këngëtarët për të ardhmen. Ka
qenë gjetje nga Zana. Nuk synoj të prish formatin, por të sjell një nivel të
lartë artistik të konkurrentëve, sepse ai sjell sukses”, tha sopranoja. Më pas
Zana Çela tha se Mula këtë vit ka kërkuar të ketë cilësi artistike më shumë se
sa shtrirje gjeografike të konkurrentëve.

As Çela, as Mula nuk
folën për të ardhmen – se sa kohë do jetë ky festival nën drejtimin e Inva
Mulës. “Do doja të ishte vazhdimësi, por varet nga Inva. E rëndësishme është që
kaloi në drejtimin e një personaliteti artistik si Inva. Nuk është zgjedhje
miqësore, por Inva ka qenë një ndër figurat kryesore që ka ndihmuar në rritjen
e këtij festivali. Ka qenë anëtare jurie dhe këtë e ka bërë edhe me sakrifica
për të qenë në edicione të ndryshme. Ka dhënë edhe kontribute financiare për
çmime të caktuara. Ka qenë një nga kontributet dhe unë Invën e njoh, sepse kemi
kënduar bashkë kur kemi qenë të vogla me prof. Robertin”, tha dje Zana Çela. E
pyetur mandej se cili do jetë pozicioni i saj në këtë edicion, Zana Çela tha:
“Unë do jem drejtorja e TKOB. Në tri vite ka qenë në festival Ilir Kerni si
anëtar jurie, këtë vit do jem unë. Do e mbështes. Festivali ka qenë çdo vit
pjesë e kalendarit të Operës”. Paneli i jurisë do të përbëhet nga personalitete
të rëndësishme, ndërsa pritet të ketë rreth 15 konkurrentë. Edicioni i 16-të i
Festivalit Ndërkombëtar Operistik “Marie Kraja” do të vijë këtë vit në datat 3,
4, 5 nëntor 2016, në orën 19.00 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.