Inva Mula e Genc Tukiçi, koncert me Orkestrën Simfonike të Nju Jorkut

561
Më 26 mars të këtij viti do të bashkohen orkestrimet e pianistit virtuoz shqiptar Genc Tukiçi dhe zëri sopranos së famshme Inva Mula në një koncert që do të mbahet në Town Hall, në Nju Jork të Amerikës. Tukiçi ka përzgjedhur orkestrimet e këngëve më të bukura patriotike shqiptare.
“Në këtë koncert do të jemi të drejtuar nga dirigjenti i shquar Bujar Llapaj, bashkë me Orkestrën Simfonike të Nju Jorkut”, pohon Tukiçi. Sipas Tukiçit është herët të jepen më shumë detaje për koncertin, “por pritet që së shpejti edhe biletat të dalin në shitje për këtë koncert shqiptar në qendër të kontinentit tjetër”. Town Hall është hapësirë me kapacitet prej 2 mijë personash.
Tukiçi, pianist e kompozitor shqiptar, ndonëse jeton dhe punon prej 25 vitesh në Paris, shprehet se lidhjet shpirtërore dhe profesionale me Shqipërinë nuk i ka shkëputur. Këtë e dëshmojnë të gjitha veprimtaritë artistike, në të cilat ai ka qenë pjesëmarrës, duke bashkëpunuar me emra të rëndësishëm të artit shqiptar dhe ka pasur shumë bashkëpunime të tjera me Inva Mulën. Edhe sopranoja e njohur Inva Mula gjatë vitit që shkoi ka pasur aktivitete në Shqipëri, me ngjitjen në skenë të operas “Pagliaçi”, ku kontribuoi edhe si regjisore, dhe në Kosovë me interpretimin e “Himnit të Nënë Terezës”. Ndërsa Bujar LLapaj pas shumë aktiviteve në orkestrat prestigjioze të botës, ka bashkëpunuar edhe me orkestrën e Radiotelevizionit Shqiptar. 
Sigal