Inva me dy standarde, këngëtare në perëndim dhe regjisore në Shqipëri

785
Më 27 mars gazeta e përditshme x lajmëroi se në muajin maj do të vijë në Shqipëri sopranoja jonë Inva Mula me projektin e operës Palaçot të Ruggero Leoncavallo ku Inva do të interpretojë rolin e Nedës, dhe do të bëjë regjinë e shfaqjes, duke e cilësuar atë si ngjarja më e madhe e vitit. Deri këtu çdo gjë duket në rregull. Pas përrallave të Hofmanit që sopranoja interpretoi në TKOB në vitin 2010 kanë kaluar 5 vjet dhe mungesa e Invës në TKOB me një shfaqje operistike nuk ishte e vogël, përjashto këtu koncertin e 100 vjetorit të çlirimit që u bë në pallatin e kongreseve në 28 nëntor 2012 .Titulli operistik që Inva i propozon TKOB është interesant, por është një vepër e vogël me një kohëzgjatje prej 1 ore e 30 minuta dhe nuk hyn në repertorin e madh të teatrit muzikor megjith intensitetin dramatik që ka dhe mbylljen tragjike. Në një intervistë televizive Inva deklaroi se vënia në skenë ishte një domosdoshmëri. Tani që shfaqja ka mbaruar është e qartë pse ishte domosdoshmëri vënia në skenë nga ana e Invës e operas Palaçot. Neda nuk është një personazh i klasit të parë për soprano, personazhi kryesor është Kanio, ndaj dhe ajo i drejtohet regjisë për të ruajtur primatin e shfaqjes sepse e di se Fracarro është zoti i shfaqjes. Do të thoshim se edhe në arenën ndërkombëtare Inva po këndon role pa shumë peshë si Adina tek Elisir D’amore, apo Nedda tek Palaçot, Dezdemona tek Otello. Tashmë ajo i ka kaluar të 50-tat dhe mosha bën punën e saj, ndaj dhe ndoshta ajo ka vendosur të vihet në rolin e regjisores duke e vënë vetë shfaqjen në skenë. Po përse në Bilbao, Inva këndon vetëm Nedën e nuk bën regjinë? Përse dy standarte, një në perëndim, e standartin e tekave në Shqipëri? Rreth 30 vjet më parë dirigjenti me famë botërore Karajan vuri në skenë vetë operan Palaçot e cila mund të shihet në yutoube. Rreth viteve 80 regjisori me famë botërore Franko Zeffireli e vuri po atë shfaqje në skenë në formë filmike dhe po ta krahasosh me atë të Karajanit diferenca është si midis diletantit dhe profesionistit. Kur Pavaroti i madh i kishte kaluar të 50-tat iu tek të vinte një opera në skenë dhe e bëri, por pas saj nuk guxoi më. Ish drejtori i Skalës së Milanos francezi Lisner kur mori detyrën e tij dha një konferencë shtypi ku theksoi se, ai ndryshe nga Mutti do të sillte në teatër emrat më të mëdhenj të dirizhimit, kantos dhe regjisurës botërore, por duke e hapur teatrin drejt regjive moderne franko – gjermane dhe duke larguar diletantizmin që ishte shfaqur rëndom. Ndërsa tek ne ndodh e kundërta. Në vend që në TKOB të shohim emra të mëdhenj si dirigjentë, regjisorë, e këngëtarë të huaj të skenave botërore siç disa prej tyre i kemi parë gjatë drejtimit të TKOB nga Ciko, shohim eksperimente bajate që bota i ka bërë me kohë. Me këtë orientim diletantesk radhën tjetër Mulën do ta shohim me siguri si koreografe ose si violiniste ndërsa Voshtinën si këngëtare ose dirigjente. Tani çdo gjë mund të ndodhë në TKOB dhe Mula këtë e di mirë. Tani edhe shkrimet kritike për shfaqjet i porosit Voshtina duke afruar në TKOB sharlatanë me pagesë të tipit Vokopola që s’kanë mbaruar për muzikë dhe duke i diktuar se kë duhet të lavdërojnë e kë duhet të shajnë.
Shfaqje fasadë
Mula ndërton një shfaqje fasadë me luk të jashtëm duke e vendosur shfaqjen në Tiranë me mesazhin e luftës kundër dhunës ndaj grave. Mirëpo”Palaçot”është një shfaqje province të humbur ku një trupë e vogël komediantësh shkon për të dhënë shfaqje. A mundet vallë që në Tiranën e sotme një trupë cirku të pritet në rrugë nga populli i kryeqytetit? Kjo është krejtësisht e pabesueshme dhe surreale. Mula e ka të qartë se, nën petkun e regjisores nuk mund të vijë në Tiranë me një plagjiaturë, por i duhet të krijojë spektakël, ndaj ka menduar se duke e vendosur shfaqjen në Tiranë do t’i shpëtojë syrit të specializuar dhe duke u fshehur pas emrit të madh që ka si këngëtare do t’i shpëtojë kritikës së specializuar. Mirëpo brenda kësaj fasade pallatesh të Tiranës së sotme fshihet një shfaqje rutinë nga ato që Inva ka luajtur rëndom lart e poshtë, me regjisorë të ndryshëm. Ndaj dhe ajo i ka përzier keq konceptin modern me atë klasik të shfaqjes duke na dhënë një shfaqje pa unitet stilistik, por një konglomerat mballomash. Kështu pa kuptim janë motori, lypësi, plaku që lexon gazetën dhe projeksioni i gazetave në fund të shfaqjes dhe duken si gjëra të shtuara artificialisht. Sikur autori të ngrihej nga varri me siguri që nuk do ti besonte syve e veshëve. Loja në përgjithësi është e varfër, me një aktrim mediokër si nga ana e solistëve edhe nga ana e korit, i cili vendoset keq në të gjitha pozicionet e tij në mizanskena amatore, të pa kuruara, përfshi këtu edhe korin e fëmijëve që sillet kot në skenë pa asnjë kuptim. Kështu sillen edhe solistët, pothuajse të gjithë me lëvizje herë të kota e herë naive. Kështu Kanio në aktin e parë është totalisht i shkëputur nga kori dhe personazhet e tjerë, Tonio në linjë të dytë sillet rrotull pa asnjë kuptim, duetet Nedda Tonio dhe Nedda Silvio u realizuan me mizanskena sipërfaqësore, të varfra dhe me një plastikë e diksion të dobët. Këto duete që në dramaturgjinë e veprës janë të karakterit intim nuk mund të zhvillohen në të njëjtin vend ku Nedda këndon arien e saj, ku shpalos botën e saj të brendshme. Madjee edhe skena me Silvion dashnor, duhet të zhvillohet jo në të njëjtin vend ku zhvillohet skena me Tonion, por Mula ka menduar vetëm për lukun, e jo për aksionin, ndaj dhe të dy duetet janë të pabesueshëm dhe të dobët skenikisht, madje edhe spiunimi që Tonio i bën Nedës tek Kanio duket krejtësisht i vakët e i pakuptimtë. Edhe në aktin e dytë mungon loja tipike e klounëve dhe çdo gjë duket e zbehtë, e pa karakter, si nga loja e solistëve edhe nga reagimet falco të korit. Rasti i operas Palaçot është rasti tipik se si profesionistët e një teatri sillen si diletantë. Tani çdo gjë është e mundshme në TKOB, kjo është rilindja, ky është drejtimi i duhur nën regjinë e Abigeila Voshtinës, kushërirës së Ministres Kumbaro.
Skenografia
Skenografia e Bledar Gërcalliut është një konglomerat objektesh të Tiranës pa lidhje me njëri tjetrin. Pallate me ngjyra e me shigjeta, disa shtëpi dykatëshe, ura e tabakëve, disa kuinta që pothuajse nuk dukeshin fare se mbuloheshin nga shtëpitë, dhe në fund i vinte vulën vagoni dykatësh që mbulonte totalisht fondalin e pallateve me rrota qerreje dhe që s’kishte asnjë lidhje me Tiranën moderne. Kësaj skenografie i mungon totalisht dimensioni dhe raportet midis objekteve dhe uniteti stilistik. Skenografi mund të kishte përdorur video projeksionin dhe ti kishte eliminuar totalisht telajot e kota të dala jashtë mode, bile edhe hëna në aktin e dytë dukej si teatër kukullash.
Dirigjenti i shfaqjes 
Michelangelo Mazza
Dirigjenti i shfaqjes Michelangelo Mazza që është një violinist spalë e një orkestre italiane ka meritën kryesore për suksesin e shfaqjes. Megjithëse instrumentist, ai e njeh mirë veprën dhe arrin një tingëllim maksimal të orkestrës dhe të korit, dhe e lidh mirë gropën e orkestrës me aksionin në skenë. Veprat veriste kanë një orkestracion të fuqishëm dhe nuk pranojnë kompromise në tingëllim, ndaj dhe dirigjenti që e di mirë këtë, duke qenë skrupuloz realizon një interpretim shumë të mirë muzikor, pa të cilin suksesi i shfaqjes do të ishte i vakët. 
Walter Fracarro
Në rolin e Kanios, Ëalter Fracarro shkëlqen absolutisht mbi të gjithë edhe mbi Mulën, rolin e administron perfekt në të gjithë dimensionin e tij muzikor dhe skenik, i fuqishëm, me një teknikë perfekte, me fraza të bukura legato, dhe me akute të shkëlqyera ishte padiskutim mbreti i shfaqjes, mbi të gjithë të tjerët në të gjitha drejtimet. Pa të shfaqja do të ishte e zbehtë. Fracarro me një karrierë të spikatur botërore solli modelin e një këngëtari model dhe e shpëtoi shfaqjen nga diskretitimi. Inva Mula edhe një herë tregoi se është një këngëtare shumë e mirë dhe është adapt për këtë personazh. Ajo realizon fraza shumë të arritura tek aria, ndërsa tek dueti me Tonion nxjerr në pah dramacitetin vokalo-skenik, në duetin me Silvion ajo kthehet menjëherë në një soprano lirike. Në aktin e dytë realizon mirë karakterin komik të Kolombinës personazh i komedisë së maskave. E shkathët me një plastikë të bukur i dha sharm personazhit, por nuk u ngjit në nivelin e Fracarros edhe për shkak të diksionit të dobët. Në rolin e Tonios Gocha Abdulazze realizon një Tonio interesant si në aktin e parë edhe në të dytin. E këndoi mirë prologun e vështirë, po ashtu ishte i saktë edhe në duetin me Nedën dhe arien e tij “so ben che diforme”. I sigurt në partin muzikor dhe në diagramën e personazhit e zotëron personazhin edhe në anën skenikepor vikali i tij nuk është i kualitetit të parë. Megjithëse ne nuk pamë një Tonio Gungaç sipas libretit, Abdulazze bëri një figurë të mirë. Silvio i Armando Likës ishte i sigurt në frazat muzikore në duetin me Nedën si në notat e ulëta ashtu edhe në akute dhe ky rol i shkon mirë. Megjithatë si personazh na u duk pak jashtë kohe në Tiranën e sotme i veshur me kostum të bardhë dhe me tufë lulesh në dorë, si “Koçi” te “Zonja nga Qyteti”. Gjithsesi ai ishte i sigurt edhe në planin skenik megjithëse përgjërimet e tij dukeshin pak modë e vjetër e viteve 20. Mirë u paraqit edhe Klodian Kaçani në rolin e Arlekinit si nga ana muzikore edhe nga ana skenike,duke u sjellur korrekt me personazhet e tjerë dhe duke nxjerrë më të mirën e tij. Kori i TKOB interpretoi korrekt si në aktin e parë edhe në të dytin megjith ndonjë defekt të vogël në dialogët e aktit të parë. Shumë koristë u panë të veshur me rrobat e tyre. Në natën e dytë interpretuan Marjana Leka në rolin e Nedës, Ylber Gjini në rolin e Tonios dhe tenori i ri italian Davide La Verde. Duhet thënë se të tre nuk u ngritën në nivelin e grupit të parë as muzikalisht e as skenikisht. Në pjesën e parë të mbrëmjes interpretuan Vikena Kamenica në rolin e Santucës, dhe Eva Golemi në rolin e Adriana Lëkuvrër. Të dyja megjith përpjekjen nuk paraqitën më të mirën e tyre. Kamenica ishte e kontraktuar sidomos në akute që i kishte si të pickuara e pa timbër dhe ishte me një plastikë të kontraktuar e diksion të dobët, ndërsa Golemi me gjithë pianisimot e bukura paraqiti luhatje të vokalit me vibrato të gjëra në notat legato, dhe me diksion të dobët. Në përfundim mund të themi se as Paliacci nuk i shpëtoi histerisë mediatike të gatuar në zyrat e TKOB të cilat janë mbushur me injorantë që kurrë nuk kanë shkelur më parë në TKOB dhe tani kapardisen duke porositur shkrime të shpifura injorantësh provincialë dhe kronika televizive që emocionojnë vetëm budallenjtë. Paliacci i dha një mësim të mirë vetë protagonistes së shfaqjes dhe të gjithë atyre administrataxhinjve të rinj te operas që megjithëse deshën ta paraqesin Mulën si Mesia që zbriti në tokë duke mohuar në mënyrë të turpshme tenorin Frakarro, dirigjentin e talentuar dhe të gjithë artistët e tjerë pjesëmarrës nuk ja arritën dot, sepse siç thotë populli “deshën të vinin vetulla por nxorën sytë” dhe kështu do të vazhdojë t’i nxjerrin edhe në të ardhmen kur të gjithë sezonin artistik ta drejtojë një injorante violiniste e paskrupullt si Abigeila Voshtina që nuk ndodh në asnjë teatër të botës dhe që me të drejtë artistët e operës e quajnë “Mostra”që bërtet si kafshët nëpër korridoret e operas
Sigal