INTERVISTA/ PIKTORI I MIRËNJOHUR ALEKSANDËR DRAGOTI

793
Albert Z. ZHOLI

Ju tregoj marrëdhëniet e babait tim me Kadri Hazbiun, Hysni Kapon, Mehmet Shehun, Haki Toskën por edhe Enver Hoxhën
-Kadri Hazbiu thoshte, dy burra ka Ministria e Brendshme, Ndreko Rino dhe Asaf Dragoti. 
-Enver Hoxha i thotë Hysni Kapos: Varri i Asaf Dragotit të rregullohet urgjentisht!
-Babai e qortoi rëndë nënën që lajmëroi Mehmet Shehun kur u sëmur, s’e di pse.
Babai i Aleksandër Dragotit, Asaf Dragoti ka qenë Komandnat i Brigadës VIII Sulmuese. Ai mbetet një ndër figurat më të shquara të Luftës Nacional-Çlirimtare. Sipas kujtimeve të Aleksandrit, babai i tij kishte miqësi me Kadri Hazbiun, Hysni Kapon, Mehmet Shehun, Haki Toskën, por edhe Enver Hoxhën. Gjatë Luftës miqtë e tij ishin Abaz Shehu, Mustafa Matohiti. Më vonë shokë të tij u bënë dhe Dilaver Poçi, Mihallaq Ziçishti, Gafur Çuçi, Luan Omari, Rahman Perllaku, Teki Koloneci, por njeriu që i ka ndjenjur më afër familjes Dragoti pas vdekjes së babait ishte Kadri Hazbiu.

-Babai juaj, Asaf Dragoti ka qenë Komandat i Brigadës VIII Sulmuese, a është vlerësuar sa duhet figura e tij?
Babai im mbetet një legjendë në Luftën Nacional-Çlirimtare, por ai më pas u la në harresë nuk e di përse. Ai mbetet një njeri i heshtur dhe punë shumë në gjithë ato ç’kanë folur për të.

-Me sa ju ka treguar nëna dhe motrat, në Luftë kush ishin miqtë e babait tuaj?
Miqtë më të ngushtë të Luftës ishin Abaz Shehu, Mustafa Matohiti. Më vonë shokë të tij u bënë dhe Dilaver Poçi, Mihallaq Ziçishti, Gafur Çuçi, Luan Omari, Rahman Perllaku, Teki Koloneci.

-A ka mbajtur shënime babai gjatë Luftës? A keni ditar të tij?
Po kishte mbajtur, por ne gabuam se i çuam në KQ të PPSH, të cilët i shfrytëzuan. Por nuk e di se ku shkuan më vonë. Ishin gjëja më e shtrenjtë, pasi u shfrytëzuan duke mos përmendur emrin e tij. 

-Këta shokë a e kanë përmendur emrin e tij pas vdekjes?
Unë dua të falënderoj Luan Omarin, i cili më vjen më takon dhe më thotë, mbajeni gjallë kujtimin e Asafit, se ishte burrë i rrallë, ishte burrë i lartë. Por nuk di si të shprehem për sjelljen e Rahman Perllakut, i cili nuk e ka përmendur kurrë emrin e tim eti në shumë aktivitete. 

-Kur je befasuar për emrin dhe figurën e babait në takimet e fundit?
Jam befasuar në vizitën që i bëra shoqes Nexhmije Hoxha me rastin e 16 tetorit, ditëlindjes së Enver Hoxhës në shtëpinë e saj. Kur Iu prezantova ajo më tha ulu afër. Më foli për figurën e babait dhe tha se për Luftën Nacional-Çlirimtare po hidhet shumë baltë padrejtësisht. Ajo foli me respekt për të gjithë komandantët e Brigadave të luftës ku veçoi dhe babanë tim. Për më tej shoqja Nexhmije foli për këto 27 vite tranzicion duke e quajtur harresën ndaj Luftës si një gabim të pafalshëm të politikës shqiptare. Sot janë harruar të gjithë komandantët ashtu siç është harruar dhe babai juaj, por ne duhet ta çojmë në vendin që i takon Luftën e madhe N-Çl. 

-Me kë kishte më shumë shoqëri babai juaj?
Babai im kishte më shumë shoqëri me Kadri Hazbiun, Hysni Kapon dhe me Mehmet Shehun. Ndoshta se babai im pas Luftës ishte një nga Drejtorët më me rëndësi në Ministrinë e Brendshme. Kadri Hazbiu vinte vazhdimisht në shtëpinë tonë dhe siç më thoshte nëna ata flisinin dhe veçmas në dhomë pa praninë e askujt. Mehmeti vinte çdo 5 maj edhe pas vdekjes së babait. Pra këta dy ish-udhëheqës ishin më të pranishmit në jetën e familjes sonë. Në shtëpinë tonë vinte dhe oficeri i Shërbimit Inteligjent Shqiptar, Ndreko Rino. Ndreko dhe Kadriu vinin vetëm në mbrëmje. 

-Kush nga udhëheqësit u lajmërua kur babai ishte sëmurë?
Nëna kur pa babanë në gjendje të keqe I thotë motrës së madhe të lajmëronte Mehmet Shehun, jo vetëm se e kishte shok, por urdhri tij zgjidhte shumë problem. Sa e lajmëroi motra, Mehmeti erdhi menjëherë me makinën e tij. Mehmeti tregonte shumë i shqetësuar. Menjëherë Mehmeti me adjutantët e tij lajmëroi mjekët, të cilët erdhën menjëherë. Mjekët i thanë se duhet të shkonte në spital të specializuar në Odesa. Babi në atë gjendje e qortoi nënën që lajmëroi Mehmetin. Babai u nis për Odesa, por u kthye në gjendje të rëndë. I kishte humbur shpresat. Kur erdhi nga Odesa erdhi dhe e pa dhe Enver Hoxha, por…

-Po pas vdekjes së babit tuaj a vinte më Kadri Hazbiu?
Po vinte i shoqëruar. Mbaj mend që kur isha i vogël ai më mbante në prehër dhe i thoshte nënës që Aleksandrin do ta marrim në Ministrinë e Brendshme. Duhet të ecë në rrugën e babait. Gjithmonë nga xhepi do të nxirrte një çokollatë të madhe, të cilën ma jepte me shumë dashuri. Thonë që ishte dorëlëshuar. Por unë kur u rrita me gjithë dëshirën e tyre e zgjodha vetë rrugën e jetës, rrugën e artit, rrugën e pikturës. Por ende më ka mbetur në kujtesë çka më ka thënë nëna: Kadri Hazbiu thoshte dy burra ka Ministria e Brendshme, Ndreko Rino dhe Asaf Dragoti. 

-Çfarë kujtimesh ruajnë motrat dhe nëna nga ish-udhëheqësit pas vdekjes së babait?
Nëna dhe motra e madhe më tregojnë se kur varret e dëshmorëve ishin në një parcelë veç tek ish-varrezat e vjetra, Enver Hoxha dhe Hysni Kapo shkonin bashkë për homazhe në këto varreza. Në këto varreza ishte dhe varri i nënës së Enverit, afër varrit të babait. Një 5 Maj kur shkuan për homazhe Enveri i tha Hysni Kapos: “Pse varri i Asafit nuk është i rregulluar? (kishte disa dëmtime) Asafin e kemi pasur komandant të zotin dhe fjalëpakë.” Hysniu u gjend ngushtë dhe nuk foli. Me ta ishte dhe Haki Toska. Enveri i thotë Haiku: “Pse kjo gjendje e varrit të Asafit?” “Po ja s’kemi pasur fonde”, u shfajësua Hakiu. “Turp Haki, ky varr të rregullohet!” Të nesërmen Hakiu urdhëroi sekretarin e tij që të mirrte në telefon ndërmarrjen Komunale dhe varri i babait u rregullua si mos më mirë. Për rregullimin e parë të varrit të babait, vëllai shiti një radio “Filips” për ta rregulluar sipas kohës. 

-Pra Hysni Kapo ka treguar kujdes për familjen tuaj?
Po. Ai mbetet një mik i familjes. Nëna, kur vëllai im mbaroi shkollën e mesme, shkoi tek Hysni Kapo që vëllai të shkonte jashtë për studime. Hysniu e ndihmoi që të shkonte në Gjermaninë Lindore për mjek patholog. Ai studio në Universitetin “Karl Marks”, aty ku ka studiuar dhe Merkel. Kur u kthye nëna shkoi sërish tek Hysniu që vëllai të shoqëronte turistët gjermanë si përkthyes, pasi dinte mirë gjermanishetn. Në të dy rastet ai na ndihmoi. Por fatkeqësisht vëllai im vdiq shumë shpejt, edhe pse e u bë çmos. Arkivoli i tij nuk u hap.
Sigal