Intervista/ Elinda Sulejmani: Jeta ime nga mis gjimnazi, tek ekranet e televizionit. Puna si gazetare, intervistat me VIP-at

1293
Sigal

Tek “Fiks Fare” si balerinë ishte një
eksperiencë e bukur

-Tek Planet intervistova
80 deputetë e Ministra dhe 40 persona VIP të botës të artit

-Si gazetare në
emision isha në opozitë me çdo parti që vinte në pushtet.

-Në festën e
100-vjetorit të Shpalljes të Pavarësisë realizova për herë të parë një emision
live në terren

– Kam fituar me
konkurs titullin “Eksperte e zyrës së shtypit të projektit ,, PAZA,

 

Albert Z. ZHOLI
   

 Kam bërë me qindra intervista. Me politikanë,
njerëz të ndryshëm, të artit, shkencës, kulturës dhe të tjerë. Për Elindën u ndjeva
pak në siklet. E përse? Dua t’ju rrëfehem për këtë, por fillimisht po ia lë
intervistës me Lindën që ta kuptoni këtë sikletin tim.

Kam kohë që e njoh Lindën dhe bota e artit dhe e medieve
na bashkoi një ditë . Përveç shtrëngimit të duarve dhe të kafes filluam një
komunikim pune  miqësor. Në email-et dhe SMS-të
e para fillova të kem një keqkuptim me këtë vajzë dhe disa herë iu shmanga. Përdorte
shumë në fjalët e saj metaforën. Fabula dhe batuta ishin të pranishme në
bisedat e saj. Atëherë u bëra trim dhe vendosa të ndeshem miqësisht. Më vonë u
ndjeva shumë mirë me të dhe shpesh herë më duhej të ndërroja rrugë në bisedë.
Pasi ndjehesha i mundur në debatin me të. Si është Elinda?  Ajo njëherë duket si anija në furtunë, njëherë
si valët e detit në pragmbrëmje pranvere. Njëherë të duket si një oqean i thellë
që nuk nxjerr asnjë mister, njëherë të duket si kristal që e lexon të gjithën.
Njëherë të duket si Zanë përrallore që s’mund ta kapësh dhe herë të duket si
vajzë kanakare që i trembet dhe fluturës. Brenda saj gjen në një ditë të gjitha
stinët e vitit, sipas punës, ritmit të jetës, objektivave që i ka vënë vetes.

Nejse fola me Lindën dhe i thashë për intervistën.
Ma preu që në fillim.

Pyetjet i dua kur të jemi përballë, me diktofon.  Jo më përpara.

Kush është Elinda Sulejmani në hapat e para, në
shkallët e artit dhe medias?

Çdo gjë për mua
ka një fillim që shumë kujt mund t’i duket si e parëndësishme. Këtu dua të
filloj për të treguar se si mund ti gjesh shkallët për në botën e artit dhe
medias. E më pas të fillosh të ngjitesh. Në shkollë të mesme mua më ka tërhequr
shumë ora  e mësimit të letërsisë. Isha e
prirur të lexoja edhe ndonjë libër, edhe pse ishte momenti që njerëzit po rrëmbeheshin
nga mania e argëtimit të kanaleve të shumtë televiziv. Një bollëk filmash dhe
spektaklesh. Edhe unë u rrëmbeva në këtë rrymë. Më kalonin orë të tëra para TV
dhe të nesërmen kur diskutoja me shoqet, më vinte mirë që unë kisha arritur të
kuptoja fabulën e filmit. Kurse ato e kishin parë filmin për t’i zënë sa më
lehtë gjumi. Pra filmi për to ishte në vend të ninullës, ha ha ha. Atëherë më
saktë këto ishin hapat e para të mia për të kërkuar dhe gjendur shkallët e botës
të artit, gazetarisë, ekranit dhe medies. Këtu filloi ëndrra. Që unë një ditë të
isha në ekran.

Kush ka qenë evenimenti i parë që ju dolët në ekran?

Faktikisht
emocionohem kur kujtoj herën e parë timen në një spektakël në TV. Më
konkretisht. Kam qenë në vitin e katërt të gjimnazit. Maturante. Mësova që
kanali televiziv Top Channel, në atë kohë më i preferuari, organizonte në të
gjithë shkollat e mesme spektaklin e përzgjedhjes të, Miss shkolla. Më pas do
mblidheshin të gjitha vajzat fituese të gjimnazeve të Tiranës në një konkurrim
për të zgjedhur Misset gjimnaziste të Tiranës. Ky spektakël organizohej nëpër
shkolla nëpërmjet stafit të emisionit të mëngjesit “Good Morning Albania” të
Top Channel. Unë u ndjeva pak me turp dhe vendosa të qëndroj pak e fshehur. Të
mos aktivizohesha në këtë eveniment. Edhe pse mësuesja dhe shoqet e mia më
thoshin që duhej të merrja pjesë doemos. Atë ditë që do bëhej spektakli unë
isha veshur normalisht si përherë. Sa hyra në oborrin e shkollës dëgjoj të më thërrisnin.
Ndjeva që një dorë m’u hodh në sup me dashuri. Ishte e famshmja e emisionit,
Paloma. Vura re që ishte dhe mësuesja ime bashkë me një tufë shoqesh. Ma hoqën
emocionin dhe më bindën që unë të ngjitesha në të ashtuquajturën skenë të
improvizuar të spektaklit. Rrija gjithë ankth kur të vinte procesi i eliminimit.
Një nga një filluan të më largoheshin shoqet. Më së fundi lumturia më e madhe
fitova. Pra kjo ishte hera e parë që dola në ekran. Madje live. Që atë ditë
mediat kthyen pak vëmendjen nga mua.

Kjo ngjarje ishte hapi i parë drejt
emisionit Fiks Fare si balerinë?

E vërtetë kjo
ishte arsyeja për tek emisioni i Fiksit. Por para se të arrija atje u mora dhe
me disa aktivitete të tjera. Do të përmend që unë konkurrova dhe për “Miss
Albania,, në rang vendi. Arrita të futem në 15 femrat më të mira. Erdhi dita që
u bë konkurrim i organizuar nga Top Channel në rang vendi. Mora pjesë dhe
fitova. Konkurrimi nuk përzgjidhte balerina vetëm nga pamja por duheshin disa
kritere dhe njohuri mbi letërsinë dhe artin. Pyetjet të cilat i përballova me
sukses. Dilja çdo ditë në ekran dhe provoja magjinë e tij. Një emocion i rrallë.
Këtu fillova të ngjitesha pak si shpejt në shkallët e medies. Pas dy vjetëve
pjesëmarrje në këtë emision unë pata dhe mundësinë  të merrem edhe me shkrime dhe  produkte gazetarie. Njëkohësisht vazhdoja
arsimin e lartë Gjuhë Letërsi. Mora dhe pjesë në spektaklin Miss Ballkani që
zhvillohej në Greqi ku unë zura një vend.

Ku është konkretisht fillimi i punës
tuaj si gazetare?

Një ditë më thërret
drejtori i TV Planet, Mitro Çela. Mbas një bisede me të unë duhej të filloja
tek ky kanal TV me dy detyra. Do të isha gazetare me çështjet e politikës dhe
sociale dhe do të kisha një emision ku do merrja në intervistë njerëz VIP-a të
politikës, artit, biznesit e të fushave të tjera.

Çfarë ideonte ky emision për
teleshikuesit?

Ky emision
merrte në intervistë VIP-a, personalitete etj,  për jetën e tyre personale e familjare.  Pra nuk pyeteshin për detyrën e tyre në
politikë apo ku punonin. Unë intervistova 80 deputetë e Ministra. Dhe 40
persona VIP-ave të botës të artit dhe të fushave të tjera; si të biznesit, shkencave
dhe arsimit. Ky emision më afirmoi dhe më detyroi të hyja në kanalet e politikës.
Ta ndjeja politikën dhe të isha opozitë me çdo parti që vinte në pushtet.

Si ndjeheshit si gazetare e terrenit?

Do të tregoj vetëm
për një rast që për mua ishte emocionues dhe kisha shqetësimin e justifikuar,
se a do ta realizoja dot. Ka qenë dita e 
festës së 100-vjetorit të Shpalljes të Pavarësisë. Unë drejtoja ekipin
prej katër vetash të studios lëvizëse që transmetonte live. Deri atë ditë unë kisha bërë intervista në terren me qindra.
Për çdo lapsus ose defekt në filmim kishim shansin që i shkurtonim ose i
redaktonim në montazh. Pra kjo të bënte të ishe më e qetë. Kurse kësaj radhe
duhej të dilja perfekt, sepse qe direkt. Nuk më lejohej asnjë gabim. Gjithçka
ishte drejtpërdrejtë. Me rrëmbeu hovi i festës dhe për një çast harrova që isha
live. Vazhdoja të transmetoja direkt festën. Kur u ktheva në studio dëgjova një
krismë. Kryeredaktorja e hapi një shishe shampanjë. Të gjithë më përqafuan dhe
brohoritën. Kisha bërë një transmetim të shkëlqyer live. Ishte hera e parë për këtë TV që realizonte një edicion të
tillë. Unë i falënderova shokët e stafit që harxhuan dy mijë lekë të vjetra për
një shampanjë. Ha haa.

Më pas cili ishte hapi i juaj?

Hyra në një konkurrim
për të fituar një vend pune në një projekt të BE në vendin tonë. Fitova të
drejtën e këtij vendi. U quajta “Eksperte e zyrës së shtypit të projektit “PAZA”.
Kjo është një punë që unë vazhdoj ta bëj. Pasqyroj në fotografi, në kamera,
gjithë punën e këtij projekti. Unë jam dashuruar shumë mbas kësaj pune, sepse
ky projekt mbulon të gjithë Shqipërinë. Unë jam angazhuar të shoqëroj ekspeditat
të ekspertëve profesionistë të PAZËS në çdo cep, qytet apo fshat. Që nga
Shkodra deri në Sarandë. Është shumë e këndshme dhe tërheqëse. M’u dha shansi të
njoh mirë vendin tonë, traditat, zakonet , kulturën dhe natyrën e vendit tonë.
Kam krijuar arkivin tim me shumë foto e filmime. Gjatë kësaj kohe jam angazhuar
si bashkëpunëtore në disa media vizive dhe të shkruar.

Cila është media vizive që drejton kamerën
nga ju ?

Duke qenë se unë
jam eksperte e “Projektit Paza” kam bashkëpunim me të gjitha kanalet televizive
lokale në të gjithë vendin ku unë jap intervistë mbi evenimentet e  projektit që zhvillohen në ato rrethe të vendit.
Gjithashtu është me kontratë që unë bashkëpunoj me TV shtetëror. Për sa i përket
bashkëpunimit mediatik unë jam shpesh herë e ftuar tek Channel one, Top Channel
dhe Vizion plus. Kam bashkëpunuar dhe botuar shkrime tek “Gazeta Shqiptare”.

Po në korridoret apo shkallët e politikës
ke tentuar të hysh?

Si çdo njëri unë
kam pasur preferencat e mia për politikën por jo e angazhuar. Më është dashur që
fushatën e 2013 ta pasqyroj në Web dhe në mediat e shkruara. Gjithmonë unë kam qenë
opozitë me çdo qeveri. Në këtë kohë kam punuar këshilltare e shtypit dhe e
medias pranë Ministrit të Bujqësisë të asaj kohe. Këtu filloi hapi i parë për
shkallët e politikës.

Ndonjë e re aktualisht

Para një muaji
unë u “kurorëzova” nga gazetat e Brukselit (BE) News Europe si gazetare e korrespodentë
për Shqipërinë. Për momentin kam në dorë një anketim për të nxjerr politikanin
VIP të vitit që po mbyllim. Krahas kësaj më duhet të bëj dhe një sërë shkrimesh
për gazetën europiane dhe për mediet e vendit.

Dhe një pyetje personale më së fundi.
Kush është Linda si femër?

Zakonisht unë
nuk para preferoj të tregoj në media për jetën time personale. Po them aq sa
thuhet. Jam single,  në proces e sipër për
te krijuar një familje.  Nuk preferoj
lokalet e zhurmshme si pub-et apo disko-t. Përpiqem te vishem thjeshtë e bukur.
Eci me modën por nuk vrapoj pas saj. Ndjek pothuajse të gjitha evenimentet
artistike, si panaire, ekspozita, promovime libri etj. Shkoj rregullisht në
teatër. Rrëmoj shpesh në bibliotekën time. Nuk ndahem dot nga libri. Miku im
prej vitesh.

Kam dëgjuar që kinin talent në art.
Cilat janë?

Që e vogël kam
pasur pasion të pikturoja. Ruaj akoma vizatimet e para që kam bërë kur isha fëmijë.
Me kalimin e kohës e kam perfeksionuar këtë profesion. Sot më rrethojnë shumë
miq piktorë dhe diskutojmë për pikturat tona. Por piktura ime ka ecur
paralelisht edhe me muzikën. Në shkollë të mesme jam marrë me instrumentin e fizarmonikës.
Më pas kalova tek kitara. Edhe sot unë vazhdoj të luaj me kitarën time të
dashur. Këndoj shpesh serenata.