Integriteti dhe Transparenca kundër Korrupsionit

1019
Institucionet supreme të auditimit (SAI-t) konsiderohen sot në botë si një faktor sigurie brenda sistemit të menaxhimit të financave publike dhe kanë role dhe përgjegjësi të mëdha për parandalimin dhe zbulimin e mashtrimit financiar dhe korrupsionit, së bashku dhe në sinergji me institucionet e tjera ligjzbatuese të vendit. SIGMA(Mbështetja për Përmirësim në Qeverisje dhe Menaxhim), Nisma e Përbashkët e BE dhe OECD-se, ia ka dalë për 25 vjet rresht të japë një kontribut të çmuar në fusha si planifikimi strategjik i reformës në administratën publike, menaxhimi financiar publik, auditimi i jashtëm, përgjegjshmëria publike, etj., në vendet kandidate dhe aspiruese për anëtarësim në BE, në vendet e Afrikës veriore, Ukrainë, etj. E falënderojmë veçanërisht këtë Program të suksesshëm për ndihmën e madhe dhënë reformës në administratën publike dhe në menaxhimin e financave publike në vendin tonë. 15 vite më parë, në vitin 2002, SIGMA, në një studim për performancën e institucionit tonë, shprehej se “KLSH duhet të jetë një agjent i ndryshimit, dhe jo spirancë që tërhiqet zvarrë”.Ndërsa në parimet e njohura të SIGMA-s mbi reformën në administratën publike, të botuara në nëntor 2014, në kapitullin e Menaxhimit Financiar Publik, Parimi i 15-të thotë: “Pavarësia, mandati dhe organizimi i SAI-t janë vendosur dhe mbrojtur nga kuadri kushtetues dhe ligjor dhe respektohen në praktikë”.Dy shtyllat kryesore në punën tonë si institucioni më i lartë i auditimit publik në këto pesë vite 2012-2017 kanë qenë:

1. përmirësimi i qeverisjes publike nëpërmjet thellimit të luftës ndaj korrupsionit dhe mashtrimit financiar, si dhe

2. reforma tërësore strukturore, organizative dhe funksionale për modernizimin e institucionit.
Në betejën kundër korrupsionit dhe mashtrimit financiar, jemi bazuar në ISSAI 1240 “Përgjegjësitë e Audituesit në lidhje me Mashtrimin Financiar në një Auditim të Pasqyrave Financiare” dhe në ISSAI Gov 5700 “Udhëzues për Auditimin e Parandalimit të Korrupsionit në Agjencitë Qeveritare”. Ky standard i fundit vlerëson se:”SAI duhet të kuptojë riskun e korrupsionit, bazuar në analizën e dukurisë së korrupsionit në çdo auditim që ndërmerr”. Po ashtu, ISSAI 5700 cilëson se “Një nga aspektet më të rëndësishme të rolit të SAI-t në luftën kundër korrupsionit është puna që ai bën në fuqizimin e institucioneve publike, të cilat janë elemente të Sistemit Kombëtar të Integritetit” (ISSAI 5700, faqe 13, Bon, shtator 2016). Të udhëhequr nga këto standarde, kemi dërguar në Prokurori për abuzime flagrante me fondet publike 219 raste në periudhën 2012-2017, ose mesatarisht një kallëzim penal në javë apo një kallëzim në çdo tre auditime, ose 1.5 herë më shumë se numri i kallëzimeve penale për 10 vitet 2002-2011. Në zbulimin e dëmit ekonomik ndaj buxhetit të Shtetit, kemi synuar jo vetëm rikuperimin e tij në masën gati 100 për qind, por edhe vënien përpara përgjegjësisë të shkaktarëve të tij, me synimin e krijimit të një klime parandaluese dhe dekurajuese ndaj abuzuesve. Për periudhën 2012-2016, dëmi ekonomik i evidentuar dhe i bërë publik arrin në shumën 191 miliardë lekë ose rreth 1.47 miliardë euro, në një buxhet publik vjetor në nivele mesatarisht rreth 2.9 miliardë euro të ardhura dhe 3.2 miliardë euro shpenzime. Treguesi i dobishmërisë së auditimit tregon se për çdo lek të shpenzuar nga Buxheti i Shtetit, KLSH ka kërkuar 76.8 lekë shpërblim dëmi në vitin 2016. Për periudhën 2012-2016, treguesi i dobishmërisë ka arritur nivelin 127.1 lekë, krahasuar me vetëm 21.1 lekë që ishte në periudhën 2002-2011(për 10 vjet). Duke pasur parasysh shtrirjen aktuale dhe kompleksitetin e korrupsionit, lufta kundër tij kërkon përpjekje afatgjata, marrëveshje ligjore që shërbejnë posaçërisht për këtë qëllim, politika të përshtatshme, strategji, institucione të konsoliduar, plane dhe veprime mbi një bazë organizative të mirë-projektuar. Reforma në drejtësi, si sfida më e rëndësishme për qeverisjen tonë publike dhe sfida për miradministrimin e pronës publike dhe të parave të taksapaguesve shqiptarë janë plotësisht të ndërthurura me njëra-tjetrën. Korrupsioni është një çështje e lidhur me legjitimitetin e Shtetit për sa i përket menaxhimit publik. Ai dëmton ligjshmërinë e institucioneve bazë të Shtetit dhe ul ndjeshëm imazhin dhe besueshmërinë e sistemit shtetëror dhe politik të një vendi. Korrupsioni më i shëmtuar dhe i neveritshëm është ai politik, por kjo nuk është fusha jonë si SAI. Sikurse e ka cilësuar Gene L. Dodaro, Krye-Audituesi i SHBA-ve, “Ne SAI-t nuk bëjmë politika, por auditojmë zbatimin e tyre nga agjencitë qeveritare”. Reforma në drejtësi u mirëprit nga të gjithë ne shqiptarët dhe forcat politike në vend. Institucionet e reja që do të dalin nga zbatimi i saj, do ta udhëheqin luftën kundër korrupsionit, si detyrim kushtetues dhe kërkesë imediate e kohës. Për këtë arsye, këto institucione e kanë domosdoshmëri të integrohen mirë dhe shpejt me punën e institucioneve të deritashme, për ato pjesë ku ajo rezulton efektive dhe pozitive. Prej tyre ato do të marrin informacionin e nevojshëm për të konturuar rastet që do të hetojnë më vete dhe ku do të thellohen në gjetjen e provave të pakundërshtueshme për gjyqe shembullore. Por për të arritur deri këtu, nevojiten disa hapa të rëndësishëm. Së pari, është thelbesore për të pasur një administratë të përgjegjshme shtetërore, që për rastet e dëmtimit të dukshëm të interesave të pronës publike dhe humbjes së konsiderueshme të të ardhurave të pritshme për Buxhetin e Shtetit, zyrtarët më të lartë dhe nëpunësit shtetërorë që e kanë shkaktuar këtë dëm apo humbje të mbajnë përgjegjësi materiale(sa më lart të jenë në pozicioni hierarkike, aq më shumë duhet të përgjigjen). Për të katërtin vit radhazi si KLSH, në Raportin për Zbatimin e Buxhetit të Konsoliduar të Shtetit, kemi rekomanduar hartimin e ligjit për përgjegjësinë materiale të nëpunësit publik. U jemi drejtuar edhe institucioneve donatore për të ndihmuar për përgatitjen e një drafti koherent. Nuk kemi arritur të marrim asnjë reagim, ndërkohë që jemi të bindur se do të ndryshonte katërçipërisht situata, sapo ky ligj të miratohej. Kërkojmë ndihmë për këtë projekt-ligj edhe nga SIGMA. Përgatitja e draftit të këtij ligji dhe futja e tij në axhendën e Kuvendit të ri, do të rriste në progresion gjeometrik përgjegjësinë e nëpunësve shtetërorë ndaj detyrës që kryejnë, duke bërë që funksionarët publikë, sidomos ata të mesëm dhe lartë, shkaktarë ose kontribues në dëmin në Buxhetin e Shtetit, të vihen përpara përgjegjësisë së dëmshpërblimit material, duke paguar tërësisht apo një pjesë të dëmit të shkaktuar, si dhe duke dekurajuar ndjeshëm gjithsecilin që sot e sheh administratën publike si një hapësirë për të abuzuar, për të kryer mashtrim financiar e korrupsion. Konstatojmë se për fat të keq, për shkak të mosrespektimit të rekomandimit të KLSH, papërgjegjshmëria në administrimin e fondeve publike dhe anti-kultura e mosndëshkimit janë rritur në raport gjeometrik tek ne, kurse përpjekjet tona sporadike si institucione kryesore të Shtetit për të luftuar korrupsionin, janë rritur në raport arithmetik. Kjo gjendje ka dekurajuar ndjeshëm qytetarët shqiptarë dhe ka bërë që 56 për qind e tyre të duan ose të kërkojnë të largohen nga vendi, çka duhet të na turpërojë të gjithë ne qeveritarët dhe drejtuesit e institucioneve kryesore të Shtetit. Së dyti, për të katërtin vit radhazi, si KLSH i kemi kërkuar qeverisë së sotme rinovimin e Urdhrit të Kryeministrit Nr. 70 datë 18.04.2006 “Për Zbatimin e Rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Auditit të Brendshëm dhe të Departamentit të Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion në Këshillin e Ministrave, në Institucionet në varësi të Kryeministrit a të Ministrave”. Për periudhën 2014-2017, po për katër vite radhazi, KLSH ka përgatitur një listë me zyrtarë të lartë të strukturave qeveritare, të denoncuar nga institucioni në shkelje flagrante dhe abuzim me ligjet dhe fondet publike, duke propozuar largim të tyre nga shërbimi publik. Qeveria ka heshtur ndaj kërkesës sonë, duke ushqyer anti-kulturën e pandëshkueshmërisë në vend dhe penguar punën e Prokurorisë për trajtimin e kallëzimeve penale të KLSH-së ndaj këtyre zyrtareve të lartë. Ne vërtet punojmë si agjentë të Kuvendit për miradministrimin e parasë publike, por nga ana e tij, Kuvendi duhet të rrisë presionin pozitiv ndaj Qeverisë për zbatimin e rekomandimeve tona. Progres Raporti i i vitit 2015 i BE-së për Shqipërinë vëren se ”SAI(KLSH) paraqiti tek Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm 49 raste për 149 zyrtare, si pjesë e luftës kundër krimit ekonomik, mashtrimit financiar dhe korrupsionit…Raporti vjetor i auditimit i SAI-t diskutohet në Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave, por përsëri nuk ka ndjekje sistematike parlamentare” (Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Shqipërinë 2015, faqe 73, paragrafi i dytë nga fundi). Së treti, ne kemi nevojë për funksionimin e një Sistemi të plotë Kombëtar kundër Korrupsionit dhe Mashtrimit Financiar, larg butaforive të derisotme të prodhuara nga shumë struktura dhe agjenci. Më lejoni të sjell një shembull. Një nga vendet ku vlerësimi i sistemit të integritetit kombëtar (NIS-National Integrity System) ka marrë pikavarazhin më të lartë është Gjermania. Filiali i Transparency International në Gjermani, ndër strukturat më aktive dhe me influencë të kësaj Organizate në Evropë, punon në mënyrë efektive me të gjithë institucionet dhe veprimtarët kryesorë kundër korrupsionit në këtë vend, duke formuar një koalicion të qëndrueshëm. Kjo është bërë e mundur ngaqë strukturat dhe institucionet shtetërore, sektori privat dhe shoqëria civile janë treguar që të gjithë bashkëpunues dhe koalicioni funksionon. Strukturat më aktive të NIS-it gjerman bashkëpunojnë ngushtësisht me OLAF, Zyrën e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimit Financiar dhe Korrupsionit. Nën shembullin e modelit gjerman, lufta kundër korrupsionit tek ne duhet konceptuar si një lëvizje kolektive, e cila duhet kryer me një frymë të thellë bashkëpunimi në të gjitha nivelet, duke filluar nga individët e deri tek subjektet publike, institucionet ligjzbatuese, institucionet e pavarura dhe organizatat ndërkombëtare. Qeveria jonë ka një strategji të luftës kundër korrupsionit, por, për fat të keq, kjo strategji, e shndërruar vetëm në disa konferenca, seminare, tryeza të rrumbullakëta, portale dhe mesazhe në publik, nuk ka dhënë rezultate konkrete, duke ngelur praktikisht në letër. Për mosrealizimin e saj mbajmë përgjegjësi të gjithë, si qeveria, legjislativi dhe gjyqësori, ashtu edhe ne, institucionet e pavarura. Duhet të shohim me kurajë ku qëndrojnë dobësitë tona në luftën kundër korrupsionit dhe t’i eliminojmë ato. Efektiviteti i vetë Shtetit në luftën kundër korrupsionit është i lidhur me përpjekjet për ta bërë Shtetin dhe institucionet e tij kryesore sa më transparente dhe të përgjegjshme, nëpërmjet kontributit të institucioneve të pavarura. Edhe pse Raporti NIS (National Integrity System) për Shqipërinë i shtatorit 2016 rendit KLSH-në dhe Avokatin e Popullit si ndër institucionet që kanë performuar më mirë në luftën kundër korrupsionit, jemi të vetëdijshëm se asnjë sukses i një strukture të veçantë nuk mund të ketë peshën e duhur, në rast se përpjekjet tona nuk kanalizohen në një aleancë efektive. Për shembull, Prokuroria e Shtetit ka në duar një numër të jashtëzakonshëm dosjesh dhe çështjesh, por ka ende pak staf profesional për të përballuar ngarkesën e marrë. ILDKPKI po bën një punë shumë të mirë, por rrezikon të izolohet nga mosveprimi i disa strukturave të tjera që duhet të trajtojnë dhe thellojnë gjetjet dhe denoncimet e Inspektoratit. Izolimi merr jetë nga mosveprimi i shumë institucioneve. Për shembull, institucionet e Prokurorisë, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Brendshme, ILDKP dhe KLSH lidhën një marrëveshje në vitin 2009 për punë të përbashkët kundër korrupsionit. Kjo marrëveshje, për mendimin tim personal, duhet konsideruar pa hezitim e dështuar dhe përgjegjësia për këtë është e të gjithë drejtuesve ndër vite të këtyre institucioneve, përfshirë dhe mua si drejtues i institucionit suprem të auditimit në vend. Roli dhe kontributi i institucioneve të pavarura, i Prokurorisë, ILDKPKI dhe vetë KLSH marrin përmasat dhe rëndësinë e duhur, kur këto institucione të pavarura funksionojnë në një sistem të mirorganizuar kombëtar të integritetit. Nëse duam që Sistemi Kombëtar i Integritetit tek ne të mos jetë vetëm një raport cilësor i një organizate ndërkombëtare prestigjioze, por një marrëveshje e arritur midis të gjithë veprimtarëve kryesorë të shoqërisë, me një program konkret objektivash dhe pune, është koha për të vepruar pikërisht tani! Suksesi i luftës kundër korrupsionit varet nga gjerësia dhe thellësia e marrëveshjes shoqërore të arritur për ta bërë këtë Sistem të funksionojë. Tek ne, si dhe në modelin gjerman dhe, në mënyrë të ngjashme tek modelet e 24 vendeve te tjera zbatuese të Projektit “ENIS”(European National Integrity System) te Bashkimit Evropian për vendet anëtare dhe kandidate te BE-se, ky Sistem duhet të përbëhet nga elementët e mëposhtme që duhet të kenë një funksion parësor tek ne, në luftën kundër korrupsionit: • Kuvendi, • Gjyqësori, • Ekzekutivi, • Institucionet e pavarura (Prokuroria e Përgjithshme, ILDKPKI, KLSH), • Shërbimi Informativ Kombëtar, • Avokati i Popullit, • Organet e menaxhimit zgjedhor, • Partitë politike, • (organizatat më përfaqësuese të saj), • Media, • Biznesi (shoqatat e tij), etj. Të gjithë elementët e Sistemit Kombëtar të Integritetit janë të pavarur nga njëri-tjetri, por duhet të sigurojnë një koordinim shumë efektiv dhe eficient në luftën kundër korrupsionit. Çdo mangësi në punën e një ose disa prej këtyre veprimtarëve te përmendur më sipër, do të ulte efektivitetin e elementëve të tjerë dhe do të rrezikonte fatin e luftës kundër korrupsionit. Prandaj, të gjithë veprimtarët e Sistemit Kombëtar të Integritetit duhet të jenë njësoj të fuqishëm, të angazhuar dhe në ekuilibër me njeri-tjetrin. Pozicioni dhe kontributi i KLSH në Sistemin Kombëtar të Integritetit do të jetë i lidhur ngushtë me konceptin e kulturës së llogaridhënies dhe transparencës, për përmirësimin e qeverisjes në mirëmenaxhimin e financave publike. Duke luajtur rolin kushtetues të garantit dhe dhënësit të sigurisë mbi një menaxhim të shëndoshë financiar të Shtetit, KLSH do të përpiqet të shndërrohet në një ndër subjektet më të besuara nga qytetarët, brenda Sistemit kombëtar të llogaridhënies dhe luftës kundër korrupsionit. Jo më kot një nga kërkesat e INTOSAI-t dhe EUROSAI-t, ne planet e tyre strategjike 2017-2023, është qe si SAI të udhëheqim nëpërmjet shembullit, duke i paraprirë vendosjes së kulturës së ndëshkuëshmërisë ndaj konfliktit të interesit dhe abuzimit me pronën dhe fondet publike. Gjykoj se krijimi i strukturave të reja të reformës në drejtësi, të parashikuara nga paketa e miratuar në Kuvend më 21 korrik 2016, duhet të shoqërohet edhe me krijimin e Sistemit Kombëtar të Integritetit për Luftën kundër Korrupsionit në vendin tonë, si një veprim themelor dhe referues ndaj çdo nisme mbarëkombëtare në të ardhmen, në drejtim të fuqizimit të kulturës së përgjegjshmërisë publike. Kjo mund të jetë edhe pjesë e Rezolutës sonë. Kuvendi i ardhshëm mund dhe duhet të iniciojë Sistemin Kombëtar të Integritetit , në bashkëpunim me Strukturën e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), si udhëheqës të këtij Projekti, duke përfshirë natyrshëm institucionet dhe veprimtarët e tjerë. Duke i adresuar një kërkesë publike SIGMA-s për të na ndihmuar në realizimin e një “Peer review (Rishikim mes kolegëve” për zbatimin e standardeve ISSAI dhe fuqizimin e kapaciteteve tona në luftën kundër korrupsionit, më lejoni ta mbyll këtë përshëndetje, duke sjellë në vëmendjen tuaj një tjetër cilësim nga Standardi ISSAI 5700:”Audituesit dhe strukturat e tjera të ngarkuara me kontrollin institucional aplikojnë gjykimin e tyre profesional për të mbikëqyrur dhe vlerësuar efektivitetin dhe eficiencën e sistemit anti-korrupsion” (ISSAI 5700, faqe 19, Bon, shtator 2016). Nga ana tjetër, Parimet e SIGMA-s mbi reformën në administratën publike, në kapitullin e Përgjegjshmërisë, Parimi 5, theksojnë:”Autoritetet publike marrin përgjegjësinë në rastet e abuzimeve dhe garantojnë korrigjimin dhe/ose dëmshpërblimin e përshtatshëm”. Duke perifrazuar sërish SIGMA-n, me synimin që të udhëheqim nëpërmjet shembullit vetjak, ne si KLSH synojmë të shndërrohemi në agjent të ndryshimit dhe jemi të gatshëm të japim maksimalisht kontributin tonë modest në ndërtimin e Sistemit Kombëtar të Integritetit, në sinergji të plotë me të gjithë veprimtarët e tjerë të tij.
Sigal