Inkurajimi i çmimit “Eksperti më i mirë për degustimin e verës për Evropën Juglindore”

525

Gazeta Telegraf/



PERSONAZH/ Flet miku i krijuesve dhe prodhuesi i verës
Gazmend SHEHI:

-Si fitova çmimin  “Eksperti më i mirë për degustimin e verës për
Evropën Juglindore”

– Në vitin 2005,
fitova çmimin “Eksperti më i mirë në Shqipëri” për degustimin e verës

-Lui Pasteur, thotë
:” Në qoftë se Enologjia njihet si shkencë, prodhimi i verës është art.”

– Si botova librin
e parë profesional “Vera Bio, veçoritë e prodhimit të saj”

 

Një intelektual i qetë, këmbëngulës dhe tepër praktik. Që
në fëmijëri i lidhur shumë më librin dhe me vreshtarinë ka bërë, që sot ato të
jenë dy dashuritë e tij më të mëdha. Në kantinën e vet organizon vazhdimisht
takime me poetët, por dhe i përkrah ata në nismat e tyre. Dashuria për
vreshtarinë dhe kurioziteti ndaj pijes së verës (pije aristrokrate) ka bërë, që
ai të hapë një aktivitet kantine me mbiemrin e tij, “Shehi”. Kjo kantinë aktualisht
është më e dëgjuara në zonën e Tiranës dhe lokalet më prestigjioze furnizohen
prej tij.

Si është lidhur Gazi me poetët dhe piktorët, nga rastësia
apo dashuria për artin? Kë pëlqen më shumë?

Dashuria për librin
dhe poezinë më është rrënjosur qysh në vogëli. Unë pëlqej shumë poezinë , por më
i relaksuar ndjehem duke shijuar veprat e piktorëve shqiptarë të pikturave që shprehin
natyrën, historinë dhe traditat tona. Artistët, interpretojnë më së mire me
veprat e tyre realitetin që ka kaluar ose fenomenet që ndodhin në ditët që
jetojmë, perceptimet e tyre. Punët me anë të ngjyrave, simboleve, janë shumë të
gjetura dhe të shfaqin kureshtje për t’i patur në ambientet e punës dhe në ambientet
çlodhëse.

Si dhe kur e filluat aktivitetin në kantinën e verës?

Për herë të parë
kam prodhuar verë në vitin 1994. Isha në shkollën e mesme teknologjike Tiranë, ku
atje mësoja teorinë dhe praktikën, ndërsa në vendlindjen time në Gjokaj, Vorë (Tiranë),
familja ime kishte trashëguar pronën nga gjyshi (M. Shehi, 1920-1993) që ishte
mbjellë vreshta nga viti 1967, e kthyer si pronë pas viteve1990. Vreshti
menaxhohej nga familja ime. Cilësia e rrushit në atë vit ishte shumë e lartë,
por tregu  i rrushit mungonte, kështu që
unë me iniciativën e adoleshentit, eksperimentova duke përpunuar rreth 1500 kg
rrush për verë me varietetin “Shesh i zi”. Vera doli shumë cilësore, u analizua
dhe testua nga profesori im  Th. Dhroso
dhe u pëlqye shumë nga miqtë e babait ( Dr. I. Shehi).

Kjo ju dha forcë për më tej?

Vit pas viti, sasia
e prodhimit u rrit me rritjen e kërkesave në treg, derisa në vitin 2001,
investuam si familje një minikantinë me kapacitet përpunues deri në 30 ton
rrush. Sigurisht që familja më mbështeti në thellimin e dijeve duke  bërë të mundur përfundimin e studimeve të
larta në UBT, dega teknologji-Ushqimore. Më pas erdhi mbrojtja e gradës “Master”
në fushën e Enologjisë. Kandidat për mbrojtjen e gradës Dr. Shkencash. Paralelisht
me shkollën kam marrë pjesë në disa trajnime brenda dhe jashtë vendit , ku jam
vlerësuar me rezultate të larta. Në vitin 2001, fitova çmimin si “Eksperti më i
mirë për degustimin e verës për Evropën Juglindore”. Në vitin 2005 firova çmimin
“Eksperti më i mirë në Shqipëri” për degustimin e verës. Pas kësaj eksperience,
 puna 
dhe pasioni për shkencën e enologjisë u rriten dhe më shtynë të botoj
librin e parë profesional në këtë fushë “Vera Bio, veçoritë e prodhimit të saj”.
Kështu unë fitova eksperiencën, që tashmë është shprehur në lindjen e markës
“Vila- Shehi”.

Ku dhe si e zgjidhni rrushin?

Për sa i përket
zgjedhjes së rrushit për verë, mbarështimi i vreshtës është i varur nga
pozicioni gjeografik. Unë e konsideroj veten me fat që vreshti është i vendosur
me pamje nga jug lindja, ku varietet “Shesh i Bardhë”, “Shesh i Zi”, ( si varietete
tipike shqiptare), “Merlot”, “Kabërnet”, “Sauvinjo”, “Muskat”, gjejnë kushtet
maksimale për të arritur pjekurinë e plotë dhe për të prodhuar verë të cilësisë
së lartë.

A po ritet konsumi i verës në këtë zonë?

Po është e vërtetë
që konsumimi i verës rritet nga viti në vit nga 7 -10 %. Vera në përgjithësi ka
zënë vend në tavolinat tona, por vera shqiptare në veçanti është akoma në
inferioritet me verërat që vijnë nga importi edhe pse cilësia e tyre është e ulët.
Duhet pranuar që konsumatorët shqiptarë tani po edukohen me shijet e verës dhe
kërkojnë verë shqiptare.

Ku e bazoni verën tuaj?

 Ne zotërojmë një vresht dhe kantinë familjare,
pra biznes familjar, ku gjate sezonit të vjeljes punësojmë 3 – 4 persona, “Par-time”,
ndërsa të përhershëm janë të punësuar dy persona. Ky është një biznes i vogël që
mundëson rritjen e të ardhura të qëndrueshme për të siguruar nevojat e
familjes, por investimi i kryer, na jep mundësinë të rritemi në të ardhmen.

Ku është tregu juaj i verës?

Produktet tona
preferohen , në disa restorante  si në
Tiranë, Durrës, Elbasan, Lezhë etj. Verërat Shqiptare pëlqehen shumë në tregun
e jashtëm, por Shqipëria akoma prodhon vetëm 40 % e nevojave në vend, ku një
treg i jashtëm kërkon sasi të mëdha që nuk përballohen nga prodhuesit tanë. Por
duhet pranuar që disa nga prodhuesit shqiptar kanë eksportuar sasi të vogla
vere si në, USA, Rusi, Itali, Francë, Kroaci etj.

Mesazhi për përdoruesit e verës?

Shkencëtari i madh
Lui Pasteur, thotë : Në qoftë se Enologjia njihet si shkencë, prodhimi i verës
është art, që varet nga artisti që e interpreton, kështu që unë e konsideroj
produktin verën, (e bardhë , e kuqe , Rose), një vepër  arti.