Injorimi i prodhimit të filmit, tragjedi kombëtare

86

Duhen ndryshuar nenet 35, 36 të ligjit për kinematografinë

Nismat e kohëve të fundit të ministres së Kulturës Mirela Kumbaro, vlejnë për t’u përshëndetur, për vetë faktin se asnjëherë në 23 vjet demokraci nuk janë zhvilluar tryeza të tilla, as për filmin, as për teatrin, as për komedinë shqiptare. Çdo ministër ka zgjedhur mënyrën e vet të drejtimit, jashtë transparencës, jashtë dialogut, duke bërë çdo gjë të  mbyllur brenda katër mureve të ministrisë. Për këtë, ministrja Kumbaro duhet përshëndetur. Por çfarë u vu re në këtë tryezë ku interesimi i medias ishte i jashtëzakonshëm?  Personazhi kryesor i kësaj tryeze, z Artan Minarolli, bëri një diskutim rutinë, pa program, pa platformë, pa shifra pa fakte, pa objekt. Diskutimi kryesor i tij u përmblodh në fondet e pakta, në sponsorizimet, në mbështetjen e pakët të qeverisë për filmin shqiptar si dhe në legjislacionin e vjetruar për QKK. Po ashtu dhe në shumicën e diskutantëve theksi u vu tek fondet, tek sponsorizimet, tek buxheti vjetor dhe tek zgjatja disa vjeçare e filmave artistik, mos menaxhimi i mirë i fondeve, tek mosegzistenca e kinemave, tek mungesa e financimeve nga televizionet, apo raportet e filmave të huaj me ato shqiptar që shfaqen në televizione. Diskutimet ishin të pafundme, ku secili prej diskutantëve mbronte teorinë e tij, por kurrsesi për të gjetur gjuhën e përbashkët.

Cilat ishin të metat kryesore të kësaj tryeze?

 Qysh në fillim të arsyetimit tim dua të përmend, se kjo tryezë e tejkaloi afatin kohor të të qenit një tryezë qënit reale, konstruktive, efikase, problematike, racionale, objektive. U bënë mbi dy orë diskutime, ku secili prej diskutantëve u mundua për minuta të tëra të shpaloste idetë e tij, pa letër, pa shifra, pa afate kohore, duke e bërë këtë tryezë të pafund, ku secili përpiqej të përcillte arritjet e tij duke ju shmangur objektit të tryezës. Për këtë lloj diskutimi, tryeza zgjati mbi dy orë, ku nuk u arrit asnjë objektiv konkret. Ato që dua të veçoj unë, që i munguan në mënyrën më të pastër kësaj tryeze, ku askush prej nesh nuk mundi të marrë informacion deri në fund ishin:

-Sa ishin fondet për QKK nga viti 2010-2014, kur në krye të tij ishte z. Artan Minarolli?

-Sa ishte diferenca e fondeve nga viti në vit (plus, minus) në këto vite të drejtimit të tij?

-Sa filma artistikë, dokumentarë, filma të animuar, janë realizuar për çdo vit?

-Sa ka kushtuar filmi me metrazh më të gjatë?

-Sa skenarë janë paraqitur për secilin gjini filmi dhe si është bërë transparenca për fituesit?

-Ku janë realizuar xhirimet e filmit dhe nga ishin regjisorët apo skenaristët që kanë fituar të drejtën e investimit?

– Cilat ishin mangësitë artistike, estetike të filmave të realizuar nga viti në vit?

-Për çdo vit cilët ishin filmat shqiptarë që kanë marrë pjesë në Festivale të ndryshme të filmit në Europë apo në botë?

-Sa aktorë shqiptarë kanë marrë pjesë në këto filma?

-Sa regjisorë, skenaristë, kameramanë, operatorë zëri, grimierë, etj..shqiptarë kanë marrë pjesë në këta filma?

– Gjatë katër vjetëve filmi shqiptar ka pasur progres apo regres?

– A është filmi artistik dhe ai dokumentar shqiptar në nivelet e filmave euopian, apo jo dhe pse?

-Si mund të dalë filmi shqiptar nga kriza, me diskutime bosh apo me programe, projekte dhe platforma?

Asgjë e tillë nuk u pa në këtë tryezë. Kjo jo për fajin e ministres, por të drejtuesve të këtyre institucioneve, të vet pjesëmarrësve në këtë tryezë që erdhën vetëm me ide ajër dhe jo në ide letër, duke ju shmangur ballafaqimit. Unë do të doja që kësaj tryeze t’i bëja dhe shumë pyetje të tjera, por mënyra se si degjeneroi diskutimi, gazetarët u lanë në hije dhe pse ata janë përçues drejtpërdrejt të lajmit, të problematikës, të mënyrës së ballafaqimit të të rejave në sektorin e kulturës. Mendoj se, ajo që duhet pasur parasysh është se në tryeza të tilla duhen vendosur rregulla komunikimi, afate kohore, mënyra diskutimi konkrete, dhe asnjëherë transmetime përvojash të tepruara personale. Për mendimin tim tryeza të tilla janë shumë të vyera, efikase, mënyra të reja të ecurisë së punës, por gjithmonë me një objekt të detajuar zhvillimi.

******

Dje, në vazhdim të politikës së Ministrisë së Kulturës për të nxitur debatin në fusha të ndryshme të Artit, Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore, Ministria e Kulturës në orën 11:00 në sallën “Tefta Tashko Koço”, me nismën dhe prezencën e ministres, Mirela Kumbaro Furxhi organizoi një tryezë-konsultimi për filmin shqiptar, dokumentarin dhe filmin e animuar, mbi ecurinë, mangësitë dhe sukseset e tyre.  Disa nga shqetësimet që do diskutoheshin sipas fjalës së Kumbaros ishin:

 ̈r kё po realizohen filmat shqiptarë? Si do i risjellim në kinema dhe kush është shikuesi i filmit shqiptarë, përshtatja e teknologjisë së fundit me detyrimet ligjore që përmban ligji, kriteret e financimit të filmave, ngritja e strukturës Film Komision. Sa është domosdoshmëri e zhvillimit, bashkëprodhimet minoritare dhe ligji për përfshirje në bashkëprodhime për filma të cilat xhirohen në Shqipëri, me regji dhe skenar të huaj. Në këtë tryezë merrnin pjesë regjisorë, aktorë, drejtues të shoqatave të kineastëve, përfaqësues të QKK (Qendra Kombëtare e Filmit), producentë dhe studentë të filmit.  Pra iniciues të drejtpërdrejtë apo protagonistë të kësaj tryeze ishin ministrja Kumbaro, Drejtori i QKK zoti, Artan Minarolli dhe Drejtorja e Arkivit të Filmit zonja Edlira Diamanti.

Fjala e hapjes së znj. Mirela Kumbaro

 Në fjalën e saj të hapjes (pa letër) Ministrja Kumbaro theksoi se, ne që në fillimet e punës tonë kemi marrë disa takime me aktorë, regjisorë, drejtues të teatrit Kombëtar, teatrit të Komedisë, Teatrit të Operës, etj.. Takimi ynë i parë u mbajt në muajin nëntor 2013, për problemet e Teatrit Kombëtar. Për politikat e ndryshimit që duhet të ketë në këtë institucion kryesor të dramës shqiptare. Sipas Kumbaros, u cilësua se si në teatrin shqiptar, komedinë shqiptare, po ashtu dhe në filmin shqiptar, mungojnë të dhëna të plota, pra informacioni se si e ka ecurinë filmi shqiptar dhe problematikat që lidhen me të. Sipas Kumbaros, përfaqësimi i këtij komuniteti në diskutim duhet të jetë sa më i plotë, sa më konkret, që të dalin në pah të gjitha dobësitë me qëllim që në të ardhmen shumë problematika të zvogëlohen dhe filmi shqiptar të ecë në rrugën e duhur, të marrë vlerat e vërteta. Pra, përfaqësimi i këtij komuniteti në këtë tryezë-diskutim të jetë sa më i plotë. Midis të tjerave ministrja theksoi se pikërisht sot, “Unë ju thirra për të marrë mend dhe jo për t’ju dhënë mend”. Ne në të ardhmen si sot të bëjmë dhe tryeza për librin, për të drejtat e autorit, për  konkurset e krijimtarisë, për të gjitha problemet që kanë të bëjnë me ministrinë që unë drejtoj. Ndaj përfundoi ajo, në këtë tryezë për filmin unë kam ftuar Drejtorin e QKK z. Artan Minarolli dhe zonjën Edlira Diamanti Drejtore e Arkivit të Filmit. Falënderoj në mënyrë të veçantë mediat, të cilat na kanë ndjekur në mënyrë korrekte në këto tryeza, ku puna e tyre ka krijuar një klimë të ngrohtë me popullin, për ta parë realitetin e këtyre institucioneve në mënyrë sa më të qartë.

Diskutimet dhe reagimet

Fill pas fjalës së Ministres Kumbaro fjalën e mori Drejtori i QKK, z. Artan Minarolli. Në fjalën e tij ai theksoi se, fondet që akordohen nga Ministria për QKK janë të pamjaftueshme dhe nuk kanë pasur kurrë shtesa të cilat do të sillnin balancime për kërkesat e projekteve. Sipas tij, buxheti është vjetor, ndërsa filmat e gjatë artistik zgjasin edhe tre vjet. Sipas tij, buxheti i shtetit për QKK nga viti 2010- kur ai erdhi në krye të QKK -deri tani ka ardhur në ulje (përveç 2014). Kjo nuk mund të konceptohet pasi industria e filmit është e gjerë pasi përfshin aktorë, regjisorë, skenaristë, kostumografë, grimierë, operatorë, zëri, fotografie, etj…Në këto vjet të drejtimit të tij Shqipëria ka realizuar dy filma artistikë me metrazh të gjatë, më e ulëta në rajon, ku në këtë vit do të kemi pesë premiera dhe pse i takojnë viteve të ndryshme të realizimit. Detyrë kryesore sipas tij është që ne të krijojmë  forume produksionesh që bota të na hedh sytë dhe të bashkëpunojë. Pra të bëjmë projekte dhe skenarë për bashkëpunime me jashtë. Gjatë diskutimit të tij Ministrja Kumbaro ndërhyri duke theksuar se, vërtet që fondet kanë qenë të pakta, por ato edhe duhen mirë administruar. Sipas saj edhe vendi më i pasur buxhetin për kulturën nuk e kalon 1% të buxhetit të përgjithshëm. Pra nuk duhen mbuluar të gjitha iniciativat nga Buxheti i Shtetit, por edhe nga fondet dytësore, organizmat ndërkombëtarë si dhe nga biznesi. Nga shumë diskutantë u hodh ideja e rishikimit të ligjit për financimet, ku në Shqipëri ende nuk ka asnjë biznes të ketë investuar për filmin. Këtu ministrja Kumbaro theksoi se, kam kërkuar që ligji për financimet të ndryshojë. Në diskutimin e tij regjisori i ri Joni Shanaj theksoi se, QKK nuk duhet të mbahet vetëm nga shteti, por nga të ardhurat e kinemave, transmetimet televizive, financimet e biznesit. Ai theksoi se mungon ligji për bashkëpunimin  dhe marrëdhëniet me mediat audiovizuale. Në këtë drejtim Kroacia ka modelin më të perfeksionuar në Ballkan. Me këtë mënyrë menaxhimi kroatët bëjnë 10 filma artistikë në vit, serbët tetë, pasi bëjnë dhe një luftë korrekte kundër piraterisë. Pra mënyra e menaxhimit sipas tij duhet të gjejë rrugët e duhura pasi dhe Danimarka me një popullsi sa ne bën afërsisht 24 filma në vit. Për këtë mënyrë menaxhimi regjisori Shanaj solli përvojën e Francës si promotore e mënyrës së menaxhimit të filmit artistik në Evropë. Probleme ngelen  sistemi dhe tregu filmit dhe për këtë duhen ndryshuar neni 35, 36 i ligjit për kinematografinë. Një nga problemet e ngritura nga diskutuesit mbetet dhe transmetimi i filmave shqiptarë. Nuk ka një rregull transmetimi për filmat kur në Francë është sanksionuar me ligj që televizionet duhet të japin 40% të filmave prodhim francez, 20% europian dhe të ndryshëm . Ky rregullator është i domosdoshëm, pasi nxit reklamimin dhe interesin për filmin shqiptar. Regjisori i mirënjohur Saimir Kumbaro theksoi në mënyrë të veçantë se, patjetër duhet të ndryshojë ligji për kinematografinë, duhet të ndryshojë bordi i QKK (gjysma e tyre nuk njohin skenarin), pasi filmi është art i kushtueshëm dhe investimet duhet të jenë të përgjegjshme. Sipas tij, më mirë një film në vit dhe të jetë konkurrues, se sa filma që nuk lenë gjurmë. Në kohën e diktaturës janë realizuar 230 filma artistikë ndërsa në 23 vjet as 30, por duhet të kemi parasysh se filmi sot në Shqipëri nuk sjell fitime, ndaj duhen gjetur rrugët që ai të mbijetojë.  Ilir Burka (producent) theksoi se, jemi debitorë ndaj imazhit të vendit me realizimet në film, pasi s’kemi ligje bashkëkohore për financimet dhe bashkëpunimet. Edhe vetë Lotaria Kombëtare duhet të jetë një nga investitorët e filmit, ndrysa Ministria e Jashtme duhet të jetë propaganduesja më e denjë e filmit shqiptar në botë. Sot për sot,- sqaroi ai- QKK është një makinë pa karburant, ku ne duhet t’i kthejmë sytë nga fqinji ynë Italia për mënyrën e menaxhimit, funksionimit dhe realizimit të projekteve për filmin.  Në fjalën e tij regjisori dhe aktori Mevlan Shanaj falënderoi ministren Kumbaro për këtë nismë, duke këmbëngulur se nuk duhet të injorohet industria e prodhimit të filmit, pasi do jetë me pasoja për kulturën e vendit. Sot në databesin e ministrisë nuk ka informacion për filmin, nuk bëhet promovimi dhe mbrojtja e filmit, në qytetet kryesore (pa diskutuar për fshatrat) nuk ka kinema, ku bashkitë duhet në mënyrë të detyruar të hapin të tilla në bashkëpunim me shtetin. Shanaj theksoi se, në çdo 20 mijë banorë patjetër duhet të ketë një qendër social-kulturore për të gjitha grupmoshat, ku të përfshihen dhe kinematë. Në këtë tryezë diskutuan shumë regjisorë, aktorë, drejtues të shoqatave të ndryshme filmime, ku të gjitha diskutimet rrahën në ndryshimin e ligjit për kinematografinë dhe gjetjen e rrugëve të reja të menaxhimit të filmit.