Inis Gjoni: “Klani i të divorcuarave”, më mirë vetëm se e keqshoqëruar

995
Sigal

INTERVISTA/ Flet regjisorja Inis Gjoni: Pse e vura në skenë komedinë “Klani i të divorcuarave”

Klani i të divorcuarve është komedia që u ngjit dje në skenë dhe do të vazhdojë edhe në ditë në vijim në Teatrin Kombëtar të Komedisë. Vepra, nën regjinë e Inis Gjonit, e sjell në skenën teatrore jo vetëm një shfaqje të bukur, por edhe një mesazh të madh për shoqërinë tonë që vuan nga plaga e divorcit. Vepra do të interpretohet nga aktorët Romir Zalla, Jonida Vokshi, Adriana Tolka dhe Orsi Vagjeli.

Si regjisore ju këmbëngulni në gjininë e komedisë. Pse këmbëngulni tek kjo gjini?

Për gjatë gjithë kohës pas masterit, kur unë kam vendosur të punoj si regjisore, nuk kisha menduar asnjëherë se do të merresha me komedinë, sepse gjatë gjithë kohës kam qenë e fokusuar tek teatri absurd dhe ekzistencial. Vetëm vjet vendosa të çoj në skenë një komedi që quhet “Salla e Banjos”  dhe unë atë vepër nuk e kam trajtuar si komedi, pasi gjatë punës në tavolinë, apo mizanskenë më tepër më pëlqeu që të luaj me hallin e personazhit, pasi personazhet janë njerëz të gjallë dhe kanë hallet e tyre. Ndaj kjo komedi e dytë erdhi  si rezultat i një kontakti që pata me komedianin Alil Vardar, i cili është dhe autori i komedisë “Klani i të divorcuarave”, ku unë kontaktova me të dhe pashë veprën e cila më pëlqeu për ta vënë në skenë. Kjo ishte arsyeja pse vendosa të merrem me komedinë dhe s’ka asgjë të qëllimshme.

Në Shqipëri pak komedi vihen në skenë, pasi më shumë këmbëngulet tek drama, ka ndonjë arsye?

Unë kam mendimin tim, që në skenë duhet vënë ajo vepër që është e mirë, ku dramaturgjia të ketë se çfarë të thotë të japi  një mesazh dhe t’i qëndrojë aktualitetit. Pra s’ka rëndësi se çfarë është dramë apo komedi.

Ajo që dua të theksoj është se ju jeni ndoshta e vetmja femër regjisore shumë aktive. Ndiheni e privilegjuar?

Aspak e privilegjuar. Ndihem si regjisore mes regjisorëve. Deri tani pozicioni im ka funksionuar mirë.  Kjo vjen pasi kam punuar sistematikisht, kam një disiplinë në punë dhe puna ime është prezantuesja më e mirë.

Pse zgjodhët pikërisht këtë moment për vënien në skenë të një komedie të tillë?

Ky moment vjen si rezultat i një  akumulimi që unë kam pasur me këtë vepër prej një viti e gjysmë,  dhe mendova se është momenti më i përshtatshëm për të sjellë në skenë një autor shqiptar (nga shqiptarët e Maqedonisë) me famë në Europë, akoma më tepër kur kjo vepër koinçidon me 100- vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë.

A të ka penguar vajza e vogël për vënien në skenë të kësaj vepre?

Të them të drejtën, nuk e shikoj si pengesë, pasi fatmirësisht vajza ime qëndron me mamin tim, e cila ka një përkujdesje ndoshta dhe më të mirë se ç’mund të bëja unë. Nga ana tjetër e them se në momente të caktuara mendja është e ndarë në dy pjesë, ku njëra pjesë më shkon tek vajza ime e mirë, por që duke ditur se kush kujdeset, e mbledh veten dhe pasi të mbarojë kjo komedi, unë do të jem më e lirshme dhe do të qëndroj sërishmi me vajzën.

Çfarë mesazhi do t’iu japësh femrave shqiptare nëpërmjet kësaj komedie?

Unë mesazhin e kam dhënë nëpërmjet shfaqjes, pasi dua të tregoj se ku është në këto momente femra shqiptare, cili është mentaliteti i saj, përpjekjet që ajo bën për të qenë e sigurt, pasi forca e saj ka ardhur pas një rruge të gjatë që ka bërë, ku të gjitha sakrificat që ajo ka bërë nuk dukeshin si një vlerë, por si një detyrë ndaj burrit dhe shoqërisë. Por tani femra po e kupton se jeta është për ta jetuar, është për ta gëzuar. Mesazhi që ajo jep, tregon se ku ka më bukur se sa të jetohet jeta.

A mendoni se sot femra më shumë rëndësi i jep lukut se sa cilësive të tjera?

Absolutisht jo. Femra shqiptare po tregon sot se edhe në ballafaqim me meshkujt, ato janë goxha të përgatitura, po arrijnë atë që s’e kanë arritur nënat e tyre, pasi po shkollohen më shumë, janë të etura për dije, për punë dhe tentojnë të arrijnë shkallën e emancipimit më të lartë europian. Pra këto janë cilësitë e tyre sot dhe jo rendja pas lukut, që dhe ajo s’duhet dhe nuk po lihet pas dore, por ecin paralelisht.

Personalisht jeni e bukur, por edhe inteligjente, kur ndiheni më mirë kur ju thonë jeni e bukur, apo inteligjente?

Më bëhet jashtëzakonisht qejfi kur më thonë je e bukur, sepse bukuria përveçse është një dhuratë e Zotit, është dhe pasqyrë e shpirtit. Kjo pasqyrohet dhe në një fjalë popullore që në këtë rast s’ka fjalë që t’i luash: “Bukuria, shprehje e shpirtit po aq të bukur”.

SUBJEKTI

Sigurisht, çdo komedi ka pikën e saj kulmore, dhe unë me pak fjalë do përcjell se çfarë përmban kjo komedi. Pra si subjekt i veprës janë tri femra që se njohin  njëra-tjetrën, por që fati i bashkon në një shtëpi pas ndarjes së tyre bashkëshortore (pas divorcit). Në këtë moment formohet klani i të divorcuarave,  ku në këtë klan shpalosen të gjitha pasionet, dëshirat, kërkesat, e këtyre grave, në përpjekjet e tyre për të gjetur princin e kaltër dhe për ti dhënë një kuptim këtyre kërkesave që duken të pashpresa. Këto vazhdimisht janë në kërkim  të një mashkulli ideal (pas disfatës së parë, divorcit),  dhe vendosin të nxjerrin një lajmërim në gazetë  ku kërkojnë bashkëshort me synimin se vetëm atje tashmë do të gjenin “princin e kaltër”. Këtu është dhe pika kulmore e komedisë që ju pyetët, pra sforcimi që bëjnë këto femra deri tek lajmërimi në gazetë që të realizojnë ëndrrat e tyre. Ato janë çdo ditë në pritje se do të marrin një përgjigje pozitive nëpërmjet gazetës. Ato janë në pritje të telefonatës së “Princit të kaltër”. Pra këtu është pika kulmore ndërsa zgjidhja vjen  nëpërmjet zhgënjimit që këto gra marrin, sepse në ato lajmërime dhe në ato telefonata mendonin se do të ishte e lehtë për ta gjetur, por në fakt nuk është kështu,  pasi zhgënjimi vjen shumë shpejt ku Brizhilda që mendon se ja ka arit suksesit dhe pse është femra më pak e pashme, pra deri diku pak e shëmtuar, në fund del se në këtë pritje është e pa shpresë. Por këtu del një mesazh i qartë, se dhe pse s’arrijnë të gjejnë “Princin e kaltër” femrat e sotme mund t’ia dalin të jetojnë dhe vetëm, të jenë të pavarura,  se gjetja e një burri nuk është suksesi më i madh i shoqërisë. Pra më mirë vetëm se e keqshoqëruar.

NJË PROBLEM SHQETËSUES PËR SHQIPËRINË

Ngjarja zhvillohet në ditët e sotme, ku trajtohet një problem shumë shqetësues për shoqërinë në Shqipëri dhe në mbarë botën, siç është familja, e cila duket se po e humb magjinë e saj për shkak të numrit të lartë të divorceve  Divorci është një dukuri shqetësuese për shoqërinë shqiptare. “Ëord Fact Book” e ka renditur vendin tonë pas viteve ’90, të 14-tin në botë dhe të 5-tin, në Europë për numrin e lartë të divorceve. Kjo është një situatë alarmante. Gjykata e Faktit në Tiranë është shprehur se këto divorce kryhen nga çiftet e reja dhe këto padi vijnë më së shumti nga femrat.

KUSH E KËRKON DIVORCIN?…

Një herë e një kohë ishin meshkujt ato që kërkonin divorcin. Femra si natyrë është paqësore, e përkushtuar në krahasim me meshkujt derisa ndaj të tjerëve ato janë të mira, por shpesh herë janë armiku me i madh ndaj vetes së tyre. Për shkak të qëndrimit vetë kritik, femrat shpesh vuajnë dyfish. Gjithmonë ato janë të kujdesshme për të tjerët, për bashkëshortët e tyre dhe mbi të gjitha dinë të falin. Por në fund të ditës, ato ndjejnë një zbrazësi në vetvete, ndihet e frustuar për shkak të mosplotësimit të dëshirave të saj personale…