Ina Gaqi: Muzika live është një emocion i gjallë

847
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtarja lirike, pjesë e korit të  TKOB, Ina Gaqi

-Një këngëtare lirike që nuk ndalet së kërkuari perfeksionin në profesion. Këmbëngulëse, korrekte ajo gjithmonë nuk i ndahet këngës. Për herë të parë në një skenë të mirëfilltë është ngjitur në vitin 2003 në Litohoro(Greqi), ku përfaqësoi Shqipërinë në festivalin Ballkanik nga ku u nderua me çmimin e tretë! Prirjen për muzikë e zbuluan prindërit e saj, sidomos nëna, e cila ka qenë koriste në TKOB. Roli i parë i saj ka qenë ai i Anines në operën TRAVIATA, vënë në skenën e TKOB në vitin 2007 me regji të Massimo Ranieri, bashkëpunim, i cili me ka lënë mjaft mbresa dhe ka qenë për të një eksperiencë e veçantë!

 Si po e kalon verën Ina?

Mirë. Me shumë angazhime dhe me shumë impenjime, por për plazh nuk po gjejmë kohën e përshtatshme.

 -Cila ngjyrë është në preferencat tuaja për rrobat e plazhit?

Ngjyra blu. Si deti pra….(qesh)

 Çfarë po lexon këtë verë?

Po lexoj “Katedralja e Parisit”. Është një libër ndryshe për mua që po më tërheq në çdo faqe.

 -Ushqimi i preferuar i stinës?

Të gjitha prodhimet e detit, por kryesisht frutat e detit. Ndërsa nga frutat preferoj pa diskutim pjeshkën.

Po pija e preferuar në verë?

Uji është mbi të gjitha. Ujin nuk e zëvendëson asnjë pije.

-E duroni vapën?

Jo, të them të drejtën jo. Nuk e duroj dot. Sikur më merr frymën.

-Kjo do të thotë që dimri është më i pranueshëm?

Po ku di unë më duket më mirë në dimër. Ndoshta është ndjesi e brendshme.

-Kur të pëlqen të udhëtosh më shumë në dimër apo në verë?

Udhëtimi në verë më duket disi më i sigurt, më i pranueshëm.

-Qëndroni shumë larg shtëpisë?

Kjo varet nga okupimet, megjithëse, dëshira është të jem gjithmonë pranë familjes. Por puna është punë.

 -Në plazh çfarë sporti ushtroni?

Nuk ushtroj asnjë lloj sporti. I dedikohem vetëm plazhit.

-Qëndroni gjatë në diell?

Po. Më pëlqen dielli, rrezet. Ndaj shkoj dhe në plazh. (qesh).

 -Po të bësh plazh nudo e ke menduar ndonjëherë?

Jooooooooooo. Kurrë. Është jashtë natyrës sime ky lloj plazhi.

 -E pëlqen këtë stinë?

Çdo stinë ka të mirat e saj, por vera është më e bukur për vetë ngjyrat jetësore që jep deti, koha, miqtë e shumtë, pushimet. Kryesorja është se në këtë stinë vishesh më lehtë dhe i thjeshtëzon shumë gjërat. Por, por, por vapën, të ecurit në vapë, aktivitete në vapë më bezdisin disi. Por edhe dimri ka bukuritë e veta, të veçantat e veta. Edhe në dimër dëshiroj t’i bëj diku pushimet.

Në përditshmërinë tuaj kush e zë pjesën më të madhe të kohës?

 Pjesën më të madhe të kohës sime e zë muzika klasike, pa harruar edhe muzikën e lehtë. Një shtysë të rëndësishme për t’u marrë me muzikë klasike ka qenë edhe mësuesja ime e liceut artistik “Jordan Misja”, Rovena Mitre.

 Ç’është skena për ju?

Skena për artistin është e shenjtë dhe gjithmonë ndihesh mjaft mirë kur ngjitesh në të.

 Cilat janë këngët tuaja të preferuara?

Më pëlqejnë shumë serenatat korçare duke qenë se, jam rritur me to që e vogël, sepse origjina ime është nga Dardha e Korçës. Në repertorin tim ka mjaft këngë, por tani nuk mund t’ju them një shifër të saktë.

 Kur e preke për herë të parë skenën e TKOB?

Skenën e TKOB për herë të parë e kam prekur në vitin 2001, ku kam qenë pjesë e korit në Sinfoninë e 9 Beethoven. Në vitin 2007 kam qenë pjesë e fondit që Ministria e Kulturës jepte në mbështetje të artisteve të rinj. Të qënurit koriste në TKOB për mua është një vlerësim mjaft i madh.

 Cilat janë raportet që ruan midis muzikës lirike dhe asaj të lehtë?

 Nuk mundem të bëj një ndarje midis muzikës lirike dhe asaj të lehtë pasi kur këndohen, të dyja burojnë nga shpirti. Ndryshojnë vetëm teknikat vokale midis të dyjave.

 Si do ta cilësonit muzikën live?

Muzika live është një emocion i gjallë të cilën ja përcjell publikut gjithmonë ndryshe sepse duke qenë se je live,  të krijohet mundësia e të improvizuarit në moment duke mos qenë e varur nga cd.

 Jeni supersticioze?

Nuk jam aspak supersticioze.

A të pëlqen gatimi?

Gatuaj, por duke mos pasur shumë kohë nuk i kushtoj kuzhinës atë dashuri dhe përkushtim që i nevojitet. Kuzhina e preferuar është ajo me prodhime deti.

Mendimi juaj për bashkëjetesën?

 -Unë bashkëjetoj! Mendoj se bashkëjetesa është një hap i rëndësishëm përpara martesës!

 Përkufizimi juaj për dashurinë?

 Për mua dashuria është një ushqim, i cili të zgjat jetën!

 Si do ta vlerësonit veten, kush ju pëlqen nga cilësitë tuaja?

Jam e kënaqur me të qenurit INA!

– Si fillon  një ditë punë e zakonshme?

Dita ime e punës fillon në orën 9 dhe mbaron në varësi të aktiviteteve.

Ku preferon t’i bësh pushimet?

 -Më pëlqen si mali ashtu edhe deti për të kaluar pushimet, e rëndësishme është që të jesh e rrethuar nga njerëz të mirë!

 Çfarë bëni kur nxeheni?

 -Kur nxehem çfarë nuk bëj… (qesh)

-N.q.s do flasim për veshjet?

Veshjet e mia të preferuara janë ato klasike

-Çfarë vlerëson tek njeriu?

Tek një njeri vlerësoj shumë sinqeritetin dhe kritikoj hipokrizinë!

-Deri në këtë moshë keni ndonjë peng?

Pengu im në jetë ka lidhje me gjyshen time, e cila nuk jeton më…Nuk dua të flas për këtë….

-A është shoqëria shqiptare maskiliste?

Mendoj se duhet akoma kohë për të ndryshuar mentalitetin e meshkujve shqiptarë për femrat. Gjithsesi, zëri ynë ka filluar të dëgjohet!

 -Marrëdhëniet me cigaren dhe pijet alkoolike?

Aha, marrëdhëniet të rregullta me të dyja…

 Albert Z. ZHOLI